Dërgimi i të dymbëdhjetëve
(Mt 10.5-15Mk 6.7-13)1 Jezui i thirri të dymbëdhjetët e u dha fuqi e pushtet mbi të gjithë djajtë, si edhe për të shëruar sëmundjet. 2 Pastaj i dërgoi të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët. 3 Atëherë u tha: «Mos merrni asgjë me vete për udhëtim, as shkop, as trastë, as bukë, as para e mos mbani dy tunika. 4 Qëndroni në shtëpinë ku hyni derisa të niseni prej aty. 5 Nëse ndokush nuk ju pranon, kur të dilni prej atij qyteti shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi ndaj tyre».
6 Dishepujt u nisën e shkuan nëpër fshatra, duke shpallur ungjillin e duke shëruar kudo.
Shqetësimi i Herodit
(Mt 14.1-12Mk 6.14-29)7 Herod Tetrarku dëgjoi për gjithçka kishte ndodhur e u shqetësua, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ngjallur prej të vdekurve, 8 disa të tjerë thoshin se ishte shfaqur Elia e të tjerë se ishte ngjallur një nga profetët e vjetër. 9 Herodi tha: «Gjonit ia kam prerë kokën, por kush është ky për të cilin po dëgjoj këto gjëra?». Dhe kërkonte ta shihte.
Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mt 14.13-21Mk 6.30-44Gjn 6.1-14)10 Kur u kthyen, apostujt i treguan Jezuit për gjithçka kishin bërë. Ai i mori apostujt e u largua vetëm me ta drejt një qyteti të quajtur Betsaidë. 11 Kur turmat e morën vesh këtë gjë, i shkuan pas. Jezui i mirëpriti, u foli për mbretërinë e Perëndisë dhe shëroi ata që kishin nevojë për shërim.
12 Dita po mbaronte dhe të dymbëdhjetët iu afruan Jezuit e i thanë: «Nise turmën të shkojë në fshatrat e fushat përreth, që të strehohen e të ushqehen, se ky vend është i shkretë». 13 Por Jezui u tha: «Jepuni ju ndonjë gjë për të ngrënë!». Ata iu përgjigjën: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq. A të shkojmë e të blejmë ushqim për gjithë këtë popull?». 14 Aty ishin rreth pesë mijë burra. Jezui u tha dishepujve: «Ulini njerëzit në grupe nga pesëdhjetë veta!». 15 Ata vepruan ashtu dhe i ulën të gjithë. 16 Jezui mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, i theu bukët e ua dha dishepujve t'ia shtronin turmës. 17 Të gjithë hëngrën e u ngopën. Çfarë teproi u mblodh dhe u mbushën dymbëdhjetë shporta me copa buke.
Pohimi i Pjetrit
(Mt 16.13-19Mk 8.27-29)18 Një herë, kur Jezui po lutej në një vend të veçuar e dishepujt ishin me të, ai i pyeti: «Kush thonë turmat se jam unë?». 19 Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia, të tjerë se është ngjallur ndonjëri nga profetët e vjetër». 20 Atëherë u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti i Perëndisë».
Paralajmërimi i parë i Pashkës
(Mt 16.20-28Mk 8.30—9.1)21 Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për këtë 22 e u tha se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej.
23 Atëherë u tha të gjithëve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet çdo ditë e të më ndjekë. 24 Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë atë. 25 Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte e të rrënonte veten? 26 Por edhe Biri i njeriut, kur të vijë me lavdinë e tij e me lavdinë e Atit dhe të engjëjve të shenjtë, do të ketë turp për ata që kanë turp nga unë apo nga fjalët e mia. 27 Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu, nuk do të provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë».
Shndërrimi i Jezuit
(Mt 17.1-8Mk 9.2-8)28 Rreth tetë ditë pasi tha këto fjalë, Jezui mori me vete Pjetrin, Gjonin, Jakobin e u ngjit në mal për t'u lutur. 29 Ndërsa lutej, pamja e fytyrës i ndryshoi e rrobat i morën një bardhësi vezulluese. 30 Pastaj panë dy burra që po flisnin me Jezuin. Ishin Moisiu dhe Elia 31 që u shfaqën në lavdi e po flisnin për veprën që do të përmbushte Jezui me vdekjen e tij në Jerusalem.
32 Pjetri dhe ata që e shoqëronin kishin rënë në gjumë të thellë, por u zgjuan dhe panë lavdinë e tij e të dy burrave që ishin me të.
33 Kur po ndaheshin, Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Pjetri nuk dinte çfarë po thoshte. 34 Ndërsa po fliste, erdhi një re e i mbështolli. Kur hynë në re, dishepujt i zuri frika. 35 Pastaj nga reja u dëgjua një zë që tha: «Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!». 36 Si u dëgjua zëri, Jezui mbeti vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i treguan askujt për gjërat që kishin parë.
Shërimi i djalit të pushtuar nga djalli
(Mt 17.14-18Mk 9.14-27)37 Të nesërmen, pasi kishin zbritur nga mali, Jezuin e takoi një turmë e madhe. 38 Atëherë një burrë nga turma thirri: «Mësues, të lutem shikoje tim bir, se e kam djalë të vetëm! 39 Atë e pushton një shpirt që e bën të bërtasë dhe e shkund me dhunë derisa nxjerr shkumë nga goja. E mundon e largohet me vështirësi prej tij. 40 Iu luta dishepujve të tu ta dëbonin, por nuk mundën». 41 Jezui u përgjigj: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sille këtu tët bir!». 42 Kur po e sillnin, djalli e përplasi përtokë djaloshin dhe e përpëliti. Por Jezui e qortoi shpirtin e ndyrë, e shëroi djaloshin dhe ia ktheu të atit. 43 Të gjithë u mrekulluan nga madhështia e Perëndisë.
Tjetër paralajmërim i Pashkës
(Mt 17.22-23Mk 9.30-32)Ndërsa të gjithë mrekulloheshin me gjithçka që kishte bërë, Jezui u tha dishepujve: 44 «Vëruni vesh mirë fjalëve që po ju them: Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve». 45 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë. Kuptimi i tyre u mbeti i fshehur, kështu që nuk e morën vesh dhe kishin frikë ta pyesnin.
Madhështia e vërtetë
(Mt 18.1-5Mk 9.33-37)46 Mes dishepujve lindi pyetja se kush prej tyre ishte më i madhi. 47 Por Jezui, që i njihte mendimet e zemrës së tyre, mori një fëmijë dhe e mbajti pranë. 48 Atëherë u tha dishepujve: «Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua e kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Më i vogli ndër të gjithë ju, ai është më i madhi».
Me ju, jo kundër jush
(Mk 9.38-40)49 Atëherë Gjoni i tha: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk të ndjek pas bashkë me ne».
50 Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se kush nuk është kundër jush, është me ju».
Mospranimi nga samaritanët
51 Kur po afroheshin ditët e ngritjes së tij në qiell, Jezui mori vendim të prerë për të shkuar në Jerusalem 52 dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Gjatë rrugës u ndalën në një fshat samaritanësh për të bërë përgatitjet për Jezuin, 53 por ata nuk e pranuan, sepse po shkonte drejt Jerusalemit. 54 Kur dishepujt e tij, Jakobi e Gjoni, e panë këtë gjë, i thanë: «Zot, a do që të urdhërojmë të zbresë zjarr nga qielli e t'i përpijë ?».
55 Por Jezui u kthye e i qortoi . 56 Pastaj shkuan në një fshat tjetër.
Të ndjekësh Jezuin
(Mt 8.19-22)57 Ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: «Do të të ndjek kudo që të shkosh». 58 Por Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka e zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën».
59 Një tjetri i tha: «Më ndiq!». Por ai iu përgjigj: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë!». 60 Jezui i tha: «Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre, ndërsa ti shko e shpall mbretërinë e Perëndisë».
61 Një tjetër i tha: «Unë do të të ndjek, Zot, por më lejo të ndahem më parë me ata të shtëpisë». 62 Jezui iu përgjigj: «Kushdo që vë dorën në parmendë dhe e kthen kokën pas, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë».
Krie e nëntëtë
1 E si thirri të dimbëdhjetë mathitit’ e tij, u dha ature fuqi, edhe urdhër mbi gjithë të paudhëtë, edhe të shërojënë sëmundëtë.
2 E i dërgoi ata të qiriksnë mbretërin’ e Perndisë, e t’u ipnë shëndetnë së sëmurëvet.
3 E u tha ature: Mos merri fare gjë mb’udhë, as stap, as torvë, as bukë, as asprë; as di palë rroba të kini.
4 Edhe mbë çdo shtëpi që të hini, mbeti atje ngjera sa të dili.
5 Kudo që të mos u qasjënë juvet, kur të dili nga ai qutet, shkundni edhe pluhurinë nga këmbëtë tuaj, për martiri kondr’ ature.
6 E si duallë nisnë të vijnë rrotullë ndëpër fshatëra
7 E digjoi Irodhi Tetrarhi ato që bënishnë nga ai të gjitha; e çuditej, sepse thoshnë ca, që Ioanni u ngre nga të vdekuritë.
8 E ca të tjerë thoshnë, që u duk Ilia, e të tjerë pa që u ngre një profit i lashtë.
9 E tha Irodhi: Ioannit un’ i preva krietë. Po cili është kij, që digjoj të thonë për të kaqë punëra? E kërkonte ta shih atë.
10 E si u kthienë apostojtë, i rrëfienë atij gjith’ ato që bënë. E si i mori ata me vetëhe, u hoq mbë një vënd të shquarë të qutetit që quhetë Vithsaidha.
11 E si digjuanë këtë punë turmëtë, i vanë pas si. E si i priti ata, u kuvëndon ature për mbretëri të Perndisë, e shëronte ata që kishnë shtrëngim.
12 E nisi dita të thihej. E ju afëruanë atij të dimbëdhjetë, e i thon’ atij: Lësho turmënë, të venë rrotullë fshatëravet e çefliqevet, të konepsjënë, e të gjejënë të ngrënë, se këtu jemi ndë vënd erimi.
13 E u thot’ ature: Epuni juvet ature të hanë. Edhe ata i thanë: Nukë kemi navet këtu më tepër përveçe pesë bukëvet, edhe di pishqet; veçme ndë vafçim navet të blejëmë të ngrëna për gjithë këtë llao.
14 Sepse qenë ngjera pesë mijë burra. E u tha mathitivet së tij: Viri ata të rrinë tufa-tufa nga pesëdhjetë.
15 E bënë kështu; e i vunë e ndëjnë të gjithë.
16 E si mori të pesë bukëtë, edhe të di pishqitë, e ngrijti sitë ndër Qiell, i bekoi ato, e i theu, e ua ip mathitivet t’ua vijnë turmësë përpara.
17 E hangrë, e u frinë të gjithë; e ngrijtinë atë që u tepëroi ature, dimbëdhjetë kofina.
18 E u bë kur ai qe mbënjanë që falej, qen’ edhe mathitit’ e tij bashkë me të; e i pieti ata, e u tha: Cili thonë turmëtë se jam unë?
19 Edhe ata u përgjegjnë, e i thanë: Ioannë Vaptistinë, e të tjerë Ilianë, e të tjerë se ndonjë profit i lashtë u ngjall.
20 E u thot’ ature: E po juvet cili thoi se jam? E u përgjegj Petrua, e i tha: Krishti i Perndisë.
21 E ai i foverisi ata fort, e i porsiti të mos e thonë njeriut këtë.
22 E u tha, se i biri i njeriut do të pësojë shumë, e do të shtiretë e të ksenderonetë nga pleqtë, e të parët’ e priftëret, e grammatejtë, e të vritetë, e të tretënë ditë të ngjalletë.
23 E thoshte pa ndë gjithë: Ai që do të vijë pas meje, le të arnisjë vetëhen’ e tij, e le të marrë Kruqn’ e tij ditë për ditë, e le të vijë pas meje.
24 Sepse ai që do të sosjë Shpirtin’ e tij, do ta humbasë atë, e ai që ta humbasë Shpirtin’ e tij për mua, kij do ta sosjë atë.
25 Sepse ç’i vëjen njeriut të pohtisjë gjithë dinianë, e të humbasë vetëhen’ e tij, a ta dëmëtojë?
26 Sepse kush do të ketë turp për mua edhe për fjalët’e mia, për atë do të ketë turp edhe i biri i njeriut kur të vijë ndë nder të tij edhe të jatit së tij, edhe të Shënjtorëvet Ëngjëjet.
27 E vërtet u thom juvet: Janë ca nga këta që rrinë këtu, që ata do të mos vdesënë, ngjera sa të shohënë mbretërin’ e Perndisë.
28 E shkuanë si tha këto fjalë ngjera tetë dit, e mori me vetëhe Petronë, edhe Ioannë, edhe Iakovonë, e hipi ndë mal të falej.
29 E gjau tek falej ai, e ju bë të dukurit’ e faqesë tij tjatër lloi, e rrobat’ e tij të bardha që llamburitnë posi vetëtimë.
30 E ja di burra që kuvëndoijnë me të bashkë, e ata qenë Moisiu edhe Ilia.
31 Që ata u duknë me nder, e thoshnë për të dalë të tij që do të bën ndë Ierusalim.
32 E Petrua edhe shokët’ e tij qenë rënduarë nga gjumi, e si u zgjuanë panë të madht’ e tij, edhe të di burratë që rrijnë me të bashkë.
33 E kur u ndanë ata prej si, i thotë Petrua Iisuit: Dhaskal, pun’ e mirë është të rrimë navet këtu. Le të bëjëmë tri tenda, një për ti, e një për Moisinë, e një për Ilianë, pa digjuarë se ç’thosh.
34 E tek thosh ai këto fjalë, u ngre një mjergullë e i pushtroi ata, e u trëmbnë kur hinë ata ndë mjergullë.
35 E dolli një zë nga mjergulla që thosh: Kij është biri im i dashuri, atij t’i digjoni.
36 E pas këtij zërit, u gjënd Iisui vetëmë; e ata besuanë, e nuk’ i thanë më njeriut mb’ato dit fare për ato që panë.
37 E u bë ditën’ e pastajme, kur zbrisnë ata nga mali, i dolli atij mb’udhë një turm’ e madhe.
38 E ja një njeri nga turma, thirri e tha: Dhaskal, të lutem tij, të rrotulloç sinë mbë birë tim, se m’ është i vetëmë.
39 E ja, e zë atë i paudhi, e thërret aksafna, e e përshqien atë me shkumë, e mezi e lë atë, si e thërmon e pastaj.
40 E u luçë mathitivet së tu, që ta nxirë atë, e nukë mundnë.
41 E Iisui u përgjegj, e tha: O fili e pabesë e e shtrëmbërë, ngjera kur do të jem me ju, e t’u duroj juvet? Bjere këtu birë tënd.
42 E tek afëroi ai të vin, e shtiu atë i paudhi mbë dhe, e e përshqien. E Iisui e porsiti Shpirtin’ e pëgërë me urgji, e e shëroi djalënë, e ja dha atë jatit së tij.
43 E çuditishnë gjithë për të madht’ e Perndisë. E kur lijnë mëntë gjithë për gjith’ ato që bëri Iisui, u tha mathitivet së tij:
44 Viri juvet ndë veshë tuaj këto fjalë, se i biri i njeriut do të ipetë ndë duar të njerëzet.
45 E ata nukë kupëtoijnë këtë që u tha; e qe mbuluarë nga ata, që të mos e kupëtoijnë atë, e trëmbishnë ta pietn’ atë për këtë fjalë.
46 E silloisishnë me vetëhe të ture, se cili është m’i madh ndë ta.
47 E Iisui si pa ato që mëndonishnë me zëmërë të ture, mori nga dora një djalë, e e vuri mb’anë të tij.
48 E u thot’ ature: Cilido që të përmbëjedhë një djalë të tillë mbë ëmër tim, përmbëjedh mua. E cilido që të përmbëjedhë mua, përmbëjedh atë që ka dërguarë mua; se ai që është m’i vogëlë ndë ju gjithë, ai është m’i madh.
49 E Ioanni u përgjegj e tha: Dhaskal, pam një njeri që nxjer të paudhëtë mbë ëmër tënd, e e mbodhism atë, sepse nukë vjen pas nevet.
50 E i thot’ atij Iisui: Mos e mbodhisni atë, sepse kush nuk’ është kondrë navet, është për navet.
51 E kur u afërua koha të së ngriturit së tij, e ai ktheu faqen’ e tij të vij ndë Ierusalim.
52 E dërgoi hapërdarë përpara faqesë tij, e si vanë hinë ndë një qutet të Samaritet të bëijnë gati atij vënd.
53 E nuk’ e dheksnë atë, se u ipte të njihnë ata që vij ndë Ierusalim.
54 E si panë këtë mathitit’ e tij Iakovoi edhe Ioanni, i thonë: Zot, do të thomi të zbresë zjar nga Qielli, e t’i djegë ata, sikundrë bëri edhe Ilia?
55 E u kthie e i qërtoi ata me foveri, e u tha: Nukë diji ju, nga ç’lloi Shpirtit ini ju.
56 Sepse i biri i njeriut nuk’ erdhi të humbasë Shpirte njerëzet, po të sosjë, e vanë ndë tjatër fshat.
57 E tek vijnë ata mb’udhë i thotë një njeri: Zot, të vij pas teje, ku të veç ti?
58 E i thot’ atij Iisui: Dhelpëratë kanë folet’ e ture, edhe zogjt’ e Qiellit të ndënjurë, e i biri i njeriut nukë ka ku të kumbisjë kokënë.
59 E i thotë njëit tjatërit: Eja pas meje. Edhe ai i tha: Zot, amë urdhër të vete më përpara të kllas tim at mbë dhe.
60 E i thot’ atij Iisui: Le të vdekuritë të kllasënë të vdekurit’ e ture; e ti, si të veç, rrëfe mbretërin’ e Perndisë.
61 E një tjatër i tha: Zot, unë do të vij pas teje, po lemë më përpara të përshëndet ata të shtëpisë sime.
62 Edhe Iisui i tha atij: Kurrë ndonjë si të vërë dorën’ e tij ndë parmëndë, e të kthenetë të vështrojë prapa, s’është i zoti për mbretëri të Perndisë.