Fëmijët dhe prindërit
1 Ju fëmijë, bindjuni prindërve tuaj për hir të Zotit, sepse kjo është e drejtë. 2 Ndero atin tënd e nënën tënde, ky është urdhërimi i parë që shoqërohet me premtim: 3 që të jesh mirë e të jetosh gjatë mbi dhe.
4 Dhe ju, etër, mos i zemëroni fëmijët tuaj, por rritini me disiplinën e me këshillat e Zotit.
Skllevërit dhe zotërinjtë
5 Ju shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj tokësorë me nderim e frikë dhe me zemër të sinqertë, sikurse Krishtit, 6 jo sa për sy e faqe, si ata që duan t'u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, që bëjnë vullnetin e Perëndisë me gjithë shpirt. 7 Shërbeni me dashamirësi si t'i shërbenit Zotit e jo njerëzve, 8 duke e ditur se ai që bën mirë, qoftë skllav a i lirë, do të marrë shpërblimin prej Zotit.
9 Edhe ju, zotërinj, silluni po ashtu me ta e hiqni dorë nga kërcënimet, duke e ditur se edhe ju, edhe skllevërit tuaj, keni të njëjtin Zot në qiej, i cili nuk mban anën e askujt.
Lufta kundër së keqes
10 Së fundi , forcohuni nga Zoti dhe nga fuqia e pushtetit të tij. 11 Ngjishni gjithë armët e Perëndisë, që të mund të qëndroni të fortë kundër dredhive të djallit. 12 Sepse ne nuk luftojmë kundër njerëzve prej mishi e gjaku, por kundër parive, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij në vendet qiellore. 13 Prandaj merrni gjithë armët e Perëndisë, që të mund t'i bëni ballë ditës së ligë e të qëndroni të fortë pasi të keni luftuar deri në fund.
14 Qëndroni, pra, të fortë, me ijët ngjeshur me të vërtetën e vishni drejtësinë si parzmore. 15 Mbathni këmbët me gatishmërinë për të predikuar ungjillin e paqes. 16 Mbani gjithmonë në dorë besimin si mburojë, me të cilin do të mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. 17 Mbani shpëtimin si përkrenare dhe shpatën e Shpirtit që është fjala e Perëndisë.
18 Lutuni në çdo kohë dhe drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë, të udhëhequr nga Shpirti. Prandaj rrini zgjuar e këmbëngulni në lutjet tuaja për të gjithë të shenjtët. 19 Lutuni edhe për mua, që Perëndia të më japë fjalët e duhura kur të hap gojën për të predikuar me guxim të fshehtën e ungjillit. 20 Unë jam i dërguar për të predikuar këtë ungjill edhe tani që jam i lidhur në pranga. Lutuni që ta shpall atë me guximin e duhur.
Përshëndetjet e fundit
21 Tikiku, vëllai ynë i dashur e shërbëtori besnik në veprën e Zotit, do t'ju tregojë gjithçka për mua, që ta merrni vesh sesi jam e çfarë po bëj. 22 Po e dërgoj te ju, që të dini sesi jemi e që t'u japë ngushëllim zemrave tuaja.
23 Perëndia Atë dhe Zoti Jezu Krisht u dhënçin të gjithë vëllezërve paqe, dashuri e besim.
24 Hiri qoftë me të gjithë ata që e duan Zotin tonë Jezu Krisht me dashuri të pavdekshme!
Krie e gjashtëtë
1 Djelm, të jini bindurë ndë përin tuaj si mbë Zotnë, sepse këjo ësht’ e udhësë.
2 Ndero babanë tënd, edhe mëmmënë tënde (që është porsi e parë, që ka të taksurë).
3 Që të bëneç i lumurë e të rroç shumë kohë mbi dhe.
4 E juvet baballarë, mos i cërisni ndë urgji djelmtë tuaj, po rritni ata ndë dhidhaskali, e ndë nasihat të Zotit.
5 Shërbëtorë, jini të gjegjurë ndë zotërinj të mishtë, me frikë e me të shpejtë, me zëmërë të hapëtë tuaj, si mbë Krishtinë.
6 Tuke punuarë jo me si, si për të pëlqierë mbë njerëz, po si shërbëtorë të Krishtit, tuke bërë thelimën’ e Perndisë me zëmërë.
7 Tuke punuarë me dashuri sikur punoni Zotnë, e jo sikur punoni njerëzet.
8 E diji, se atë që bën gjithëkush, atë të mirë do të marrë nga Zoti, kaqë shërbëtuar, kaqë eleftero (e zot).
9 Edhe ju zotërinj, të tilatë bëni mb’ata, pakëconi t’ashprëtë tuaj, e diji se Zoti juaj e i ature ësht’ ndër Qiell, e ai nuk’ është cgjedhës faqevet.
10 Sa për jetërinë, o vëllazër, bëni të fortë mbë Zotnë, e ndë fuqi të fortë të tij.
11 Vishuni armët’ e Perndisë, që të mundni juvet të qëndroni kondrë ndë zanate të së paudhit.
12 Sepse nukë kemi të lëftojmë nevet me mish a me gjak, po me arhira, me urdhëratës, me ata që kanë mbë dorë këtë jetë t’errurë, me Shpirtëre të liga, t’erësë.
13 Andaj mirri gjithë armët’ e Perndisë, që të mundni të rriji kondrë ndë ditë të keqe, e si të jini gati mbë të gjitha, të qëndroni.
14 Qëndroni adha tuke ngjeshurë mishnë tuaj me të vërtetë, e veshurë me kallkan të së drejtësë.
15 E mbathni këmbëtë të jini gati për Ungjill të paqit.
16 Mbi të gjitha merri skutarë e besësë, me atë mundni të shuani gjithë shugjetat e dhezura të së ligut.
17 E merri periqefaleën e shpëtimit, edhe thikën’ e Shpirtit, që është fjal’ e Perndisë.
18 Me çdofarë të luturë e të falë, fali gjithënjë me Shpirt, e mbë këtë të tillënë të rriji cgjuarë, me çdofarë durim e të luturë për gjithë Shënjtorë.
19 Edhe për mua, që të më ipetë fjalë, që të më hapetë goja ime, që të bëj të çfaqetë mistiri i Ungjillit.
20 Për atë jam basaduar me zinçir, që të çfaqem mbë të unë, e të flas sikundrë duhetë.
21 Edhe që të diji edhe juvet punët’ e mia, ç’bëj, do t’ua dëftojë juvet të gjitha Tihikoi, vëllai im i dashuri e shërbëtori i besësë mbë Zonë.
22 Atë e kam dërguarë mbë juvet për këtë punë, që të njihni punët’ e mia, e t’u parigorisjë zëmëratë tuaj.
23 Paq mbë vëllazër, e dashuri me besë nga Perndia babai, edhe nga Zoti Iisu Hristoi.
24 Dhurëti mbë gjith’ ata që pa prishurë duanë Zotnë tënë Iisu Hristonë. Kështu qoftë!
* Karta mbë Efesiot u shkrua nga Romi, me anë të Tihikoit.