Besimi, fitorja mbi botën
1 Kush beson se Jezui është Krishti, ka lindur prej Perëndisë dhe kush e do të atin, do edhe fëmijët e tij. 2 Ja si e dimë se i duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij. 3 Dashuria e Perëndisë është të zbatojmë urdhërimet e tij dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda, 4 sepse kush ka lindur prej Perëndisë e mund botën dhe fitorja që mundi botën është besimi ynë. 5 Kush e mund botën? Vetëm ai që beson se Jezui është Biri i Perëndisë.
Dëshmia për Birin
6 Jezu Krishti është ai që erdhi nëpërmjet ujit të pagëzimit të tij dhe nëpërmjet gjakut të vdekjes së tij në kryq, jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Ai që dëshmon është Shpirti dhe ai është e vërteta. 7 Tre janë ata që dëshmojnë : 8 Shpirti, uji e gjaku, dhe që të tre japin të njëjtën dëshmi.
9 Ne pranojmë dëshminë e njerëzve, por dëshmia e Perëndisë është më e madhe dhe ajo është dëshmia që dha për Birin e tij. 10 Ai që beson në Birin e Perëndisë e ka këtë dëshmi. Ai që nuk beson në Perëndinë, e ka bërë atë gënjeshtar, pasi nuk i ka besuar dëshmisë që Perëndia dha për Birin e vet. 11 Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e amshuar dhe kjo jetë është në Birin e tij. 12 Ai që ka Birin, ka jetën. Ai që nuk e ka Birin e Perëndisë, nuk e ka as jetën.
Jeta e amshuar
13 Këto gjëra jua shkrova juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, në mënyrë që ta dini se keni jetën e amshuar . 14 Kjo është siguria që kemi para Perëndisë: nëse i kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon. 15 Meqenëse e dimë se ai i dëgjon kërkesat tona, atëherë e dimë edhe se do të na plotësohen.
16 Nëse dikush shikon vëllanë e vet të bëjë mëkat që nuk të çon në vdekje, le t'i lutet Perëndisë dhe ai do t'i japë jetë. Këtë e them për ata që nuk bëjnë mëkate që të çojnë në vdekje. Ka edhe mëkat që të çon në vdekje, por nuk ju them të luteni për këtë mëkat. 17 Çdo padrejtësi është mëkat, por ka edhe mëkate që nuk të çojnë në vdekje.
18 E dimë se kush ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton, sepse atë e ruan Biri i Perëndisë dhe i ligu nuk mund ta prekë. 19 Ne e dimë se jemi prej Perëndisë dhe se e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut. 20 Dimë edhe se Biri i Perëndisë erdhi e na dha dijen për të njohur Perëndinë e vërtetë. Ne jemi të bashkuar me Perëndinë e vërtetë përmes Birit të tij Jezu Krisht. Ky është Perëndia i vërtetë dhe jeta e amshuar.
21 Bijtë e mi, ruani veten nga idhujt.
Krie e pesëtë
1 Cilido që beson, që Iisui është Krishti, ai është lerë nga Perndia. E cilido që do atë që polli, do edhe atë që është lerë prej si.
2 Nga këjo njohëmë që duamë djelmt’ e Perndisë, ndë daçim Perndinë, e ndë ruajtiçim porsit’ e tij.
3 Sepse këjo është dashuria e Perndisë, që të ruajmë porsit’ e tij, e porsit’ e tij nukë janë të rënda.
4 Sepse gjith’ ajo që është lerë nga Perndia, mund jetënë. E këjo është vitorea që mundi jetënë, besa jonë.
5 Cili ësht’ ai që mund jetënë, përveçe ai që beson se Iisui është i biri i Perndisë?
6 Kij ësht’ ai që erdhi me ujë e me gjak, Iisui Krishti jo vetëmë me ujë e me gjak. E Shpirti ësht’ ai që martiris, që Shpirti ësht’ e vërteta.
7 Sepse tre janë ata që martirisjënë ndër Qiell: Babai, Fjala edhe Shënjti Shpirt. E këta të tre një punë janë.
8 Tre janë ata që martirisjënë ndë dhe: Shpirti, Ujëtë edhe Gjaku. E të tre mbë një janë.
9 Ndë marrëmë martirin’ e njerëzet, më e madhe është martiria e Perndisë, sepse këjo është martiria e Perndisë, që martirisi për të bir’ e tij.
10 Ai që beson mbë të bir’ e Perndisë, ka martirinë mbë vetëhe të tij. Ai që nukë beson mbë Perndinë, e bën atë gënjeshtjar, sepse nukë beson mbë martiri që pat dhënë Perndia për të bir të tij.
11 E martiria është këjo, që Perndia na ka dhënë nevet jetë të pasosurë. E këjo është ndë të bir të tij.
12 Ai që ka të birë, ka jetënë. Ai që nukë ka të bir’ e Perndisë, nukë ka jetënë.
13 Këto u shkrova juvet që besoni ndë ëmër të birit së Perndisë, që të diji se kini jetë të pasosurë, e që të besoni nd’ëmër të birit së Perndisë.
14 E kij është tharosi që kemi mbë të, që çdofarë punë që të kërkojmë sikundrë do ai, na gjegjetë nevet.
15 E ndë e dimë që na gjegjetë nevet ndë çfarë punë i kërkojmë, e dimë që i kemi të kërkuaratë që kërkuam prej si.
16 Ndë pastë njeri vëllan’ e tij që fëjen një faj që nukë bie vdekëjë, le të kërkojë, e do t’i apë atij jetë, ature që fëjejënë jo për vdekëjë, është faj për vdekëjë. Nukë thom që për këtë të lutetë.
17 Çdofarë adhiqie faj është. E është faj jo për mort.
18 E dimë që cilido që lehetë nga Perndia, nukë fëjen. Po ai që lehetë nga Perndia, ruan vetëhenë, e i ligu nuk’ i qasetë atij.
19 E dimë që prej Perndisë jemi, e gjithë bota është ndë të lignë.
20 E e dimë që i biri Perndisë ka ardhurë, e na ka dhënë nevet mënd të njohëmë atë që ësht’ e vërtetë, e jemi ndë të vërtetinë, të bir’ e tij Iisu Hristonë. Kij është Perndia e vërtetë, edhe jeta e pasosurë.
21 Djelm, ruani vetëhenë tuaj nga Idhollatë. Kështu qoftë!