Shërbëtori i pandershëm
1 Pastaj Jezui u tha dishepujve të vet: «Një i kamur kishte për kujdestar të pasurisë një njeri, të cilin e paditi se i shpërdoronte pasurinë. 2 Atëherë ai e thirri e i tha: “Ç'është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për punën tënde, se nuk mund të jesh më kujdestar i pasurisë”. 3 Kujdestari tha me vete: “Zotëria im do të ma heqë kujdestarinë. Ç'të bëj? Të gërmoj nuk kam fuqi, të lyp kam turp. 4 E di se çfarë do të bëj që kur të më heqin si kujdestar, njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre”. 5 Kështu i thirri një nga një huamarrësit e zotërisë së vet e i tha të parit: “Sa i detyrohesh zotërisë tim?”. 6 Ai i tha: “Njëqind masa vaj”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën, ulu menjëherë e shkruaj pesëdhjetë”. 7 Pastaj pyeti një tjetër: “Po ti, sa i detyrohesh?”. Ai u përgjigj: “Njëqind masa drithë”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën e shkruaj tetëdhjetë”. 8 Dhe zotëria i tij e lavdëroi kujdestarin e pandershëm, se kishte vepruar me zgjuarsi.
Bijtë e kësaj bote janë më të zgjuar se bijtë e dritës në marrëdhënie me njëri-tjetrin.
9 Dhe unë po ju them: bëni miq me anë të pasurive të padrejta, që pasi të mbarojë pasuria, t'ju pranojnë në banesat e tyre të amshuara. 10 Kush është besnik në pak, është besnik edhe në shumë e kush është i pandershëm në pak, është i pandershëm edhe në shumë. 11 Nëse nuk keni qenë besnikë në pasuritë e pandershme, kush do t'jua besojë pasuritë e vërteta? 12 Dhe nëse nuk keni qenë besnikë në atë që i përket dikujt tjetër, kush do t'jua japë atë që është juaja?
13 Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t'i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».
Ligji dhe mbretëria
(Mt 11.12-13)
14 Farisenjtë, që janë lakmitarë parash, dëgjonin gjithçka dhe e përqeshnin Jezuin. 15 Atëherë ai u tha: «Ju jeni ata që para njerëzve shfaqeni si të drejtë, por Perëndia i njeh zemrat tuaja. Megjithatë, ajo që është e madhërishme për njerëzit, për Perëndinë është fundërrinë.
16 Ligji e profetët ishin deri te Gjoni. Pastaj u shpall ungjilli i mbretërisë së Perëndisë dhe të gjithë mundohen ta fitojnë atë me përpjekje të mëdha . 17 Megjithatë, është më e lehtë që të kalojnë qielli e toka, sesa t'i hiqet ligjit qoftë edhe një pikë.
18 Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».
Lazari dhe pasaniku
19 «Ishte një njeri i pasur që vishej me rroba purpuri e liri të çmueshëm e jetonte çdo ditë në kamje. 20 Te dera e tij rrinte një i varfër me emrin Lazar. Ai ishte i mbuluar me plagë 21 dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut. Edhe qentë vinin e i lëpinin plagët. 22 I varfri vdiq dhe engjëjt e çuan të rrinte me Abrahamin. Edhe pasaniku vdiq e u varros. 23 Në skëterrë, ku po vuante torturat, ngriti sytë e pa diku larg Abrahamin me Lazarin përbri. 24 Atëherë tha me zë të lartë: “Atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazarin ta ngjyejë gishtin në ujë e të më freskojë gjuhën, se këto flakë po më mundojnë”. 25 Por Abrahami i tha: “Biri im, kujtohu se ti i more të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazari mori të këqijat. Tani ky gëzon këtu, ndërsa ti vuan. 26 Pastaj, midis jush e nesh është caktuar një hendek i madh, në mënyrë që ata që do të donin të kalonin që këndej te ju, të mos munden dhe askush nuk mund të kalojë që andej te ne”. 27 Pasaniku i tha: “Atëherë, o atë, po të lutem ta dërgosh te shtëpia e tim eti, 28 se kam pesë vëllezër. Le t'i paralajmërojë që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh”. 29 Abrahami u përgjigj: “Kanë Moisiun e profetët. Ata duhet të dëgjojnë”. 30 Ai tha: “Jo, atë Abraham, por nëse shkon dikush nga të vdekurit, do të pendohen”. 31 Abrahami i tha: “Nëse nuk dëgjojnë Moisiun e profetët, atëherë nuk do të binden edhe sikur dikush të ngjallet prej të vdekurve”».
Krie e gjashtëmbëdhjetëtë
1 E thoshte edhe ndë mathitit’ e tij: Një njeri qe i pasurë; ai kishte një konom; e atë e kallëzuanë tek ai se i përhap gjën’ e tij.
2 E si e thirri atë, i thot’ atij: Ç’është këjo që digjoj për ti? Ep llogarin’ e konomllëkut sit, se nukë mund të konomiç sot di parë.
3 E konomi thotë me vetëhe të tij: Ç’të bëj, se zoti im do të më nxjerë mua nga puna? Të rrëmoj nukë mund, të lipëj më vjen turp.
4 Kupëtova se ç’të bëj, që kur të dal nga konomllëku të më dheksjënë ndë shtëpira të ture.
5 E si thirri afër një nga një borçlit’ e zotit së tij, i thotë së parit: Sa i do zotit sim?
6 Edhe ai i thotë: Njëqind bucela vaj. E i thot’ atij: Merr kartënë tënde, e rri e shkruaj shpejt: pesëdhjetë.
7 Pasandaj i thotë tjetërit: E tij sa i do? Edhe ai i thotë: Njëqind matësë grurë. E i thot’ atij: Merr kartënë tënde, e shkruaj: tetëdhjetë.
8 E e mburi zoti konomn’ e pabesë, se bëri me mënd. Sepse të bijt’ e kësaj jetet janë ndë brez të ture më të mënçurë se të bijt’ e dritësë.
9 E unë u thom juvet: Bëni miq nga gjëri i adhiqisë; që kur të vdisni t’u dheksjënë juvet ndë tendëra të pasosura.
10 Ai që ësht’ i besësë ndë të pakënë, ësht’ i besësë edhe ndë të shumënë. E ai që ësht’ i shtrëmbërë ndë të pakënë, ësht’ i shtrëmbërë edhe ndë të shumënë.
11 E nd’ësht’ adha, që nuk’ u duktë të besësë ndë gjë që qe nga adhiqi, cili do t’u besojë juvet mbë të vërtetënë?
12 E nd’ësht’ adha, që nuk’ u duktë të besësë ndë të huajnë, cili do t’u apë juvet tuajnë?
13 Ndonjë shërbëtuar nukë mund të shërbejë di zotërinj, sepse ja do të mos dojë njërinë e do të dojë tjetërinë, ja do të pëlqejë njërinë e do të mos pëlqejë tjetërinë. Nukë mundni të punoni Perndinë edhe mamonanë (lakëmimnë).
14 E i digjoijnë gjithë këto edhe Farisejtë, që qenë të shtrëjtë, e përqeshnë me të.
15 E u thot’ ature: Juvet jini ata që dëftoni vetëhenë tuaj të drejtë përpara njerëzet; ma Perndia njeh zëmëratë tuaj, sepse ajo që është e lartë përpara njerëzet, përpara Perndisë ësht’ e ndjetë.
16 Nomi edhe profitëtë ngjera te Ioanni qenë. Që ahiere e pastaje dhidhaksetë mbretëria e Perndisë, e cilido me shtrëngim hin mbë të.
17 M’e kollajtë është të shkojë Qielli edhe dheu, (s)a të bjerë mbë dhe një majë nga nomi.
18 Cilido që zbon gruan’ e tij e martonetë me tjatër, është kurvjar. Edhe cilido që merr grua të zbuarë nga burri e të pandarë, bën kurvëri.
19 Qe një njeri i pasurë, e vishej me porfirë, edhe me vishnjë, e bën gostira të mëdha ngadita.
20 E qe atje një njeri që quhej Llazaro, që dergjej ndë portë të tij, plot me plaga.
21 E dëshëron të frihej nga thrimetë që bijnë nga mësalla e së pasurit; po edhe qentë vijnë e i lëpijnë plagat’ e tij.
22 E erdhi koha që vdiqi i varfëri, e e shtijnë Ëngjëjtë atë ndë gji të Avraamit. E vdiqi edhe i pasuri, e e kallë ndë varr.
23 E ngrijti sit’ e tij ndë pisë që qe, se qe ndë mundim, e sheh Avraamnë për së largut, edhe Llazarinë ndë gji të tij.
24 E ai thirri e tha: Jat Avraam, le të të vijë keq për mua, e dërgo Llazarinë, të ngjiejë majën’ e gjishtit së tij me ujë, e të më lagië gjuhënë time, se digjem ndë këtë flakë.
25 Edhe Avraami i thotë: Bir, kujtou se ti i more të mirat’ e tua ndë jetë tënde; ashtu edhe Llazari të këqiatë. E ndashti kij prëhetë, e ti heq mundim.
26 Edhe mbi gjithë këto, ndë mes tuaj edhe nevet është një gremin’ e madhe, që të mos mundjënë të shkojënë ata që duanë të vijënë këteje ndë ju, as ata që duanë të vijënë nga juvet ndë ne.
27 Edhe ai i thotë: Unë të lutem, o jat, ta dërgoç atë ndë shtëpi të babait sim.
28 Se kam pesë vëllazër, që t’u dëftojë ature për këtë, që të mos vijënë edhe ata këtu ndë këtë vënd të mundimit.
29 I thot’ atij Avraami: Kanë Moisinë edhe profitëtë, le t’u digjojënë ature.
30 Edhe ai i tha: Jo, o jat Avraam, po ndë vaftë njeri mb’ata nga të vdekuritë, do të metanoisjënë.
31 E i thot’ atij: Ndë mos digjojënë Moisiut edhe profitëvet, edhe nga të vdekuritë ndë u ngjalltë njeri, nukë do të besojënë.