Ndihma për të shenjtët
1 Lidhur me mbledhjen e ndihmave për të shenjtët, veproni edhe ju ashtu siç i urdhërova kishat e Galatisë. 2 Çdo të dielë , secili të vërë mënjanë aq sa ka mundur të kursejë, që të mos bëhet mbledhja e ndihmave kur të vij unë. 3 Kur të vij do të dërgoj me letër shoqëruese ata që keni miratuar për të çuar dhuratën tuaj në Jerusalem. 4 Po të jetë e udhës që të shkoj edhe unë, atëherë le të vijnë me mua.
Plane për udhëtim
5 Te ju do të vij pasi të kem kaluar nga Maqedonia, se dua të kaloj nga Maqedonia. 6 Ka mundësi të qëndroj te ju, ose edhe të kaloj dimrin, që të më ndihmoni për të shkuar atje ku duhet të shkoj. 7 Nuk dua t'ju shoh kalimthi, por shpresoj të rri ca kohë me ju, në e lejoftë Zoti. 8 Në Efes do të qëndroj deri për Rrëshajë, 9 sepse m'u dha një mundësi e madhe për të vepruar, megjithëse kundështarët janë të shumtë.
10 Po të vijë Timoteu, kujdesuni që të rrijë te ju pa frikë, se edhe ai bën veprën e Zotit sikurse dhe unë. 11 Mos ta përçmojë askush, por ndihmojeni të niset prej jush në paqe, që të vijë tek unë, sepse bashkë me vëllezërit e presim të vijë.
12 Lidhur me vëlla Apolin, iu luta shumë që të vinte te ju bashkë me vëllezërit, por nuk donte kurrsesi të vinte tani, kështu që do të vijë kur të mundet.
Porositë e fundit
13 Rrini zgjuar, qëndroni të fortë në besim, bëhuni burra, jini të fortë! 14 Bëni gjithçka me dashuri!
15 Ju e njihni shtëpinë e Stefanait dhe e dini se është a para që besoi në Akai dhe se iu kushtua shërbesës për të shenjtët. Ju lutem, o vëllezër, 16 t'u bindeni njerëzve të tillë dhe të gjithë atyre që bashkëpunojnë e që mundohen.
17 Jam gëzuar shumë për ardhjen e Stefanait, Fortunatit dhe Akaikut, sepse ata plotësuan mungesën tuaj. 18 Ata qetësuan shpirtin tim e tuajin, prandaj nderojini të tillë njerëz!
19 Ju përshëndesin kishat e Azisë.
Ju përshëndesin shumë, në emër të Zotit, Akuili e Priska, bashkë me kishën që mblidhet në shtëpinë e tyre.
20 Ju përshëndesin të gjithë vëllezërit.
Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë.
21 Përshëndetjen e kam shkruar vetë unë, Pali, me dorën time.
22 Kush nuk do Zotin, mallkuar qoftë. Maranatha !
23 Hiri i Zotit Jezu qoftë me ju!
24 Dashuria ime qoftë me ju të gjithë në Krishtin Jezu!
Krie e gjashtëmbëdhjetëtë
1 E sa për të mbëjedhurë të eleimosinit që të bënetë për Shënjtorë, sikundrë dhaçë urdhër ndë qishëra të Gallatisë, kështu bëni edhe juvet.
2 Çdo ditë të parë të javësë cilido nga jush le të vërë mbënjanë, e le të mbëjedhë atë që ka murvet, që të mos bënetë të mbëjedhuritë kur të vij unë.
3 E si të vij unë ati, do të dërgoj me kartëra ata që do të zgjidhni juvet që të shpienë dhurëtinë tuaj nd’Ierusalim.
4 E ndë qoftë puna e kollajtë, që të vete edhe unë, do të vijënë me mua bashkë.
5 Unë ndashti do të vij ndër juvet, kur të vij rrotullë Maqedhonisë (sepse ndashti shkoj ndëpër Maqedhoni).
6 E mbanë jush mbase do të mbetem kohë, a mbase do të dimëroj, që të më përcilli juvet ngado që të vete.
7 Sepse nukë dua që t’u shoh juvet ndashti mbë të shkuarë, po shpërej që të qëndroj dica kohë ndër juvet, ndë ma ndëjeftë Zoti.
8 E do të mbetem nd’Efeso ngjera ndë Pendikosti.
9 Sepse m’u hap një derë e madhe e e gjerë, e shumë armiq.
10 E nd’artë Timotheoi, vështroni të rrijë ndër juvet pa frikë, sepse punon punën’ e Zotit si edhe unë vetë.
11 Ndonjë adha le të mos e shkarrëzojë atë, po përcillie atë me të mirë, që të vijë tek unë, sepse e pres atë bashkë me vëllazër.
12 Sa për vëllanë Apollo, unë ju luçë shumë që të vin ndër juvet bashkë me vëllazër, e pajetërë nukë deshi të vin ndashti, ma do të vijë kur të ketë nge.
13 Rriji zgjuarë, qëndroni ndë besë, bënuni si burra, e forconi.
14 Gjithë punëtë tuaj le të bënenë me dashuri.
15 E u lutem juvet, vëllazër, juvet e diji shtëpin’ e Stefanait, që është pemm’ e parë e Ahaisë, e mbë punë të Shënjtorëvet kanë vënë vetëhen’ e ture.
16 Që të bindeni edhe juvet mbë të tillëtë, e mbë cilinëdo që punon me nevet bashkë e mundonetë.
17 Gëzonem mbë t’ardhurë të Stefanait, edhe Furtunatosë, edhe t’Ahaikoit, sepse këta e vunë ndë vënd atë që lipsej nga juvet.
18 Sepse prëjtinë Shpirtinë tim edhe tuajnë. I njihni adha të tillëtë.
19 U falenë me shëndet juvet Qishët’ e Asisë. U falenë juvet mbë Zotnë shumë Aqilla edhe Prisqilla, bashkë me qishën’ e ture që kanë mbë shtëpi.
20 U falenë juvet me shëndet gjithë vëllazëritë. Puthni njeri-jatërinë me të puthurë Shënjtërishte.
21 Të falëtë është shkruarë me dorë time të Pavllosë.
22 Nd’është ndonjë që nukë do Zotnë Iisu Hristonë, le të jetë anathema, Maran Atha.
23 Dhurëtia e Zotit Iisu Hristoit qoftë me juvet.
24 Dashuria ime bashkë me gjithë juvet mbë Iisu Hristonë. Ashtu qoftë!
* Kart’ e parë ndë Korinthiot u shkrua nga Filippëtë me mes të Stefanait, e Furtunatosë, e Ahaikoit, e Timotheoit.