Ushqimet flijuar idhujve
1 Lidhur me mishin që u flijohet idhujve, e dimë se të gjithë i kemi njohuritë e duhura. Por dija të rrit mendjen, ndërsa dashuria të rrit në besim. 2 Ai që mendon se di diçka, ende nuk di siç duhet të dijë. 3 Por ai që e do Perëndinë, njihet prej Perëndisë.
4 Lidhur me ngrënien e mishit që u flijohet idhujve, e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se ka vetëm një Perëndi. 5 Edhe pse ka të ashtuquajtura perëndi në qiell apo në tokë, sikurse thuhet se ka shumë perëndi e shumë zotër, 6 për ne ka vetëm një Perëndi, Ati, nga i cili është krijuar gjithçka dhe të cilit i përkasim, dhe një Zot, Jezu Krishti, përmes të cilit u krijua gjithçka e përmes të cilit jetojmë edhe ne.
7 Por jo të gjithë i kanë njohuritë e duhura. Disa që nuk i kanë hequr ende doket e idhujtarisë, e hanë mishin që u flijohet idhujve si t'u përkiste idhujve. Kështu, ndërgjegjja e tyre e dobët përlyhet. 8 Ushqimi nuk do të na çojë më pranë Perëndisë. Nuk humbasim asgjë nëse nuk hamë; dhe nuk fitojmë asgjë, nëse hamë.
9 Por kini kujdes që liria juaj të mos bëhet pengesë për më të dobëtit në besim. 10 Nëse ndonjë prej tyre të shikon ty që ke njohuri në një tryezë ku hahet mish që u është flijuar idhujve, a nuk do ta shtyjë atë ndërgjegjja e dobët që të shkojë e të hajë mishin që u flijohet idhujve? 11 Kështu, për shkak të dijes sate do të humbasë i dobëti, vëllai, për të cilin vdiq Krishti. 12 Pra, duke mëkatuar ndaj vëllezërve dhe duke lënduar ndërgjegjen e tyre të dobët, mëkatoni ndaj Krishtit. 13 Prandaj, nëse ushqimi im bëhet pengesë për vëllain tim, unë nuk do të ha kurrë mish, që mos t'i bëhem pengesë.
Krie e tetëtë
1 E për ato kafshë që therjënë nd’idhollë, na e dimë që gjithë kemi të dijturë. Të dijturitë mbahetë mbë të madh, ma dashuria stis.
2 E nd’është ndonjë që mendonetë se di gjë, edhe s’ka dijturë gjë sikundrë duhetë.
3 Ma kush do Perndinë, ai është njohurë prej asaj.
4 Pa për të ngrën’ adha nga ato që janë therturë nd’Idhollë, e dimë që Idholl s’është fare gjë ndë botë, e që s’është jetërë Perndi, përveçe njëit vetëmë.
5 Sepse ndonëse janë nga ata që quhenë Perndira ndër Qiell, a mbi dhe (sikundrë janë Perndira shumë, e zotërinj shumë).
6 Ma sa për nevet një Perndi vetëmë është, babai, që nga ai janë gjithë punëtë, edhe nevet prej asi. Edhe një Zot vetëmë, Iisu Hristoi, që nga ai janë gjithë punëtë, edhe nevet me anë të tij.
7 Ma nuk është mbë të gjithë të njohuritë. E dica ngjera sot me fiqir të idhollit, hanë të tillë gjellë si të therturë nd’Idhollë. E mëndie ture si ësht’ e sëmurë, u molepsetë.
8 E një gjellë nevet nukë na nxjer afër te Perndia, sepse as ndë hagrëçim, do të kemi gjë më tepërë, as ndë mos hagrëçim, do të kemi gjë më pak.
9 Po vështroni mirë se mos kij urdhëri juaj bënetë mbodhi ndë të sëmurë.
10 Sepse ndë të paftë njeri tij që je i dijturë të rriç ndë mësallë ndë vënd t’idhollëvet, do të mos i lozë fiqiri i tij që ësht’ i smundurë të hajë të therturatë nd’idhollë?
11 E (kështu) për të dijturitë tat do të humbasë vëllai it i sëmuri, që për atë vdiq Krishti.
12 E kur të fëjeni ju me të tillë punë kondrë vëllazëret, a kur t’u prishni ature fiqir’ e ature që është i smundurë, fëjeni mbë Krishtinë.
13 Pra andaj ndë skandalis të ngrënëtë vëllanë tim, do të mos hamë kurrë mish, që të mos s(k)andalis vëllanë tim.