Profeti dhe vendlindja
(Mt 13.53-58Lk 4.16-30)1 Si iku që andej, Jezui shkoi në vendlindjen e tij dhe dishepujt i shkuan pas. 2 Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë njerëzit në sinagogë e shumë nga ata që e dëgjonin mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vijnë këto gjëra? Ç'është kjo dituri që i është dhënë e këto mrekulli që bëhen prej duarve të tij? 3 A nuk është ky zdrukthëtari, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Josesë, i Judës e i Simonit? A nuk janë edhe motrat e tij këtu te ne?». Dhe kjo i pengonte të besonin në të. 4 Por Jezui u tha: «Asnjë profet nuk përçmohet askund, përveçse në vendlindjen e tij, te të afërmit e tij e në shtëpinë e tij». 5 Dhe atje nuk mundi të bënte asnjë mrekulli, përveçse shëroi disa të sëmurë, duke vënë duart mbi ta. 6 Ai u çudit për shkak të mosbesimit të tyre.
Dërgimi i të dymbëdhjetëve
(Mt 10.1, Mt 5-15Lk 9.1-6)Kështu, Jezui shkonte nëpër fshatra e mësonte njerëzit. 7 Ai i thirri pranë vetes të dymbëdhjetët e filloi t'i dërgojë dy nga dy. U dha pushtet mbi shpirtrat e ndyrë 8 e i porositi që të mos merrnin asgjë me vete për udhëtim përveç një shkopi, të mos merrnin as bukë, as trastë, as para në brez, 9 por të vishnin sandalet e të mos mbanin dy tunika. 10 Pastaj u tha: «Qëndroni në shtëpinë ky hyni, derisa të niseni prej aty. 11 E nëse ka ndonjë vend ku nuk do t'ju pranojnë e nuk do t'ju dëgjojnë, kur të dilni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi për ta ».
12 Dishepujt u nisën e predikonin që njerëzit të pendoheshin 13 si dhe dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë e i shëronin.
Vrasja e Gjon Pagëzorit
(Mt 14.1-12Lk 9.7-9)14 Mbreti Herod dëgjoi për Jezuin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur e disa thoshin: «Gjon Pagëzori është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». 15 Disa të tjerë thoshin: «Ky është Elia». Dhe të tjerë: «Ky është profet si profetët e tjerë». 16 Kur i dëgjoi këto gjëra, Herodi tha: «Ky është Gjoni, të cilit i preva kokën dhe është ngjallur». 17 Në të vërtetë, Herodi ishte ai që kishte dërguar njerëz për ta kapur Gjonin, për ta lidhur e për ta futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, me të cilën ishte martuar. 18 Gjoni i kishte thënë Herodit: «Nuk të lejohet të marrësh gruan e vëllait tënd». 19 Herodiada e urrente për këtë dhe donte ta vriste, por nuk mundte, 20 se Herodi e kishte frikë Gjonin, meqenëse e njihte si njeri të drejtë e të shenjtë; prandaj e mbronte. Atij nuk i vinte mirë nga ato që dëgjonte prej Gjonit, por e dëgjonte me ëndje.
21 Një ditë erdhi rasti i duhur kur Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një darkë për të mëdhenjtë, për kryemijësit e për parinë e Galilesë. 22 Bija e Herodiadës kërceu një valle që i pëlqeu Herodit e të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës: «Më kërko çfarë të duash e unë do të ta jap». 23 Dhe iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri edhe gjysmën e mbretërisë sime!». 24 Ajo doli e i tha së ëmës: «Çfarë të kërkoj?». Ajo i tha: «Kokën e Gjon Pagëzorit». 25 Në çast u kthye me nxitim te mbreti e i bëri këtë kërkesë: «Dua që të më japësh menjëherë kokën e Gjon Pagëzorit në një pjatë». 26 Mbreti u trishtua shumë, por nuk deshi ta shkelte premtimin për shkak të betimit e të të ftuarve. 27 Menjëherë mbreti dërgoi një rojë dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Roja shkoi e ia preu kokën në burg, 28 pastaj e solli kokën e tij në një pjatë, ia dha vajzës e vajza së ëmës.
29 Dishepujt e Gjonit, sapo e morën lajmin, erdhën e morën kufomën e tij dhe e vunë në një varr.
Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mt 14.13-21Lk 9.10-17Gjn 6.1-14)30 Apostujt u mblodhën pranë Jezuit e i treguan për gjithçka kishin bërë e u kishin mësuar njerëzve. 31 Ai u tha: «Ejani veçmas në një vend të vetmuar që të pushoni pak!». Në të vërtetë, aq shumë njerëz vinin e shkonin, saqë nuk kishin kohë as të hanin. 32 Kështu u nisën me varkë drejt një vendi të shkretë për të ndenjur vetëm. 33 Kur i panë se po largoheshin, shumë veta e kuptuan këtë dhe nga të gjitha qytetet vrapuan e arritën përpara tyre .
34 Ndërsa po zbrisnin nga varka, Jezui pa një turmë të madhe, e cila iu dhimbs, se ishin si delet pa bari. Atëherë filloi t'u mësonte shumë gjëra. 35 Tashmë ishte bërë vonë, prandaj dishepujt iu afruan e i thanë: «Vendi është i shkretë e është bërë vonë. 36 Lëri të shkojnë nëpër fushat e fshatrat përreth, që të blejnë diçka për të ngrënë!». 37 Ai u përgjigj: «Jepuni ju të hanë!». Ata i thanë: «A të shkojmë të blejmë dyqind denarë bukë, që t'u japim për të ngrënë?». 38 Jezui u tha: «Sa bukë keni? Shkoni e shikoni». Ata e dinin, prandaj i thanë: «Pesë bukë e dy peshq». 39 Atëherë ai u dha urdhër dishepujve t'i ulnin të gjithë në grupe mbi barin e gjelbër. 40 Ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë. 41 Pasi mori pesë bukët e dy peshqit, Jezui ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukët e ua dha dishepujve të vet, që t'i shtronin. Edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve. 42 Të gjithë hëngrën e u ngopën 43 dhe mblodhën copat që tepruan, aq sa u mbushën dymbëdhjetë shporta, bashkë me çka teproi nga peshqit.
44 Ata që hëngrën bukët ishin pesë mijë burra.
Ecja mbi ujë
(Mt 14.22-33Gjn 6.15-21)45 Menjëherë Jezui i urdhëroi dishepujt të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, nga ana e Betsaidës, derisa ai të shpërndante turmën. 46 Si u nda prej tyre, shkoi në mal për t'u lutur.
47 Kur ra mbrëmja, varka ishte në mes të liqenit dhe ai gjendej i vetëm në breg. 48 Jezui pa se dishepujt ishin lodhur duke vozitur, se kishin erën kundër dhe, në të gdhirë , erdhi drejt tyre duke ecur mbi liqen e donte t'i kalonte. 49 Kur e panë duke ecur mbi liqen, menduan se ishte fantazmë e bërtitën, 50 sepse të gjithë e kishin parë e ishin trembur. Por menjëherë ai u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». 51 Pastaj hipi në varkë tek ata dhe era pushoi. Ata u çuditën së tepërmi.
52 Nuk kishin kuptuar asgjë për bukët, se zemra e tyre ishte ngurtësuar.
Shërimi në Gjenesaret
(Mt 14.34-36)53 Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit dhe lidhën varkën. 54 Sapo dolën nga varka, njerëzit e njohën menjëherë Jezuin 55 dhe vrapuan nëpër gjithë atë krahinë e filluan të mbartnin të sëmurët në vigje e t'ia sillnin kudo që merrnin vesh se ishte. 56 Kudo që hynte, në fshatra, në qytete a nëpër ara, vendosnin të sëmurët nëpër sheshe e i luteshin t'i preknin së paku cepin e gunës. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.
Krie e gjashtëtë
1 E dolli ateje, e vate ndë patridhë të tij, e vanë pas tij edhe mathitit’ e tij.
2 E si erdhi e shëtuna nisi të dhidhaks ndë sinaguaj. E shumë kur e digjuanë çuditejnë, e thoshnë: Nga i erdhë këtij këto? E ç’është këjo sofi që ju dha këtij? E çfarë thavmaturgjira bënenë nga duart’ e këtij?
3 Nuk është kij ai që bën arkazë, i biri Mariësë, e vëllai i Iakovoit, e Iosiut, e i Iudhësë, e i Simonit? E nukë janë motrat e tij këtu bashkë me nevet? E skandhalisejnë mbë të.
4 E Iisui u thosh ature, se: Nuk’ është profit i panderçurë, përveçme ndë qoftë ndë vënd të tij, e ndë njerëz të tij, e ndë shtëpi të tij.
5 E nukë mund atje të bënte ndonjë thavmë, përveçme ndë pakëzë të sëmurë vuri duartë e i shëroi.
6 E çuditej për pabesllëkn’ e ture; e gjezdiste rrotullë fshatëravet tuke dhidhaksurë.
7 E thirri të dimbëdhjetë, e nisi t’i dërgon ata di e di; e u ipte ature udhër mbi Shpirtëra të pëgëra.
8 E i porsiti ata që të mos marrënë gjë mb’udhë, përveçme stapit vetëmë, as trajstë, as bukë, as bakër mbë brez të ture.
9 Po të mbathejnë shollë, e të mos kenë di palë rroba për të veshurë.
10 E u tha ature: Mbë çdo shtëpi që të hini, atje të qëndroni ngjera sa të dili ateje.
11 E ata që të mos u dheksjënë juvet, edhe të mos u digjojënë juvet, kur të dili ateje, të shkundni edhe pluhurin’ e këmbëvet suaj, për ma(r)tiri të ture. Se patjatër u thom juvet, që më të leh mundim do të kenë sodhomitë edhe gomorritë ndë ditë të gjuqit, se ai qutet.
12 E si duallë jashtë, vanë të qiriksnë, që të meteisinë.
13 E shumë të paudhë nxuarë, e lieijnë me vaj shumë të sëmurë, e i shëroijnë.
14 E digjoi mbreti Irodhi (sepse u digjua ëmër’ i tij) e thoshte, se: Ioanni që pagëzon u ngre nga të vdekuritë, pra andaj bënenë këto çudi prej si.
15 E të tjerë pa thoshnë, se ësht’ Iliaja; e të tjerë pameta, se është profit, a si një nga profitëritë.
16 E kur digjoi Irodhi, tha se: Ioanni që i preva unë krietë, ai është, ai u ngjall nga të vdekuritë.
17 Sepse ai Irodhi kishte dërguarë e zuri Ioannë, e e lidhi atë ndë hapsanë, për sebep të Irodhiadhësë gruasë Filiput vëllait së tij, që e muar atë grua.
18 Sepse Ioanni i thoshte Irodhit: Nukë t’është ndëjierë të keç ti gruan’ e vëllait sit.
19 E Irodhiadha kish inat mbë të, e duan ta vrit atë, po nukë mundë.
20 Sepse Irodhi i trëmbej Ioannit, se e dij atë që qe njeri i drejtë, edhe shënjt, e e mburon atë, e si e mban vesh, bënte shumë punëra me anë të tij, e e digjon atë me shumë t’ëmblë.
21 E si erdhi një ditë e mbarë, ahiere që bën Irodhi gosti për ditë të së lerit së tij, e thirri arhondët’ e tij edhe hiliarhëtë, edhe të parët’ e Galileësë.
22 E si hiri brënda edhe vashëza e asaj Irodhiadhësë e luajti valle e i pëlqeu Irodhit edhe ature që qenë me atë bashkë ndë sufra, i tha mbreti vashëzësë: Kërko çdo që të duaç e do të ta ap tij.
23 E i bëri asaj be, që: Çdo që të më kërkoç, do të ta ap tij, edhe ndë qoftë gjusmën e mbretërisë sime.
24 Edhe ajo si dolli, ja tha mëmësë saj: Ç’të kërkoj? Edhe ajo i tha: Kriet’ e Ioannit Vaptistiut.
25 E atë çast u kthie e hiri nde mbreti me të shpejta, e i kërkoi, e i tha: Dua të m’apç mua ndashti mbë një kupë kriet’ e Ioannit Vaptistiut.
26 E mbreti ndonëse u helmua shumë, po për be që bëri, edhe për turp t’ature që rrijnë me të bashkë, nukë deshi të prish zëmërënë.
27 E atë çast dërgoi mbreti xhelat, e porsiti të biretë kriet’ e tij.
28 E ai si vate, e preu atë brënda ndë hapsanë, e e pruri kriet’ atij ndë mashtrëk, e ja dha atë çupësë, e çupa ja dha mëmësë saj.
29 E si e digjuanë mathitit’ e tij, erdhë, e ngrijtinë kurmn’ e tij, e e kallë ndë varr.
30 E u mbëjuadhë apostojtë ndë Iisui, e i rrëfien’ atij të gjitha, edhe sa bënë, edhe sa dhidhaksnë.
31 E u tha ature: Ecëni juvet veçë ndë vënd të shquarë, e prëhuni pakëzë. Se qen’ ata që vijnë, edhe ata që ikëjnë kaqë shumë, që as bukë të haijnë nukë kishnë kohë.
32 E vanë veçë me varkë mbë vënd të shquarë.
33 E turmat’ i pan’ ata kur vijnë, e e njohnë atë shumë, e u lëshuanë e van’ atje mbë këmbë nga gjithë fshatëratë, e arrijtin’ atje më përpara se ata, e u përmbëjuadhë ndë ai.
34 E si dolli Iisui jashtë nga varka, pa shumë turmë. E i erdhi keq për ata, se qenë posi dhëntë pa dëlmier, e nisi t’i dhidhaks ata shumë.
35 E si shkoi koha, ju qasnë mathitit’ e tij, e i thanë, se: Vëndi ësht’ erimí, edhe koha është shkuarë.
36 Lëshoi ata të venë rrotull fshatëravet e qutetevet, të blejënë bukëra për vetëhe të ture, sepse s’kanë se ç’të hanë.
37 Edhe ai u përgjegj, e u tha ature: Epuni juvet ature të hanë. Edhe ata i thon’ atij: Të vemi të blejëmë diqind dhinarë bukëra, e t’u apëmë ature të hanë?
38 Edhe ai u thot’ ature: Sa bukëra keni? Hajdeni e shihni. E si vanë e panë, i thanë: Pesë, edhe di pishq.
39 E i porsiti ata që t’i vënë të rrinë të gjithë sufrà-sufrà mbi bar të njomë.
40 E ndëjnë poshtë çetë-çetë; ca nga njëqind, e ca nga pesëdhjetë.
41 E si mori të pesë bukëtë, edhe të di pishqitë, e si vështroi lart ndër Qiell, i bekoi, e i theu bukëtë, e ua dha mathitivet së tij, t’i vijnë përpara ature, edhe të di pishqitë i ndau ndë gjithë.
42 E hangrë të gjithë, e u frinë.
43 E ngrijtinë nga copatë dimbëdhjetë shporta plot, edhe nga pishqitë.
44 E ata që hangrë bukët’ ishnë ngjera pesë mijë burra.
45 E atë çast anangasi mathitit’ e tij të hijënë ndë varkë, e të shkojënë më përpara përtej ndë Vithsaidha, ngjera sa të lëshojë ai turmënë.
46 E ai si i lëshoi ata, vate mbë mal të falej.
47 E si u err, varka qe mbë mes të detit, e ai qe vetëmë ndë dhe.
48 E i pa ata që mundonejnë tuke hequrë kupitë (sepse era qe kondrë nd’ata). E mbë të katërtënë të natësë, vate mb’ata tuke ecurë mbi det, e duaj t’u shkon më parë.
49 Edhe ata si e pan’ atë që ecën mbi det, u duk nd’ata se është fantasí, e nisnë të thërrisnë.
50 (Sepse e pan’ atë të gjithë e u drodhë). E atë çast u foli ature, e u thotë: Kini tharos, se unë jam, mos u trëmbni.
51 E hipi mbë ta sipër mbi varkë, e pushoi era, e kaqë më tepër tromaksnë me vetëhe të ture, e u çuditnë.
52 Se nuk’ e kishnë kupëtuarë mirë atë që u bë ndë bukëra, se u qe verbuarë zëmër’ e ture.
53 E si u hodhë përtej gjolit, erdhë mbë vënd të Gjenisaretit; e atje araksnë ndë liman.
54 E poqë duallë ata nga varka, atë çast e njohnë atë.
55 E si gjezdisnë ndëpër gjith’ ato vënde që qenë rrotull, nisnë të bijnë mbi shtrate gjith’ ata që qenë sëmurë keq, tekdo që digjoijnë se atje është.
56 Edhe tekdo që vij ndë fshatëra, a ndë qutete, a ndë çifliqe, vijnë udhëvet të sëmurëtë, e i lutejn’ atij, që t’i zijnë vetëmë pëqin’ e rrobavet së tij, e sa që e zijnë, shëronejnë nga sëmunda.