Përshëndetje
1 Unë, Pjetri, apostull i Jezu Krishtit, po ju shkruaj juve që jetoni në dhe të huaj, të shpërndarë nëpër Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini, që jeni zgjedhur 2 sipas qëllimit të Perëndisë dhe jeni shenjtëruar nga Shpirti për t'iu bindur Jezu Krishtit dhe për t'u stërpikur me gjakun e tij: hiri dhe paqja u shtoftë ndër ju!
Shpresa e gjallë
3 Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na rilindi nga mëshira e tij e madhe, nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit prej të vdekurve, që të kemi shpresën e gjallë dhe 4 trashëgimin e paprishshëm, të panjollë e të pavyshkur, që është ruajtur në qiej për ju.
5 Ju jeni ruajtur nga fuqia e Perëndisë, nëpërmjet besimit, për shpëtimin që është gati të zbulohet në kohët e fundit. 6 Gëzohuni për këtë, edhe nëse do të duhet të hidhëroheni për pak kohë nga tundime të ndryshme. 7 Kështu sprova e besimit tuaj, që është më i çmueshëm se ari që prishet, ndonëse provohet me zjarr, të jetë për lëvdimin, lavdinë dhe nderin tuaj kur të shfaqet Jezu Krishti.
8 Ju e doni atë, megjithëse nuk e keni parë; dhe besoni në të, megjithëse tani nuk e shihni. Prandaj ju gëzoni me një hare të papërmbajtshme, që nuk mund të shprehet me fjalë, 9 sepse po fitoni qëllimin e besimit, shpëtimin e shpirtrave. 10 Këtë shpëtim kërkuan profetët e për të patën hulumtuar. Ata profetizuan për hirin që ju është dhënë juve 11 e u përpoqën të gjenin kohën dhe rrethanat që Shpirti i Krishtit brenda tyre u paralajmëronte për vuajtjet e Krishtit e për lavdinë që do të vinte më pas. 12 Profetëve iu zbulua se ato që thoshin nuk ishin për ata vetë, por për ju. Pikërisht këto gjëra ju i keni dëgjuar tashmë nëpërmjet atyre që ju shpallën ungjillin në Shpirtin e shenjtë të dërguar prej qiellit. Këto do të donin t'i shihnin edhe engjëjt.
Thirrje për shenjtëri
13 Prandaj, bëhuni gati shpirtërisht , rrini zgjuar dhe shpresoni plotësisht në hirin që do t'ju jepet kur të shfaqet Jezu Krishti. 14 Si bij të bindur, mos jetoni sipas dëshirave të mëparshme, që i kishit kur ishit në padije. 15 Përkundrazi, gjithë sjellja juaj të jetë e shenjtë, sikurse është i shenjtë edhe ai që ju thirri. 16 Sepse është shkruar: jini të shenjtë, se unë jam i shenjtë.
17 Nëse e quani Atë Perëndinë që gjykon gjithsecilin sipas veprave, pa mbajtur anë, atëherë kalojeni shtegtimin tuaj mbi tokë me druajtje ndaj Perëndisë. 18 Ju e dini se nuk u shpenguat nga jeta e kotë që trashëguat prej etërve tuaj me gjëra që prishen, siç janë argjendi apo ari, 19 por me gjakun e çmuar të Krishtit, Qengjit të patëmetë e të panjollë. 20 Flijimi i Krishtit ishte caktuar nga Perëndia që përpara se të krijohej bota, por për ju u shfaq në këto kohët e fundit. 21 Nëpërmjet tij ju besoni në Perëndinë që e ngjalli atë prej të vdekurve dhe i dha lavdi. Kështu, besimi dhe shpresa juaj janë në Perëndinë.
22 Tani që ju i keni pastruar shpirtrat duke iu bindur së vërtetës dhe i keni dashur sinqerisht vëllezërit, ta doni njëri-tjetrin me gjithë shpirt e me zemër të pastër! 23 Ju nuk keni rilindur nga fara që prishet, por nga fara që nuk prishet, nga fjala e Perëndisë së gjallë e të amshuar. 24 Sepse thuhet:
çdo njeri është si bari
dhe gjithë lavdia e tij
është si lulja e barit.
Bari u tha
e lulja u vyshk,
25 ndërsa fjala e Zotit
mbetet në amshim.
Kjo fjalë është ungjilli që ju është shpallur juve.
Krie e parë
1 Petrua, Apostolli i Iisu Hristoit, mb’ata që rrinë ndë vënd të huaj përhapurë ndëpër Pondo, ndëpër Gallati, ndëpër Kapadhoqi, ndëpër Asi, ndëpër Vithini, e të cgjedhurë.
2 Sikundr’ është të parit’ e përparëshm të Perndisë Babait mbë Shënjtërim të Shpirtit, ndë të gjegjurë të Iisu Hristoit, e ndë të randisurë me gjak të tij, dhurëti e paq le të shtonetë mbë juvet.
3 Le të jetë bekuarë Perndia e Babai i Zotit sonë Iisu Hristoit, ai që për ndëjesë të tij të madhenë na polli nevet për së ditit ndë një shpëresë të gjallë me anë të së ngjallturit të Iisu Hristoit nga të vdekuritë.
4 Mbë një klironomi të paprishurë, e të pamolepsurë, e të pamarangjasurë, të ruajturë ndë Qiell për juvet.
5 Për ju që ruhai me fuqi të Perndisë me anë të besësë për shpëtim që është bërë gati për të çfaqurë ndë kohë të pastajme.
6 Mb’atë juvet gëzoni, ndonëse duhetë të helmoni ndashti pakëzë (ndë bëftë hri) me shumë lloi piraksira.
7 Që të gjëndetë dhoqimia e besësë suaj shumë më e nderçurë nga ari që humbetë e që dhoqimasetë me anë të zjarit për mburëzi e lëvdim, mbë të çfaqurë të Iisu Hristoit.
8 T’atij që e doji juvet pa parë, mb’atë që edhe ndashti besoni pa parë, e me të besuarë gëzoni me një gëzim të paksijisurë e të lëvduarë.
9 Tuke marrë skoponë e besësë suaj, të shpëtuarit’ e Shpirtevet.
10 Për atë shpëtim kërkuanë e ksetaksnë profitëtë, ata që profitepsnë për dhurëti që është ndër juvet.
11 Tuke ksetaksurë kohënë a ç’lloi kohë të shënuarë nga ai që qe mbë ta Shpirti i Krishtit që tha më përpara të pësuarat’ e Krishtit, e nderetë më të pastajme.
12 Mb’ata qe cbuluarë, që ata jo për vetëhe, po për nevet qenë shërbëtorë ature punëravet, që ndashti u rrëfienë mbë juvet nga ata që u dhidhaksnë Ungjillë juvet me anë të Shënjtit Shpirt, të dërguarinë nga Qielltë, që mb’ato punëra dëshërojënë Ëngjëjtë të shohënë me si.
13 Pra andaj le të jenë ngjeshurë mesetë e mëndiesë suaj, të esëlluarë, shpëreni tërë mb’atë dhurëti që është dhënë mbë juvet, mbë të çfaqurë të Iisu Hristoit.
14 Si djelmt’e të digjuarësë mos pleksi me dëshërime të para, që keshëtë ndë kohë të së padijturit suaj.
15 Po sikundr’ është Shënjt ai që u thirri juvet, bëni edhe juvet shënjtorë ndë gjithë punëra tuaj.
16 Sepse është shkruarë: Bëni shënjtorë, sepse unë jam Shënjt.
17 E ndë thërritni baba atë që gjukon pa cgjedhurë faqe, sikundrë janë punëtë e gjithëkujt, rroni ndë frikë gjthë motnë e ksenitisë suaj.
18 Sepse e diji juvet që nukë jini blerë me punëra të prishura, me ergjënd a me ar nga jeta juaj e pavëjierë e e lënë nga baballarëtë tuaj.
19 Po me gjak të nderçurë të Krishtit si qengjit të pakatigori e të pa të zhierë.
20 E që qe ardhurë më përpara se të themeliosej jeta, e u çfaq për juvet ndë kohë të pastajme.
21 Mbë juvet që besoni me anë t’atij mbë Perndinë që e ngjalli nga të vdekuritë, e që e nderoi atë, që të besojëtë juvet e të shpërejëtë mbë Perndinë.
22 Tuke kërkuarë Shpirtëretë tuaj me të digjuarë të së vërtetësë, me anë të Shpirtit, mbë dashuri të vëllazërisë të pahile, të doi njeri-jatërinë me gjithë zëmërë të qëruarë kurdo.
23 Sepse jini lerë për së ditit jo nga farë e prishurë, po të paprishurë me anë të fjalësë Perndisë mbetetë gjallë, e që ndë gjithë jetë.
24 Sepse çdo kurm është si bar, e gjithë nderi i njeriut si lule e barit. U tha bari, edhe ënda e tij ra.
25 Ma fjala e Zotit duron për gjithë jetë; e këjo është fjala që është çfaqurë mbë juvet.