Pjetri e Gjoni para Sinedrit
1 Kur Pjetri e Gjoni po i flisnin popullit, priftërinjtë, kryeroja i tempullit e saducenjtë, iu afruan 2 të zemëruar që ata po mësonin popullin e po shpallnin se të vdekurit do të ngjallen përmes Jezuit. 3 Atëherë i kapën e i mbajtën në burg deri të nesërmen, meqë tashmë ishte mbrëmje. 4 Shumë prej atyre që e kishin dëgjuar fjalën e Pjetrit, besuan dhe numri i burrave që besuan arriti në rreth pesë mijë.
5 Të nesërmen krerët e judenjve, pleqtë e shkruesit, u mblodhën në Jerusalem 6 me kryepriftin Hanah, me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin e të gjithë ata të familjes kryepriftërore. 7 Ndërsa Pjetri e Gjoni qëndronin në këmbë në mes tyre, ata i pyetën: «Me ç'fuqi apo në emër të kujt e bëtë këtë gjë?». 8 Atëherë Pjetri, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, u tha: «Krerë të popullit e pleq të Izraelit, 9 ju po na merrni në pyetje sot për një vepër të mirë që i kemi bërë një të sëmuri dhe doni të dini sesi u shërua ky njeri. 10 Dijeni, pra, të gjithë ju e mbarë populli i Izraelit se ky njeri që po qëndron para jush, është shëruar në emrin e Jezu Krishtit të Nazaretit, të cilin ju e kryqëzuat e Perëndia e ngjalli prej të vdekurve. 11 Jezui është
guri që ju ndërtuesit e hodhët tej
e që u bë guri i qoshes.
12 Shpëtimi nuk vjen nga askush tjetër dhe njerëzve nuk u është dhënë asnjë emër tjetër nën qiell, përmes të cilit do të mund të shpëtoheshim».
13 Kur panë guximin e Pjetrit e të Gjonit dhe kur u kujtuan se këta ishin njerëz pa shkollë e të thjeshtë, ata u habitën, sepse i njihnin dhe e dinin se kishin qenë me Jezuin. 14 Pastaj panë se njeriu që ishte shëruar po rrinte me ta, por nuk kishin çfarë të thoshin. 15 Megjithatë, i urdhëruan të dilnin nga sinedri e filluan të këshilloheshin me njëri-tjetrin 16 e të thoshin: «Ç'të bëjmë me këta njerëz? Të gjithë banorët e Jerusalemit e dinë mirë se përmes tyre është bërë një shenjë që duket qartë dhe ne nuk mund ta mohojmë. 17 Por, që kjo gjë të mos përhapet më shumë në popull, t'i kërcënojmë që të mos u flasin më njerëzve në emër të Jezuit». 18 Atëherë i thirrën dhe i urdhëruan që të mos flisnin e të mos mësonin kurrsesi njerëzit në emër të Jezuit. 19 Por Pjetri e Gjoni u përgjigjën: «Gjykojeni vetë nëse është e drejtë para Perëndisë t'ju dëgjojmë ju apo Perëndinë? 20 Ne nuk mund të rrimë pa folur për ato që kemi parë e dëgjuar».
21 Ata, pasi nuk gjetën arsye për t'i dënuar, i kërcënuan dhe i lanë të lirë për shkak të popullit, sepse të gjithë e përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur. 22 Njeriu që ishte shëruar përmes kësaj shenje ishte mbi dyzet vjeç.
Lutja e kishës
23 Pasi u lanë të lirë, Pjetri e Gjoni shkuan te të tjerët e u treguan gjithçka që u kishin thënë kryepriftërinjtë e pleqtë. 24 Kur dëgjuan këtë gjë, ata iu lutën Perëndisë të gjithë bashkë e thanë: «O Zot , ti që ke bërë qiellin, tokën, detin e të gjitha gjërat që janë në to, 25 ti i ke thënë paraardhësit tonë Davidit, shërbëtorit tënd, përmes Shpirtit të shenjtë:
përse u zemëruan kombet
e popujt thurin shestime të kota?
26 Mbretërit e tokës janë përgatitur
e princat janë mbledhur së bashku
kundër Zotit e kundër Krishtit të tij.
27 Në këtë qytet, në të vërtetë, janë mbledhur së bashku Herodi e Ponc Pilati bashkë me kombet dhe popullin e Izraelit kundër Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e vajose si Krisht, 28 që të bënte ato që dora jote e vullneti yt kishte paracaktuar të ndodhnin. 29 E tani, o Zot, shikoji kërcënimet e tyre dhe bëj që shërbëtorët e tu ta flasin fjalën tënde me plot guxim. 30 Shtrije dorën tënde për të shëruar e bëj që të ndodhin shenja e mrekulli përmes emrit të Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë».
31 Kur u lutën ata, vendi ku ishin mbledhur së bashku u trand. Atëherë u mbushën me Shpirtin e shenjtë dhe shpallën me guxim fjalën e Perëndisë.
Besimtarët ndajnë të mirat
32 Të gjithë ata që kishin besuar, ishin në një zemër e në një shpirt dhe askush nuk i quante të vetat gjërat që kishte, por gjithçka e kishin të përbashkët. 33 Apostujt dëshmonin me shumë fuqi për ngjalljen e Zotit Jezu dhe Perëndia u jepte shumë hir të gjithëve. 34 Mes tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse ata që kishin toka apo shtëpi, i shisnin dhe fitimin e sillnin 35 e ua dorëzonin apostujve. Pastaj apostujt i jepnin secilit sipas nevojës.
36 Edhe Jozefi, një levit i lindur në Qipro, të cilit apostujt i kishin vënë emrin Barnabë, që do të thotë «Bir i ngushëllimit», 37 shiti një arë të vetën dhe paratë i solli e ua dorëzoi apostujve.
Krie e katërtë
1 E tek kuvëndoijn’ ata këto fjalë ndë llao, arrinë mb’ata priftëritë edhe stratigoi i Ieroit, edhe Sadhuqejtë.
2 Sepse u vin likshtë që dhidhaksnë ata llaonë e dëftoijnë mbë Iisunë të ngjallturit’ e së vdekuret.
3 E shtinë duartë mb’ata e i vunë mbë të ruajturë për të nesërmenë, se ahiere qe mbrëmane.
4 E shumë nga ata që digjuanë dhidhahinë besuanë, e u bë nëmuri i burravet ngjera mbë pesë mijë.
5 E tjetërënë ditë u mbëjodhë arhondëtë, e pleqtë, e grammatejtë ndë Ierusalim.
6 Edhe Anna, i Pari priftëret, edhe Ioanni, edhe Aleksandhroi, edhe sa ishnë nga soi i të parëvet së priftëret.
7 E si i vunë ata ndë mes, i pietnë: Me ç’fuqi, a mbë ç’ëmër e bëtë juvet këtë?
8 Ahiere Petrua u mbush nga Shënjti Shpirt, e u tha ature: O arhondë të llaoit edhe pleq të Israilit.
9 E nd’është që pietemi nevet sot për të mirë që bën njëit njeriut së sëmurë, me çfarë punë u shërua kij.
10 Le ta diji gjithë juvet, edhe gjithë llaoi i Israilit, se ndë ëmër të Iisu Hristoit Nazoreut, atij që e mbërthietë ndë kruq, e që Perndia e ngjalli atë nga të vdekuritë, me këtë ëmër kij rri përpara juvet i shëndoshë.
11 Kij është guri që u hodh poshtë nga juvet që dërtoni, e që u bë quç i qoshesë.
12 E as mbë ndonjë tjatër është shpëtimi; sepse as tjatër ëmër është ndënë Qiell dhënë mbë njerëz, që me anë të tij duhetë të sosemi na.
13 E si panë tharosn’ e Petrosë e të Ioannit, e kupëtuanë që janë njerëz pa grammati e idhiotër, çuditishnë, e i njihnë ata që qenë bashkë me Iisunë.
14 E sepse shihnë njerin’ e shëruarë që rrij me ta bashkë mbë këmbë, s’mund të thoshnë gjë kondrë.
15 E si i porsitn’ ata të dilë jashtë nga sinodhi, bëijnë mushavere njeri me jatërinë,
16 E thoshnë: Ç’t’u bëjëmë këture njerëzet? Sepse u bë një e madhe çudi prej suresh, e dinë gjithë sa rrinë ndë Ierusalim, e nukë mundjëmë ta arnisjëmë.
17 Po që të mos përhapetë më tepër ndë llao, le t’i porsitjëmë ata me porsi të rëndë, që të mos flasënë më për këtë ëmër mbë ndonjë njeri.
18 E si i thirrë ata, i porsitnë që të mos flasënë, as të mos dhidhaksjënë farese mbë ëmër të Iisuit.
19 Ma Petrua edhe Ioanni u përgjegjnë mbë ta, e thanë: nd’është e drejtë përpara Perndisë, të digjojëmë më tepër juvet se Perndinë, gjukoni ju.
20 Sepse navet nukë mundjëmë të mos flasëmë për ato punëra që pam e digjuam.
21 E ata si i porsitnë me foveri i lëshuanë ata, sepse nukë gjenë sebep qish t’i mundoijnë prej llaoit, se gjithë lëvdoijnë Perndinë për atë që u bë.
22 Sepse ish më shumë se dizet vjet ai njeri që u bë mbë të këjo thavm’ e shërimit.
23 E si u lëshuanë vanë ndë të turetë, e rrëfienë sa u patnë thënë ature të parët’ e priftëret edhe pleqtë.
24 E ata si digjuanë këtë gjithë me një zëmërë ngrijtinë zënë te Perndia, e thanë: O Zot, ti Perndia që bëre Qiellnë edhe dhenë, edhe Detnë, edhe gjithë sa janë mb’ato.
25 Ti që me anë të gojësë së robit sit Dhavidhit the: Pse u nakatosnë filitë, e llaotë u menduanë pa vëjierë?
26 Duallë përpara mbretërit’ e dheut, edhe arhondëtë u mbëjodhë mbë një vënd kondrë Zotit e kondrë Hristoit së tij.
27 Se me të vërteta u përmbëjuadhë ndë këtë qutet kondrë shënjtit djalit sit Iisuit, që e pate hrisurë, Irodhi edhe Pondio Pillatua bashkë me filitë e llaoit’ e Israilit.
28 Të bëijnë ato që dora jote edhe thelima jote kish bënë urdhër më përpara të bënishnë.
29 E ndashti, o Zot, silloisu për kanosit’ e ture, e ep mbë rob të tua të flasënë me gjithë tharos fjalënë tënde.
30 Tuke shtrijturë ti dorënë tënde të bënenë shërime e thavmëra e çudira me ëmër të shënjtit djalit sit Iisuit.
31 E me të luturë që u lutn’ ata, u tund dheu tek qenë mbëjedhurë; e u mbushnë të gjithë prej Shënjtit Shpirt, e flisnë Fjalën’ e Perndisë me tharos.
32 E turmës’ e ature që kishnë besuarë, ish zëmëra edhe Shpirti një; e s’qe ndonjë që të thosh nga plashkat’ e tij: është imea, po qenë të gjitha të turetë të gjithëvet bashkë.
33 E e bënë apostojtë martirin’ e së ngjallturit të Zoti Iisuit me fuqi të madhe; e ishte dhurëti e madhe mb’ata gjithë.
34 E nukë ish mb’ata ndonjë i papasurë; sepse gjith’ ata që kishnë ara a shtëpira i shitnë, e të çmuarat’ e së shituravet i bijnë.
35 E i vijnë ndë këmbë t’apostojet, e ndahej mbë cilëdo sikundrë kish hrinë.
36 E Iosiu, që e patnë thirrë Apostojtë Varnavë (që domethënë: i biri i parigorisë), Leviti, i leri ndë Qipro.
37 Si pati një arë, e shiti, e pruri asprëtë e i vuri ndë këmbë t’apostojet.