Bashkëpunëtorë të Perëndisë
1 Unë, o vëllezër, nuk munda të flas me ju si me njerëz që kanë Shpirtin e Perëndisë, por si me njerëz të kësaj bote, si me foshnja në besimin e Krishtit. 2 Ju ushqeva me qumësht dhe jo me ushqim të fortë, sepse nuk mund ta përtypnit. Por edhe tani nuk mundni, 3 sepse jeni ende njerëz të kësaj bote. Nëse keni smirë e grindje mes jush, a nuk tregoni se jeni të kësaj bote dhe jetoni si të gjithë njerëzit?
4 Kur njëri thotë: «Unë jam i Palit» dhe tjetri: «Unë jam i Apolit», a nuk jeni si të gjithë njerëzit e tjerë? 5 Kush është Apoli dhe kush është Pali? Janë vetëm shërbëtorë, nëpërmjet të cilëve besuat dhe që veprojnë, secili sipas fuqisë që i dha Zoti. 6 Unë mbolla farën, Apoli e ujiti, por Perëndia e rriti. 7 Kështu, nuk kanë rëndësi as ai që mbjell e as ai që ujit, por Perëndia që rrit. 8 Ai që mbjell dhe ai që ujit, janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin sipas mundit. 9 Sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë, ndërsa ju jeni ara dhe ndërtesa e tij.
10 Unë, sipas hirit që më dha Perëndia, si arkitekt i ditur vura themelin, por tjetërkush po ndërton mbi të. Secili të ketë kujdes sesi ndërton. 11 Askush nuk mund të vendosë një themel tjetër përveç këtij që kemi dhe që është Jezu Krishti. 12 Disa ndërtojnë mbi këtë themel me ar, argjend apo gurë të çmuar dhe disa të tjerë ndërtojnë me dru, sanë apo kashtë, 13 por vepra e secilit prej tyre do të dalë në dritë dhe vlerën e saj do ta tregojë dita e gjykimit. Ajo ditë do të vijë me zjarr dhe me këtë zjarr do të provohet vepra e kujtdo. 14 Nëse vepra që ndërtoi dikush i qëndron zjarrit, ai do të marrë shpërblimin. 15 Nëse vepra e dikujt digjet, ai do ta humbasë shpërblimin, por vetë do të shpëtojë si një njeri që kalon përmes zjarrit.
16 A nuk e dini se jeni tempull i Perëndisë dhe se Shpirti i Perëndisë banon në ju? 17 Nëse dikush rrënon tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta rrënojë atë, sepse tempulli i Perëndisë është i shenjtë dhe ky tempull jeni ju.
18 Mos mashtroni veten! Nëse ndonjë nga ju pandeh se është i urtë në këtë jetë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë. 19 Sepse urtia e kësaj bote është marrëzi para Perëndisë, siç është shkruar:
ai i zë të urtët
në dinakërinë e tyre.
20 Dhe:
Zoti i njeh mendimet e të urtëve
dhe e di se janë të kota.
21 Prandaj, asnjë të mos mburret me njerëzit, sepse gjithçka është juaja: 22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja dhe e ardhmja.
Gjithçka është juaja, 23 ndërsa ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.
Krie e tretë
1 Edhe unë, vëllazër, nukë munda të u kuvëndojë juvet si njerëzet të Shpirtit, po u kuvëndova si njerëzet të kurmit, u kuvëndova posi foshnjëvet mbë Krishtinë.
2 U ushqeva juvet me qumështë, e jo me gjellë, sepse s’jeshëtë dhe të zotë për gjellë. Edhe as ndashti s’jini.
3 Sepse edhe po të mishtë jini, sepse kur është ndër juvet zili, e qartë, e të përçquarë, nukë jini të mishtë, e nuk’ ecëni njerëzisht.
4 Sepse kur thotë një: Unë jam i Pavllosë; e tjatëri: Unë jam i Apolloit, nukë jini të mishtë?
5 Cili është Pavllua, e cili ësht’ Apolloi? Jo jetërë po shërbëtorë që me anë të ture besuatë juvet, e sikundrë që dha Zoti mbë cilinëdo.
6 Unë fitepsa, Apolloi potisi, ma Perndia i rriti.
7 Kaqë që as ai që fiteps, as ai që potis s’janë kafshë, po Perndia që i rriti.
8 Ai që fiteps edhe ai që potis një janë; ma cilido, do të marrë pagën’ e tij sikundrë punoi.
9 Sepse navet jemi punëtorë të Perndisë, bashkë me të. Juvet jini arë e Perndisë, shtëpi e Perndisë.
10 Sikundr’ është dhurëtia e Perndisë që m’është dhënë mua, unë shtiva bina si një sofo arhitekto, një tjatër pa ktis mbi të. Po cilido le të vështrojë mirë çfarë lloi ktis mbi të.
11 Sepse tjatër bina nukë mund të vërë ndonjë përveçe asaj që është shtirë, që ajo bina është Iisu Hristoi.
12 E ndë qoftë që të ktisjë ndonjë mbi këtë bina, ar, ergjënd, gurë të paçmuara, dru, bar, kallame.
13 Puna e gjithëkujt do të çfaqetë, sepse dita e Zotit do ta dëftojë, sepse do të zbulonetë me anë të zjarit. E zjari do të dëftojë punën’ e gjithëkujt ç’lloi është.
14 Kujt t’i mbetetë puna që ka bërë gjithëkush, do të marrë pagë.
15 E cilitdo që t’i digjetë puna, do të dëmëtonetë, po ai do të shpëtojë, ma kështu si ndëpërmes të zjarit.
16 Nuk’ e diji që jini Nao i Perndisë, e Shpirti i Perndisë rri brënda mbë juvet?
17 Cilido që prish Qishën’ e Perndisë, atë do ta prishjë Perndia, sepse Qisha e Perndisë, që jini juvet, është Shënjte.
18 Mos gënjejë gjithëkush vetëhen’ e tij. Nd’është ndonjë që mban vetëhen’ e tij sikur ësht’ i digjuarë nga jush ndë këtë jetë, le të bënetë i marrë, që të jetë i dijturë.
19 Sepse të dijturit’ e kësaj jetet, është marrëzi ndaje Perndisë, sepse është shkruarë: Unë do të zë të dijturitë ndë dinakëri të ture.
20 E përsëri: Zoti njeh fiqiret’ së dijturet, që janë të pavëjiera.
21 Ndonjë adha le të mos mburretë mbë njerëz, sepse gjithë punëtë janë tuajtë.
22 Kaqë Pavllua, kaqë Apolloi, kaqë Qifai, kaqë bota, kaqë jeta, kaqë vdekëja, kaqë ato që janë sot, kaqë ato që do të vijënë, gjithë tuajtë janë.
23 E juvet, të Krishtit, e Krishti i Perndisë.