1 Jezui shkoi në malin e Ullinjve. 2 Në të gdhirë, u kthye përsëri në tempull dhe i gjithë populli shkonte pranë tij. Ai u ul e mësonte njerëzit.
3 Atëherë shkruesit dhe farisenjtë i çuan një grua që ishte kapur duke bërë tradhti bashkëshortore dhe, pasi e vunë në mes, 4 i thanë: «Mësues, kjo grua u kap duke bërë tradhti bashkëshortore. 5 Në ligj Moisiu na ka urdhëruar t'i vrasim me gurë gra të tilla. Po ti, ç'thua?». 6 Këtë e thanë për ta zënë në kurth, që të kishin për çfarë ta padisnin, por Jezui u ul e filloi të shkruante me gisht në tokë. 7 Meqenëse ata po vazhdonin ta pyesnin, ai u ngrit e tha: «Kush është pa mëkat ndër ju le të hedhë i pari gurin mbi të!». 8 Pastaj u ul përsëri e shkruante në tokë.
9 Kur e dëgjuan këtë, ata u larguan njëri pas tjetrit duke filluar nga më të moshuarit. Mbeti vetëm Jezui me gruan që qëndronte në mes. 10 Jezui u ngrit e i tha: «Grua, ku janë paditësit e tu? Askush nuk të dënoi?». 11 Ajo u përgjigj: «Askush, zotëri». Jezui i tha: «Atëherë as unë nuk po të dënoj. Shko e mos mëkato më që tani e tutje!».
Drita e botës
12 Atëherë Jezui foli përsëri me ta e u tha: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë kurrë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës». 13 Farisenjtë i thanë: «Ti po dëshmon për veten. Dëshmia jote nuk është e vërtetë». 14 Jezui u përgjigj: «Edhe nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj, ndërsa ju nuk e dini as nga vij e as ku po shkoj. 15 Ju gjykoni sipas dobësisë njerëzore, ndërsa unë nuk gjykoj askënd. 16 Po edhe kur unë gjykoj, gjykimi im është i drejtë, sepse nuk jam vetëm, por jemi unë dhe Ati që më dërgoi. 17 Në ligj shkruhet se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë. 18 Unë dëshmoj për veten time dhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua». 19 Ata i thanë: «Ku është Ati yt?». Jezui u përgjigj: «Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim. Po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim».
20 Ai i tha këto fjalë te vendi i thesarit, teksa mësonte njerëzit në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur ende koha.
Udha e Jezuit drejt lartësimit
21 Jezui u tha përsëri farisenjve: «Unë po shkoj e ju do të më kërkoni, por do të vdisni në mëkatin tuaj. Ju nuk mund të vini atje ku po shkoj unë». 22 Judenjtë thoshin: «Mos do të vrasë veten kur thotë “ju nuk mund të vini ku po shkoj unë”?». 23 Ai u tha: «Ju jeni prej këtu poshtë, unë jam prej së larti. Ju jeni nga kjo botë, unë nuk jam nga kjo botë. 24 Prandaj ju thashë se do të vdisni në mëkatet tuaja. Nëse nuk besoni se unë jam, do të vdisni në mëkatet tuaja». 25 Ata i thanë: «Kush je ti?». Jezui u përgjigj: «Që në fillim jua kam thënë se kush jam. 26 Kam shumë për të thënë e për të gjykuar lidhur me ju, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe unë i them botës ato që dëgjova prej tij». 27 Ata nuk e kuptuan se po u fliste për Atin.
28 Atëherë Jezui u tha: «Kur ta keni lartësuar Birin e njeriut, atëherë do ta kuptoni se unë jam dhe se nuk bëj asgjë nga vetja, por flas si më mësoi Ati. 29 Ai që më dërgoi është me mua e nuk më ka lënë vetëm, sepse unë bëj gjithnjë çfarë i pëlqen atij».
30 Shumë njerëz besuan në Jezuin kur e dëgjuan të fliste kështu.
E vërteta të bën të lirë
31 Jezui u tha judenjve që besuan në të: «Nëse qëndroni në fjalën time, do të jeni me të vërtetë dishepujt e mi, 32 do të njihni të vërtetën dhe e vërteta do t'ju bëjë të lirë». 33 Ata iu përgjigjën: «Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe nuk kemi qenë kurrë skllevër të askujt. Si mund të thuash: “Do të bëheni të lirë”?». 34 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se kushdo që mëkaton është skllav i mëkatit. 35 Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi, ndërsa biri rri gjithmonë. 36 Nëse Biri do t'ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë.
37 E di se jeni pasardhës të Abrahamit, por kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju. 38 Unë them ato që kam parë pranë Atit tim, ndërsa ju bëni ato që keni dëgjuar nga ati juaj».
Bij të Abrahamit apo të djallit?
39 Ata i thanë: «Ati ynë është Abrahami». Jezui u tha: «Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e tij. 40 Tani kërkoni të më vrisni mua, njeriun që ju kam thënë të vërtetën që dëgjova nga Perëndia. Abrahami nuk e bëri këtë. 41 Ju bëni veprat e atit tuaj».
Atëherë judenjtë i thanë: «Ne nuk kemi lindur nga kurvëria. Ne kemi një Atë të vetëm, Perëndinë». 42 Jezui u tha: «Po të ishte Perëndia Ati juaj, do të më donit edhe mua, sepse unë dola nga Perëndia dhe kam ardhur prej tij. Nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai më dërgoi. 43 Përse nuk i kuptoni këto që ju them? Sepse nuk mund ta dëgjoni fjalën time. 44 Ati juaj është djalli e ju doni të bëni vullnetin e atit tuaj. Ai ishte njeri-vrasës që nga fillimi e nuk qëndroi tek e vërteta, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë gënjeshtra, flet nga vetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës. 45 Ndërsa mua që them të vërtetën, nuk më besoni.
46 Kush nga ju mund ta vërtetojë se kam mëkatuar? Nëse them të vërtetën, përse nuk më besoni? 47 Kush është prej Perëndisë, dëgjon fjalët e Perëndisë. Ju prandaj nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë».
Jezui dhe Abrahami
48 Judenjtë i thanë Jezuit: «A nuk e kemi mirë kur themi se je samaritan e ke djallin?». 49 Jezui u përgjigj: «Unë nuk kam djallin, por nderoj Atin tim, ndërsa ju më poshtëroni. 50 Unë nuk kërkoj lavdinë time. Ka se kush e kërkon e se kush gjykon. 51 Me të vërtetë po ju them se kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shohë vdekjen kurrë».
52 Atëherë judenjtë i thanë: «Tani e dimë se ke djallin. Abrahami vdiq. Po ashtu edhe profetët, ndërsa ti thua: “Kush do të zbatojë fjalët e mia, nuk do ta shijojë vdekjen kurrë”. 53 A mos je ti më i madh se ati ynë, Abrahami, që ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur. Për kë e mban veten?». 54 Jezui u përgjigj: «Nëse unë përlëvdoj veten time, lavdia ime nuk është asgjë. Ati im, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj, është ai që më përlëvdon. 55 Ju nuk e keni njohur, ndërsa unë e njoh. Po të them se nuk e njoh, do të jem gënjeshtar si ju. Por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij. 56 Ati juaj, Abrahami, u ngazëllua që do të shikonte ditën time. E pa dhe u gëzua». 57 Atëherë judenjtë i thanë: «Nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?». 58 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se, para se të kishte lindur Abrahami, Unë Jam». 59 Ata morën gurë për t'i gjuajtur, por Jezui u fsheh e doli nga tempulli .
Krie e tetëtë
1 E Iisui vate ndë mal t’Ullinjet.
2 E shumë mëngjes u kthie përsëri ndë Iero, e gjithë llaoi vij tek ai, e ndënji, e i dhidhaks ata.
3 E Grammatejtë edhe Farisejtë prunë tek ai një grua, që panë zënë ndë kurvëri, e si e qëndruanë atë ndë mes.
4 I thon’ atij: Dhaskal, këjo grua ndashti u zu ndë kurvëri.
5 E Moisiu na ka porsiturë navet ndë nom, që të tilatë t’i mbulojënë me gurë. Po ti ç’thua?
6 E këtë e thoshnë për të guciturë atë, që të mundnë ta kallëzoijnë atë. Ma Iisui u unj mbë dhe e shkruan me gjisht mbi dhe.
7 E si rrijnë e pietn’ ata gjithënjë atë, ngrijti krietë e u thot’ ature: Ai që është nga juvet i pafaj, le të shtjerë protoparë mbi të gur.
8 E përsëri unji kokënë e shkruan mbë dhe.
9 E ata, poqë digjuanë këtë, edhe fiqiri ture i shan, nisnë një nga një të dilë jashtë, që nga pleqtë ngjera ndë të pastajmitë. E mbeti Iisui vetëmë, edhe gruaja që qëndron ndë mes.
10 E si ngrijti krietë Iisui, e s’pa ndonjë përveçe gruasë, i thot’ asaj: O grua, ku jan’ ata që të kallëzoijnë? Ndonjë s’të dëmëtoi ti?
11 Edhe ajo tha: Ndonjë, Zot. Edhe Iisui i thot’ asaj: As unë s’të dëmëtoj ti. Hajde, e mos fëje më.
12 Përsëri Iisui u foli ature, e u tha: Unë jam drita e botësë. Ai që vjen pas meje, do të mos ecëjë nd’erësirë, po do të ketë dritën’ e jetësë.
13 Andaj i than’ atij farisejtë: Ti ep martiri për v etëhe tënde. Martiria jote s’ësht’ e vërtetë.
14 U përgjegj Iisui, e u thot’ ature: Ndonëse unë ap martiri për vetëhe time, e vërtetë është martiria ime, sepse e di nga kam ardhurë, e ku vete. Ma juvet nukë diji nga vij unë, e ku vete.
15 Juvet gjukoni sikundr’ u thotë kurmi, unë ndashti nukë gjukoj ndonjë.
16 Edhe ndë gjukofsha unë, gjuqia ime ësht’ e vërtetë, se nukë jam vetëmë, po unë edhe jati im që më ka dërguarë.
17 Edhe ndë nom tuaj ëshë shkruarë, që martiria e di njerëzet ësht’ e vërtetë.
18 Jam unë që ap martiri për vetëhe time, e ep martiri për mua babai që më dërgoi.
19 Edhe ata i than’ atij: Ku është babai it? U përgjegj Iisui: Nukë njihni as mua, as babanë tim. Të njohëtë mua, do të keshëtë njohurë edhe babanë tim.
20 Këto fjalë tha Iisui ndë Gazofillaqi, kur dhidhaks ndë Iero, e ndonjë nuk’ e zuri atë, se nukë kish ardhurë edhe sahat’ i tij.
21 U tha pagjene ature Iisui: Unë mënjënd vete, e do të më kërkoni mua, e do të vdisni ndë faj tuaj. Tek vete unë, juvet s’mundni të vini.
22 Andaj thoshnë çifutë: Mos do të vrasë vetëhen’ e tij, që thotë: Tek vete unë, s’mundi juvet të vini?
23 E u thot’ ature: Ju jini nga të poshtërmitë, unë jam nga të lartësmitë. Ju jini nga këjo dinia, unë s’jam nga këjo dinia.
24 Andaj u thaçë juvet, që do të vdisni mbë faje tuaj, sepse ndë mos besofçi që unë jam, do të vdisni mbë faje tuaj.
25 E i thoshn’ atij: Ti cili je? Edhe Iisui u tha ature: Ai jam, që u kuvëndoj juvet që herën’ e parë.
26 Shumë kam të thom për juvet, e t’u dëmëtoj; po ai që më dërgoi ësht’ i vërtetë. E unë ato që digjova nga ai, ato thom ndë botë.
27 E ata nukë kupëtuanë, që për babanë u thosh ature.
28 Andaj u tha ature Iisui: Kur të ngriri nga dheu të bir’ e njeriut, ahiere do të njihni se unë jam, e vetiut nukë bëj ndonjë punë, po flas sikundrë më dhidhaksi mua babai im.
29 E ai që më dërgoi, është me mua. Nukë më la mua vetëmë babai, sepse unë bëj kurdo ato që i pëlqejënë atij.
30 E kur thosh ai këto fjalë, shumë besuanë nde ai.
31 E u thosh adha Iisui ature çifutet që panë besuarë nde ai: Ndë ruajtishi fjalët’ e mia juvet, do të jini mathitit’e mi të vërtetë.
32 E do të njihni të vërtetënë, e e vërteta do t’u lefterosjë juvet.
33 Ju përgjegjnë atij: Jemi nga far’ e Avraamit, e nuk’ u bëm kurrë skllev ndë ndonjë. Qish adha thua ti, do të lefterosi?
34 U përgjegj mb’ata Iisui: Vërtet, vërtet u thom juvet, që cilido që bën fajnë, është skllav i fajit.
35 E skllavi nukë qëndron gjithënjë mbë shtëpi, biri qëndron gjithënjë ndë shtëpi.
36 Andaj nd’u shpëtoftë biri juvet, do të jini me të vërtetë të shpëtuarë.
37 E di që jini nga far’ e Avraamit; po kërkoni të më vritni mua, sepse fjala ime nukë hin mbë juvet.
38 Unë thom atë që kam parë mb’anë të babait sim; ashtu edhe ju atë bëni që mpsuatë nga babai juaj.
39 Ju përgjegjnë atij, e i thanë: Babai inë ësht’ Avraami. U thot’ ature Iisui: Të jeshëtë bijt’ e Avraamit, do të bëjëtë punët’ e Avraamit.
40 Ma ndashti kërkoni të më vritni mua, njeri që u thaçë juvet të vërtetënë që digjova nga Perndia. Këtë Avraami nuk’ e bëri.
41 Juvet bëni punërat’ e babait suaj. Ju përgjegjn’ atij: Nevet s’jemi nga farë kurvërisë. Një baba vetëmë kemi, Perndinë.
42 E Iisui u thot’ ature: Ndë qe Perndia babai juaj, pajetërë do të më dojëtë mua; se unë nga Perndia dolla, e arçë; sepse nukë kam ardhurë vetiut, po ai më dërgoi mua.
43 Për çfarë punë nukë kupëtoni juvet gjuhënë time? Sepse nukë mundni të ndieni fjalënë time.
44 Juvet kini për baba djallinë, e doi të bëni ato që dëshëron babai juaj. Ai ish që vrau njerinë që herën’ e parë. E ndë të vërtetë nukë qëndroi, sepse s’ësht’ e vërtetë nde ai. Kur flet gënjeshtrënë, flet atë që gjan atij, sepse është gënjeshtjar, edhe babai i gënjeshtrësë.
45 Po mua nukë më besoni, sepse u thom të vërtetënë.
46 Kush nga jush më qërton për faj? E nd’u thom të vërtetënë, përse juvet nukë më besoni mua?
47 Ai që është nga Perndia, fjalët’ e Perndisë digjon. Juvet andaj nuk’ i digjoni, sepse s’jini nga Perndia.
48 Ju përgjegjnë çifutë, e i than’ atij: Nukë thomi navet mirë, se ti je një Samarit, e i xhindosurë?
49 U përgjegj Iisui: Unë s’jam i xhindosurë, po nderoj babanë tim, e juvet më ksenderoni mua.
50 Ma unë nuk’ e zë fill nderë tim, është kush e kërkon e do të bëjë gjuq.
51 Vërtet, vërtet u thom juvet: Kush të ruajë fjalënë time, do të mos shohë vdekëjë ndë jetë të pasosurë.
52 I thonë dha atij Çifutë: Ndashti pa e njohm, që ti je i xhindosurë. Avraami vdiqi, edhe profitëritë, e ti thua: Kush ruan fjalënë time, do të mos hajë vdekëjë ndë jetë të pasosurë.
53 Mos je ti m’i madh se Avraami, babai inë, që vdiqi? Edhe profitëritë vdiqnë. Cilinë e bën ti vetëhenë tënde?
54 U përgjegj Iisui: Ndë nderoj unë vetëhenë time, nderia ime s’është gjë. Është babai im ai që më nderon, ai që thoi juvet se është Perndia juaj.
55 E nuk’ e njohtë atë, ma unë e njoh atë. E ndë thafça që s’e njoh atë, do të jem gënjeshtjar posi juvet. Po e di atë, e fjalën’ e tij e ruaj.
56 Avraami babai juaj, gaz të madh e pat, që të shih ditënë time, edhe e pa, e u gëzua.
57 I thanë pa çifut’ atij: Edhe pesëdhjetë vjeç s’je, e ke parë Avraamnë?
58 U thot’ ature Iisui: Vërtet, vërtet u thom juvet, se pa parë dhe Avraami, jam unë.
59 Andaj muarrë gurë të bijnë mbi të. Ma Iisui u fsheh e dolli nga Ieroi, e shkoi ndëpërmes të ture, e ashtu vate.