Çështje të martesës
1 Sa për ato që më shkruat, mirë është që njeriu të mos prekë grua. 2 Por për të mos rënë në kurvëri, çdo burrë le të ketë gruan e vet dhe çdo grua të ketë burrin e vet. 3 Burri le të përmbushë detyrimin e tij martesor ndaj gruas dhe po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. 4 Gruaja nuk e zotëron trupin e vet, por e zotëron burri i saj. Po ashtu edhe burri nuk e zotëron trupin e vet, por e zotëron gruaja e tij. 5 Mos iu privoni njëri-tjetrit, përveçse kur keni vendosur që për pak kohë t'i përkushtoheni lutjes . Pastaj bashkohuni përsëri, që për shkak të mospërmbajtjes suaj të mos ju tundojë Satani. 6 Këtë nuk e them si urdhër, por si diçka që është e lejueshme. 7 Unë do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë, por secili ka dhuntinë e vet nga Perëndia, njëri kështu e tjetri ashtu.
8 Të pamartuarve dhe vejushave u them se është mirë të qëndrojnë si unë. 9 Por, nëse nuk përmbahen dot, le të martohen, sepse është më mirë të martohen se të digjen nga dëshirat.
10 Të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri. 11 Nëse ndahet, le të qëndrojë e pamartuar ose të pajtohet me burrin. Dhe burri të mos e lërë gruan.
12 Ndërsa të tjerëve u them unë, jo Zoti, se nëse një vëlla ka për grua një jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë me të, të mos e lërë. 13 Dhe nëse një grua ka për burrë një jobesimtar dhe ai pranon të jetojë me të, të mos e lërë burrin. 14 Sepse burri jobesimtar do të shenjtërohet nga gruaja dhe gruaja jobesimtare do të shenjtërohet nga burri. Përndryshe fëmijët tuaj do të ishin të papastër, por tani janë të shenjtë.
15 Nëse jobesimtari dëshiron të ndahet, le të ndahet. Besimtari ose besimtarja nuk janë më të lidhur nga këto gjëra, sepse Perëndia ju ka thirrur në paqe. 16 Nga e di ti, o grua? Ndoshta do ta shpëtosh burrin. Nga e di ti, o burrë? Ndoshta do ta shpëtosh gruan.
Jeto sipas thirrjes
17 Sa për të tjerat, secili të jetojë ashtu siç i ka dhënë Zoti dhe ashtu siç ka qenë kur e thirri Perëndia. Kështu urdhëroj për të gjitha kishat. 18 Nëse dikush u thirr kur ishte i rrethprerë, të mos mundohet ta ndreqë rrethprerjen. Nëse dikush u thirr kur ishte i parrethprerë, të mos rrethpritet. 19 Rrethprerja dhe parrethprerja nuk janë asgjë, por ajo që ka rëndësi është zbatimi i urdhërimit të Perëndisë. 20 Secili të mbetet siç ishte kur e thirri Perëndia. 21 Ishe skllav kur u thirre nga Perëndia? Mos u shqetëso për këtë, por nëse të jepet mundësia të fitosh lirinë, atëherë më mirë shfrytëzoje. 22 Ai që u thirr nga Zoti kur ishte skllav, mori lirinë prej tij. Po ashtu edhe ai që u thirr kur ishte i lirë, është skllav i Krishtit. 23 Perëndia ju bleu me një çmim. Mos u bëni skllevër të njerëzve! 24 Vëllezër, secili të mbetet para Perëndisë siç ishte kur u thirr prej tij.
Të pamartuarit dhe vejushat
25 Për virgjëreshat nuk kam ndonjë urdhër nga Zoti, por po shpreh mendimin tim si njeri që, nga mëshira e Zotit, jam i besueshëm. 26 Mendoj se për shkak të vështirësive të tanishme mirë është që njeriu të qëndrojë siç është. 27 Je i martuar? Mos kërko të ndahesh! Je i pamartuar? Mos kërko grua! 28 Nëse martohesh, nuk mëkaton. Edhe një virgjëreshë nëse martohet, nuk mëkaton. Por të martuarit hyjnë në mundime trupore dhe këtë dua t'jua kursej.
29 Këtë e them, o vëllezër, sepse koha që mbetet është aq e shkurtër, saqë edhe ata që kanë gra, duhet të jetojnë si të mos kishin; 30 ata që qajnë, si të mos qanin; ata që gëzohen, si të mos gëzoheshin; ata që blejnë, si të mos kishin asgjë; 31 dhe ata që i gëzojnë të mirat e kësaj bote, si të mos i gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon.
32 Dua që të mos keni kokëçarje. I pamartuari shqetësohet për gjërat e Zotit dhe kërkon si t'i pëlqejë Zotit, 33 ndërsa i martuari shqetësohet për gjërat e botës dhe kërkon si t'i pëlqejë gruas 34 dhe është i ndarë më dysh. Po ashtu, si gruaja e pamartuar, edhe virgjëresha shqetësohen për gjërat e Zotit, që të jenë të shenjta në trup e në shpirt, ndërsa e martuara shqetësohet për gjërat e botës dhe kërkon si t'i pëlqejë burrit. 35 Edhe këto gjëra po jua them për të mirën tuaj dhe jo për t'ju vënë lakun në fyt, por që të jetoni sa më hijshëm e sa më të përkushtuar ndaj Zotit, pa shqetësime.
36 Por, nëse dikush shikon se do të sillej në mënyrë të pahijshme ndaj të fejuarës së tij, sepse digjet nga dëshira dhe mendon se duhet të martohet, le të bëjë si të dojë, le të martohet, nuk mëkaton. 37 Ndërsa ai që është i palëkundur në zemër dhe ndien se nuk ka nevojë, por i zotëron dëshirat dhe e ka vendosur me gjithë zemër që ta ruajë të fejuarën e vet, bën mirë. 38 Kështu, ai që martohet me të fejuarën e vet bën mirë; ai që nuk martohet bën edhe më mirë.
39 Gruaja është e lidhur me burrin e saj për sa kohë ai jeton. Nëse vdes burri, ajo është e lirë të martohet me kë të dojë, veçse martesa të bëhet në Zotin. 40 Ajo do të jetë më e lume nëse mbetet siç është. Ky është mendimi im dhe unë mendoj se e kam Shpirtin e Perëndisë.
Krie e shtatëtë
1 E për ato punëra që më patë mua shkruarë, pun’ e mirë është për njerinë që të mos ngasë grua.
2 Po për kurvërira, cilido le të ketë gruan’ e tij, e cilado grua le të ketë burrën’ e saj.
3 Burri le t’i apë gruasë dashurinë që i ka borç. Ashtu edhe gruaja burrit.
4 Gruaja e martuarë nuk’ urdhëron kurmin’ e saj, po burri. Ashtu edhe burri nuk’ urdhëron kurmin’ e tij, po gruaja.
5 Mos sterepsni njeri-jatërinë, përveçme ndë qoftë me kuvënd të divet përherë, që të bëni gjë të luturë a agjërim. E përsëri të mbëjidheni të di bashkë, që të mos u gucitjë juvet Satanai, sepse s’mund të mbahishtë.
6 E këtë ua thom me të cbriturë, e jo me porsi.
7 Sepse dua të jenë gjithë njerëzitë sikundrë jam edhe unë, po gjithëkush ka dhurëtin’ e tij nga Perndia, një kështu, e një ashtu.
8 Ature që nukë kanë grua edhe së vavet u thom unë, që është mirë për ta ndë mbeçinë kështu si edhe unë.
9 Ma ndë mos mbahenë, le të martonenë, sepse është më mirë të martonenë, se të përcëllihenë.
10 E të martuaret pa u porsit, jo unë, po Zoti, të mos ndahetë gruaja nga burri.
11 E nd’u ndaftë, le të mbetetë e pamartuarë, a le të paqconetë me burrën’ e saj, e burri le të mos ta lërë gruanë.
12 E ndë të tjerëtë pa thom unë, e jo Zoti, ndë qoftë ndonjë vëlla që të ketë grua të pabesë, e ajo do të rrijë me të bashkë, le të mos e lërë atë.
13 E nd’është gruaja që beson që ka burrë të pabesë, e do të rrijë me të bashkë, le të mos e lërë atë.
14 Sepse është Shënjtëruarë burri i pabesë për gruanë të besësë. E gruaja e pabesë u Shënjtërua për burrë të besësë. Ndrishe djelmtë tuaj, do të qenë të molepsurë, e ndashti janë Shënjtorë.
15 Ma nd’u ndaftë i pabesi, le të jetë ndarë, sepse nuk’ është ndë skllavi vëllai a motra ndë këto punëra, po Perndia na ka thirrë ndë paq.
16 Sepse ç’di ti, o grua, se ndë je ti për të sosurë burrënë? A ç’di ti, o burrë, se ndë je ti për të sosurë gruanë?
17 Përveçe gjithëkush sikundr’ ësht’ ajo që i ka dhënë Perndia, e gjithëkush sikundr’ e ka thirrë Zoti, ashtu le t’ecëjë. E kështu dhidhaks unë ndë gjithë qishëra.
18 Është thirrë ndonjë (ndë besë) kur qe i prerë? Le të mos dojë të duketë se ësht’ i paprerë. Është thirrë ndonjë kur qe pa prerë? Le të mos pritetë.
19 Të prerëtë s’mbrodh gjë, po është të ruajturitë e porsivet së Perndisë.
20 Gjithëkush le të mbetetë mb’atë të thirrë, që është thirrë.
21 Je thirrë ti kur jeshe rop? Mos të vijë gulçim. Po edhe ndë mundç të lefteroseç, shërbe më shumë.
22 Sepse ai që kur qe rop është thirrë te Zoti, ësht’ eleftero mbë Zotnë, ashtu kush është thirrë kur qe eleftero, është shërbëtuar i Krishtit.
23 Jini blerë me të çmuarë. Mos u bëni skllev të njerëzet.
24 Gjithëkush adha, o vëllazër, sikundr’ është thirrë, mb’atë edhe të mbetetë afër Perndisë.
25 E për vergjëresha pa, urdhër nga Zoti nukë kam, po ap nasihat si i eleisurë nga Zoti të jem i besësë.
26 Silloisem adha se këjo është një e mirë për shtrëngim që është ndashti, se pun’ e mirë është për njerinë që të qëndrojë kështu.
27 Je lidhurë me grua, mos kërko të zgjidheç. Je lidhurë nga gruaja? Mos kërko grua.
28 E ndë marrç grua, nukë ke faj. E nd’u martoftë një vergjëreshë, nukë fëjen, po do të kenë t’idhura ndë kurm të tillëtë. E unë u kurcej juvet.
29 E këtë e thom, o vëllazër, se sot di parë koha ësht’ e shkurtërë. Andaj ata që kanë grua, le të jenë si edhe ata që s’kanë.
30 Edhe ata që qajënë, si ata që nukë qajënë. Edhe ata që gëzonenë, si ata që nukë gëzonenë. Edhe ata që blejënë, si ata që sikur s’urdhërojënë gjë.
31 Edhe ata që kanë mb’urdhër këtë botë, të vështrojënë sikur s’kanë gjë mbë dorë, sepse tend’ e kësaj diniasë shkon.
32 U dua ndashti të jini juvet pa silloi. I pamartuari ka silloi për punë të Zotit, qish t’i pëlqejë Zotit.
33 E ai pa që ësht’ i martuarë ka ndër mënd punët’ e jetësë, qish t’i pëlqejë gruasë.
34 Janë ndarë gruaja edhe vergjëresha. E pamartuara ka ndër mënd punët’ e Zotit, që të jetë e Shënjtëruarë ndë kurm edhe ndë Shpirt. E e martuara ka ndër mënd punët’ e jetësë, qish t’i pëlqejë burrit.
35 E këtë ua thom për të mirë tuaj, jo t’u vë thile mbë qafë juvet, po për atë që është e nderçurë e t’u afërojë ndë punë të Zotit pa mbodhi.
36 E ndë silloisetë ndonjë se i gjan turp ndë vashëzë të tij që e mban pa martuarë, kur i shkon koha, e duhetë të martonetë, le të bëjë atë që do, nukë fëjen. Le të martonenë.
37 E kush është i paluajturë ndë zëmërë të tij, e s’ka shtrëngim, po është mb’urdhër të tij, e vuri kshill me zëmërë të tij të ruajë vashëzën’ e tij, bën mirë.
38 Cili dha e marton bën mirë. Edhe cili nuk’ e marton, bën më mirë.
39 Gruaja është lidhurë ndë nom gjithë kohënë që rron burri saj, ma ndë vdektë burri saj, lefterosetë. Le të marrë cilinëdo, përveçme si do Zoti.
40 Ma do të jetë më e lumurë ndë mbetë kështu, sikundrë silloisem unë, sepse më duketë që kam edhe unë Shpirt Perndiet.