Shembulli i Abrahamit
1 Ç'të themi, pra, për Abrahamin, stërgjyshin tonë? Çfarë fitoi ai si njeri? 2 Nëse Abrahami do të ishte bërë i drejtë falë veprave, atëherë ai do të kishte pse të mburrej, por jo para Perëndisë. 3 Çfarë thotë Shkrimi? Abrahami i besoi Perëndisë dhe falë besimit Perëndia e bëri të drejtë.
4 Shpërblimi që i jepet punëtorit nuk është dhuratë, por është detyrim. 5 Ndërsa ai që nuk ka vepra, por i beson Perëndisë që bën të drejtë mëkatarin, për shkak të besimit, bëhet i drejtë. 6 Po ashtu edhe Davidi e quan të lum njeriun që Perëndia e bën të drejtë pa vepra:
7 lum ata të cilëve
u janë falur paudhësitë
e u janë fshirë mëkatet!
8 Lum njeriu, të cilit Zoti
nuk do t'ia llogarisë mëkatin!
9 A vlen kjo lumni vetëm për të rrethprerët apo edhe për të parrethprerët? Ne sapo thamë: falë besimit Perëndia e bëri të drejtë Abrahamin. 10 Po kur e bëri të drejtë? Kur ishte i rrethprerë apo kur ishte i parrethprerë? Jo kur ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë.
11 Abrahami e mori shenjën e rrethprerjes si vulë që tregonte se ishte bërë i drejtë përmes besimit kur ishte ende i parrethprerë. Kështu, ai u bë ati i të gjithë atyre që besojnë në Perëndinë pa u rrethprerë, në mënyrë që Perëndia t'i bëjë të drejtë për shkak të besimit. 12 Ai u bë edhe ati i atyre të rrethprerëve që nuk janë vetëm të rrethprerë, por që edhe ecin në gjurmët e besimit që kishte ati ynë, Abrahami, para se të rrethpritej.
Premtimi përmes besimit
13 Perëndia i premtoi Abrahamit dhe pasardhësve të tij se Abrahami do të trashëgonte botën jo përmes bindjes ndaj ligjit, por përmes besimit që e bëri atë të drejtë. 14 Nëse ata që i binden ligjit do të bëheshin trashëgimtarë të premtimit, atëherë besimi do të ishte i kotë dhe premtimi nuk do të kishte më vlerë.
15 Sepse ligji sjell zemërimin e Perëndisë, por ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje të ligjit. 16 Prandaj, premtimi përmbushet prej besimit, që të jetë nga hiri i Perëndisë dhe të jetë i sigurt për të gjithë pasardhësit e Abrahamit, jo vetëm për ata që e zbatojnë ligjin, por edhe për ata që besojnë si Abrahami. Ai është ati i ne të gjithëve, 17 sikurse është shkruar: të kam bërë atë të shumë kombeve. Ai është ati ynë para Perëndisë të cilit i besoi, Perëndisë që u jep jetë të vdekurve dhe që me anë të fjalës së tij krijoi gjithçka që nuk kishte qenë më parë.
18 Kundër çdo shprese, Abrahami besoi me shpresë se do të bëhej atë i shumë kombeve, sipas asaj që ishte thënë: kështu do të jenë pasardhësit e tu. 19 Abrahamit nuk iu dobësua besimi edhe kur ishte rreth njëqind vjeç dhe kuptoi se trupi i tij dhe i Sarës ishin pothuaj të vdekur e nuk mund të lindnin fëmijë. 20 Ai nuk e humbi besimin e nuk dyshoi në premtimin e Perëndisë, por u forcua prej besimit dhe i dha lavdi Perëndisë.
21 Ai ishte plotësisht i bindur se Perëndia ishte në gjendje të bënte gjithçka kishte premtuar. 22 Prandaj, falë besimit, Perëndia e bëri të drejtë. 23 Fjalët «u bë i drejtë» nuk u shkruan vetëm për të, 24 por edhe për ne. Të drejtë do të na bëjë edhe ne që i besojmë atij që e ngjalli Zotin tonë Jezu prej të vdekurve. 25 Ai iu dorëzua vdekjes për shkak të paudhësive tona dhe u ngjall që ne të bëhemi të drejtë.
Krie e katërtë
1 E ç’do të thomi navet adha, se qerdhesi ndë trup Avraami babai inë?
2 Sepse nd’është që u bë Avraami i drejtë me anë të punëravet, ka mbë se të mburetë, ma jo mb’anë të Perndisë.
3 Sepse ç’thotë karta? Besoi Avraami mbë Perndinë, e ju zu atij për e drejtë.
4 Ndashti atij që punon, paga e tij nuk’ i zihetë për dhurëti, po për borç.
5 Ma atij që nukë bën punëra, po beson nde ai që bën të pabesinë të drejtë, atij i zihetë bes’ e tij për ndreqëjë.
6 Sikundr’ edhe Dhavidhi quan të lumurë atë njeri, që Perndia i llogarias të drejtënë pa punëra.
7 E thotë: Lum ata që u janë ndëjierë paranomitë, edhe ata që u janë mbuluarë fajetë.
8 Lum ai njeri, që Perndia nuk’ i nëmëron fajetë.
9 Këta të lumurë dha është vetëmë për të prerë, a dhe për të paprerë? Sepse nevet thomi, se besa e Avraamit ju nëmërua për të drejtë.
10 Qish adha ju nëmërua? Kur qe i prerë, a kur qe i paprerë? Jo kur qe prerë, po kur qe pa prerë.
11 E mori nishan të prerëtë, vulë të së drejtësë që pat marrë për besë pa qënë prerë, që të bënej ai baba i gjithëvet së paprerëvet që besojnë, që t’u nëmëronej edhe mb’ata të ndrequritë.
12 E të jetë baba ature të prerëvet, që nukë kanë vetëmë të prerëtë, po ecëjënë edhe pas gjurmëvet të besësë, Avraamit babait sonë, që kish edhe pa prerë.
13 Sepse nuk’ i qe taksurë Avraamit nga fuqi e nomit, a farësë tij, që të bënej ai klironom i gjithë botësë, po me fuqi të së drejtësë besësë.
14 Sepse ndë janë klironomë ata që vijënë nga fuqi e nomit, më s’vëjen besa, e mbeti mbrazëtë të taksuritë.
15 Sepse nomi bie urgjinë, sepse tek s’është nom, atje s’është as prishëjë e nomit.
16 Pra andaj (klironomia është) nga besa, që të jetë dhurëti për të qënë të taksuritë të qëndruarë mbë gjithë farë, jo mb’atë farë vetëmë që është nga nomi, po edhe mb’atë që është nga besa e Avraamit, që ai është babai i gjithëvet.
17 (Sikundr’ është shkruarë, që u të bëra baba ndë shumë filira) përpara Perndisë që besoi mbë të, që ep jetë ndë të vdekurë, e thërret ato punëra që nukë janë si ato që janë.
18 Kij Avraami besoi me shpëresë ato që qenë teje shpëresësë, që të bënej ai baba i shumë filivet, sikundrë i pat qënë thënurë: Kështu do të jetë fara jote.
19 E pa kolandisurë ndë besë, nukë vuri ndër mënd as kurmin’ e tij që qe i vdekurë, sepse qe afëro njëqind vjeç, as të veshkurit’ e shtratit së Sarrësë.
20 As ndë të taksurë të Perndisë ndënji me di zëmëra të mos ip besë, po u forcua me besë, tuke lëvduarë Perndinë.
21 E ju mbush koka mirë, se atë që i taksi (Perndia) është e zonja edhe ta bëjë.
22 E andaje këjo ju zu atij për të drejtë.
23 E s’pat qënë shkruarë për atë vetëmë, që ju zu atij për të drejtë.
24 Po edhe për nevet, që mbë nevet do të zihetë fill, do të thom mb’ata që besojënë mb’atë që ngjalli Zonë tënë Iisunë nga të vdekuritë.
25 Atë që u paradhos për faje tona, e u ngjall për të ndrequrë tënë.