Delja e humbur
(Mt 18.12-14)1 Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët po i afroheshin Jezuit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë dhe shkruesit murmurisnin e thoshin: «Ky pranuaka mëkatarët e ha me ta». 3 Atëherë Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 4 «Cili nga ju, nëse ka njëqind dele e njëra prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë për të kërkuar atë që ka humbur, derisa ta gjejë? 5 Dhe, kur e gjen, e ngarkon mbi shpatulla i gëzuar. 6 Pasi kthehet në shtëpi, mbledh miqtë e vet e të afërmit e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta delen që më kishte humbur”. 7 Unë po ju them se kështu ndodh edhe në qiell. Aty ka më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që nuk kanë nevojë të pendohen».
Monedha e humbur
8 «Ose, përsëri, nëse një grua ka dhjetë monedha argjendi dhe njëra i humb, a nuk shkon e ndez një kandil për të ndriçuar shtëpinë, që të kërkojë me kujdes derisa ta gjejë? 9 E pasi e ka gjetur, thërret shoqet e saj e fqinjat e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta monedhën që më kishte humbur”. 10 Unë po ju them: kështu gëzohen edhe engjëjt e Perëndisë për një mëkatar që pendohet».
Djali plëngprishës
11 Pastaj Jezui tha: «Një njeri kishte dy djem. 12 Më i vogli i tha të atit: “Atë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon”. Kështu i ati ua ndau pasurinë djemve.
13 Pas pak ditësh më vonë djali i vogël mblodhi gjithçka kishte e shkoi në një vend të largët. Atje e çoi dëm pasurinë duke jetuar pa kokëçarje. 14 Dhe si shpenzoi gjithçka, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të mbetej pa gjë. 15 Atëherë shkoi e gjeti punë te njëri nga qytetarët e atij vendi dhe ky e dërgoi në ara që të ruante derrat. 16 Atje do të kishte dashur shumë të ushqehej me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. 17 Si erdhi në vete, tha: “Shumë nga punëtorët e tim eti kanë bukë e u tepron, ndërsa unë këtu po vdes urie. 18 Do të çohem, do të shkoj tek im atë e do t'i them: atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. 19 Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më mbaj si një nga punëtorët e tu”.
20 Kështu u nis e shkoi tek i ati. Por ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe ndjeu dhembshuri për të. Vrapoi, e mbështolli në krahët e tij dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: “Atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt”. 22 Por i ati u tha shërbëtorëve: “Sillni shpejt rrobën më të mirë e vishjani. Vërjani unazën në gisht e sandalet në këmbë. 23 Merrni viçin e majmë e thereni. Le të hamë e të bëjmë festë, 24 se ky biri im kishte vdekur e u ngjall, kishte humbur e u gjet!”. Dhe filluan të festonin.
25 Djali i tij më i madh gjendej në arë. Kur erdhi e iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë e valle. 26 Atëherë thirri njërin nga shërbëtorët dhe e pyeti se çfarë po ndodhte. 27 Ai iu përgjigj: “Vëllai yt është këtu dhe yt atë theri viçin e majmë, se ai është kthyer shëndoshë e mirë”. 28 Atëherë ai u zemërua e nuk pranoi të hynte. I ati doli përjashta për t'iu lutur, 29 por ai iu përgjigj: “Unë kam punuar si një shërbëtor gjatë gjithë këtyre viteve për ty e nuk të kam thyer asnjë urdhër, megjithatë ti nuk më ke dhënë as edhe një kec që të bëj festë me miqtë e mi. 30 Ndërsa kur u kthye yt bir, ai që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti there për të viçin e majmë”. 31 Por i ati i tha: “Bir, ti je gjithmonë me mua e gjithçka që kam unë është edhe jotja. 32 Por ne duhet të festojmë e të gëzohemi, se vëllai yt kishte vdekur e u kthye në jetë, kishte humbur e u gjet”».
Krie e pesëmbëdhjetëtë
1 E ju afëruanë atij gjithë kumerqarëtë edhe fajëtorëtë, për të digjuarë atë.
2 E Farisejtë edhe Grammatejtë murmurisnë, e thoshnë se: Kij merr afër fajëtorëtë, e ha bashkë me ta.
3 E u vuri ature përpara këtë paravoli, e u tha:
4 Cili njeri prej juvet të ketë njëqind dhënt, e ndë humbtë një nga ato, nukë lë të nëntëdhjet’enënta nd’erimi, e nukë vete të kërkojë të humburënë ngjera sa ta gjejë atë?
5 E si ta gjejë, e vë mbë krahë të tij, tuke gëzuarë.
6 E si të vijë mbë shtëpi, thërret miqtë, edhe gjitontë, e u thot’ ature: Gëzouni bashkë me mua, se gjeta delenë time të humburënë.
7 U thom juvet, se kështu do të jetë gëzim ndër Qiell për një fajëtuar që metanois, se për nëntëdhjet’ e nëntë të drejtë që nukë kanë hri për metani.
8 A cila ësht’ ajo grua që të kishte dhjetë dhrahmira, e të humbit një dhrahmi, nukë dhez fotinë, e nukë fshin shtëpinë, e nukë kërkon me kujdes ngjera sa ta gjejë?
9 E si ta gjejë, thërret mikatë, edhe gjitonetë, e u thotë: Gëzouni bashkë me mua, se gjeçë dhrahminë që paçë humburë.
10 Kështu u thom juvet, gëzim bënetë përpara Ëngjëjet së Perndisë për një fajëtuar që metanois.
11 E tha: Një njeri kish di djelm.
12 E m’i riu nga ata i thotë së jatit: Tatë, nemë pjesën’ e gjërit që më bie. E u ndau ature gjënë.
13 E pas jo shumë ditet i mbëjodhi gjithë m’i riu bir e iku e vate ndë vënd të largë; e atje përhapi gjën’ e tij ndë punëra të liga.
14 E si e prishi ai gjithë, u bë u e madhe mb’atë vënd; e ai nisi të mos kish.
15 E vate e u kolis me një nga fshatarët’ e atij vëndit, e e dërgoi atë ndë çiflikë të tij të ruan derratë.
16 E kish dëshërim të ngos barkun’ e tij nga lendëtë që haijnë derratë, e nuk’ i ipte njeri atij.
17 E si erdhi ndë vetëhe të tij, tha: Sa rrogëtarë ndë shtëpi të babait sim kanë bukë që u tepëron e unë këtu vdes uriet?
18 Do të ngrihem të vete te babai im, e t’i thom: Baba, fëjeva kondrë Qiellit, edhe kondrë teje.
19 E më nukë jam i zoti të quhem biri it. Bëmë posi një nga rrogëtarët’ e tua.
20 E u ngre e erdhi nde babai tij. E si qe akoma larg nga ai, e pa atë babai tij, e i erdhi keq për të; e u lëshua e i shtiu duartë mbë qafë të tij, e e puthte atë.
21 E i biri i thot’ atij: Baba, fëjeva kondrë Qiellit edhe kondrë teje, e nukë jam i zoti më të quhem biri it.
22 E babai u thotë shërbëtorëvet së tij: Kreni jashtë më të miratë rroba, e vishnie atë, e viri unazë mbë dorë të tij, e të mbathura ndë këmbë të tij.
23 E bini viçn’ e ushqierë me grurë, e therie; e të hamë, e të gëzonemi.
24 Se kij biri im, qe i vdekurë, e pa rroi; e i humburë, e u gjënd. E nisnë të gëzonishnë.
25 E biri m’i madh i tij qe mb’arë, e mbë të kthierë, poqë u afërua shtëpisë, digjoi të kënduara e vallera.
26 E si thirri një nga kopijtë, e pieti ç’do të jenë këto.
27 Edhe ai i tha atij, se: Vëllai it erdhi, e theri babai it viçn’ e ushqierë me grurë, sepse e priti atë me shëndet.
28 E ai u zëmërua, e nukë duan të hin brënda, e babai tij dolli jashtë, e i lutej atij.
29 E ai u përgjegj, e i tha babait së tij: Ja, kaqë vjet të punoj ti, e ndonjë porsi nukë të shkela, e mua nukë më dhe kurrë një kec, të gëzonem me miqt’ e mi.
30 E kur erdhi kij biri it, që të hangri gjënë me gra të liga, i there atij viçn’ e ushqierë me grurë.
31 Edhe ai i thot’ atij: Bir, ti kurdo me mua bashkë je, e gjithë të miatë të tuatë janë.
32 Po ishte e udhësë të bëjëmë gosti e gëzim, sepse kij vëllai it qe i vdekurë e pa rron, e i humburë e u gjënd.