Thirrje për pendim
1 Në atë kohë erdhën disa njerëz te Jezui e i treguan për galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flijimeve. 2 Jezui i pyeti: «A mendoni se galileasit që vuajtën këtë gjë ishin më mëkatarë se galileasit e tjerë? 3 Jo, po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata. 4 Po për ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloamit e i vrau, a mendoni se ishin fajtorë më të mëdhenj se njerëzit e tjerë që banojnë në Jerusalem? 5 Jo, po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata».
Shëmbëlltyra e fikut
6 Pastaj Jezui tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij. Erdhi të kërkonte ndonjë fryt në të, por nuk gjeti. 7 Atëherë i tha vreshtarit: “Ja, erdha tre vjet me radhë të kërkoja ndonjë fryt nga ky fik, por ende nuk kam gjetur asnjë. Prije! Pse ta zërë tokën kot?”. 8 Vreshtari iu përgjigj: “Zotëri, lëre edhe këtë vit, që ta prashis e ta plehëroj, 9 se mos jep fryt vitin e ardhshëm. Nëse jo, prije”».
Shërimi të shtunën
10 Një të shtunë Jezui po mësonte njerëzit në një sinagogë. 11 Aty gjendej edhe një grua e pushtuar nga një shpirt që e kishte mbajtur të kërrusur për tetëmbëdhjetë vjet. Ajo nuk mund të rrinte drejt. 12 Jezui e pa, e thirri e i tha: «Grua, je e çliruar nga sëmundja jote». 13 Kur e preku gruan me dorën e tij, ajo u drejtua e filloi të përlëvdonte Perëndinë. 14 Por, kryetari i sinagogës u zemërua që Jezui shëroi ditën e shtunë, prandaj i tha turmës: «Ka gjashtë ditë në të cilat mund të punohet. Gjatë këtyre ditëve ejani për t'u shëruar e jo ditën e shtunë». 15 Atëherë Zoti iu përgjigj: «Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju kaun apo gomarin nga grazhdi ditën e shtunë dhe e çon për t'i dhënë ujë? 16 Atëherë kjo grua, që është bijë e Abrahamit e që Satani e ka lidhur për tetëmbëdhjetë vjet, nuk u dashka çliruar nga këto pranga ditën e shtunë?». 17 Pasi i tha Jezui këto, të gjithë kundërshtarët e tij u turpëruan dhe mbarë turma gëzohej për gjërat e mrekullueshme që bënte ai.
Fara e sinapit dhe tharmi
(Mt 13.31-33Mk 4.30-32)18 Atëherë Jezui tha: «Me çfarë ngjan mbretëria e Perëndisë? Me çfarë mund ta krahasoj? 19 Ajo ngjan me farën e sinapit që një njeri e mori dhe e mbolli në kopsht. Fara u rrit, u bë pemë dhe zogjtë e qiellit bënë foletë në degët e saj».
20 Jezui tha përsëri: «Me çfarë ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë? 21 Ajo ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa miell, derisa u mbrujt i gjithë brumi».
Dera e ngushtë
(Mt 7.13-14, Mt 21-23)22 Rrugës për në Jerusalem, Jezui përshkonte qytete e fshatra duke mësuar njerëzit. 23 Dikush e pyeti: «Zot, a janë pak ata që shpëtohen?».
Atëherë Jezui i tha: 24 «Përpiquni të hyni nëpër derën e ngushtë, sepse po ju them se shumë do të mundohen të hyjnë, por nuk do të mundin. 25 Nëse i zoti i shtëpisë është ngritur dhe e ka mbyllur derën e ju filloni të rrini përjashta e të trokisni në derë duke thënë: “Zot, na e hap derën!”, ai do të përgjigjet: “Nuk e di nga vini”. 26 Atëherë do të filloni të thoni: “Kemi ngrënë e kemi pirë me ty e ti na ke mësuar nëpër sheshe”. 27 Por ai do t'ju thotë: “Nuk e di nga vini. Largohuni nga unë të gjithë ju që bëni padrejtësi”. 28 Atje do të ketë të qara e kërcëllimë dhëmbësh kur të shihni Abrahamin, Isakun e Jakobin bashkë me të gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa juve do t'ju kenë hedhur përjashta. 29 Atëherë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të hanë në mbretërinë e Perëndisë. 30 Dhe ja, të fundit do të jenë të parët e të parët do të jenë të fundit».
Vajtimi për Jerusalemin
(Mt 23.37-39)31 Në atë çast disa farisenj erdhën e i thanë Jezuit: «Largohu që këtej se Herodi kërkon të të vrasë». 32 Dhe Jezui u tha: «Shkoni e i thoni asaj dhelpre: “Ja, unë po dëboj djajtë e po shëroj sot e nesër. Ditën e tretë e mbaroj veprën time. 33 Megjithatë, sot, nesër e pasnesër unë do të eci udhës sime, sepse nuk është e mundur që një profet të vritet jashtë Jerusalemit”. 34 Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët e që me gurë vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët. 35 Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni:
bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit! ».
Krie e trembëdhjetëtë
1 Mb’atë kohë qen’ atje përpara edhe ca që i thoshn’ atij për ata Galilejtë, që u përzeu Pillatua gjakn’ e ture bashkë me kurbane të ture.
2 E u përgjegj Iisui, e u tha ature: Pandehni ju se këta Galilejtë u bënë më fajëtorë se nga gjithë Galilejtë, sepse besuanë të tilatë?
3 Jo, u thom juvet. Po ndë mos metanoiçi, gjith’ ashtu do të humbisni.
4 A ata të tetëmbëdhjetë, që ra mbi ta taraca ndë Silloam, e i vrau ata, pandehni se këta qenë më fajëtorë nga gjithë njerëzitë që rrinë ndë Ierusalim?
5 Jo, u thom juvet. Po ndë mos metanoiçi, gjith’ ashtu do të humbisni.
6 Edhe u thosh këtë paravoli: Një njeri kish fitepsurë ndë vështë të tij një fik; e erdhi të kërkon mbë të pemmë, e nukë gjeti.
7 E i thot’ atij që punon vështënë: Ja, tri vjet vij tuke kërkuarë pemmë mbë këtë fik, e nukë gjej. Pree atë, pse të lërë edhe vëndnë shkret?
8 Edhe ai u përgjegj, e i tha atij: Zot, lee atë edhe këtë vit, ngjera sa të rrëmoj rrotullë tij, e t’i shtie plehë.
9 E ndë bëftë pemmë, mirë, e ndë mos ta preç atë motnë që vjen.
10 E qe që dhidhakste ndë sinaguaj një të shëtunë.
11 E ja e vjen një grua që kish tetëmbëdhjetë vjet një Shpirt që e mban të sëmurë, e qe kamburjasurë, e nukë mund të ngrij sitë fare së lartit.
12 E si e pa atë Iisui, e thirri afër, e i tha asaj: O grua, je lëshuarë nga sëmunda jote.
13 E vuri duart’ e tij sipër mbi të, e atë çast u ngre lart, e u ndreq, e lëvdon Perndinë.
14 E i pari i sinagojit u përgjegj tuke zëmëruarë, sepse e shëroi Iisui të shëtunë, e thosh ndë turmë: Gjashtë dit janë që mbë këto ësht’ e udhësë të punojëmë. Ndë këto dha ejani, e shërouni, e jo ndë ditë të shëtunë.
15 Edhe Zoti ju përgjegj atij, e i tha: O njeri me di faqe, cilido nga juvet nukë zgjidh kan’ e tij, a gomarë nga grashti të shëtunë, e e shtie t’i apë ujë?
16 E këtë që është e bij’ e Avraamit, që e ka lidhurë satanai ja tetëmbëdhjetë vjet, nukë duhej të zgjidhej nga këta të lidhurë ndë ditë të shëtunë?
17 E kur thoshte ai këto fjalë turpëronishnë ata që i rrijnë kondr’ atij. E gjithë turma gëzonishnë për gjithë punët’ e nderçura që bënishnë prej si.
18 E thoshte: Me çfarë gjëit ka të gjarë mbretëria e Perndisë? E me çfarë punë ta barabaris atë?
19 Ka të gjarë me farë të sinapit, që e mori një njeri, e e mbolli ndë kofshtë të tij, e u rrit, e u bë bim’ e madhe, e erdhë e ndëjnë ndë dega të saj zogjt’ e Qiellit.
20 E pagjene tha: Me çfarë punë të barabaris mbretërin’ e Perndisë?
21 Ka të gjarë me ata brumë që një grua e nakatosi me tre matësë miell, ngjera sa u mbru gjithë.
22 E vij tuke dhidhaksurë qutet mbë qutet, e fshat mbë fshat, e bën udhë prej Ierusalimit.
23 E çocili i tha atij: Zot, ndë janë të pakë ata që sosenë? Edhe ai u tha ature:
24 Forcouni të hini ndëpër derë të ngushtë, sepse u thom juvet, që shumë do të kërkojënë të hijënë, e do të mos mundjënë.
25 Kur të ngrihetë i zoti i shtëpisë e të mbilljë derënë, do të ziri të rriji jashtë, e t’i biri derësë tuke thënë: Zot, o Zot, hapna nevet. E ai do t’u përgjegjetë, e do t’u thotë juvet: Nuk’ u di juvet nga jini.
26 Ahiere do të nisni të thoi: Na hangrëm përpara teje, e pim, edhe ndë rrugëra tona dhidhakse.
27 E do t’u thotë: U thom juvet, që nuk’ u di nga jini juvet. Mërgohuni nga meje juvet që bëjëtë paranomitë.
28 Atje do të jetë të qarëtë e të dredhurit’ e dhëmbëvet, kur të shihni Avraamnë, edhe Isaaknë, edhe Iakovnë, edhe gjithë profitëtë ndë mbretëri të Perndisë, e juvet t’u nxjerënë jashtë.
29 E do të vijënë botë nga del edhe nga perëndon Dielli, e prej veriut e notisë, e do të rrinë ndë mbretëri të Perndisë.
30 E ja, janë të pastajmë, që ata do të jenë të parë, e janë të parë që ata do të jenë të pastajmë.
31 Mb’atë ditë erdhë afër ca nga Farisejtë, e i thon’ atij: Dil, e ikë këteje, se Irodhi do të të vrasë tij.
32 E u thot’ ature: Hajdeni e thoi kësaj dhelpërësë: Ja, që nxjer të paudhëtë, edhe bëj shërime sot edhe nesër, e të tretënë ditë teliosem.
33 Po për sot edhe nesër e për ditënë që vjen duhetë të bëj udhënë time, se nukë mund të vritetë profit përjashta Ierusalimit.
34 Ierusalim, Ierusalim, që vret profitëtë, e që shtip me gurë ata që dërgonenë tek teje, sa herë desha të mbëjedhë djelmt’ e tua, sikundrë mbëjedh pula zogjt’ e saj, ndënë pëndë të saj, e nukë deshtë.
35 Ja që u lihetë shtëpia juaj e shkretë, e u thom juvet me të vërteta, që nukë do të shihni mua më ngjera sa të vijë që të më thoi: I bekuarë ai që vjen mb’ëmër të Zotit.