Predikimi në mal
(Mt 5—7)1 Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal e pasi u ul, iu afruan dishepujt e vet. 2 Atëherë mori fjalën e filloi t'i mësonte kështu:
Lumnitë
(Lk 6.20-23)3 «Lum të varfrit në shpirt,
se e tyre do të jetë mbretëria e qiejve.
4 Lum ata që vajtojnë,
se do të ngushëllohen.
5 Lum të butët,
se do të trashëgojnë tokën.
6 Lum të uriturit e të eturit për drejtësi,
se do të ngihen.
7 Lum të mëshirshmit,
se do të mëshirohen.
8 Lum zemërdëlirët,
se do të shohin Perëndinë.
9 Lum paqebërësit,
se do të quhen bij të Perëndisë.
10 Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë,
se e tyre është mbretëria e qiejve.
11 Lum ju kur t'ju shajnë e t'ju përndjekin,
të thonë të gjitha të këqijat
kundër jush me gënjeshtra
për shkakun tim.
12 Gëzohuni e ngazëlleni, se shpërblimi juaj do të jetë i madh në qiej.
Kështu përndoqën edhe profetët para jush».
Kripë dhe dritë
(Mk 9.50Lk 14.34-35)13 «Ju jeni kripa e tokës. Por nëse kripa e humbet shijen, si mund ta rifitojë? Nuk ka më asnjë vlerë, përveçse të hidhet e të shkelet prej njerëzve. 14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal. 15 Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi. 16 Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej».
Ligji i Moisiut
17 «Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t'i shfuqizuar, por për t'i përmbushur. 18 Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë “i” dhe asnjë pikë mbi “i” nuk do t'i hiqet ligjit para se të ndodhë gjithçka. 19 Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, e do t'i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t'i zbatojë e do t'ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve. 20 Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e shkruesve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve».
Zemërimi
21 «Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. 22 Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet , do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në Gehenën e zjarrit. 23 Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. 25 Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. 26 Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».
Tradhtia bashkëshortore
27 «Keni dëgjuar se është thënë: mos bëj tradhti bashkëshortore. 28 Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet. 29 Nëse syri yt i djathtë të bëhet pengesë, nxirre e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në Gehenë. 30 Dhe, nëse dora jote e djathtë të bëhet pengesë, prije e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në Gehenë».
Divorci
(Mt 19.9Mk 10.11-12Lk 16.18)31 «Është thënë edhe: kushdo që e ndan gruan, duhet t'i japë asaj fletëndarjen. 32 Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».
Betimi
33 «Keni dëgjuar edhe se u qe thënë të parëve: mos bëj betim të rremë, por bëj atë për të cilën je betuar para Zotit. 34 Ndërsa unë po ju them: mos u betoni kurrë. As për qiellin, se është froni i Perëndisë, 35 as për tokën, se është shtroja e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, se është qyteti i mbretit të madh. 36 Mos u beto as për kokën tënde, se as edhe një fije floku nuk mund ta bësh të bardhë a të zezë. 37 Kur të flisni, thoni “po” kur është “po” dhe “jo” kur është “jo”. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu».
Shpagimi
(Lk 6.29-30)38 «Keni dëgjuar se është thënë: sy për sy e dhëmb për dhëmb. 39 Por unë po ju them: mos hyr në luftë me të ligun! Përkundrazi, nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën. 40 Nëse dikush do që të të hedhë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe gunën. 41 Nëse të kërkon të ecësh një milje, bëj me të dy milje. 42 Jepi atij që të kërkon e mos ia kthe shpinën atij që të kërkon hua».
Dashuria për armiqtë
(Lk 6.27-28, Lk 32-36)43 «Keni dëgjuar se është thënë: duaje të afërtin, por urreje armikun tënd. 44 Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj e lutuni për ata që ju përndjekin, 45 që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët dhe të bjerë shiu mbi të drejtët e mbi të padrejtët. 46 Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, ç'shpërblim do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? 47 Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç'gjë të veçantë bëni? A nuk bëjnë kështu edhe popujt e kombeve ? 48 Jini, pra, të përsosur, sikurse është i përsosur edhe Ati juaj qiellor».
Krie e pesëtë
1 E si pa turmëtë hipi mbi mal, e qëndroi atje, e erdhë tek ai mathitit’ e tij.
2 E si hapi gojënë, i dhidhaks ata, e u thosh.
3 Lum ata që janë të varfërë ndë shpirt, se ature është mbretëria e Qiellvet.
4 Lum ata që qajënë, se ata do të parigorisenë.
5 Lum ata që janë të urtë e të butë, se ata do të qerdhesinë të mirat’ e dheut.
6 Lum ata që kanë u edhe et për të drejtënë, se ata do të ngosenë.
7 Lum ata që eleisinë, se ata do të eleisenë.
8 Lum ata që kanë zëmërë të pastruarë, se ata do të shohënë Perndinë.
9 Lum ata që paqcojënë botënë, se ata do të thuhenë të bijt’ e Perndisë.
10 Lum ata që ndiqenë për të drejtënë, se ature është mbretëria e Qiellvet.
11 Të lumurë jeni kur t’u shajënë juvet njerëzitë, e t’u ndjekënë, e t’u thonë kondrë juvet çdo fjalë të ligë me të rreme sepse doi mua.
12 Gëzouni edhe lumburoni, se paga juaj është shumë ndë Qiell, se ashtu ndoqnë edhe Profitëritë që qenë përpara juvet.
13 Juvet jeni krip’ e dheut. E kur të prishetë kripa, qish mund të kripjë të tjera? Z’vëjen më për tjetër, po të shtihetë jashtë e të shkeletë nga njerëzitë.
14 Ju jeni drit’ e diniasë, s’mun quteti të fshihetë kur është mbë majë të malit.
15 As fotin’ e dhezjënë e e vënë ndënë modh (shinik), po e vënë ndë shamndan, e ndrit mbë gjith’ ata që janë ndë shtëpi.
16 Kështu të llampsjë drita juaj përpara njerëzet, që të shohënë punëratë tuaj të miratë, e të lëvdojënë tatënë tuaj që është ndë Qiell.
17 E mos thoi se erdha të prish Nomnë, a Profitëritë; nuk arçë t’i prish, po t’i dërtoj.
18 Me të vërteta u thom juvet, se ngjera sa të prishetë Qielli edhe dheu, që një jotë, a një qere do të mos prishetë nga Nomi, ngjera sa të bëhenë gjithë.
19 Ai dha që të zgjidhjë një nga këto porsi të vogëla, e të dhidhaksjë njerëzitë kështu, ai do të thuhetë i vogëlë ndë mbretëri të Qiellvet. E ai që të bëjë e të dhidhaksjë, ai do të thuhetë i madh ndë mbretëri të Qiellvet.
20 E u thom juvet, se ndë mos tepëroftë e drejta juaj më tepër se të grammatikovet, e të Farisejet do të mos hini ndë mbretëri të Qiellvet.
21 A digjuatë, se u është thënë së lashtëvet: Mos vraç njeri, se ai që vret, do të jetë fajëtuar ndë Gjuq.
22 E unë u thom juvet, se cilido që zëmëronetë te vëllai tij pa faj, do të jetë fajëtuar ndë Gjuq. Edhe cilido që thotë vëllait së tij: raka (bre ti), do të jetë fajëtuar mb’ata që gjukojënë, edhe cilido që t’i thotë: morè, do të jetë fajëtuar ndë pisë të zjarit.
23 E kur do të bieç dhurëtinë (meshë, a qeri) tënde ndë thisiastirio (ndë qishë) e atje të kujtoneç, se vëllai it ka me ti mëri.
24 Lee atje dhurëtinë tënde mbë thisiastirio (qishë) e ecë më përpara e pajtou me vëllanë tënd, e ahiere si të ktheneç shpjerë dhurëtinë (meshënë, a qerinë) tënde.
25 Pajtohu me hazminë tënd shpejt, ngjera sa je bashkë me të mb’udhë, se mos të apë hazmi nde gjukatësi, e gjukatësi të ep te kopil’ i tij, e viheç ndë hapsanë.
26 Të vërtetënë të thom tij, se nukë do të dalç ateje, ngjera sa t’i paguaç gjithë.
27 Digjuatë që është thënë së lashtëvet: Mos kurvëro.
28 E un’ u thom juvet, se cilido që vështron grua për dëshërim të saj, posikur e kurvëroi atë ndë zëmërë të tij.
29 Nd’është që të skandhalis ti siu it i djathëti, kree atë, e shtjere nga teje, se më mirë është për ti të humbasjë një copë prej teje e të mos vihetë gjithë kurmi it ndë pisë.
30 Edhe ndë të skandhalis ti dora jote e djathëta, pree atë e shtjere nga teje, se më mirë është për ti, të humbasë një copë prej teje e të mos vihetë gjithë kurmi it ndë pisë.
31 Edhe është thënë, se ai që të lërë gruan’ e tij, le t’i apë kartën’ e së ndarit.
32 E un’ u thom juvet, cilido që të ndajë gruan’ e tij vetëmë ndë u kurvëroftë, e bën atë të bënetë kurvë, edhe cilido që të marrë grua që rron burri, e e ka lënë, quhetë kurvjar.
33 Pameta digjuatë, që është thënë ndë të lashtë: Të mos bëç be me të rreme, po të thuaç te Zoti bet’ e tua të vërteta.
34 E un’ u thom juvet, të mos bëji be fareseje, as mbë Qiell, se është Fron i Perndisë.
35 As mbë dhe, se është Fron i këmbëvet së tij, as mbë Ierusalim, se është qutet i mbretit së madh.
36 Të mos bëç as ndë krie tat, se nukë mund të bëç një qime të bardhë a të zezë.
37 Po le të jetë fjala juaj, vërtet, vërtet, a jo, jo. Sepse e tepër’ e këturevet është e së paudhit.
38 Digjuatë që është thënë: Siu për si, e dhëmbi për dhëmb.
39 E unë u thom juvet, të mos i rriji karshi së ligut, po ndë të raftë njeri shuplakë mbë faqe tënde të djathëtë, kthei atij edhe të mëngjërënë.
40 Edhe atij që do të gjukonetë me tij, e të të marrë gunënë, epi edhe këmishënë.
41 Edhe ndë të angarepstë ti njeri një mil’, ecë me atë di.
42 Epi atij që kërkon, edhe nga ai që kërkon të huhetë nga teje, mos kthe krietë mbënjanë.
43 Digjuatë që është thënë: të duaç gjitonë tënd, e hazminë të mos ta duaç.
44 E unë u thom juvet, të doni hazmëritë tuaj, të bekoni ata, që mallëkojënë juvet, të bëni të mirë ature që s’u duanë, edhe të luteni për ata që u ngasënë, edhe u zbojënë juvet.
45 Që të bëneni bijt’ e jatit suaj që është ndë Qiell, se ai ep diellin’ e tij ndë të këqinj, edhe ndë të mirë, edhe shinë e ep ndë të drejtë, edhe ndë të shtrëmbërë.
46 Sepse nd’është që të doni ata që u duanë juvet, s’keni ndonjë pagë. Mos nuk’ e bëjënë atë edhe Tellonëritë?
47 Edhe nd’është që putheni me vëllazër tuaj vetëmë, ç’bëni më tepër? Nukë bëjënë kështu edhe Tellonëritë?
48 Bëhuni adha të teliosurë, sikundr’ është edhe jati juaj i Qiellvet.