Disa gra shoqërojnë Jezuin
1 Pas këtyre gjërave Jezui shkoi nëpër qytete e fshatra duke predikuar e duke shpallur ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe të dymbëdhjetët ishin me të. 2 Ishin edhe disa gra që Jezui i kishte shëruar nga shpirtrat e këqij e nga sëmundjet: Maria, që quhej Magdalenë, prej së cilës ishin dëbuar shtatë djaj, 3 Joana, gruaja e Kuzait, kujdestarit të pasurisë së Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që kishin vënë pasuritë e veta në shërbim të Jezuit e të dishepujve.
Mbjellësi
(Mt 13.1-9Mk 4.1-9)
4 Kur u mblodh një turmë e madhe me njerëz që vinin tek ai nga qytete të ndryshme, Jezui foli me shëmbëlltyra: 5 «Një mbjellës doli për të mbjellë farën. Ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe njerëzit i shkelën e zogjtë e qiellit i hëngrën. 6 Disa të tjera ranë në gurishtë e sapo mbinë, u thanë se nuk kishin ujë. 7 Disa të tjera ranë ndër ferra. Ferrat u rritën së bashku me to e ua zunë frymën. 8 Por disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe, kur u rritën, prodhuan njëqindfish». Pastaj tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!».
Qëllimi i shëmbëlltyrave
(Mt 13.10-17Mk 4.10-12)
9 Pastaj dishepujt e pyetën se çfarë kuptimi kishte kjo shëmbëlltyrë. 10 Jezui u përgjigj: «Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa të tjerëve u flas me shëmbëlltyra, që
të kenë sy
e të mos shohin
dhe të dëgjojnë
e të mos kuptojnë ».
Shpjegimi i shëmbëlltyrës
(Mt 13.18-23Mk 4.13-20)
11 «Shëmbëlltyra është kjo: fara është fjala e Perëndisë. 12 Farat që ranë në rrugë janë ata që e dëgjojnë atë. Pastaj vjen djalli dhe e rrëmben fjalën nga zemrat e tyre, që të mos besojnë e të mos shpëtohen. 13 Farat që ranë në gurishtë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e pranojnë me gëzim, por nuk e lënë të zërë rrënjë. Ata besojnë vetëm për pak dhe në kohën e sprovës e braktisin besimin. 14 Fara që ra ndër ferra janë ata që e dëgjojnë, por gjatë udhës ua zënë frymën shqetësimet, pasuria e kënaqësitë e jetës dhe frytet e tyre nuk piqen. 15 Fara që bie në tokë të mirë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ruajnë në një zemër të ndershme e të mirë. Këta mbesin besnikë e japin fryte».
Drita nën magje
(Mk 4.21-25)
16 «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje apo nën shtrat. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. 17 Asgjë e fshehur nuk do të mbetet pa u zbuluar dhe asnjë e fshehtë nuk do të mbetet pa u njohur e pa dalë në dritë. 18 Kini kujdes sesi dëgjoni, se atij që ka do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka do t'i merret edhe ajo pak që mendon se ka».
E ëma dhe vëllezërit
(Mt 12.46-50Mk 3.31-35)
19 E ëma dhe vëllezërit e Jezuit shkuan për ta takuar, por nuk mundën të arrinin tek ai për shkak të turmës. 20 Atëherë i thanë Jezuit: «Nëna jote e vëllezërit e tu janë përjashta dhe duan të të shohin». 21 Por ai u tha: «Nëna ime e vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë dhe e zbatojnë fjalën e Perëndisë».
Fashitja e stuhisë
(Mt 8.23-27Mk 4.35-41)
22 Një ditë Jezui hipi në një varkë me dishepujt e u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër të liqenit». Kështu u nisën. 23 Ndërsa po lundronin, Jezuin e zuri gjumi. Papritur filloi një erë e fortë mbi liqen. Varka po mbushej me ujë e ata ishin në rrezik. 24 Dishepujt iu afruan Jezuit, e zgjuan e i thanë: «Mësues, mësues, po mbytemi». Ai u zgjua dhe qortoi erën e dallgët kërcënuese, të cilat pushuan. Pastaj u bë bunacë. 25 Jezui u tha dishepujve: «Ku është besimi juaj?». Ata ishin të trembur e të mahnitur e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që urdhëron edhe erërat, edhe ujin e ata i binden?».
Shërimi i gerasenit
(Mt 8.28-34Mk 5.1-20)
26 Pastaj arritën në krahinën e gerasenëve , që është nga ana tjetër e liqenit, përballë Galilesë. 27 Kur zbriti në breg, Jezuit i doli përpara një njeri nga ai qytet. Ai ishte i pushtuar nga djajtë dhe kishte kohë që nuk vishej e nuk banonte në shtëpi, por nëpër varre. 28 Kur pa Jezuin, lëshoi një britmë, ra përmbys para tij e tha me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të lutem, mos më mundo!», 29 sepse Jezui e kishte urdhëruar shpirtin e ndyrë të dilte prej atij njeriu. Shpirti i ndyrë e kishte pushtuar atë disa herë, prandaj e lidhnin me zinxhirë dhe e mbanin në pranga, por ai i thyente prangat dhe djalli e shtynte në shkretëtirë. 30 Atëherë Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai u përgjigj: «Legjion», sepse brenda tij kishin hyrë shumë djaj. 31 Dhe djajtë i luteshin Jezuit që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. 32 Aty gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin në mal dhe djajtë iu lutën Jezuit që t'i lejonte të hynin te derrat. Jezui i lejoi. 33 Sapo dolën nga ai njeri, djajtë u futën te derrat. Tufa u turr nga humnera në liqen e u mbyt.
34 Kur panë çfarë ndodhi, rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra. 35 Njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Kur arritën te Jezui, gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë djajtë. Ai ishte ulur te këmbët e Jezuit, ishte i veshur e me mendje në vend. Ata i zuri frika.
36 Ata që e kishin parë ngjarjen treguan sesi ishte shëruar i pushtuari nga djalli. 37 Atëherë tërë populli i krahinës së gerasenëve i kërkoi Jezuit të largohej prej tyre, sepse kishin shumë frikë. Jezui hipi në një varkë e u kthye. 38 Njeriu prej të cilit kishin dalë djajtë i kërkoi të rrinte me të, por Jezui e nisi e i tha: 39 «Kthehu në shtëpinë tënde e trego çfarë ka bërë Perëndia për ty». Ai u largua duke shpallur në mbarë qytetin çfarë kishte bërë për të Jezui.
Prekja shëruese
(Mt 9.18-26Mk 5.21-43)
40 Kur po kthehej, Jezuit i doli para turma, sepse të gjithë po e prisnin. 41 Atëherë iu afrua një njeri me emrin Jair që ishte kryetar i sinagogës. Ai i ra ndër këmbë Jezuit e iu lut të shkonte në shtëpinë e tij, 42 se vajza e tij e vetme, që ishte dymbëdhjetë vjeçe, ishte duke vdekur.
Gjatë udhës turmat e shtynin nga të gjitha anët. 43 Në grua që vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga hemorragjia, megjithëse kishte shpenzuar gjithçka kishte pasur e askush nuk kishte mundur ta shëronte 44 iu afrua nga pas, i preku cepin e gunës dhe menjëherë iu ndal hemorragjia. 45 Atëherë Jezui tha: «Kush më preku?». Meqenëse të gjithë e mohuan, Pjetri i tha: «Mësues, turmat po të rrethojnë e po të shtyjnë ». 46 Por Jezui tha: «Dikush më preku, sepse ndjeva fuqinë që doli prej meje». 47 Atëherë gruaja, kur pa se nuk mund të fshihej, erdhi duke u dridhur, i ra ndër këmbë dhe tregoi para gjithë popullit përse e kishte prekur Jezuin e si ishte shëruar menjëherë. 48 Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe».
49 Ndërsa po fliste, erdhi dikush nga shtëpia e kryetarit të sinagogës e i tha: «Jot bijë vdiq. Mos e shqetëso më mësuesin». 50 Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Mos ki frikë, vetëm beso e ajo do të shpëtojë». 51 Kur arriti te shtëpia, nuk lejoi askënd të hynte me të, përveç Pjetrit, Gjonit, Jakobit, të atit e të ëmës së vajzës. 52 Të gjithë po e qanin dhe e vajtonin, por Jezui tha: «Mos qani! Ajo nuk ka vdekur, por po fle». 53 Por ata e përqeshën, sepse e dinin se kishte vdekur.
54 Atëherë Jezui e mori për dore e thirri: «Vashëz, ngrihu!». 55 Asaj iu kthye shpirti e u ngrit menjëherë. Pastaj Jezui u tha t'i jepnin për të ngrënë. 56 Prindërit e saj u mrekulluan, por ai i urdhëroi të mos i tregonin askujt për çfarë kishte ndodhur.
Krie e tetëtë
1 E u bë pas këture, e ai vij qutet mbë qutet, e fshat mbë fshat tuke dhidhaksurë, e tuke vangjelisurë mbretërin’ e Perndisë, edhe të dimbëdhjetë bashkë me të.
2 Edhe ca gra që patnë qënë shëruarë nga Shpirtëra të këqia, edhe nga sëmundëra, Maria që quhej Magdhalini, që nga ajo patnë dalë shtatë djaj.
3 Edhe Ioanna gruaja e Huzait, e pitropit së Irodhit, edhe Susana, edhe shumë të tjera, ato që e shërbeijnë atë me gjë të ture.
4 E si rrodhi shumë turmë, e mbëjidhishnë nde ai nga njeri qutet e nga tjatëri, tha këtë paravoli:
5 Dolli bujku të mbill farën’ e tij, e tek mbillte ai, ca ra mb’udhë, e u shkel, e e hangrë zogjt’ e Qiellit.
6 E tjatër ra mbi gur e poqë biu u tha, sepse nukë kish noti.
7 E tjatër ra mbë mes të gjëmbavet; e poqë binë gjëmbatë e mbitnë atë.
8 E tjatër ra mbi dhe të mirë, e si biu, bëri farë njëqind për një. E si tha këtë thirri: Ai që ka veshë për të digjuarë, le të digjojë.
9 E e pietn’ atë mathitit’ e tij, e i thoshnë: Çfarë paravoliet është këjo?
10 Edhe ai u tha: Juvet u është dhënë të njihni të fshehurat’ e mbretërisë së Perndisë. E së tjerëvet u thom me paravolira, që tuke parë të mos shohënë, e tuke digjuarë të mos kupëtojënë.
11 Paravolia dha është këjo: Fara është fjala e Perndisë.
12 E ata që janë mb’udhë, jan’ ata që si digjojënë, pastaj vjen djalli e merr fjalënë nga zëmërat’ e ture, që të mos sosenë me të besuarë.
13 E ata pa që muarë fjalënë mbi gur, ata kur digjojënë marënë fjalënë me gëzim, po këta s’kanë rrënjë, të tillëtë besojënë për ca kohë, e kur vjen ndonjë të guciturë largonenë.
14 E fara që ra mbë gjëmba shënon ata që digjojënë, po nga të lakëmuarit’ e gjërit, e nga të pëlqiarat’ e kësaj jetet, mbitenë e nukë bëjënë të mbrodhurë.
15 E ajo që ra mbë dhe të mirë shënon ata, që të tillëtë si digjojënë me zëmërë të mirë, mbajënë fjalënë që digjojënë, e bëjënë farë me anë të durimit.
16 E ndonjë nukë dhez fotinë, e e mbulon atë me ndonjë enë, a e vë ndënë shtrat, po e vë mbi s(h)amdan, që të shohënë dritënë ata që hijënë ndë shtëpi.
17 Se nuk’ është ndonjë e erëtë që nukë do të çfaqetë, as e fshehurë, që do të mos njihetë, e të mos duketë.
18 Vështroi adha qish digjoni, se atij që ka do t’i ipetë, e nga ai që s’ka, edhe ajo që duketë se ka do të mirretë prej si.
19 E erdhë nde ai ëmma edhe vëllazërit’ e tij, e nukë mundnë ta piqnë atë nga turm’ e madhe.
20 E i rrëfienë atij, e i thanë: Mëma jote edhe vëllazëritë tat rrinë jashtë e duanë të të shohënë tij.
21 Edhe ai u përgjegj, e u tha ature: Mëma ime edhe vëllazërit’ e mi këta janë, që digjojënë fjalën’ e Perndisë, e e bëjënë atë.
22 E gjau një ditë, e hipi ai edhe mathitit’ e tij ndë varkë, e u thot’ ature: Le të hidhemi mb’anë të përtejme të gjolit. E lëshuanë.
23 E kur bënë ata plëhurë, e mori gjumi e zbriti një thëllim eret ndë gjol, e mbushishnë ujë, e rrizikuijnë.
24 E si erdhë afër, e zgjuanë atë, e i thonë: Dhaskal, o dhaskal, mënjënd humbasëmë. Edhe ai si u ngre, qërtoi erënë edhe thëllimn’ e ujit. E pushoi, e u bë bunacë.
25 E u tha ature: Ku është besa juaj? E u trëmnë, e u çuditnë, e thoshnë njëri me jetërinë: Vallë cili është kij, që porsit erëtë edhe ujëtë, e e digjojënë atë?
26 E u huadhë ndë vënd të Gadharinovet, që është përtej Galileësë.
27 E poqë dolli ai mbë dhe, i dolli përpara një njeri nga quteti që kish të paudhë që shumë moçet, e rrobë nukë mban ndë vetëhe, as ndë shtëpi hin, po rrij ndë varre.
28 E si e pa Iisunë i ra ndër këmbë, e thirri me zë të madh, e tha: Ç’kam unë të bëj me ti Iisu i biri i Perndisë së lartit? Të lutem tij të mos më mundoç.
29 Se e porsiti Shpirtin’ e pëgërë të dil nga njeriu, se shumë vitera e mban atë, e qe lidhurë me hekura, e e ruaijnë ndë kucur, e këput hekuratë, e zbonej nga i paudhi nd’erimira.
30 E Iisui e pieti atë, e i tha: Ç’është ëmëri it? Edhe ai i tha: Legjeon. Se kishnë hirë tek ai shumë të paudhë.
31 E i lutej atij të mos i porsitjë ata të hijënë ndë det.
32 E qe atje një kope e madhe derravet, që kullotnë ndë mal, e i lutishnë atij t’u apë urdhër të venë mbë derra, e i porsiti të venë.
33 E si duallë të paudhëtë nga njeriu, hinë ndë derra; e u vërsul kopeja mbi greminë, e u mbit ndë gjol.
34 E si e panë ata që ruaijnë derratë atë që u bë, iknë e vanë, e rrëfienë ndë qutet e ndë çiflikë.
35 E duallë të shihnë atë që u bë, e erdhë tek Iisui, e gjenë njerinë që duallë prej si të paudhëtë, që rrijte ndë këmbë të Iisuit, veshurë, e urtëcuarë, e u trëmbnë.
36 Edhe ata që e panë u dëftuanë ature qish u shërua i dhemonisuri.
37 E ju lutnë atij gjithë turma që dolli nga vëndi i Gadharinovet të ikën nga ata, se i zuri një frik’ e madhe. E ai hiri ndë varkë, e u kthe mbë të prapë.
38 E njeriu që duallë prej si të paudhëtë, i lutej atij të rrij me të bashkë. E Iisui e lëshoi atë e i tha:
39 Hajde ndë shtëpi tënde e rrëfe sa bëri Perndia për tij. E ai vate, e qiriks ndëpër gjithë qutet sa bëri nde ai Iisui.
40 E kur u kthie Iisui, e priti atë turma, sepse gjith’ e dëshëroijnë.
41 E ja vjen një njeri që kish ëmërinë Iairo, e kij ishte i pari i Sinagojit, e si ra ndë këmbë të Iisuit, i lutej atij të vij ndë shtëpi të tij.
42 Se kish një vashëzë të vetëmë ngjera dimbëdhjetë vjeç, e këjo mënjënd i vdis. (E mb’udhë tek vij, e mbit atë turm’ e njerëzet.
43 E një grua që hiqte nga të rrjedhurit’ e gjakut dimbëdhjetë vjet, e që kish prishurë gjithë gjën’ e saj ndë xherahë, e s’mund të shëronej nga ndonjë.
44 Si ju afërua atij prapazë, zuri anën’ e rrobësë tij, e atë çast i mbeti të rrjedhurit’ e gjakut së saj.
45 E Iisui tha: Cili ësht’ ai që më zu mua? E si thoshnë gjithë se jo, Petrua edhe shokët’ e tij i thanë: Dhaskal, të pushtoi turma, e të shtipëjnë, e piet, se cili më zuri?
46 Edhe Iisui tha: Çokush më zuri, se unë digjova që dolli nga meje fuqi.
47 E si pa gruaja që u çfaq, erdhi tuke dredhurë, e si ra përpara tij, i rrëfeu atij përpara gjithë llaoit përse e zuri, edhe që qish u shërua menjëherë.
48 Edhe ai i tha asaj: Kij tharos, o bijë, se besa jote të sosi tij. Hajde mbë të mirë).
49 E pa sosurë ai edhe fjalënë, vjen një nga i pari i sinagojit, e i thot’ atij, se: vdiqi vashëza jote, po mos mundo dhaskalë.
50 Edhe Iisui si digjoi, ju përgjegj atij, e i tha: Mos u trëmb, po beso vetëmë, e do të shpëtojë.
51 E si hiri ndë shtëpi nukë la njeri të hin brënda, po Petronë, edhe Iakovonë, edhe Ioannë, edhe jatn’ edhe mëmën’ e vashëzësë.
52 E qaijnë gjithë e rriheshinë për të. Edhe ai u thotë: Mos qai, nukë vdiqi, po flë.
53 E e përqeshnë atë se dijnë që vdiqi.
54 E ai si nxori të gjithë jashtë, e e mbajti atë nga dora, thirri, e i tha: O çupë, ngreu.
55 E u kthe Shpirti mbë të, e u ngjall atëherë; e porsiti t’i ipnë asaj të haij.
56 E u çuditnë, e lanë mëntë përinjt e saj. E ai i porsiti ata të mos thoshnë njeriut atë që u bë.