Shkaktar për mëkat
(Mt 18.6-7, Mt 21-22Mk 9.42)
1 Jezui u tha dishepujve të vet: «Është e pamundur të mos vijnë pengesat, por mjerë kush i shkakton! 2 Për të do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të hidhej në det, sesa t'u bëhej pengesë këtyre të vegjëlve. 3 Kini kujdes!
Nëse vëllai yt mëkaton, qortoje. Nëse pendohet, fale. 4 Nëse mëkaton kundër teje shtatë herë në ditë e shtatë herë kthehet e të thotë “pendohem”, fale».
5 Atëherë apostujt i thanë Zotit: «Na e shto besimin!». 6 Dhe Zoti u tha: «Po të kishit besim sa fara e sinapit, do t'i thoshit këtij mani “shkulu që këtu e mbillu në det” dhe ai do t'ju bindej.
7 Cili nga ju po të kishte një shërbëtor që plugon ose ruan dhentë, do t'i thoshte atij kur të kthehej nga ara: “Eja menjëherë e ulu në tryezë”? 8 A nuk do t'i thoshte: “Ma bëj gati darkën, përvish mëngët e më shërbe që të ha e të pi unë e pastaj mund të hash e të pish edhe ti”? 9 Mos vallë e falënderon shërbëtorin, sepse bëri detyrën? 10 Kështu edhe ju, kur të bëni çfarë keni për detyrë, thoni: “Jemi shërbëtorë të padobishëm. Kemi bërë detyrën”».
Pastrimi i dhjetë të lebrosurve
11 Kur po shkonte drejt Jerusalemit, Jezui kaloi përmes Samarisë e Galilesë. 12 Si hyri në një fshat, iu afruan dhjetë të lebrosur. Ata rrinin larg 13 e thërrisnin: «Jezu, mësues, ki mëshirë për ne!». 14 Jezui i pa e u tha: «Shkoni e paraqituni te priftërinjtë». Dhe ndërsa po shkonin, u pastruan. 15 Pastaj njëri prej tyre, kur pa se ishte pastruar, u kthye e përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. 16 Ai ra përmbys para këmbëve të Jezuit dhe e falënderoi. Ai ishte samaritan. 17 Atëherë Jezui pyeti: «A nuk ishin dhjetë ata që u pastruan? Po nëntë të tjerët, ku janë? 18 Nuk u gjet asnjë prej tyre që të kthehej e t'i jepte lavdi Perëndisë përveç këtij të huaji?». 19 Pastaj i tha atij: «Ngrihu e shko. Besimi yt të shpëtoi».
Ardhja e mbretërisë
(Mt 24.23-28, Mt 37-41)
20 Një herë, kur farisenjtë e pyetën Jezuin se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, Jezui u përgjigj: «Mbretëria e Perëndisë nuk vjen me bujë. 21 Nuk do të thonë: “Ja ku është këtu!” apo: “Ja atje!”. Sepse Mbretëria e Perëndisë është brenda jush».
22 Jezui u tha dishepujve: «Po vijnë ditë në të cilat do të dëshironi të shihni njërën nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni. 23 Atëherë do t'ju thonë: “Ja ku është atje!” apo: “Ja këtu!”. Mos shkoni atje e mos i ndiqni! 24 Sikurse vetëtima shkëlqen nga qielli dhe e ndriçon atë nga njëri skaj në tjetrin, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij. 25 Por më parë ai duhet të vuajë shumë dhe nuk do të pranohet nga kjo brezni.
26 Dhe sikurse ndodhi në ditët e Noeut, kështu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut. 27 Në atë kohë njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin deri ditën kur Noeu hyri në arkë e pastaj erdhi përmbytja e përmbyti gjithçka.
28 Sikurse ndodhi edhe në ditët e Lotit, njerëzit hanin e pinin, blinin e shisnin, mbillnin e ndërtonin, 29 por ditën kur Loti u largua nga Sodoma, ra zjarr e squfur nga qielli e i vrau të gjithë, 30 kështu do të ndodhë atë ditë kur do të shfaqet Biri i njeriut. 31 Nëse atë ditë dikush do të ndodhet mbi çati, por do t'i ketë gjërat e veta në shtëpi, të mos zbresë për t'i marrë. Dhe nëse dikush do të ndodhet në arë, as ai të mos kthehet. 32 Kujtoni gruan e Lotit!
33 Kush mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe ai që do ta humbasë jetën e vet, do ta shpëtojë atë. 34 Unë po ju them: atë natë, prej dy vetave që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 35-36 Prej dy grave që do të jenë te mulliri për të bluar, njëra do të merret e tjetra do të lihet ».
37 Pastaj e pyetën: «Po ku, o Zot?». Ai u tha: «Ku është kufoma, mblidhen edhe skifterët».
Krie e shtatëmbëdhjetëtë
1 E u thotë mathitivet: Nuk’ është mumqim të mos vijënë skandhaletë, po ve atij që prej si vijënë.
2 Më mirë qe për të që t’i qe lidhurë mbë qafë të tij një gur mullirit, e të qe hedhurë ndë det, se të bënetë skandallo ndë një nga këta të vogjëjtë.
3 Kini kujdes vetëhenë tuaj. E nd’është që të fëjejë vëllai it tek teje, qërtoje atë; e ndë metanoistë, ta ndëjeç atë.
4 Edhe ndë fëjeftë shtatë herë ditënë kondrë teje, e shtatë herë ditënë të kthenetë tek ti, e të thotë: Metanois, ta ndëjeç atë.
5 E apostojtë i thanë Zotit: Shtona navet besë.
6 E u tha Zoti: Ndë keshëtë besë sa koqe sinapit, do të thoshëtë këtij lisit manit: Shkulu, e fitepsu ndë det, e do t’u digjon juvet.
7 E cili është nga juvet që ka një shërbëtuar që liron nd’arë, a që ruan dhëntë, kur kthenet’ ai nga ara i thotë me një: Eja, e rri ndë mësallë?
8 E nuk’ i thot’ atij më tepër: Bëmë darkë, e përvishu të më bëç husmet, ngjera sa të ha e të pi, e pastaje do të haç e të piç edhe tij?
9 Mos i njeh ndonjë hatër atij shërbëtorit, sepse bëri ato që e porsiti atë? Më duketë jo.
10 Kështu edhe juvet, kur të bëni gjith’ ato që u porsitjënë juvet, thoi: se jemi kopij të pavëjierë, sepse ato që keshëm borç të bëjëm, bëm.
11 E kur vinte ai ndë Ierusalim, shkon ndëpërmes të Samarisë e të Galileësë.
12 E kur do të hin ai ndë një fshat, duallë përpara tij dhjetë njerëz të leprosurë, e ata qëndruanë për së largut.
13 E ngrijtinë zënë, tuke thënë: Iisu dhaskal, le të të vijë keq për nevet.
14 E si i pa, u tha ature: Hajdeni e dëftoni vetëhenë tuaj ndë priftër. E tek vijn’ ata mb’udhë, u qëruanë.
15 E një nga ata, si pa që u shërua, u kthie e lëvdon Perndinë me zë të madh.
16 E ra përmbis përpara këmbëvet së Iisuit, e efharistis atë, e ai qe Samarit.
17 Edhe Iisui u përgjegj e tha: Nuk’ u qëruanë të dhjetë? E po të nëntëtë ku janë?
18 Nuk u gjendnë të ktheneshinë të ipnë lëvdim Perndisë, përveçme këtij së huajit?
19 E i tha atij: Ngreu, e hajde, besa jote të sosi tij.
20 E si e pietnë pa Farisejtë, kur është për t’ardhurë mbretëria e Perndisë, u përgjegj ature, e u tha: Mbretëria e Perndisë nukë vjen me të bërë gati.
21 As nukë thonë: Javua këtu, e javua atje, sepse ja, mbretëria e Perndisë ndë mes tuaj është.
22 E u tha edhe mathitivet: Do të vijënë dit që të dëshëroni të shihni një nga ditë të birit së njeriut, e do të mos e shihni.
23 E do t’u thonë juvet: Javua këtu; a: javua atje; mos víi, as mos i ndiqni pas ata.
24 Sepse sikundrë llamburit vetëtima nga njëra an’ e Qiellit e ngjera mb’anë tjatër feks, kështu do të jetë edhe i biri i njeriut ndë ditë të tij.
25 Po përpara duhetë të pësojë ai shumë, e të shtriretë poshtë nga këjo fili.
26 E sikundrë gjau ndë dit të Noesë, kështu do të jetë edhe ndë dit të birit së njeriut.
27 Haijnë e pijnë, martoijnë e martonishnë, ngjera mb’atë ditë që hiri Noea ndë qivoto, e erdhi kataklismoi, e i humbi të gjithë.
28 Kështu gjau edhe ndë dit të Llotit, haijnë e pijnë, bleijnë e shitnë, fitepsnë e dërtoijnë shtëpira.
29 Po atë ditë që dolli Lloti nga Sodhoma, ra shi i zjartë e i shqufurtë nga Qielli, e i humbi gjithë.
30 Kështu e tila do të jetë mbë ditë që do të dëftonetë i biri i njeriut.
31 Mb’atë ditë ai që të gjëndetë mbi taracë e të ketë mbë shtëpi rrobat’ e tij, le të mos zbresë t’i marrë ato; e ai që gjëndetë nd’arë, ashtu edhe ai le të mos kthenetë prapë.
32 Mbai mënd gruan’ e Llotit.
33 Cilido që kërkon të shpëtojë Shpirtin’ e tij, do ta humbasë atë; e cilido që ta humbasë atë, do ta ruajë atë.
34 E u thom juvet, që ndë këtë natë di do të jenë ndë një stromë, njëri do të mirretë, e tjatëri do të lihetë.
35 Di do të jenë bashkë që të bluajnë, njëra do të mirretë, e tjatëra do të lihetë.
36 Di do të jenë nd’arë, njeri do të mirretë, e tjatëri do të lihetë.
37 E ju përgjegjnë, e i than’ atij: Ku, o Zot? Edhe ai u thot’ ature: Tek është kufoma, atje do të mbëjidhenë edhe shqiponjatë.