1 Pastaj më tregoi lumin e ujit të jetës, që shkëlqente si kristal e buronte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit. 2 Në mes të sheshit të qytetit, në të dyja anët e lumit ishte pema e jetës, që jep dymbëdhjetë fryte, nga një në çdo muaj, ndërsa gjethet e saj shërbejnë për shërimin e kombeve.
3 Nuk do të ketë më asnjë mallkim, por atje do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit dhe shërbëtorët e tij do ta adhurojnë. 4 Do të shohin fytyrën e Perëndisë dhe emrin e tij do ta kenë të shkruar në ballë. 5 Nuk do të ketë më natë dhe nuk do të kenë nevojë as për dritën e pishtarit e as për dritën e diellit, sepse do t'i ndriçojë Zoti Perëndi dhe do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
Ardhja e Krishtit
6 Pastaj engjëlli më tha: «Këto fjalë janë të besueshme e të vërteta. Zoti Perëndi, frymëzuesi i profetëve, dërgoi engjëllin e vet t'u tregojë shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin së shpejti. 7 “Ja ku po vij shpejt!”, thotë Jezui. Lum ai që zbaton fjalët profetike të këtij libri!».
8 Unë, Gjoni, i pashë dhe i dëgjova këto gjëra. Kur mbarova së dëgjuari e së pari, rashë përmbys para këmbëve të engjëllit që m'i tregoi, për ta adhuruar atë. 9 Por ai më tha: «Mos! Unë jam shërbëtor si ti, si vëllezërit e tu profetë dhe si ata që zbatojnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!». 10 Pastaj më tha: «Mos i mbaj të fshehta fjalët profetike të këtij libri, se koha e tyre është afër. 11 I padrejti le të vazhdojë të jetë i padrejtë dhe i ndoturi, i ndotur. I drejti le të vazhdojë të jetë i drejtë dhe i shenjti, të shenjtërohet».
12 «Ja ku po vij shpejt!», thotë Jezui. «Me vete kam shpërblimin që do t'i jap secilit sipas veprave të tij. 13 Unë jam Alfa e Omega, i pari e i fundit, fillimi e mbarimi.
14 Lum ata që i lajnë rrobat e veta , se do të kenë të drejtë të hanë nga pema e jetës e të hyjnë në qytet nga portat. 15 Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe të gjithë ata që e duan dhe e vënë në zbatim gënjeshtrën.
16 Unë, Jezui, ju kam dërguar engjëllin tim për t'ju dëshmuar këto gjëra nëpër kisha. Unë jam rrënja dhe fisi i Davidit, jam ylli i shndritshëm i mëngjesit».
17 Shpirti dhe nusja thonë: «Eja!».
Edhe kush dëgjon, le të thotë: «Eja!».
Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.
18 Unë, Gjoni, po u them të gjithë atyre që dëgjojnë fjalët profetike të këtij libri, se kush u shton ndonjë gjë atyre, edhe Perëndia do t'i shtojë atij plagët që shkruhen në këtë libër. 19 Atij që heq ndonjë gjë nga fjalët profetike të këtij libri, Perëndia do t'ia heqë pjesën nga pema e jetës dhe nga qyteti i shenjtë, që përshkruhen në këtë libër.
20 Ai që i dëshmon këto, thotë: «Po, po vij shpejt».
Amen! Eja Zoti Jezu!
21 Hiri i Zotit Jezu qoftë me të gjithë!
Krie e njëzeteditë
1 E më dëftoi mua një lumë të kulluarë të ujit së gjallë, të llampsurë posi kristal, që dilte nga froni i Perndisë e qengjit.
2 E ndë mes të rrugësë saj e të lumit mbë të di anëtë, lisi i jetësë, që bën dimbëdhjetë pemmë, mbë çdo muaj ep nga një pemmë të tij. E fletat’ e lisit (janë) për jatri të miletevet.
3 As do të mos gjëndetë më çdo mallëkim; ma froni i Perndisë e i qengjit do të jetë mbë të; e shërbëtorët’ e tij do ta shërbejënë atë.
4 E do të shohënë faqen’ e tij, edhe ëmërin’ e tij mbi ballëra të ture.
5 E natë do të mos jetë atje, as do të mos kenë hri nga drit’ e fotisë, a nga drit’ e diellit; sepse Zoti Perndia i ndrit ata, e do të mbretërojënë ndë jetë pas jetet.
6 E më thotë mua: Këto fjalë janë të besuara e të vërteta. E Zoti Perndia i Shënjtorëvet profitet dërgoi ëngjëllin’ e tij t’u dëfton ropet së tij ato punëra që duheshnë të bënishnë shpejt.
7 E ja që shpejt vij unë. I lumurë ësht’ ai që ruan fjalët’ e profitisë të kësaj kartet.
8 E unë Ioanni (jam) ai që paçë e digjova këto punëra; e kur i paçë parë e digjuarë, raçë përmbis ndë këmbë të ëngjëllit që më dëfton këto punëra për të falurë.
9 E më thotë mua: Ruaju të mos bëç këtë, sepse jam rop si ti, edhe si vëllazërit’ e tu profitëtë, e ata që ruajnë fjalët’ e kësaj karte. Mbë Perndinë falu.
10 E më thotë mua: Të mos vuloç fjalët’ e profitisë kësaj kartet; sepse koha është e afërtë.
11 Kush dëmëton jetërinë, le të dëmëtojë gjithënjë; e kush leros, le të bënetë gjithënjë më i lerosurë; e kush është i drejtë, le të bënetë gjithënjë më i drejtë; sikush është shënjt, le të bënetë gjithënjë më shënjt.
12 E ja që unë vij shpejt; e bie me vetëhe atë që të ap pagënë, e t’i kthej cilitdo sikundrë ka punuarë.
13 Unë jam Allfaja edhe Omegaja, nisëja edhe sosëja, i pari edhe i pastajmi.
14 Lum ata që bëjënë porsit’ e tij; që të jetë urdhëri i ture mbi dru të jetësë, e që të hijënë ndë qutet nga portëratë.
15 Ma qentë, e magjishtjarëtë, e kurvjarëtë, e gjakëcorëtë, e idhollollatrëtë, e cilido është që do e bën gënjeshtrënë, do të jenë jashtë.
16 Unë Iisui dërgova ëngjëllinë tim t’u dëftojë juvet këto punëra ndë qishëra; e unë jam rrënja edhe soi i Dhavidhit, ulli i dritësë i mëngjesit.
17 E Shpirti e nusea thonë: Eja. E kush digjon, le të thotë: Eja. E kush ka et, le të vijë. E kush të dojë, le të marrë ujë të jetësë dhurëti.
18 Sepse u bëj gjithëvet bashkë të kupëtojënë cilido që digjon fjalët’ e profitisë kësaj kartet. E ndë shtoftë njeri mbë këto, do të vërë Perndia mbi të plagëtë që janë shkruarë ndë këtë kartë.
19 E ndë heqtë njeri nga fjalët’ e profisisë kësaj kartet, do të heqjë Perndia pjesën’ e tij nga kart’ e jetësë, edhe nga quteti shënjt, edhe nga ato që janë shkruarë ndë këtë kartë.
20 Thotë ai që martiris për këto punëra: Me të vërtetë, unë vij shpejt. Kështu qoftë! Vërtet, eja, o Zot Iisu.
21 Dhurëtia e Zotit sonë Iisu Hrishtoit, qoftë me juvet bashkë.