Disiplina e Zotit
1 Prandaj edhe ne që jemi të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, le të hedhim tej çdo barrë si dhe mëkatin që na josh lehtësisht dhe le të ecim përpara me durim në betejën që na pret. 2 Le t'i mbajmë sytë te Jezui që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur. Ai, për gëzimin që e priste, duroi kryqin duke përçmuar turpin dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë. 3 Mendoni, pra, atë që duroi një armiqësi të tillë kundër vetes prej mëkatarëve, që të mos ligështoheni e t'ju lëshojë zemra.
4 Sepse ju ende nuk keni arritur deri atje sa të derdhni gjakun në luftën kundër mëkatit. 5 Ju keni harruar këshillën që Perëndia jua tha si bijve të vet:
biri im,
mos e përçmo qortimin e Zotit
e mos të të lëshojë zemra
kur ai të qorton,
6 se Zoti e qorton atë që e do
dhe fshikullon atë që pranon si bir.
7 Durojeni qortimin, se Perëndia po sillet me ju si bij. A ka ndonjë bir që nuk qortohet nga i ati? 8 Nëse nuk do të qortoheni siç qortohen gjithë të tjerët, atëherë nuk jeni bij të vërtetë, por jeni fëmijë të paligjshëm. 9 Pastaj, nëse nderojmë etërit tanë tokësorë kur ata na qortojnë, a nuk duhet t'i nënshtrohemi më tepër Atit të shpirtrave e të fitojmë jetën?
10 Etërit tokësorë na qortuan për pak kohë, ashtu siç e menduan, ndërsa Perëndia na qorton për të mirën tonë që ne të marrim pjesë në shenjtërinë e tij. 11 Qortimet aty për aty duket se sjellin trishtim dhe jo gëzim, por më vonë, ata që janë ushtruar me qortimin do të shijojnë fryte paqtimi e drejtësie.
12 Prandaj forconi duart e lodhura dhe gjunjët e këputur! 13 Rrafshoni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që këmba e çalë të mos ndrydhet, por të shërohet.
Paralajmërime
14 Kërkoni paqen me të gjithë dhe shenjtërimin, pa të cilin askush nuk do ta shohë Zotin. 15 Kujdes se mos mbetet ndonjë pa hirin e Perëndisë, se mos mbin ndonjë rrënjë e hidhur që turbullon e ndyn shumë njerëz. 16 Të mos bëhet askush kurvar a çnderues gjërash të shenjta si Esau, i cili për një të ngrënë shiti të drejtat që gëzonte si fëmijë i parë. 17 E dini se më pas, kur donte të trashëgonte bekimin, ai nuk u pranua, ndonëse e kërkoi me lot, pasi nuk kishte më vend për pendim.
18 Nuk i jeni afruar malit të Sinait që mund të preket me dorë e që digjet me zjarr, as errësirës, as territ, as stuhisë, 19 as tingullit të trumbetës dhe as oshtimës së fjalëve, të cilën ata që e dëgjuan, u lutën të mos u thuhej më asnjë fjalë tjetër. 20 Ata nuk mund ta duronin urdhrin: edhe nëse një shtazë e prek malin, të vritet me gurë. 21 Aq e frikshme ishte pamja, sa Moisiu tha: kam frikë dhe po dridhem.
22 Ju i jeni afruar malit të Sionit dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, Jerusalemit qiellor, mijëra engjëjve, 23 bashkësisë së fëmijëve të parëlindur të Perëndisë, emrat e të cilëve janë shkruar në qiell. I jeni afruar Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, dhe shpirtrave të të drejtëve që kanë arritur përsosjen. 24 I jeni afruar Jezuit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re dhe gjakut të tij të spërkatjes që flet më mirë së gjaku i Abelit.
25 Kini kujdes se mos nuk i vini vesh atij që ju flet! Sepse nëse nuk i shpëtuan ndëshkimit ata që nuk e dëgjuan atë që u fliste mbi tokë, shumë më tepër nuk do t'i shpëtojmë ne, nëse mohojmë atë që na flet nga qielli. 26 Zëri i tij atëherë e tronditi tokën, ndërsa tani premton: edhe një herë do ta trondis nga themelet , jo vetëm tokën, por edhe qiellin.
27 Fjala «edhe një herë» tregon se gjërat e krijuara do të tronditen e do të zhvendosen, në mënyrë që të mbeten gjërat që nuk mund të tronditen. 28 Le të jemi mirënjohës, meqenëse kemi një mbretëri që nuk mund të tronditet. Le të jemi mirënjohës e le ta adhurojmë Perëndinë në mënyrë të pëlqyeshme me nderim e me druajtje, 29 se Perëndia ynë është zjarr që përpin.
Krie e dimbëdhjetëtë
1 Andaj edhe nevet si kemi rrotullë kaqë mjergullë të madhe të martirëvet, le të çkarkonemi nga çdofarë barre e nga faji që na gjëndetë rrotullë, e le të ecëjmë me durim nd’udhë që është përpara nesh.
2 Tuke vështruarë nd’atë që nisi edhe sosi besënë, Iisunë, ai për gëzim që i qe vënë përpara tij duroi kruqnë, pa vënë ndër mënd dhunënë, e ndënji mb’anë të djathëtë të fronit së Perndisë.
3 Sepse silloisni me kujdes mb’atë që duroi nga fajëtorëtë mbë vetëhe të tij kaqë antillogji të madhe, që të mos lodhi me të humburë të zëmëravet suaj.
4 Juvet edhe nukë qëndruatë kondrë fajit ngjera mbë gjak, të lëftoni kondrë asaj.
5 E juvet kini harruarë atë nasihat, që ajo u flet juvet posi bijet, e u thotë: Biri im, mos e le dhidhaskalin’ e Perndisë, e mos e humb zëmërënë kur qërtone prej si.
6 Sepse atë që do Zoti, e mundon, e zë shufrë mbë çdo djalë të tij, atë që njeh për të tijnë.
7 Ndë durofi mundimnë, Perndia biretë me juvet posi me djelm të tij, sepse ç’ësht’ ai djalë, që nuk’ e mundon babai?
8 Sepse ndë jini jashtë nga mundimi, që nga ai të gjithë kanë pjesë, jini adha bashto, e jo djelm të vërtetë.
9 E pa baballarëtë tanë të kurmit i keshm për dhaskalë, e u kemi pasurë nder. Nukë do të bindemi më tepërë mbë baban’ e Shpirtëravet, për të pasurë jetë?
10 Se ata bënishnë dhaskalë për një kohë të pak ditet, sikundr’ u dukej ature mirë, ma (Perndia na mundon) kij mb’atë që vjen, të na bëjë të kemi pjesë nga shënjtëri e tij.
11 Çdofarë të munduarë adha sa për të ndashtime nukë duketë që bie gëzim, po pikëllim. Ma pas ca kohet bie një pemmë të butë të së drejtësë mb’ata që janë të munduarë mbë të.
12 Pra andaj dhiorthosni duart’ e lënguara edhe gjunjët’ e dredhura.
13 E bëni t’ecurë të drejtë me këmbë tuaj, që të mos dalë nga udha ndonjë tuke çaluarë, po më shumë të ndreqetë.
14 Kërkoni paqnë me gjithë edhe shënjtërimnë, që pa atë ndonjë do të mos shohnë Zotnë.
15 Tuke vështruarë mirë mos lipsetë ndonjë nga hiri i Perndisë, mos bijë ndonjë rrënjë e pikëtë e u bie dëm, e me anë t’asaj molepsenë shumë.
16 Mos është ndonjë kurvjar, a i pëgërë si Isafi, ai që për një të ngrënë shiti protokët’ e tij.
17 Sepse e diji që edhe pastaje tek duaj të mirr pjesë bekimnë, u shti poshtë, sepse nukë gjeti vënd ndë metani, ndonëse e kërkoi atë me lot.
18 Sepse nuk’ u afëruatë ndë mal që zihetë me dorë, e që digjetë me zjar, e mbë mjergullë, e mbë skotadh, e mbë thëllim.
19 E mbë zë të zurnasë, e mbë zë të fjalëvet, që atë ata që e digjuanë, kërkuanë që të mos u bënej më fjalë mbi ta.
20 (Sepse nukë mundnë të duroijnë këtë urdhër (që thosh) “edhe një bishë të ngasë malë, do të mbulonetë me gurë, a do të goditet me shugjetë”.
21 E kaqë e frikuarë ish ajo që dukej, saqë tha Moisiu: Jam i frikuarë e i dredhurë).
22 Po jeni qasurë ndë mal të Sionit, e ndë qutet të Perndisë gjallë, nd’Ierusalim të Qiellit, e ndë disa mijë miljun ëngjëjet.
23 E ndë panigjir, e ndë qishë të prototokëvet, që janë shkruarë ndë Qiell, e mbë Perndinë gjukatësin’ e gjithëvet, edhe ndë shpirtëra të profitëvet së drejtë.
24 E mbë Iisunë mesitin’ e dhiathiqit së ri, e mbë të derdhurë të atij gjakut që flet më mirë se gjakt’ e Avelit.
25 Kini mëntë të mos liri atë që u flet, sepse nd’është që nukë shpëtuanë ata që patnë lënë atë që u flit mbi dhe, shumë më tepërë nukë do të shpëtojmë nevet kur të kthejmë shpallëtë atij që na flet nga Qielltë.
26 Zëri i atij atëherë drodhi dhenë, e ndashti bën të taksurë, e thotë: Edhe një herë unë dredh jo vetëmë dhenë, ma edhe qiellinë.
27 Nga ajo adha që thotë: edhe një herë, dëfton të këmbieritë e ature punëravet që këmbenenë, si të bëra, që të mbetenë ato që nukë lozënë.
28 Andaj si muarrm mbretëri të paluajturë, le të mbajmë dhurëtinë që m’atë të llatrepsjëmë si i pëlqen Perndisë, tuke punuarë me frikë edhe me nder.
29 Sepse Perndia onë është zjar që kataha.