Përshëndetje
1 Unë, Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, po ju shkruaj juve që nga drejtësia e Perëndisë tonë dhe e shpëtimtarit Jezu Krisht keni marrë të njëjtin besim me ne: 2 hiri e paqja u shtofshin mbi ju me njohjen e Perëndisë e të Zotit tonë Jezu!
Thirrja dhe zgjedhja
3 Fuqia e tij hyjnore na dhuroi gjithçka që na nevojitet për jetën e përkushtuar ndaj Perëndisë, nëpërmjet njohjes së atij që na thirri në lavdinë dhe fuqinë e tij. 4 Me to na u dhuruan premtimet shumë të mëdha e të çmueshme, që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, duke shpëtuar nga prishja që sjellin kënaqësitë e botës.
5 Prandaj bëni çdo përpjekje për t'i shtuar besimit tuaj virtytin, virtytit diturinë, 6 diturisë vetëkontrollin, vetëkontrollit durimin, durimit përkushtimin ndaj Perëndisë, 7 përkushtimit ndaj Perëndisë dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë. 8 Sepse nëse i keni të gjitha këto me shumicë, ato nuk do t'ju lejojnë të bëheni përtacë e të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht. 9 Kush nuk i ka këto, është i verbër e dritëshkurtër dhe ka harruar se është pastruar nga mëkatet e tij të vjetra.
10 Prandaj, vëllezër, përpiquni ta forconi sa më shumë thirrjen dhe zgjedhjen tuaj nga Perëndia, sepse po t'i bëni këto gjëra, nuk do të bini kurrë. 11 Kështu do t'ju hapet plotësisht hyrja për në mbretërinë e amshuar të Zotit e të shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.
12 Për këtë arsye do të vazhdoj t'jua kujtoj përherë këto gjëra, edhe pse i dini e jeni të palëkundur në këtë të vërtetë. 13 Mendoj se është e drejtë t'ju mbaj zgjuar duke jua kujtuar ato për sa të jem në këtë jetë. 14 Unë e di se do ta lë shpejt këtë trup, sikurse ma ka shfaqur Zoti ynë Jezu Krisht. 15 Prandaj do të përpiqem që të mund t'i kujtoni të gjitha këto gjëra edhe pas largimit tim.
Fjala profetike
16 Ne nuk përdorëm përralla të thurura me mjeshtëri për t'ju shpallur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Ne e kemi parë me sytë tanë madhështinë e tij. 17 Ai mori nder e lavdi nga Perëndia Atë kur nga lavdia madhështore erdhi zëri që tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur». 18 Këtë zë që vinte nga qielli e dëgjuam kur ishim me të në malin e shenjtë.
19 Kështu jemi më të sigurt për fjalën profetike, të cilën bëni mirë ta keni si një pishtar që ndriçon në një vend të errët, derisa të agojë dita dhe ylli i mëngjesit të lindë në zemrat tuaja. 20 Duhet të dini së pari se asnjë profeci e Shkrimit nuk shpjegohet sipas mendjes së gjithsecilit, 21 pasi asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëz të frymëzuar nga Shpirti i shenjtë folën nga ana e Perëndisë.
Krie e parë
1 Simeon Petrua, ropi e apostolli i Iisu Hristoit, mb’ata që të tillënë kanë marrë bara mbë nevet me short besënë me të drejtë të Perndisë sanë e të Sotirit Iisu Hristoit.
2 Le të shtonetë mbë juvet dhurëtia e paqi me anë të njohëjësë Perndisë e të Iisu Hristoit Zotit sonë.
3 Sikundrë na ka dhëruarë nevet fuqi e Perndisë tij ato punëra që bëjënë për jetë e për evsevi me anë të njohëjësë atij që na thirri për nder të tij e për të mirë.
4 Me mes t’ature ka bërë ndër nevet dhurëtira të nderçura e të mëdha të taksura, që me anë të këture të bëni pjesëtarë të fisit së Perndisë me t’ikurë nga prishëja që është ndë jetë për dëshërime.
5 Ndashti adha juvet me çdo të shpejtë tuke punuarë bashkoni ndë besë tuaj punërat’ e mira, e ndë punëra të mira, pa, të dijturitë.
6 E ndë të dijturë, pa, engratinë, e ndë engrati durimnë, e ndë durim, pa, besën’ e mirë,
7 E ndë besë të mirë pa, miqësin’ e vëllazërisë, e ndë miqësi të vëllazërisë dashurinë.
8 Sepse kur janë këto punëra bashkë me juvet, e venë tuke shtuarë, do të mos lënë mbrazëtë e të papemmë ndër ju të njohurit’ e Zotit sënë Iisu Hristoit.
9 Sese ai që s’ka këto punëra ësht’ i verbërë, e mbill sinë, e haroi që është qëruarë nga fajet’ e tij të lashtatë.
10 Pra andaj më tepër, vëllazër, nxitoni ta bëni të vërtetë të thirrturitë, e të cgjedhuritë tuaj, sepse kur të bëni kështu, do të mos fëjeni kurrë.
11 Sepse kështu do t’u hapetë shumë juvet udha e së hijturit ndë mbretëri të pasosurë të Zotit sonë e Sotirit Iisu Hristoit.
12 Andaj do të mos përtoj që t’u bie ndër mënd juvet kurdo për këto, ndonëse i diji e jeni stereosur ndë këtë të vërtetë.
13 Po unë silloisem se është pun’ e mirë, ngjera sa jam unë ndë këtë tendë t’u çuaj juvet me të kujtuarë.
14 Sepse e dimë mirë që shpejt do të lë tendënë time, sikundrë më dëftoi mua Zoti inë Iisu Hristoi.
15 Po do të bëj që edhe pas mortit sim të mundni juvet të kujtoni kurdo këto punëra.
16 Sepse tuke vaturë pas prallavet stolisurë t’ëmblio, u bëm juvet të njohëtë fuqin’ e t’ardhurit’ së Zotit sonë Iisu Hristoit, po si pam me si tëna madhështin’ e tij.
17 Sepse ai si mori nga Perndia e babai nder e lëvdim, sepse cbriti mbë të nga nderi i shum’ i madh i tili zë: Kij është biri im i dashuri, mb’atë jam unë i prëjturë.
18 E atë zë e digjuam nevet që erdhi nga Qielltë, kur jeshëm me të bashkë ndë Shënjt Mal.
19 Ma kemi më të paluajturë kuvëndn’ e profitëvet, mb’atë bëni mirë që viri veshnë si mbë llambadhë që feks ndë vënd t’errëtë, ngjera sa të hapjë dita e të dalë Ulli i mëngjesit ndë zëmëra tuaj.
20 Të diji protoparë këtë se çdo profiti e kartësë, nukë ka të ksijisurë të veçë.
21 Sepse jo me të dashurë të njeriut u pru ndonjëherë profiti, po njerëzitë shënjtorët’ e Perndisë, u anangasnë nga Shënjti Shpirt e folë.