Përshëndetje
1 Pali, Silvani dhe Timoteu, po i shkruajmë kishës së selanikasve që i përket Perëndisë, Atit tonë, dhe Zotit Jezu Krisht: 2 paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!
Gjykimi kur të vijë Krishti
3 Ne duhet ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, dhe kjo është e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po shtohet. 4 Prandaj ne vetë krenohemi me ju para kishave të Perëndisë për durimin tuaj dhe për besimin që keni në tërë përndjekjet e vuajtjet që po kaloni.
5 Kjo tregon se Perëndia gjykon me drejtësi dhe do t'ju bëjë të denjë për mbretërinë e tij, për shkak të së cilës po vuani. 6 Perëndia do të bëjë atë që është e drejtë dhe do t'u japë mundime atyre që po ju mundojnë, 7 ndërsa ju do t'ju çlirojë nga mundimet që po kaloni, ashtu si do të na çlirojë edhe ne kur të vijë Zoti Jezu nga qielli bashkë me engjëjt e tij të fuqishëm. 8 Ai do të vijë me zjarr flakërues për të marrë shpagim nga ata që nuk e njohin Perëndinë dhe që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu. 9 Këta do të ndëshkohen me shkatërrimin e amshuar, të ndarë nga prania e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij. 10 Atë ditë ai do të vijë për t'u përlëvduar bashkë me të shenjtët e vet e për t'u admiruar bashkë me të gjithë ata që i kanë besuar, sepse ju i besuat dëshmisë sonë.
11 Ne lutemi gjithnjë për ju, që Perëndia t'ju bëjë të denjë për të përmbushur thirrjen e tij dhe që me fuqinë e tij të arrini çdo qëllim të mirë e të përsosni çdo vepër të besimit tuaj. 12 Kështu, emri i Zotit tonë Jezu do të përlëvdohet prej jush dhe ju do të përlëvdoheni prej tij, sipas hirit të Perëndisë tonë dhe të Zotit Jezu Krisht.
Krie e parë
1 Pavllua, e Silluanoi, edhe Timotheoi, mbë Qishë të Seleniklivet, mbë Perndinë babanë tënë, e mbë Zonë Iisu Hristonë.
2 Dhurëti mbë juvet e paq nga Perndia babai inë, edhe nga Zoti Iisu Hristoi.
3 Duhetë që t’apëmë nevet kurdo efharisti Perndisë për juvet, vëllazër, sikundrë ka hie, sepse besa juaj vete sa më shumë tuke rriturë, e shtonetë dashuria e cilitdo nga jush mbë njeri-jatërinë.
4 Kaqë sa edhe nevet vetë mburremi ndë qishëra të Perndisë për durim tuaj, e për besë ndë mes të gjithë së ndjekuravet suaj, e të shtrëngimevet që duroni.
5 (Këjo është) një dëftim i gjuqit së drejtë së Perndisë që të bëneni juvet të Zotë për mbretëri të Perndisë, që edhe pësoni për të.
6 Sepse ësht’ e drejtë mbanë Perëndisë që të apë shtrëngim e helm mb’ata që u helmojënë juvet.
7 E ndë juvet të helmuaritë të prëjturë bashkë me nevet, mbë të dukurë që do të bëjë nga Qielltë Zoti Isui me Ëngjellit’ e fuqisë tij.
8 Ndë një zjar të flakurë tuke bërë mundim ature që s’kanë njohurë Perndinë, e që nukë bindenë nd’Ungjill të Zotit sonë Iisu Hristoit.
9 Ata do të mundonenë ndë humbëjë të pasosurë, nga faqea e Zotit, edhe nga nderi i fuqisë tij.
10 Atëherë kur të vijë për të nderuarë mbë Shënjtorë të tij e të bënetë i çuditurë mbë gjith’ ata që kanë besuarë (sepse u besua martiria onë mbanë juvet) mb’atë ditë.
11 Pra andaj lutemi gjithënjë për juvet, që t’u aksiosjë Perndia onë mbë të thirrë të ture, e të paguajë thelimën’ e tij të mirënë, e punën’ e besësë me fuqi të tij.
12 Që të lëvdonetë mbë juvet ëmëri i Zotit sonë Iisu Hristoit, e juvet mbë të, për dhurëti të Perndisë sanë e Zotit Iisu Hristoit.