Dhurata e vejushës
(Mk 12.41-44)
1 Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit tek hidhnin dhuratat e tyre në thesar. 2 Ai pa edhe një vejushë të varfër që hodhi dy monedha të vogla bakri 3 e tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër ka hedhur më shumë se ata të gjithë, 4 sepse ata hodhën nga tepricat e tyre te dhuratat e thesarit, ndërsa ajo dha nga varfëria e saj gjithçka që kishte për të jetuar».
Parathënia e shkatërrimit të tempullit
(Mt 24.1-2Mk 13.1-2)
5 Kur disa po flisnin për tempullin, sesi ishte i stolisur me gurë të bukur dhe i zbukuruar me dhurata kushtuar Perëndisë, Jezui tha: 6 «Do të vijnë ditë kur, nga këto që po shihni, nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».
Shenjat dhe përndjekjet
(Mt 24.3-14Mk 13.3-13)
7 Atëherë e pyetën Jezuin: «Mësues, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se ato po ndodhin?». 8 Ai tha: «Hapni sytë se mos ju mashtrojnë, sepse do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Jam unë” ose: “U afrua koha”. Mos shkoni pas tyre. 9 Kur të dëgjoni për luftra e trazira, mos u tmerroni, sepse këto gjëra duhet të ndodhin më parë, por prapë fundi nuk do të vijë menjëherë».
10 Pastaj u tha: «Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. 11 Do të bien tërmete të mëdha e në disa vende do të ketë zi buke e murtaja. Do të ketë edhe dukuri të frikshme e shenja të mëdha nga qielli, 12 por para se të ndodhin të gjitha këto, do t'ju kapin e do t'ju përndjekin. Do t'ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje dhe do t'ju çojnë para mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. 13 Kështu do të mund të dëshmoni. 14 Jini të vendosur e mos u parapërgatitni për vetëmbrojtjen tuaj, 15 sepse unë do t'ju jap zotësinë për të folur dhe një urti të tillë saqë askush nga kundërshtarët tuaj nuk do t'i bëjë ballë e nuk do ta kundërshtojë dot. 16 Deri edhe prindërit e vëllezërit, të afërmit e miqtë do t'ju tradhtojnë e do të vrasin disa prej jush. 17 Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, 18 por asnjë fije floku nuk do t'ju bjerë nga koka. 19 Me qëndresën tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj».
Paralajmërimi i shkatërrimit të Jerusalemit
(Mt 24.15-21Mk 13.14-19)
20 «Kur ta shihni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afër. 21 Kështu, ata që janë në Jude të arratisen maleve, ata që janë në Jerusalem të dalin jashtë tij dhe ata që janë nëpër fshatra të mos hyjnë në Jerusalem, 22 sepse këto janë ditët e shpagimit, në të cilat do të plotësohet çfarë është shkruar. 23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë, se do të bjerë mjerim i madh mbi tokë dhe zemërim kundër këtij populli! 24 Ata do të bien nga tehu i shpatës e do të bëhen robër ndër të gjithë kombet dhe Jerusalemi do të shkelet nga kombet, derisa t'u mbarojë koha kombeve».
Ardhja e Birit të njeriut
(Mt 24.29-31Mk 13.24-27)
25 «Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Në tokë kombet do t'i zërë tmerri e ankthi nga buçima e detit dhe e valëve. 26 Njerëzit për pak sa nuk do të vdesin nga frika dhe nga pritja e asaj që është duke rënë mbi botën, sepse pushtetet qiellore do të tranden. 27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet e me lavdi të madhe. 28 Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, ngrihuni e ngrijeni kokën, se shpengimi juaj është afër».
Mësimi nga fiku
(Mt 24.32-35Mk 13.28-31)
29 Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë: «Shikoni fikun e të gjitha pemët. 30 Sapo të shihni se kanë nxjerrë sytha, ju e dini se po afrohet vera. 31 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. 32 Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 33 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».
Jini syçelët
34 «Ruhuni që të mos ju rëndohen zemrat nëpër shfrenitë, dehjet dhe ankthet e kësaj jete e të mos ju kapë në befasi ajo ditë, 35 si të ishte një kurth. Ajo do të bjerë mbi të gjithë ata që jetojnë në mbarë faqen e dheut. 36 Prandaj jini të vëmendshëm gjatë gjithë kohës e lutuni që të mund t'u ikni të gjitha këtyre gjërave që do të ndodhin e që të mund të qëndroni para Birit të njeriut».
37 Gjatë ditës Jezui mësonte njerëzit në tempull, ndërsa natën e kalonte në një vend që quhej mali i Ullinjve. 38 Gjithë populli zgjohej herët në mëngjes për të dëgjuar Jezuin në tempull.
Krie e njëzetenjëtë
1 E si ngrijti sitë e vijte re, pa të pasuritë që vijnë dhurëtit’ e ture ndë kuti t’eleimosinit.
2 E pa edhe një grua të ve të varfërë, që vuri atje di asprë.
3 E tha: Vërtet u thom juvet, që këjo e veja e varfërë vuri më shumë se gjithë.
4 Se gjithë këta vunë ndë dhurëti të Perndisë nga ajo që u tepëron ature; e këjo nga të papaturit e saj vuri gjith’ atë gjë që kish.
5 E kur thoshnë ca për Iero (qishë) se është dërtuarë me gurë të mira, e stolisurë me dhurëtira, u përgjegj:
6 Këto që shihni juvet, do të vijënë dit, që do të mos mbetetë gur mbi gur, që të mos bënetë thrime.
7 E e pietn’ atë, e i thanë: Dhaskal, kur adha do të bënenë këto? Edhe cili është nishani kur t’afërojënë të bënenë këto?
8 Edhe ai u tha: Kini kujdes të mos gënjeneni, se shumë do të vijënë ndë ëmër tim e të thonë, se jam unë. E koha u afërua. Mos viji dha pas ature.
9 E pa kur të digjoni luftëra e qartëra, mos u trëmbni, sepse këto do të bënenë protoparë, po nuk’ është menjëherë sosëja.
10 Atëherë u thosh ature: Do të ngrihetë një fili kondrë tjatërësë fili, e një mbretëri kondrë tjatërësë mbretëri.
11 E do të jenë tërmete të mëdha ndë shumë vënde, e uje, e murtajëra, e nishane të frikuara ndër Qiell, e çudira të mëdha.
12 E përpara gjithë këturevet, do të vënë mbë juvet duart’ e ture, e do t’u ndjekënë, e do t’u shpienë ndë sinagoje, e ndë hapsana, e t’u zbranisjënë ndë mbretër, e ndë të parë për ëmër tim.
13 E këjo do të vijë për martiri tuaj.
14 Viri dha qëndrim ndë zëmëra tuaj, të mos silloisni më përpara se ç’do të përgjegjeni.
15 Sepse unë do t’u ap juvet gojë edhe sofi, që mb’atë do të mos mundjënë të rrinë kondrë, e të përgjegjenë armiqtë tuaj.
16 E do të prodhoseni edhe nga baballarëtë tuaj, edhe nga vëllazëritë, edhe nga gjëria, edhe nga miqtë; e ca nga juvet do t’u vrasënë.
17 E do të jeni të mçuarë nga gjithë bota për ëmër tim.
18 Ma një qime nga krietë tuaj, do të mos humbasë.
19 E me ipomoninë tuaj, do të fitoni Shpirtetë tuaj.
20 E kur të shihni pa Ierusalimnë pështjellturë nga asqerëtë, atëherë kupëtoni se ësht’ afër të shkretuarit’ e saj.
21 Ahiere ata që gjëndenë ndë Iudheë, le të ikëjënë ndë male, e ata që janë brënda mbë të, le të hiqenë mbënjanë; e ata që gjëndenë ndë fshatëra, le të mos hijënë mbë të.
22 Se këto janë ditë e t’ekdhiqisurit, që të paguhenë gjith’ ato që janë shkruarë.
23 E ve mb’ato gra që janë me barrë, e mb’ato që kanë djelm mbë sisë mb’ato dit, sepse do të jetë shtrëngim i madh mbi dhe, edhe urgji mbë këtë llao.
24 E do të vdesënë me thikë, e do të skllavosenë ndë gjithë filira; e Ierusalimi do të shkeletë nga të tjera fili, ngjera sa të sosenë mote(t’) e këture filivet.
25 E do të jenë nishane ndë Diell, e ndë Hënëzë, e ndë ulle; e ndë dhe gjithë filitë mbë të dredhurë nga frika që bën prej gjëmimit së detit e prej thëllimit.
26 Të vdesënë njerëzitë nga frika, e nga ato që presënë të vijënë ndë gjithë dinia, sepse do të tundenë fuqit’ e Qiellvet.
27 E ahiere do të shohënë të bir e njeriut të vijë mbi një re me shumë fuqi e me nder.
28 E kur të nisjënë këto punëra të bënenë, vështroni lart e ngrini krietë tuaj, sepse shpëtimi juaj ësht’ afër.
29 E u tha ature një paravoli: Vështroni fiknë edhe gjithë lisatë.
30 Kur krejënë bubuqetë, shihni vetiut e kupëtoni që është afër të korrëtë.
31 Kështu edhe juvet kur të shihni këto që të bënenë, digjoni se afër është mbretëria e Perndisë.
32 Me të vërteta u thom juvet, që do të mos shkojë kij brez, ngjera sa të bënenë gjithë.
33 Qielli edhe dheu do të shkojënë, e fjalët’ e mia do të mos shkojënë.
34 Rriji zgjuarë mbë vetëhe tuaj, të mos u rëndonenë zëmëratë tuaj mbë të pirë, e mbë të dejturë, e mbë silloi të kësaj jetet, e ju vijë sipër mbi ju me ksafni ajo ditë.
35 Sepse do të vijë posi lak që do të bjerë mbi gjith’ ata që rrinë mbi faqe të gjithë dheut.
36 Rriji adha zgjuarë mbë çdo kohë tuke luturë që të bëhi të zotë për t’ikurë gjithë këto që janë për të bënë, e të rriji përpara birit së njeriut.
37 E kur ishte ditë, rrijte Iisui e dhidhaks ndë Iero; e natënë dil e bënte të ndënjuritë ndë mal që quhej i Ullinjet.
38 E gjithë llaoi vij që mëngjes tek ai ndë Iero, ta digjoijn’ atë.