Jeta që i pëlqen Perëndisë
1 Së fundi, o vëllezër, ju mësuat prej nesh sesi duhet të jetoni ashtu siç i pëlqen Perëndisë. Ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në emër të Zotit Jezu, që të vazhdoni të jetoni kështu, madje të përparoni edhe më shumë. 2 Ju i dini udhëzimet që ju dhamë nga ana e Zotit Jezu. 3 Vullneti i Perëndisë është që ju të bëni një jetë të shenjtë, të hiqni dorë nga kurvëria, 4 që çdonjëri prej jush të dijë ta mbajë të shenjtë dhe me nder trupin e vet, 5 dhe të mos ia nënshtrojë atë pasioneve të epshit siç bëjnë kombet që nuk e njohin Perëndinë. 6 Askush të mos e mashtrojë e as të mos i bëjë keq vëllait të vet në këto gjëra, sepse për të gjitha këto do të hakmerret Zoti, gjë që jua kemi thënë dhe jua kemi dëshmuar edhe më parë. 7 Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim. 8 Prandaj kush hedh poshtë këto udhëzime, nuk hedh poshtë një njeri, por hedh poshtë Perëndinë që ju ka dhënë Shpirtin e tij të Shenjtë.
9 Sa për dashurinë vëllazërore, nuk keni nevojë që t'ju shkruaj, sepse vetë Perëndia ju ka mësuar ta doni njëri-tjetrin. 10 Është e vërtetë që ju e bëni këtë për të gjithë vëllezërit që janë në gjithë Maqedoninë, por ne ju bëjmë thirrje o vëllezër, të përparoni edhe më shumë në këtë gjë. 11 Përpiquni të jetoni në paqe, të shikoni punët tuaja dhe ta fitoni jetesën nga duart tuaja, siç ju kemi udhëzuar edhe më parë. 12 Kështu do të jetoni me nder në sy të atyre që janë jashtë kishës dhe nuk do t'ia keni nevojën askujt.
Ardhja e Zotit
13 O vëllezër, ne nuk duam që të mos e dini se çfarë do të bëhet me ata që kanë vdekur, që të mos hidhëroheni edhe ju si ata që nuk kanë shpresë. 14 Nëse besojmë se Jezui vdiq dhe u ngjall, po kështu edhe Perëndia do t'i ngjallë bashkë me të ata që vdiqën dhe që kishin besuar në të.
15 Këtë po jua themi me fjalët e Zotit: ne të gjallët, që do të jemi ende gjallë kur të vijë Zoti, nuk do ta takojmë Zotin përpara atyre që kanë vdekur, 16 sepse vetë Zoti, me një kushtrim, me zë kryeengjëlli dhe me trumbetën e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe të vdekurit që kishin besuar në Krishtin do të ngjallen të parët. 17 Pastaj, ne që do të kemi mbetur ende gjallë, do të rrëmbehemi bashkë me ata në re për ta takuar Zotin lart; dhe kështu do të jemi gjithmonë bashkë me Zotin. 18 Prandaj ngushëllojeni njëri-tjetrin me këto fjalë.
Krie e katërtë
1 Më të pastajmenë adha, vëllazër, u lutemi juvet e u vëmë ndë be mbë Zonë Iisunë, që sikundrë kini mpsuarë nga nesh, mb’atë lloi që duhetë t’ecëni e të pëlqeni Perndisë, që të shtoni shumë.
2 Sepse ju e diji çfarë porsie u kemi dhënë juvet, nga an’ e Zotit Iisuit.
3 Sepse këtë do Perndia, Shënjtërimnë tuaj, që të ruhi nga kurvëria.
4 Të dijë cilido nga jush të ruajë enënë (kurmnë) e tij me Shënjtërim e me nder.
5 Jo ndë heqëjë të dëshërimit, si ato filitë që nukë njohënë Perndinë.
6 Që të mos tepërojë, a të mos gënjejë njeri vëllan’ e tij ndë të bërë të keq, sepse ndë gjithë këto punëra Zoti mundon, sikundr’ u kemi thënë juvet më përpara e u kemi martirisurë.
7 Sepse Perndia nukë na thirri ndë të pëgërë, po ndë Shënjtërim.
8 Andaj ai që shkel të tillë punë, nukë ksenderon njeri, po ksenderon Perndinë, që ka dhënë ndër nevet Shpirtinë Shënjt të tijnë.
9 Sa për dashuri pa të vëllazërisë nukë kini hri që t’u shkruajmë na juvet, sepse juvet vetë kini mpsuarë nga Perndia të doi njeri-jatërinë.
10 Sepse juvet këtë e bëni mbë gjithë vëllazër, që janë ndëpër gjithë Maqedhoni, po u lutem juvet, vëllazër, që të tepëroni më shumë.
11 E kërkoni të rroni me të paqë, e të bëni punëtë tuaj, e të punoni me duar tuaj, sikundr’ u kemi juvet porsiturë.
12 Që të bireni me të jashtësmitë me nder, e të mos kini mbë ndonjë hri.
13 Nukë dua pa, vëllazër, të jini të padijturë për ata që flënë, që të mos helmoni, sikundrë helmonenë të tjerëtë ata që s’kanë shpëresë (të së ngjallturit).
14 Sepse ndë besojëmë që Iisui vdiqi edhe u ngjall, kështu edhe Perndia ata që janë fleturë me anë të Iisuit, do t’i bjerë bashkë me atë.
15 Sepse mbi fjalë të Zotit u thom juvet këtë, që na që jemi të gjallë, që jemi ruajturë për t’ardhurë të Zotit, do të mos arrijmë ata që fletnë.
16 Sepse Zoti vetë, me urdhër, e me zë t’Ëngjëllit, e me zë të drubetësë Perndisë do të cbresë nga Qielli, e ata që kanë vdekurë mbë Krishtinë do të ngrihenë protoparë.
17 Pasandaj na që jemi të gjallë, që jemi mbeturë, do të biremi mbi mjergullë nd’erë me ata bashkë për të priturë të Zotit, e kështu do të jemi gjithënjë bashkë me Zotnë.
18 Parigorisni adha njeri-jatërinë me këto fjalë.