Rënia e Babilonisë
1 Pastaj pashë një engjëll tjetër që po zbriste nga qielli. Ai kishte pushtet të madh dhe toka u ndriçua nga lavdia e tij. 2 Atëherë engjëlli thirri me zë të lartë:
«Ra, ra
Babilonia e madhe!
Ra e u bë banesë djajsh,
strofull e çdo shpirti të ndyrë,
shpendi të papastër
e bishe të fëlliqur e të urryer.
3 Me verën e zemërimit të kurvërisë së saj
u dehën gjithë kombet.
Mbretërit e tokës bënë kurvëri me të,
ndërsa tregtarët e tokës u pasuruan
me kamjen e saj të shfrenuar».
4 Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli që tha:
«Populli im, dilni prej saj,
që të mos bëheni pjesëtarë të mëkateve të saj
e të mos merrni plagë
nga plagët e saj.
5 Se, mëkatet e saj arritën deri në qiell
dhe Perëndia i kujtoi padrejtësitë e saj.
6 Silluni me të siç u soll ajo me ju,
shpërblejani dyfish veprat,
ndërsa kupën që ju dha të pini,
mbushjani dy herë më shumë.
7 Jepini asaj po aq mundim e vajtim,
sa i dha lavdi e kamje vetes,
ajo që vazhdon të thotë në zemrën e vet:
“Unë rri ulur si mbretëreshë,
nuk jam vejushë,
nuk do të shoh kurrë vajtim me sy”.
8 Prandaj në një ditë të vetme do të mblidhen plagët e saj:
vdekja, vajtimi e zia e bukës.
Ajo do të digjet e tëra në zjarr,
se Zoti Perëndi që e gjykon është i fuqishëm.
9 Mbretërit e tokës, që bënë kurvëri me të dhe dëfryen me kamjen e saj, do ta qajnë e do të vajtojnë kur të shohin tymin e flakëve të saj. 10 Ata do t'i qëndrojnë larg nga frika e vuajtjeve të saj e do të thonë:
“Mjerë! Mjerë ti, o qytet i madh,
o qytet i fortë, Babiloni,
se brenda një ore të erdhi ndëshkimi!”.
11 Tregtarët e tokës do të qajnë e do të vajtojnë për të, sepse askush nuk ua blen më mallin, 12 mall prej ari e argjendi, gurë të çmuar e margaritarë, pëlhura liri e purpuri, mëndafshi e të kuqe, si dhe gjithfarë drurësh erëmirë e gjithfarë sendesh fildishi e druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri e mermeri, 13 kanellë e parfume, temjane, mirrë e livandë, verë e vaj, majë mielli e grurë, gjedhë e dhen, kuaj e qerre, trupa e shpirtra njerëzish. 14 Ata do t'i thonë:
“Gjithë të mirat që dëshironte shpirti yt
ikën,
gjithë pasuritë e madhështitë
morën fund
e nuk do t'i gjesh më”.
15 Tregtarët që u pasuruan prej saj do të qëndrojnë larg nga frika e vuajtjeve të saj, do të qajnë e do të vajtojnë 16 duke thënë:
“Mjerë! Mjerë ti, o qytet i madh,
veshur me li të purpurt e të kuq,
zbukuruar me ar, gurë të çmuar e margaritarë,
17 se gjithë kjo pasuri u shkretua për një orë!”.
Të gjithë kapitenët e anijeve dhe udhëtarët, detarët dhe ata që punonin në lundrim qëndronin larg 18 e thërrisnin duke parë tymin e flakëve të saj: “Cili qytet ngjan me qytetin e madh?”. 19 Hidhnin dhe mbi kokë e thërrisnin, duke qarë e duke vajtuar:
“Mjerë!
Mjerë qyteti i madh,
me pasurinë e të cilit
të gjithë ata që kishin anije në det!
u pasuruan.
Mjerë, se u shkretua për një orë”.
20 Gëzohu për shkatërrimin e saj, o qiell!
Gëzohuni edhe ju të shenjtë,
apostuj e profetë,
se Perëndia e gjykoi
për të keqen që ju bëri».
21 Pastaj një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh sa një gur mulliri, e hodhi në det e tha:
«Po kaq furishëm
do të hidhet tej
edhe Babilonia, qyteti i madh,
e nuk do të gjendet kurrë më.
22 Tingulli i harpave e i muzikantëve,
fyelltarëve e trumbetarëve,
nuk do të dëgjohet më te ti.
Asnjë mjeshtër,
i çfarëdo mjeshtërie,
nuk do të gjendet më aty
edhe zhurma e mullirit
nuk do të dëgjohet më kurrë.
23 Drita e pishtarit
nuk do të ndriçojë më
e nuk do të dëgjohet më
as zë dhëndri e as zë nuseje.
Tregtarët e tu
të mëdhenjtë e tokës ishin,
me magjinë tënde
u mashtruan të gjitha kombet.
24 Në ty u gjet gjak profetësh e të shenjtësh,
gjaku i të gjithë atyre që u vranë mbi tokë».
Krie e tetëmbëdhjetëtë
1 E pas këturevet paçë një ëngjëll që cbriti nga qielli, e kish urdhër të madh; e dheu u ndrit nga të llampsurit’ e tij.
2 E thirri fort me zë të madh, e tha: Ra, ra Vavillona e madhe, e u bë të ndënjurë të dhemonëvet, e hapsanë e çdo shpirtit të pëgërë, e çdo shpezet së pëgërë e së urrierë.
3 Sepse nga vera e urgjisë së kurvërisë saj pinë gjithë miletetë; edhe mbretëret’ e dheut me atë kurvëruanë; e reshperët’ e dheut u zotëruanë nga bollëku i huzurevet së saj.
4 E digjova tjatër zë nga qielli, që thosh: Deli nga ajo llaoi im, që të mos kini pjesë nga fajet’ e saj, e të mos goditi nga plagat’ e saj.
5 Sepse arrijtinë fajet’ e saj ngjera mbë Qiell, e kujtoi Perndia adhiqit’ e saj.
6 Epni asaj sikundr’ ua ka dhënë juvet, e dhipllosiani asaj mbë di, sikundrë ka bërë punët’ e saj; me atë kupë që u qerasi juvet, qerasnie di herë.
7 Sa madhëcoi vetëhen’ e saj, e rroi ndë bolluk, e gëzim, e kaqë t’i epni asaj mundim e të qarë; sepse thotë ndë zëmërë të saj: Rri mbretëreshë, e nukë jam e ve, as do të di se ç’është të qarëtë.
8 Pra andaj ndë një ditë të shquarë do të vijënë plagët’ e saj, vdekëjë, të qarë, edhe u; do të digjetë me zjar, sepse i fortë është Zoti Perndia që gjukon atë.
9 E do ta qajënë atë, e do të çirenë për të mbretëret’ e dheut, ata që kurvëruanë e bënë asotite me të, kur të shohënë timnë të djegurit’ së saj.
10 Tuke ndënjurë për së mërguarit, për frikë të mundimit së saj, e të thonë: Ve, ve, o qutet i madh, o Vavillonë, o quteti i fortë, që për një sahat t’erdhi gjuqia jote.
11 E reshperët’ e dheut qajënë e helmonenë për të, sepse do të mos blejë më njeri reshperín’ e ture.
12 Reshperín’ e arit, e ërgjëndit, e gurit së pançmuarë, e vishnjesë, e porfirësë, e sirmësë, e së kuqesë, e gjithë druvet prej Thinosë, e çdofarë enë të fildishta, e çdo enë prej drurit së pançmuarë, e prej bakërit, e hekurit, e marmarit.
13 E qinamomonë, e thimjamëtë, e mironë, e livanë, e verënë, e vajtë, e simidhalë, e grurëtë, e kafshëtë, e dhëntë, e kuajtë, e koçitë, e skllevtë, e Shpirtërit’ e njerëzet.
14 E pemëtë që dëshëron shpirti it, iknë nga teje, e gjithë të majmetë e të feksuratë humbnë për tij, e do të mos i gjeç më ato.
15 Reshperët’ e këture që u zotëruanë nga ajo, do të rrinë mërguarë për frikë të mundimit së saj, tuke qarë e tuke mbiturë.
16 E do të thonë: Ve, ve, quteti i madh i veshurë me vishnjë, e me porfire, e me të kuqe, e i lieri me ar e me gurë të pançmuarë, e me margaritarë, qish humbi mbë një çast kaqë gjë!
17 E çdo qivernit, e gjithë turma që është ndë karave, e nafatrëtë, e sa punojënë detnë, qëndruanë për së mërguarit.
18 E thërrisnë kur panë timnë të djegurit së saj, tuke thënë: Cila ish si kij qutet i madh?
19 E shtinë pluhur mbi kokëra të ture, e thërrisnë tuke qarë e tuke çjerë, e thoshnë: Hei, hei, quteti i madh, që mbë të u bënë të pasurë gjith’ ata që kishnë karave ndë det, nga të mirat’ e saj, qish mbë një çast u shkretua.
20 Qiell hidhu për të, e ju shënjtorët’ apostoj edhe profitëtë, sepse bëri Perndia gjuq juvet kondr’ asaj.
21 Atëherë një Ëngjëll i fortë ngrijti një gur të madh si gur mollirit, e e shtiu ndë det, e tha: Kështu shpejt do të gremisetë Vavillona quteti i madh, e do të mos gjëndetë më.
22 E do të mos digjonetë më tek ti zëri i qitharavet, i musikovet, i flloereçivet, i zurnavet, as do të mos gjëndetë më tek ti zanatçi i çdofarë zanatit; e do të mos digjonetë më tek ti gjëmimi mullirit.
23 E dritë fotiet do të mos feksjë më tek ti; as zë dhëndërit e nuse do të digjonetë më tek ti; sepse reshperët’ e tua qenë megjistanët’ e dheut, sepse me magjira të tua u pllanepsnë gjithë miletetë.
24 E mbë të u gjënd gjak i profitëvet, e i Shënjtorëvet, e i gjithëvet ature që qenë therturë mbi dhe.