Pali dhe apostujt e rremë
1 Ah, sikur ta duronit pak marrëzi nga ana ime. Më duroni, pra! 2 Ndiej për ju një zili që vjen prej Perëndisë. Ju fejova me një burrë të vetëm dhe ju paraqita te Krishti si një virgjëreshë të pastër. 3 Por kam frikë se, sikurse e mashtroi gjarpri Evën me dinakërinë e tij, edhe mendimet tuaja do të shmangen nga përkushtimi i çiltër dhe i pastër ndaj Krishtit. 4 Në të vërtetë, nëse vjen dikush dhe ju predikon një tjetër Jezu nga ai që ju predikuam ne, nëse merrni një tjetër shpirt nga ai që morët apo një ungjill të ndryshëm nga ai që pranuat, ju e duroni me dëshirë. 5 Unë mendoj se nuk jam aspak më i vogël se këta kryeapostuj. 6 Edhe po të isha më i dobët në gojëtari, nuk jam në dije dhe këtë gjë jua kemi bërë të ditur në çdo mënyrë e në gjithçka.
7 A mos bëra mëkat se përula veten që të lartësoheshit ju duke ju predikuar falas ungjillin e Perëndisë? 8 Kam marrë nga kishat e tjera çfarë më duhej për të jetuar dhe u kam hyrë në pjesë për t'ju shërbyer juve. 9 Kur isha te ju e kur isha në nevojë, nuk iu bëra barrë askujt, sepse m'i plotësuan nevojat vëllezërit nga Maqedonia. Kështu jam ruajtur e do të ruhem që të mos ju bëhem barrë. 10 Për të vërtetën e Krishtit, që është në mua, mburrja ime nuk do të heshtë në krahinën e Akaisë. 11 E pse? Se nuk ju dua? Perëndia e di se ju dua.
12 Atë që po bëj do të vazhdoj ta bëj, që t'ua heq mundësinë atyre që e dëshirojnë një mundësi për t'u njohur si të barabartë me ne në gjërat për të cilat mburren. 13 Këta janë apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, që hiqen si apostuj të Krishtit. 14 E mos u çuditni! Edhe Satani hiqet si engjëll drite. 15 Prandaj nuk është gjë e madhe nëse edhe shërbëtorët e tij hiqen si shërbëtorë të drejtësisë. Siç kanë veprat, ashtu edhe do të përfundojnë.
Vuajtjet si apostull
16 Po e përsëris: të mos mendojë askush se jam i marrë! Por, nëse mendoni kështu, atëherë më pranoni si të marrë, që të krenohem pak edhe unë. 17 Atë që po them tani nuk po e them sipas Zotit, por si të isha një i marrë që mendon se mund të krenohet. 18 Meqenëse shumë veta krenohen me gjëra njerëzore, atëherë do të krenohem edhe unë, 19 sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtësisht të marrët. 20 Nëse dikush ju trajton si skllevër, ju shfrytëzon, ju plaçkit, ju përçmon, ju qëllon në fytyrë, ju e duroni. 21 Më vjen turp të them se kemi qenë tepër të dobët, por, nëse dikush merr guximin të krenohet me ndonjë gjë, po flas si të isha i marrë, atëherë do të guxoja edhe unë. 22 A janë ata hebrenj? Edhe unë jam. Janë izraelitë? Edhe unë jam. Janë pasardhës të Abrahamit? Edhe unë jam. 23 Janë shërbëtorë të Krishtit? Po flas si të isha i çmendur: unë jam edhe më shumë. Kam kaluar më shumë mundime se ata, më kanë burgosur më shumë se ata, kam vuajtur fshikullima të panumërta e shpesh kam qenë në rrezik për vdekje.
24 Judenjtë më rrahën pesë herë me nga tridhjetë e nëntë fshikuj. 25 Tri herë më kanë rrahur me shkop. Një herë më kanë goditur me gurë, tri herë më është mbytur anija e për një natë e një ditë jam endur nëpër det. 26 Kam udhëtuar shumë në këmbë, kam përjetuar rreziqe nga lumenjtë, rreziqe nga kusarët, rreziqe nga bashkëkombësit, rreziqe nga kombet, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det dhe rreziqe nga vëllezërit e rremë. 27 Kam kaluar mundime e vështirësi, shumë net pa gjumë, i uritur e i etur, shpesh pa ushqim, në të ftohtë e i zhveshur. 28 Përveç këtyre më mundonte çdo ditë përkujdesja për të gjitha kishat. 29 Nëse dikush është i dobët, atëherë edhe unë bëhem i dobët. Nëse dikush bie, atëherë vuaj edhe unë.
30 Nëse duhet të krenohem, krenohem me dobësitë e mia. 31 Perëndia dhe Ati i Zotit Jezu, që është i bekuar në amshim, e di se nuk gënjej. 32 Kur isha në Damask, qeveritari i mbretit Aret, vuri roja në gjithë qytetin e Damaskut për të më kapur, 33 por më zbritën me një kosh nga një dritare në mur dhe u ika nga duart.
Krie e njëmbëdhjetëtë
1 Makar të më durojëtë mua një çikëzë për marrëzi, ma do të më duroni.
2 Sepse unë jam ziliar mbë juvet, për zili të Perndisë, sepse u martova juvet për të nxjerë përpara mbë një burrë, vashëzë të pastruarë mbë Krishtinë.
3 Ma unë trëmbem, mos sikundrë gënjeu gjarpëri Evënë me dinakëri të tijtë, ashtu u prishenë mëntë tuaj, nga zëmër’ e hapurë që kini mbë Krishtinë.
4 Sepse ndë ai që vjen dhidhaks jetërë Iisu, që nukë dhidhaksm nevet, a ndë mirri tjatër Shpirt, që s’patë marrë, a Ungjill tjatër që s’patë marrë, mirë bëjëtë ta durojëtë.
5 Unë pa mendonem që nukë mbetem prapa ndë ndonjë farë punë nga Apsotojt’ e mëdhinj.
6 Sepse ndonëse jam i trashë ndë fjalë, po jo ndër mënd, ma jemi njohurë fort mirë ndë çdo punë ndë juvet.
7 Mbase fëjeva, që unja vetëhenë time, që të ngrihi juvet lart? Sepse u dhidhaksa juvet Ungjill’ e Perndisë dhuratë?
8 Të tjera qishëra ropa, e hoqa pagjene, për shërbesë tuaj. E kur gjëndeshë afër jush, ndonëse jeshë mbë shtrëngim, nukë desha të rëndojë ndonjë.
9 Sepse atë që më lipsej mua ma sosnë vëllazëritë, që erdhë nga Maqedhonia. E ndë çdo punë u ruajtiçë që të mos para u rëndoj juvet, edhe do të ruhem.
10 E vërteta e Krishtit është mbë mua, që do të mos më mbilletë goja mbi këta të mburturë ndë vënd t’Ahaisë.
11 E për çfarë punë? Sepse (mbase) nuk’ u dua juvet? Le ta dijë Perndia.
12 Ma atë që të bëj unë, edhe gjithënjë do të bëj, për të prerë aformin’ e ature që një aformi dëshërojënë të gjëndenë për atë punë që mburrenë si edhe nevet.
13 Sepse këta të tillëtë Apostoj të rrem, janë punëtorë me di faqe e këmbenenë mb’Apostoj të Krishtit.
14 E s’është çudi, sepse edhe ai Satanai këmbenetë nd’Ëngjëll të dritësë.
15 S’është pun’ e madhe adha ndë këmbenenë edhe shërbëtorët’ e tij, të dukenë si shërbëtorët’ e së drejtësë. E e pastajmea e ture do të jetë sikundrë kanë punuarë.
16 Ua thom përsëri, mos më ketë njeri për të marrë. E ndë mos, dheksmëni edhe për të marrë, që të lëvdonem edhe unë një çikë.
17 E atë që thom, nuk’ e thom si do Zoti, po si i marrë, ndë këtë punë të mburrë(c)isë.
18 Sepse shumë mburrenë si do kurmi, dua të mburrem edhe unë.
19 Sepse si jeni juvet të mënçurë, duroni me t’ëmblë të marrëtë.
20 Sepse juvet duroni atë që u skllavos, atë që u ha, atë që u vjedh, atë që mbahetë mbë të madh, atë që u rreh juvet faqenë.
21 E thom këtë sa për të ksenderuarë, sikur qem të pakë nevet mbë këtë anë, ma ndë çdofarë punë që guxon njeri (kuvëndoj si i marrë), guxoj edhe unë.
22 Çifut janë? Edhe unë. Israilit janë? Edhe unë. Nga far’ e Avraamit jan’ ata? Ateje edhe unë.
23 Shërbëtorë të Krishtit jan’ ata? (Jashtë nga mëntë flas). Më tepër jam unë se ata. Ndë mundime më tepërë, ndë të rrahurë fort më shumë, ndë hapsana më tepërë, shumë herë ndë mes të vdekëjavet.
24 Nga Çifutë u rrahçë e mora pesë herë nga dizet shkopinj para një.
25 Tri herë u rrahçë me shufra, një herë më goditnë me gurë, tri herë u mbitçë ndë det, një ditë e një natë bëra ndë fund të detit.
26 Shumë herë nd’udhëra, ndë rriziko të lumëravet, ndë rriziko të kusarëvet, ndë rriziko të filisë sonë, ndë rriziko të filivet së tjera, ndë rriziko të qutetevet, ndë rriziko të erimivet, ndë rriziko të detit, ndë rriziko të vëllazëret së rremet.
27 Ndë mundim, edhe ndë shtrëngim, ndë të pafleturë shumë herë, ndë u e ndë et, ndë t’agjëruarë shumë herë, ndë së ftohëtë e të cveshurë.
28 Përveçe ature që vijënë përjashtazet, silloit’ e çdo ditësë që më vijënë sipër, spudhi e gjithë Qishëvet.
29 Kush ësht’ i sëmurë, që të mos jem unë i sëmurë? Kush skandalisetë, që unë nukë digjem?
30 Nd’është për të mburturë, do të mburrem për ato punëra që vështrojënë smundëjënë time.
31 Perndia e babai i Zotit sonë Iisu Hristoit, që është i bekuarë ndë jetë pas jetet, e di që unë nukë flas të rreme.
32 Ndë Dhamasko ai që qivernis filinë nd’ëmër të mbretit Arethësë kish vënë të ruan rrotullë qutetit Dhamaskosë, për të zënë mua.
33 E u varçë ndë shportë nga një penxhere që qe ndë mes të murit, e shpëtova nga duart’ e tij.