1 Si u mësoi këto gjëra dymbëdhjetë dishepujve, Jezui u largua që andej e shkoi për të mësuar njerëzit e për të predikuar në qytetet përreth.
Të dërguarit e Gjon Pagëzorit
(Lk 7.18-35)
2 Gjoni ishte në burg dhe, kur dëgjoi për veprat e Krishtit, i çoi fjalë përmes dishepujve të vet 3 për t'i thënë: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». 4 Jezui u përgjigj kështu: «Shkoni e i tregoni Gjonit çka po dëgjoni e po shihni. 5 Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. 6 Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë».
7 Kur u larguan ata, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? 8 Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të buta gjenden në pallatet mbretërore. 9 Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. 10 Gjoni është ai për të cilin është shkruar:
ja, unë po dërgoj
lajmëtarin tim para teje,
që të përgatisë udhën tënde.
11 Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzori. Por, më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai. 12 Që nga dita e Gjon Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve fitohet me përpjekje të mëdha dhe atë e fitojnë ata që përpiqen . 13 Të gjithë profetët dhe ligji profetizuan deri në kohën e Gjonit. 14 Dhe doni apo s'doni ta pranoni, ai është Elia që duhej të vinte. 15 Kush ka veshë, le të dëgjojë.
16 Me çfarë ta krahasoj këtë brezni? Ajo u ngjan fëmijëve që ulen shesheve dhe u thërrasin të tjerëve 17 e u thonë:
“I ramë fyellit për ju
e nuk kërcyet,
vajtuam
e ju nuk mbajtët zi”.
18 Erdhi Gjoni që as ha e as pi dhe njerëzit thonë: “Është i pushtuar nga djalli”. 19 Erdhi Biri i njeriut që ha e pi dhe njerëzit thonë: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. Por, urtia e Perëndisë del e drejtë nga vetë veprat e veta ».
Qytetet e papenduara
(Lk 10.13-15)
20 Atëherë Jezui filloi të qortonte qytetet ku u bënë pjesa më e madhe e mrekullive të tij, por që nuk ishin penduar: 21 «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke hedhur hi mbi kokë. 22 Por unë po ju them se Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit.
23 Po ti, Kafarnaum,
mos vallë do të lartësohesh deri në qiell?
Në skëterrë do të plandosesh.
Sepse Sodoma do të kishte mbetur deri më sot po të ishin bërë aty mrekullitë që u bënë te ti. 24 Por po ju them se toka e Sodomës do ta ketë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit».
Jezui jep prehje
(Lk 10.21-22)
25 Atëherë Jezui tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. 26 Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty. 27 Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë.
28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur e të munduar, se unë do t'ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e mësoni nga unë, sepse kam zemër të butë e të përulur. Kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj, 30 se zgjedha ime është e butë e barra ime është e lehtë».
Krie e njëmbëdhjetëtë
1 E u bë si i sosi Iisui këto porsi që u tha të dimbëdhjetë mathitivet së tij, u ngre ateje, e vate të dhidhaksjë e të qiriksjë edhe ndë qutete t’ature.
2 E Ioanni si ndjeu ndë hapsanë punërat’ e Krishtit, dërgoi di nga mathitit e tij.
3 E i tha atit: Ti je ai që është për t’ardhurë, a tjetër presëmë?
4 Edhe Iisui u përgjegj, e u tha ature: Si të veni, thoi Ioannit ato që ndieni edhe shihni.
5 Të verbërë shohënë, e të çalë ecëjënë, të fëlliqurë qëronenë, e të vdekurë ngjallenë, e ndë të varfërë rrëfenetë Ungjilli.
6 Edhe i lumur’ ësht ai që nukë skandhalisetë nde mua.
7 E kur iknë këta nisi Iisui t’u thosh botësë për Ioannë: Pse dualltë ndë erimi të shihni kallam që tundetë nga era?
8 Vallë pse dualltë të shihni? Njeri të veshurë me rroba të buta? Ja, ata që vishenë të butatë ndë shtëpira të Mbretëret janë.
9 Po ç’dualltë të shihni? Profit? Vërtet u thom juvet, që më tepër nga profit.
10 Se Kij ësht’ ai që për të është shkruarë: Ja, që unë dërgoj Ëngjëllinë tim të shkojë përpara teje, ai do të dërtojë udhënë tënde përpara teje.
11 Me të vërteta u thom juvet, nuk’ u ngre ndonjë njeri nga ata që janë lerë prej gravet, më i madh se Ioanni Vaptistiu, po më i vogëli ndë (m)bretëri të Qiellvet, është më i madh nga ai.
12 E që nga dit’ t’ e Ioannit Vaptistiut ngjera ndashti mbretëria e Qiellvet mirretë me të shpejtuarë, e ata që shpejtojënë e rrëmbejënë atë.
13 Se gjithë Profitëritë edhe nomi ngjera ndë dit të Ioannit profitepsnë.
14 Edhe ndë doi ta dheksni, ai është Ilia që duaj të vinte.
15 Cili ka veshë për të digjuarë, le të digjojë.
16 Me çfarë njeri gjan këjo siri e këture njerëzet? Këta gjajënë me ata djelm që rrinë mb’udhë, e thërresënë shokëvet së ture.
17 E u thonë: I ram flloeresë për ju, e nukë luajtitë valle. U qajtim juvet, e nuk u helmuatë.
18 Sepse erdhi Ioanni që as haj as pij, e thonë: Të paudhë ka.
19 Erdhi i biri i njeriut, që edhe ha, edhe pi, e thonë: Na njeri ngrënës edhe verëpimës, miku i Tellonëvet edhe i fajëtorëvet. E u gjukua sofia nga djelmt’ e saj.
20 Ahiere nisi të shan ato qutete, që nd’ato u bënë më të shumatë thavmëra të tij, e nukë metanoisnë.
21 Ve mbë tij Horazin, ve mbë tij Vithsaidha, se ndë ishnë bënë ndë Tiro, edhe ndë Sidhonë thavmaturgjitë që u bënë mbë ju, që më përpara do të kishnë metanoisurë, e do të vishnë thesë, edhe do të vijnë ndë krie hi.
22 Pameta u thom juvet, se Tirosë edhe Sidhonësë do t’u jetë më leh ndë ditë të gjukimit, se juvet.
23 Edhe ti, o Kapernaum, që je ngrijturë ngjera mbë Qiell, ngjera mbë pisë do të gremiseç, se gjithë këto thavmëra që u bënë tek teje, të qenë bënë ndë Sodhomë do të qenë mbeturë ngjera kësaj ditet.
24 Po un’ u thom juvet, se më i leh do të jetë mundimi ndë vënd të Sodhomësë ndë ditë të gjukimit, se mbë tij.
25 Atëherë u përgjegj Iisui, e tha: I lëvduarë qofç, o tatë, Zot i Qiellit edhe i dheut, se i fshehe këto nga sofotë edhe nga të mënçuritë, e ua dëftove foshnjëvet.
26 Kështu vërtet, o tatë, se ashtu u duk mirë përpara teje.
27 Të gjitha m’u dhanë nga jati im, e ndonjë njeri nukë njeh të birë, përveçme i jati. Edhe as të janë s’e njeh njeri, përveçmë i biri, edhe ai që të dojë i biri të ja dëftojë.
28 Ejani tek u gjithë sa jeni të lodhurë edhe të ngarkuarë, e unë do t’u prëj juvet.
29 Merri zigonë tim (xedhënë) mbi qafë tuaj, e mpsoni nga meje, se unë jam i butë e i urtë ndë zëmërë, e do të gjeni të prëjturë ndë shpirte tuaj.
30 Sepse zigoi im (xedha ime) ësht’ i mirë, edhe barra ime ësht’ e lehë.