Mosbesimi i të vëllezërve
1 Pastaj Jezui vazhdoi të përshkonte Galilenë. Ai nuk donte të kalonte nëpër Jude, se judenjtë kërkonin ta vrisnin. 2 Po afronte festa e Kasolleve, një nga festat e judenjve, 3 dhe vëllezërit e vet i thanë: «Largohu prej këtej e shko në Jude, që edhe dishepujt e tu të shohin veprat që bën! 4 Kush kërkon të jetë i njohur, nuk i fsheh ato që bën. Nëse ti bën vepra të tilla, shfaqja veten botës!». 5 Në të vërtetë as vëllezërit e tij nuk besonin në të. 6 Atëherë Jezui u tha: «Koha ime nuk ka ardhur ende, ndërsa për ju çdo kohë është e përshtatshme. 7 Bota nuk mund t'ju urrejë ju, ndërsa mua më urren, sepse unë dëshmoj se veprat e saj janë të liga. 8 Ju, shkoni në festë! Unë nuk do të vij në këtë festë, sepse koha ime nuk ka ardhur ende». 9 U tha këto e qëndroi në Galile.
Në festën e Kasolleve
10 Pasi vëllezërit e tij shkuan në festë, shkoi edhe Jezui, jo haptas, por fshehurazi.
11 Judenjtë e kërkonin në festë dhe pyesnin: «Ku është ai?». 12 Nëpër turmë pëshpëritej shumë për të. Disa thoshin: «Është i mirë». Të tjerë thoshin: «Jo. Ai po mashtron turmën!», 13 por asnjë nuk fliste hapur për të, se kishin frikë nga judenjtë.
14 Nga mesi i festës Jezui shkoi në tempull e filloi të mësonte njerëzit. 15 Judenjtë habiteshin e thoshin: «Nga i njeh ky Shkrimet pa ia mësuar njeri?». 16 Jezui u përgjigj: «Mësimi im nuk është i imi, por i atij që më dërgoi. 17 Kush dëshiron të bëjë vullnetin e tij do ta kuptojë nëse mësimi im është prej Perëndisë apo nëse unë flas nga vetja ime. 18 Kush flet nga vetja kërkon lavdi për vete, ndërsa kush kërkon lavdinë e atij që e dërgoi, thotë të vërtetën dhe në të nuk ka gënjeshtër.
19 A nuk jua dha Moisiu ligjin? Megjithatë asnjë prej jush nuk e zbaton. Përse kërkoni të më vrisni?». 20 Turma iu përgjigj: «Ty të ka pushtuar djalli. Kush kërkon të të vrasë?». 21 Jezui u tha: «Një mrekulli bëra dhe u habitët të gjithë. 22 Moisiu ju dha rrethprerjen, e cila në të vërtetë nuk është dhënë nga Moisiu, por nga etërit, e megjithatë, ju e rrethpritni njeriun të shtunën. 23 Nëse një njeri rrethpritet të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, përse zemëroheni me mua, se shërova tërësisht një njeri të shtunën? 24 Mos gjykoni nga pamja e jashtme, por gjykoni me drejtësi».
A është Jezui Krishti?
25 Disa nga Jerusalemi thoshin: «A nuk është ky ai që e kërkojnë për ta vrarë? 26 Ja, ai po flet lirisht e nuk i thonë gjë! A mos kanë pranuar me të vërtetë krerët se ky është Krishti? 27 Por ne e dimë nga është ky, ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë nga është».
28 Atëherë Jezui, ndërsa mësonte njerëzit në tempull, thirri: «Po, mua më njihni dhe e dini nga jam. Megjithatë unë nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe atë ju nuk e njihni. 29 Por unë e njoh atë, sepse vij prej tij dhe ai më dërgoi». 30 Atëherë kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, se nuk i kishte ardhur ende koha.
31 Shumë nga turma besuan në Jezuin e thoshin: «A thua kur të vijë Krishti do të bëjë më shumë shenja se ky?».
Përpjekje për ta arrestuar
32 Farisenjtë dëgjuan se turma pëshpëriste këto gjëra për Jezuin, prandaj, së bashku me kryepriftërinjtë, dërguan roja për ta kapur. 33 Atëherë Jezui u tha: «Edhe për pak kohë jam me ju e pastaj do të shkoj tek ai që më dërgoi. 34 Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni, sepse ju nuk mund të vini atje ku jam unë». 35 Judenjtë pyesnin njëri-tjetrin: «Ku ka ndër mend të shkojë ky, që ne nuk mund ta gjejmë? Mos ka ndër mend të shkojë te judenjtë e shpërndarë mes helenëve e të mësojë helenët? 36 Ç'do të thonë fjalët “do të më kërkoni e nuk do të më gjeni” dhe “ju nuk mund të vini atje ku jam unë”?».
Lumenj uji të gjallë
37 Ditën e fundit e më të madhen e festës, Jezui u ngrit në këmbë e thirri: «Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë! 38 Kush beson në mua, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga brenda tij, siç ka thënë Shkrimi». 39 Këtë e tha për Shpirtin që do të merrnin ata që do të besonin në të. Shpirti nuk ishte dhënë ende, sepse Jezui ende nuk ishte ngritur në lavdi.
Shkak përçarjeje
40 Kur dëgjuan këto fjalë, disa njerëz nga turma thanë: «Ky është me të vërtetë profeti», 41 të tjerë thoshin: «Ky është Krishti», ndërsa të tjerë: «Vallë nga Galilea vjen Krishti? 42 A nuk ka thënë Shkrimi se Krishti vjen nga fara e Davidit e nga Betlehemi, fshati nga ishte Davidi?». 43 Kështu pati përçarje në turmë për shkak të Jezuit. 44 Disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.
Mosbesimi i krerëve
45 Rojat u kthyen te kryepriftërinjtë e farisenjtë që i pyetën: «Përse nuk e sollët?». 46 Ata iu përgjigjën farisenjve: «Asnjeri nuk ka folur kështu ndonjëherë». 47 Farisenjtë u thanë: «Mos u mashtruat edhe ju? 48 A ka besuar në të ndonjë prej krerëve apo prej farisenjve? 49 Por kjo turmë që nuk e njeh ligjin është e mallkuar». 50 Nikodemi, njëri prej farisenjve, që kishte shkuar më parë te Jezui, tha: 51 «A e gjykon ligji ynë ndonjë njeri pa e dëgjuar më parë e pa marrë vesh se çfarë ka bërë?». 52 Ata iu përgjigjën: «Mos je edhe ti nga Galilea? Kërko e shiko se asnjë profet nuk vjen nga Galilea».
Gruaja që bëri tradhti bashkëshortore
53 Dhe secili shkoi në shtëpinë e vet.
Krie e shtatëtë
1 E pas këture vij Iisui tuk’ ecurë ndëpër Galileë, se nukë duaj të vij ndë Iudheë, sepse e kërkoijn’ atë çifutë ta vritnë.
2 E e krëmptea e çifutet, e tendavet, ish afër.
3 E i thon’ atij vëllazërit’ e tij: Ikë këteje, e hajde ndë Iudheë, që të shohënë edhe mathitit’ e tu punëtë që bën ti.
4 Se ndonjë që do ta mburjënë bota, s’i bën punët’ e tij fshehura. Ndë bën të tila punëra, dëfto vetëhenë tënde ndë botë.
5 Sepse as vëllazërit’ e tij nukë besoijnë nde ai.
6 Andaj u thot’ ature Iisui: Nuk’ erdhi edhe koha ime, ma koha juaj është kurdo gati.
7 Nukë mund bota t’u mçojë juvet, ma mua më mçon, sepse unë bëj të dukenë punët’ e saj që janë të këqia.
8 Hajdeni juvet ndë këtë të krëmpte, unë nukë vete ndë këtë të krëmpte, se nuk’ është mbushur’ edhe koha ime.
9 E si tha mb’ata këto, mbeti ndë Galileë.
10 Ma poqë vanë vëllazërit’ e tij, ahiere vate edhe ai ndë të krëmpte, jo faqeza, po si fshehura.
11 E çifutë e kërkoijn’ atë ndë ditë të së krëmptesë, e thoshnë: Ku ësht’ ai?
12 E bënej një murmur’ e madhe ndë turmëra për të. Ca thoshnë se është i mirë. E të tjerë pa thoshnë: Jo, po gënjen turmënë.
13 Po ndonjë nukë kuvëndon me lefteri për atë nga frik’ e çifutet.
14 Si shkuanë dha gjismat’ e së krëmp(t)evet, hipi Iisui ndë Iero e dhidhakste.
15 E çuditishnë çifutë, e thoshnë: Qish di kij grammati pa mpsuarë?
16 Edhe Iisui u përgjegj mb’ata, e u thotë: Të dhidhaksuritë tim, nuk’ është timtë, po atij që më ka dërguarë.
17 Ndë do njeri të bëjë thelimën’ e atij, do të njohë nd’është këjo dhidhahi e Perndisë, a unë kuvëndoj prej vetiut.
18 Ai që kuvëndon prej vetiut, kërkon nder’ e tij; ma kush kërkon nder’ e atij që e ka dërguarë atë, kij ësht’ i vërtetë, e s’ka të rremë mbë të.
19 Nuk’ u dha Moisiu juvet nomnë, e ndonjë nga jush s’e ruan nomnë? Pse kërkoni të më vritni?
20 Ju përgjegj turma, e i tha: Ti je i xhindosurë. Kush kërkon të të vrasë?
21 U përgjegj Iisui, e u thot’ ature: Një punë vetëmë bëra, e gjithë çuditeni.
22 Ndonëse Moisiu u dha juvet peritominë (jo se është nga Moisiu, po nga baballarëtë) e ju peritemni njeri të Shëtunë.
23 E nd’është që peritemnetë njeriu të Shëtunë, që të mos prishetë nomi i Moisiut, pse zëmëroni mbë mua, se shërova gjithë një njeri të Shëtunë?
24 Mos gjukoni sikundr’ u duketë, po gjukoni me gjuq të drejtë.
25 E thoshnë ca Ierosolimit: Nuk’ është kij që e kërkoijnë ta vrisnë?
26 E ja tek kuvëndon faqeza, e s’i thonë fare gjë atij. Vallë mos e njohn’ arhondëtë, që ai është me të vërteta Krishti?
27 Po këtë e dimë nga është. E Krishti kur të vijë, nuk’ e di njeri nga është.
28 Thirri adha ndë Iero Iisui tuke dhidhaksurë, e thosh: Edhe mua më njihni, edhe nga jam më njihni, e unë nukë kam ardhurë nga vetëheja ime, po ësht’ i vërtetë ai që më ka dërguarë, që juvet s’e njihni atë.
29 Ma un’ e njoh atë, se jam nga ai, e ai më ka dërguarë mua.
30 Andaj e kërkoijn’ atë ta zijnë, ma ndonjë s’hodhi dorënë mbi të, sepse nukë kish ardhurë sahati i tij.
31 E shumë nga turma besuanë nde ai, e thoshnë, se: kur do të vijë Krishti, mos do të bëjë më shumë çudira nga këto që bëri kij?
32 Digjuanë Farisejtë të murmurisurit’ e turmësë për atë; e dërguanë Farisejtë e të parët’ e priftëret njerëz, që ta zijn’ atë.
33 U tha adha ature Iisui: Edhe pak kohë jam me juvet, e pastaje vete tek ai që më ka dërguarë.
34 Do të më kërkoni e do të mos më gjeni. E atje që jam unë, juvet nukë mundni të viji.
35 E çifutë thoshnë njeri me jatërinë: Ku do të vejë kij, që nevet do të mos e gjejëmë atë? Vallë mos do të vejë ndë filira të përhapura të Elinëvet, e të dhidhaksjë Elinëtë?
36 Ç’domethënë këjo fjalë që tha: Do të më kërkoni mua, e do të mos më gjeni? E: Tek jam unë, juvet s’mundni të vini?
37 E ditën’ e pastajme të madhenë të së krëmptesë, nguli këmbën’ Iisui, e thirri më fort, e thoshte: Kush ka et, le të vijë tek u, e le të pijë.
38 Atij që beson mbë mua (sikundrë tha karta) do t’i rrjedhënë lumëra nga barku i tij ujit së gjallë.
39 (E këtë e tha për Shpirt që duajnë të mirrë ata që besoijnë nde ai, sepse edhe s’qe dhënë Shënjti Shpirt, se s’qe edhe nderuarë Iisui).
40 Andaj shumë nga turma, si digjuanë këtë fjalë, thoshnë: Kij është me të vërtetë profiti.
41 E të tjerë thoshnë: Kij është Krishti. E të tjerë pa thoshnë: Se mos vjen Krishti nga Galilea?
42 Nukë thotë karta se nga far’ e Dhavidhit edhe nga quteti i Vithleemit tek rrij Dhavidhi, vjen Krishti?
43 E u bë të shqierë ndë turmë për të.
44 E ca nga ata duajnë ta zijn’ atë, po ndonjë nukë vuri duartë mbi të.
45 U kthienë dha kopijtë ndë të parët’ e priftëret e ndë Farisej. E ata u thanë këture: Pse nuk’ e prutë atë?
46 U përgjegjnë kopijtë: Ndonjë njeri s’ka folturë kështu kurrë si kij njeri.
47 E farisejtë ju përgjegjnë ature: Mos jini gënjierë mbase edhe ju?
48 Mos besoi nde ai ndonjë nga arhondëtë a nga Farisejtë?
49 Po këjo turma, që nukë kupëton nomnë, ësht’ e mallëkuarë.
50 U thot’ ature Nikodhimoi, që pat ardhurë natënë nde ai, e që qe një nga ata.
51 Mos nomi juaj dëmëton njerinë, pa digjuarë atë më përpara, e pa njohurë se ç’bën?
52 Ju përgjegjnë, e i than’ atij: Mos je edhe ti nga Galilea? Kërko kartëratë, e shih, që profit nga Galilea nuk’ u ngre.
53 E u kthie gjithëkush ndë shtëpi të tij.