Ardhja e dijetarëve
1 Kur u lind Jezui në Betlehem të Judesë, në kohën kur ishte mbret Herodi, disa dijetarë erdhën nga lindja në Jerusalem 2 dhe pyetën: «Ku është mbreti i sapolindur i judenjve? Sepse pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm ta adhurojmë». 3 Kur e dëgjoi këtë mbreti Herod, u shqetësuan ai dhe tërë Jerusalemi. 4 Atëherë mblodhi të gjithë kryepriftërinjtë e shkruesit e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Krishti. 5 Ata i thanë: «Në Betlehem të Judesë, se kështu shkruan profeti:
6 e ti, Betlehem,
tokë e Judesë,
nuk je aspak më i vogli
ndër prijësit e Judesë,
sepse prej teje
do të lindë një prijës
që do të jetë bariu i popullit tim Izraelit ».
7 Atëherë Herodi thirri fshehurazi dijetarët dhe mori vesh prej tyre kohën e saktë se kur ishte shfaqur ylli. 8 Pastaj i nisi për në Betlehem e u tha: «Shkoni e pyesni me hollësi për fëmijën dhe kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe unë e ta adhuroj». 9 Pasi dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u printe derisa u ndal në vendin ku ishte fëmija. 10 Kur panë yllin, ata u gëzuan shumë. 11 Si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, nënën e tij, e ranë në gjunjë dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe i dhuruan ar, temjan e mirrë. 12 Të lajmëruar në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.
Ikja në Egjipt
13 Si u nisën dijetarët, engjëlli i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit e i tha: «Ngrihu, merre fëmijën e të ëmën, ik në Egjipt e rri atje derisa të të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë». 14 Ai u ngrit, mori fëmijën dhe të ëmën e u nis nëpër natë për në Egjipt. 15 Qëndroi atje derisa vdiq Herodi, që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti përmes profetit: nga Egjipti e thirra birin tim.
Vrasja e fëmijëve
16 Kur mori vesh se dijetarët e kishin mashtruar, Herodi u zemërua shumë dhe dërgoi të vrisnin në Betlehem e në mbarë atë krahinë të gjithë fëmijët meshkuj dy vjeç e poshtë, sipas kohës së saktë që kishte marrë vesh nga dijetarët. 17 Atëherë u përmbush çfarë kishte thënë profeti Jeremi:
18 u dëgjua një zë në Ramah,
vajtim e gjëmë e madhe.
Rakela vajton fëmijët e saj
dhe nuk do që ta ngushëllojnë,
sepse ata nuk janë më.
Kthimi nga Egjipti
19 Kur vdiq Herodi, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit në Egjipt 20 e i tha: «Ngrihu, merr me vete fëmijën dhe të ëmën e nisu për në tokën e Izraelit, sepse ata që kërkonin jetën e fëmijës kanë vdekur». 21 Jozefi u ngrit, mori me vete fëmijën dhe të ëmën e u nis për në tokën e Izraelit. 22 Por, pati frikë të shkojë atje kur mori vesh se në Jude sundonte Arkelau në vend të Herodit, atit të tij. I lajmëruar në ëndërr, shkoi në krahinën e Galilesë 23 dhe u vendos në një qytet të quajtur Nazaret, që të përmbushej thënia e profetëve: «Do të quhet nazaretas».
Krie e ditë
1 E si leu Iisui ndë Vithleem të Iudheësë, mbë ditë të mbretit Irodhit, na e vijënë ca magjishtjarë nga Anatolia ndë Ierusalim e thoshnë:
2 Ku vall’ është mbreti i Çifutet që u le? Sepse pam illn e tij ndë Anatoli, e erdhm t’i falemi.
3 E mbreti Irodhi si digjoi kështu u drodh, edhe bashkë me atë gjith’ Ierusalimi.
4 E si mbëjodhi gjithë të parët’ e Priftëret edhe të Grammatepsurit’ e llaoit, e i pieti ata të mpson ku vallë lehetë Krishti.
5 Edhe ata i thanë atit: Ndë Vithleem të Iudheësë, se ashtu është shkruarë nga Profiti.
6 Edhe ti Vithleem vënd’ i Iudheësë nukë je far’ e vogëlë ndë zotërinj të Iudheësë, sepse nga teje do të dalë Zot, që ai do të kullotjë llaonë tim Israilnë.
7 Ahiere Irodhi thirri Magjishtjarëtë fshehura, e mpsoi mirë nga ata kohënë që kur u duk illi.
8 E si dërgoi ata ndë Vithleem, u tha: Hajdeni ndashti e si të mpsoni mirë për atë tuk eksetaksurë, e si ta gjenni, sillmëni edhe mua idhisi (haber) që të vij edhe unë t’i falem.
9 Edhe ata si digjuanë fjalët’ e Mbretit, iknë. E ja përsëri illi që kishnë parë ndë Anatoli, e u shkon përpara ature, ngjera sa zbriti e mbeti atje tek qe djali sipër.
10 E si panë illë, u gëzuanë gaz të madh fort.
11 E si hinë brënda ndë shtëpi, çuanë djalënë bashkë me t’ëmën’ e tij Mariënë, e ranë mbë dhe, e ju falë atij; e hapnë hazinet’ e ture, e i dhanë dhurëti ar, edhe thimjamë, edhe smirnë.
12 E si panë mbë gjumë të mos kthenenë nde Irodhi, iknë e vanë nga tjatërë udhë mbë vënd të ture.
13 E pasi iknë ata, ja, Ëngjëll’ i Zotit ju duk ndë ëndërë të Iosifit, e i tha: Ngreu e merr djalënë edhe mëmën’ e tij, e ikë ndë Egjipto, e rri atje, ngjera sa të të thom unë, sepse Irodhi do të kërkojë djalënë ta vrasjë.
14 Edhe ai si u ngre mori djalënë, edhe mëmën’ e tij natënë, e vate ndë Egjipto.
15 E qëndroi atje ngjera ndë vdekëjë t’irodhit, që të paguhetë ajo që u tha nga Zoti me anë të Profitit, që thotë: Nga Egjiptoja e thirra birë tim.
16 Ahiere si pa Irodhi që u qesh nga Magjishtjarëtë, u zëmërua fort, e dërgoi e vrau gjithë djelmtë që qenë ndë Vithleem, edhe ndë gjithë sinoret’ e saj që mbë di vjet e poshtë sikundrë mpsoi kohënë nga Magjishtjarëtë.
17 Ahiere u pagua ajo që u tha nga Profiti Ieremia, që thosh:
18 Zë u digjua ndë Rama, të qarë e të ulërijturë, e të rëkuarë shumë. Rahili qan djelmt e saj, e nukë duaj të parigorisej se nukë janë.
19 E si vdiqi Irodhi, ja Ëngjëll’ i Zotit u duk mbë gjumë nde Iosifi ndë Egjipto.
20 E i thotë: Ngreu, e mer djalënë, edhe mëmën’ e tij, e ecë mbë vënd të Israilit, sepse vdiqnë ata që kërkoijnë shpirtin’ e djalit.
21 Edhe ai u ngre, e mori djalënë, edhe mëmën’ e tij, e erdhi mbë vënd të Israilit.
22 E si mpsoi se mbretëron ndë Iudheë Arhellaoi ndë vënd të Irodhit babait së tij, u trëmb të vij atje, e si ju duk nd’ëndërë, vate ndë sinor të Galileësë.
23 E erdhi e qëndroi ndë qutet që quhetë Nazaret, që të paguhetë ajo që u tha nga Profitëritë, se Nazareo do të thuhetë.