Ardhja e Shpirtit të shenjtë
1 Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin mbledhur të gjithë në të njëjtin vend. 2 Papritur u dëgjua një ushtimë nga qielli, si të frynte erë e fortë dhe mbushi tërë shtëpinë ku po rrinin. 3 Atëherë ata panë disa gjuhë si prej zjarri, të ndara nga njëra-tjetra, e mbi secilin prej tyre zbriste nga një gjuhë zjarri. 4 Atëherë të gjithë u mbushën me Shpirtin e shenjtë e filluan të flisnin gjuhë të tjera, sipas dhuntisë që u jepte Shpirti për të folur.
5 Në Jerusalem banonin disa judenj, njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë, që vinin nga të gjitha kombet e botës. 6 Kur dëgjuan ushtimën u mblodhën turmë e mbetën të habitur, sepse i dëgjonin apostujt duke folur në gjuhën e gjithsecilit. 7 Të mahnitur e të habitur thoshin: «A nuk janë galileas të gjithë këta që po flasin? 8 Si, pra, po i dëgjojmë të flasin në gjuhën amtare të secilit prej nesh? 9 Ne të gjithë, partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit, të Azisë, 10 të Frigjisë, të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë që i përkasin Kirenës, të ardhurit nga Roma, 11 judenj e të kthyer në besimin e judenjve, kretas e arabë, po i dëgjojmë tek flasin në gjuhët tona amtare për veprat e mëdha të Perëndisë».
12 Të gjithë ishin të mahnitur e të çuditur e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'do të thotë kjo gjë?». 13 Por të tjerë talleshin e thoshin: «Këta janë të dehur me musht».
Fjala e Pjetrit
14 Por Pjetri u ngrit bashkë me të njëmbëdhjetët dhe me zë të lartë u tha: «Burra judenj e të gjithë ju banorët e Jerusalemit, merreni vesh këtë gjë e dëgjojini me kujdes fjalët e mia. 15 Këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju, se është vetëm ora nëntë e mëngjesit , 16 por kjo është ajo gjë për të cilën ka folur profeti Joel:
17 Në ditët e fundit, thotë Perëndia,
do të ndodhë kështu:
unë do të dikoj Shpirtin tim
te të gjithë njerëzit.
Bijtë tuaj e bijat tuaja
do të profetizojnë,
të rinjtë tuaj
do të shohin vegime
e pleqve tuaj
do t'u flas përmes ëndrrave.
18 Edhe mbi shërbëtorët
e shërbëtoret e mia
do të dikoj Shpirtin tim në ato ditë
e ata do të profetizojnë.
19 Do të shfaq gjëra të jashtëzakonshme
lart në qiell
e shenja
poshtë në tokë,
gjak, zjarr e shtëllunga tymi.
20 Dielli do të kthehet në errësirë
e hëna në gjak
para se të vijë dita madhështore
dhe e lavdishme e Zotit.
21 Atëherë, kushdo që të thërrasë
emrin e Zotit
do të shpëtohet.
22 Burra izraelitë, dëgjojini këto fjalë: Jezui i Nazaretit ishte njeriu për të cilin Perëndia dha dëshmi para jush me anë veprash të fuqishme, mrekullish e shenjash që bëri mes jush nëpërmjet tij, siç e keni parë edhe vetë. 23 Këtë njeri që ju është dorëzuar juve, sipas vullnetit të Perëndisë dhe shestimit që ai kishte vendosur më parë, ju vetë e vratë duke e kryqëzuar me duart e të mbrapshtëve. 24 Por Perëndia e ngjalli atë, duke e çliruar nga dhimbjet e vdekjes, se nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante nën pushtetin e saj. 25 Davidi thotë për të:
Zotin e kisha gjithmonë
para syve.
Ai është në të djathtën time,
që të mos lëkundem.
26 Prandaj u gëzua zemra ime,
gjuha ime u ngazëllua
e trupi im
do të prehet në shpresë,
27 se ti nuk do ta braktisësh në skëterrë
shpirtin tim,
as nuk do të lejosh të Shenjtin tënd
të shohë kalbjen.
28 Ti më ke treguar udhët e jetës
e do të më mbushësh me gëzim
në praninë tënde.
29 Vëllezër, më duhet t'ju flas haptas për patriarkun David, i cili vdiq, u varros dhe varri i tij gjendet këtu deri më sot. 30 Meqë ai ishte profet, e dinte se Perëndia i ishte betuar se do të vendoste mbi fronin e tij një pasardhës të vetin.
31 Duke e parashikuar këtë gjë, ai tha për ngjalljen e Krishtit:
ai nuk u braktis në skëterrë
dhe trupi i tij nuk e pa kalbjen.
32 Këtë Jezu, Perëndia e ngjalli dhe për këtë gjë ne të gjithë jemi dëshmitarë. 33 Ai është lartësuar në të djathtën e Perëndisë, ka marrë nga Ati Shpirtin e shenjtë, që Perëndia na kishte premtuar dhe na e ka dhuruar ne, siç po e shihni e po e dëgjoni.
34 Megjithëse Davidi nuk është ngjitur në qiell, ai thotë:
I tha Zoti Zotit tim:
ulu në të djathtën time
35 derisa të t'i vë armiqtë e tu
si shtrojë të këmbëve të tua.
36 Le ta dijë, pra, me siguri e tërë shtëpia e Izraelit, se atë Jezu që ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot e Krisht».
37 Atyre që i dëgjuan këto, iu trondit zemra e u thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: «Ç'duhet të bëjmë, o vëllezër?». 38 Pjetri u tha: «Pendohuni e pagëzohuni secili në emrin e Jezu Krishtit, që t'ju falen mëkatet. Kështu do të merrni dhuratën e Shpirtit të shenjtë. 39 Se premtimi është për ju, për bijtë tuaj e për të gjithë ata që janë larg, për këdo që Zoti, Perëndia ynë, e thërret te vetja».
40 Pjetri dëshmoi edhe me shumë fjalë të tjera dhe i porositi: «Shpëtoni veten nga kjo brezni e mbrapshtë». 41 Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta. 42 Ata i ishin përkushtuar mësimit të apostujve, bashkësisë me njëri-tjetrin, thyerjes së bukës e lutjeve.
Jeta e kishës
43 Të gjithë i zuri frika, sepse apostujt bënin shumë mrekulli e shenja. 44 Të gjithë besimtarët ishin të bashkuar dhe kishin gjithçka të përbashkët. 45 Ata shisnin pasuritë dhe pronat e ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës që kishte secili. 46 Çdo ditë, pasi rrinin bashkë në tempull, thyenin bukën në shtëpi dhe hanin ushqim me zemër të gëzuar e të çiltër. 47 Ata lavdëronin Perëndinë dhe populli i kishte për zemër. Zoti u shtonte atyre çdo ditë ata që shpëtoheshin.
Krie e ditë
1 E kur erdhi dita e Pendikostisë, rrijnë mbë një vënd të gjithë bashkë.
2 E vjen aksafna nga Qielltë një zë sikur u ngre një erë e keqe, e mbushi gjithë shtëpinë, atje tek rrijnë.
3 E u duknë ature gjuhëra ndajturë nd’ata posi të zjarta, e ndëjnë mbi cilëdo nga ata.
4 E u mbushnë të gjithë prej Shpirtit Shënjt, e nisnë të flisnë të tjera lloi gjuhëra sikundrë u ip ature Shënjti Shpirt të kuvëndoijnë.
5 E qenë që rrijnë ndë Ierusalim çifut, njerëz me frikë të Perndisë, nga çdo fili që janë ndënë Qiell.
6 E si u bë kij zë u mbëjodh turma, e u trazuanë; sepse digjoijnë sicilido që kuvëndoijnë ndë gjuhë të ture.
7 E çuditishnë gjithë, e lijnë mëntë, e thoshnë njeri me jatërinë: Nukë janë gjithë këta që flasënë nga Galilea?
8 E po qish navet digjojëmë cilido gjuhënë tonë që kemi lerë ndë të?
9 Parthëtë, edhe Midhëtë, edhe Ellamitë, edhe ata që rrinë ndë Mesopotami, e nd’Iudheë, e Kapadhoqi, ndë Pondo, edhe ndë Asi.
10 Ndë Frigji, e ndë Pamfili, nd’Egjipto, e mb’anët’ e Liviesë, që është prej Qirinit; edhe Romanët e ardhurë, çifutë e prosilitë.
11 Kritikotë, edhe arapëtë, digjojëmë këta që kuvëndojënë ndë gjuhëra tona punët’ e mëdha të Perndisë.
12 E lijnë mëntë gjithë e çuditishnë, e thoshnë njeri me jatërinë: Ç’do të jetë këjo?
13 E të tjerë pa i përqeshnë, e thoshnë që janë mbushurë me musht.
14 E si u ngre Petrua mbë këmbë bashkë me të njëmbëdhjetë, ngrijti zën’ e tij, e u thot’ ature: Njerëz çifut, edhe gjithë juvet që rriji ndë Ierusalim, le të jetë këjo ndë juvet e njohurë, e biri ndë vesh fjalët’ e mia.
15 Se këta nukë janë të dejturë, sikundrë mëndoneni juvet; sepse tre është sahati i ditësë.
16 Po këjo ësht’ ajo që qe thënë nga profiti Ioili:
17 Do të jetë ndë të pastajmetë dit (thotë Perndia) do të derdh unë nga Shpirti im mbi gjithë njerëz; e do të profitepsjënë bijtë tuaj edhe bijatë tuaj; e trimshorëtë tuaj do të shohënë të para, e pleqtë tuaj do të ëndërronenë ëndërra.
18 E mbi ropt’ e mi e mbi robinja të mia mb’ato dit do të derdh nga Shpirti im, e do të profitepsjënë.
19 E do të bëj çudira lart ndë Qiell e nishane poshtë mbi dhe, gjak e flakë zjarit edhe avull timit.
20 Dielli do të kthenetë mb’erësirë, e Hënëza mbë gjak, pa ardhurë edhe dita e Zotit, e madhia, e llampsura.
21 E do të jetë, që cilido që të thërresë ëmërin’ e Zotit, do të shpëtojë.
22 Njerëz Israilit, digjoni këto fjalët’ e mia: Iisunë Nazoreonë, njeri dëftuarë ndë juvet nga Perndia me punëra të mëdha, e me çudira që bëri Perndia me anë të tij, përpara sivet suaj, sikundrë e dini edhe juvet.
23 Këtë që qe dhënë me thelimë të parë e me të dijturë të Perndisë, si zutë juvet e e mbërthietë mbë Kruq me duar të panomet, e vratë.
24 Atë Perndia e ngjalli, si e lëshoi nga të dhëmburat’ e vdekëjësë, sepse s’mund të mbahej ai nga vdekëja.
25 Sepse thotë Dhavidhi për atë: Unë gjithënjë shohë Zotnë përpara meje; sepse ai rri mb’anë time të djathëtë, që të mos loz.
26 Andaj u gëzua zëmëra ime, e gjuha ime mburi; edhe kurmi im do të rrijë me omuth.
27 Sepse do të mos lëç Shpirtinë tim ndë pisë, as Shënjtinë tënd do të ndëjeç të kalbetë.
28 Më dëftove mua udhët’ e jetësë; do të më mbloç mua me gëzim të faqesë sate.
29 O vëllazër, na është nevet ndëjierë të thomi me lefteri ndë ju për Patriarhnë Dhavidh, që edhe vdiqi edhe u kall ndë varr, edhe varr’ i tij është mbanë nevet ngjera sot e kësaj ditet.
30 Sepse ai ish profit e e dij që Perndia i taksi atij me be, që nga far’ e mesit së tij do të ngrërë Krishtinë nga an’ e kurmit, e do ta vërë të rrijë mbi fron të tij.
31 Profitërisht tha për të ngjallturë të Krishtit, që nukë mbeti Shpirt’ i tij ndë pisë, as kurm’ i tij pa të kalburë.
32 Këtë Iisunë e ngjalli Perndia, kësaj punet jemi martirë navet të gjithë.
33 E si hipi ai adha mb’anë të djathëtë të Perndisë, e si mori të taksurit’ e Shënjtit Shpirt nga babai, e derdhi këtë që shihni juvet ndashti e digjoni dhurëti.
34 Sepse nukë hipi Dhavidhi ndër Qiell, po thot’ ai: Tha Zoti mbë Zotnë tim: Rri mb’anë time të djathëtë.
35 Ngjera sa të vë armiqt’ e tua fron ndënë këmbë të tua.
36 Le të dijë dha patjatër gjithë shtëpia e Israilit, se atë Iisunë që e mbërthietë juvet ndë Kruq, Perndia e ka bërë Zot edhe Hrishto.
37 E si digjuanë, u lutnë ndë zëmërë të ture, e i thanë Petrosë edhe apostojet së tjerë: Ç’të bëjëmë, o vëllazër?
38 E u thot’ ature Petrua: Metanoisni, e le të pagëzonetë cilido nga jush, mb’ëmër të Iisuit Krishtit, për të ndëjierë fajetë, e do të merri dhurëtin’ e Shënjtit Shpirt.
39 Sepse për juvet është të taksuritë, e për djelm tuaj, edhe për gjithë të largëtë, cilitëdo që do të thërresë Zoti Perndia onë.
40 E me shumë fjalë të tjera u mbush ature kokënë e i mpson, e u thosh: Shpëtoni nga kij brez i shtrëmbërë.
41 E ata që muarë fjalën’ e tij me gëzim, u pagëzuanë; e u shtuanë atë ditë ndë qishë ngjera tri mijë shpirt.
42 E rrijnë e pritnë mbë dhidhahi t’aturevet, e ndë të ndarë, e të ngrënë të bukësë bashkë, edhe ndë të faltura.
43 E gjithë njerëzitë qenë mbë frikë, e shumë thavmëra e nishane bënishnë nga apostojtë.
44 E gjith’ ata që besoijnë qenë gjithë bashkë, e gjithëçdo kishnë, i kishnë bashkuarë.
45 E shitnë të pasuratë edhe plaçkat’ e ture e i ndaijnë ato gjithëvet, çdo që i duhej gjithëkujt.
46 E ngaditë prisnë gjithë bashkë shumë kohë ndë Iero; e tuke thierë bukënë shtëpi mbë shtëpi, haijnë me gëzim e me zëmërë të drejtë.
47 E lëvdoijnë Perndinë, e shihnë gjithë llaonë me si të mirë. E Zoti pa shton ngadita mb’atë shoqëri ata që besoijnë e shpëtoijnë.