Shenjtërorja tokësore dhe qiellore
1 Sigurisht që edhe besëlidhja e parë kishte rregulla adhurimi dhe një shenjtërore tokësore. 2 U ndërtua një tendë e parë, në të cilën ndodhej shandani, tryeza e bukët që i kushtoheshin Perëndisë. Kjo tendë quhej «Shenjtërorja».
3 Pas velit të dytë ishte tenda që quhej «Shenjtërorja e shenjtëroreve». 4 Atje ndodhej altari i artë, ku digjej temjani e gjendej arka e besëlidhjes, mbuluar nga të gjitha anët me ar. Brenda arkës ndodhej qypi i artë, që mbante manën, shkopi i Aronit që kishte lulëzuar dhe rrasat e besëlidhjes. 5 Sipër arkës ndodheshin kerubët e lavdisë, që mbulonin pajtimoren, për të cilët nuk është nevoja të flasim me hollësi tani.
6 Këto ishin ndërtuar në mënyrë të tillë që në tendën e parë të hynin gjithnjë priftërinjtë për të bërë shërbesat e adhurimit. 7 Ndërsa në tendën e dytë hynte vetëm kryeprifti një herë në vit dhe jo pa gjak kafshësh, të cilin ia kushtonte Perëndisë për mëkatet e veta dhe për mëkatet e popullit, të bëra nga padija.
8 Me këtë gjë Shpirti i shenjtë tregon se udha për te shenjtërorja e shenjtëroreve nuk do të zbulohej për sa kohë do të ishte tenda e parë. 9 Tenda e parë është një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme dhe tregon se dhuratat dhe flijimet nuk mund ta bëjnë të përsosur ndërgjegjen e atij që i kushton, 10 pasi ka të bëjë vetëm me ushqime, me pije e me larje të ndryshme, me rregulla për trupin, të cilat vlejnë derisa t'u vijë koha për t'u ndrequr.
11 Krishti erdhi si kryeprift i të mirave, që tashmë kanë ardhur. Tenda ku shërben ai është më e madhe dhe më e përsosur. Ajo nuk është bërë nga duar njerëzore, domethënë nuk i përket këtij krijimi. 12 Kur Krishti hyri një herë e përgjithmonë në shenjtëroren e shenjtëroreve, nuk kushtoi gjak cjepsh e viçash, por gjakun e vet, duke na sjellë shpengimin e amshuar.
13 Sepse, nëse gjaku i cjepve e i viçave, si dhe hiri i mëshqerrës që spërkatet mbi të papastrit, i pastron ata nga ndyrësia trupore, 14 aq më tepër do ta bëjë këtë gjë gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Shpirtit të amshuar e kushtoi veten para Perëndisë si flijim të pastër. Ai na pastron ndërgjegjen nga veprat e vdekura që t'i shërbejmë Perëndisë së gjallë.
15 Kështu Krishti është ndërmjetësi i besëlidhjes së re, sipas së cilës të gjithë ata që janë thirrur për të marrë pjesë në trashëgimin e amshuar, do të marrin shpërblimin që u ishte premtuar, për shkak se Krishti vdiq për shkeljet që ishin bërë në besëlidhjen e parë. 16 Atje ku ka testament, duhet medoemos të vërtetohet edhe vdekja e atij që e la testamentin. 17 Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes dhe nuk ka kurrfarë fuqie për sa kohë jeton ai që e lë.
18 Prandaj edhe besëlidhja e parë nuk ishte themeluar pa gjak. 19 Kur i shpalli gjithë popullit urdhërimet e ligjit, Moisiu mori gjak viçash e cjepsh dhe e përzjeu me ujë. Pastaj mori lesh të kuq dhe hisop e me to spërkati librin dhe gjithë popullin 20 duke thënë: ky është gjaku i besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju. 21 Po ashtu ai spërkati me gjak tendën dhe të gjitha enët e shërbesës së adhurimit. 22 Sipas ligjit, pothuajse gjithçka pastrohet me gjak dhe pa u derdhur gjak nuk ka ndjesë mëkatesh.
Flijimi i Krishtit shlyen mëkatin
23 Ishte e nevojshme që edhe trajtat e gjërave qiellore të pastroheshin në të njëjtën mënyrë. Por ato kanë nevojë për flijime më të mira se këto. 24 Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë nga duar njerëzish, që është vetëm shëmbëllesë e shenjtërores së vërtetë, por drejt e në qiell, që të dalë para Perëndisë për ne.
25 Krishti nuk do ta flijojë shumë herë veten, siç bënte kryeprifti kur hynte në shenjtëroren e shenjtëroreve çdo vit me gjak kafshësh, 26 sepse do të duhej të vuante shumë herë që nga krijimi i botës. Përkundrazi, tani, ai u shfaq vetëm një herë në fund të kohëve për ta shkatërruar mëkatin nëpërmjet flijimit të vetes.
27 Sikurse njerëzit një herë vdesin dhe pastaj vjen gjykimi, 28 ashtu edhe Krishti, pasi u flijua një herë për të marrë mbi vete mëkatet e shumë njerëzve, do të shfaqet për herë të dytë, jo për të shlyer mëkate, por për të shpëtuar ata që e presin.
Krie e nëntëtë
1 Pati pa edhe tenda e parë ritot’ e llatrisë, edhe shënjtërin’ e dheut.
2 Sepse pat qënë dërtuarë tenda e parë, tek qenë kandilieri, e mësalla, e prothesi i bukëvet, ajo që quhetë Shënjte.
3 E pas së ditësë bulicë, tenda që quhetë Shënjte e Shënjtorëvet.
4 Që mba brënda thimiaton’ e artë edhe arkën’ e dhiathiqit mbuluarë me ar mbë çdo anë; mb’atë (qe) Stamn’ e artë tek qe Manna edhe shkopi i Aaronit që biu, edhe pllakat’ e dhiathiqit.
5 E mbi atë (arkë) qenë Heruvimitë e nderçurë, që bëijnë hie. Për ato punëra nukë kam ndashti të thom një për një.
6 E si qenë bërë kështu këto punëra, sa për tendën’ e parë, atje hijnë përdita priftëritë të bëjnë punët’ e priftërisë.
7 E ndë të ditënë pa një herë ndë mot, hin Arhiereu vetëmë, jo pa gjak, që bën kurban për vetëhe, e për faje të llaoit që nuk’ i njihnë.
8 Sepse na dha kështu të shohëmë Shënjti Shpirt, që edhe nukë qe çfaqurë udha e Shënjtorëvet, se qëndron edhe mbë këmbë tend’ e parë.
9 Që ajo ishte ksomblë e asaj kohet atëherë, mb’atë dhurëtira e kurbane birishnë, ato s’mundnë të bëijnë telio mbë sinidhis atë që bën kurbanë.
10 Vetëmë me anë të së ngrënatë e të piravet e të lloi-lloi së laravet e cirimoni të kurmit që qenë dhënë të na bijnë ngjera mbë kohë që do të ndreqishnë.
11 Ma Krishti, si erdhi Arhieref i së miravet që do të vijnë, me anë të një më së lartiet e më së mirësë tendë, jo bërë me duar, domethënë jo nga këta të dërtuarë.
12 As me anë të gjakut Cjepet e Demavet, po me anë të gjakut së tij, hiri një herë ndë Shënjte, e gjeti një shpëtim të pasosurë.
13 Sepse nd’është që gjaku i Demavet e i Cjepet edhe hiri i Mëshqerësë, kur randisej ndë të pëgëritë, i shënjtëron mbë të qëruarë të kurmit.
14 Sa më shumë gjaku i Krishtit, që ai me anë të Shënjtit Shpirt pru vetëhen’ e tij të pakatigori te Perndia, do të qërojë sinidhisnë tënë nga punët’ e mortit, që të punojmë Perndin’ e gjallë?
15 E andaj ësht’ ai mesit i dhiathiqit së ri, që të marrënë të ftuaritë të taksuritë e klironomisë pasosurë, sepse vdekëja (e tij) u bë për të shpërblierë të fajevet që bënishnë ndë dhiathiq të parë.
16 Sepse tek është dhiathiq, pajetërë duhetë të vijë vdekëjë atij që bën dhiathiqnë.
17 Sepse dhiathiqi me vdekëjë veveosetë, sepse ngjera sa rron ai që bëri dhiathiqnë, ësht’ edhe e pafuqi.
18 Andaj as e para nukë u lutej pa gjak.
19 Sepse kur dhiavasi Moisiu ndë llao gjithë porsit’ e nomit, mori gjakn’ e Viçëret e të Cjepet bashkë me ujë e me lesh të kuq e Isop, randisi bashkë me Vivlionë edhe gjithë llaonë.
20 Tuke thënë: Këta është gjaku i dhiathiqit, që porsiti Perndia mbë juvet.
21 E ashtu i randisi me gjak, edhe tendënë, edhe gjithë enët’ e punësë.
22 E afëro gjithë punëtë me gjak qëronenë sikundr’ e ka nomi, e pa derdhurë gjak nukë bënetë ndëjesë e fajevet.
23 Duhetë adha që ksomblët’ e punëravet së Qiellet, me anë të këture punëravet të qëronenë; ma ato punërat’ e qiellet qëronenë me thisi më të mira se këto.
24 Sepse nukë hiri Krishti ndë të Shënjtëruara të bëra me duar, ksomblë së vërtetavet, po hiri nd’atë të Qiellvetë, që të çfaqej ndashti për të mirë tënë përpara Perndisë.
25 Edhe jo për të prurë shumë herë vetëhenë, sikundrë hin Arhiereu nga vit ndë të Shënjtëruara mbë gjak të huaj.
26 (Sepse ndrishe duhej që të kish pësuarë ai shumë herë, që mbë të nisurë të jetësë), ma ndashti u duk një herë mbë të sosurë të motet, për të prishurë fajnë me kurban të vetëhesë tij.
27 E qish është dhiorisurë ndë gjithë njerëz të vdesënë një herë, e pas kësaj mortit është gjuq.
28 Kështu edhe Krishti qe prurë një herë për të prerë fajetë e së shumëvet, e të ditënë herë do të duketë pa faj për shpëtim t’ature që e presënë atë.