Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mt 14.13-21Mk 6.30-44Lk 9.10-17)1 Pak këtyre, Jezui shkoi në bregun tjetër të liqenit të Galilesë së Tiberiadës. 2 Një turmë e madhe i shkonte pas, sepse shihnin shenjat që bënte për të sëmurët. 3 Atëherë Jezui u ngjit në mal e atje u ul me dishepujt. 4 Po afrohej Pashka, festa e judenjve.
5 Kur hodhi sytë dhe pa se një turmë e madhe po shkonte drejt tij, Jezui i tha Filipit: «Ku mund të blejmë bukë që të hanë gjithë këta njerëz?». 6 Këtë e tha për të vënë në provë Filipin, pasi ai vetë e dinte se çfarë do të bënte. 7 Filipi iu përgjigj: «As dyqind denarë bukë nuk do të mjaftonin që të hante secili nga një copëz». 8 Njëri prej dishepujve, Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, tha: 9 «Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi e dy peshq, por çfarë janë këto për kaq njerëz?». 10 Jezui tha: «U thoni njerëzve të ulen!». Në atë vend kishte shumë bar. Atëherë ata u ulën. Numri i tyre arrinte rreth pesë mijë burra.
11 Pastaj Jezui mori bukën dhe, si falënderoi Perëndinë, ua ndau atyre që ishin ulur. U ndau edhe peshq, aq sa deshën. 12 Kur u ngopën, Jezui u tha dishepujve: «Mblidhini copat që kanë tepruar, që të mos shkojë dëm asgjë». 13 Kështu i mblodhën të gjitha dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat, që u kishin tepruar atyre, që kishin ngrënë prej pesë bukëve të elbit. 14 Njerëzit, kur panë shenjën që bëri, thanë: «Ky është me të vërtetë profeti që duhet të vijë në botë!». 15 Jezui, duke e ditur se kishin ndër mend të vinin ta merrnin me forcë për ta bërë mbret, u largua sërish për në mal fill i vetëm.
Ecja mbi ujë
(Mt 14.22-27Mk 6.45-52)16 Në muzg dishepujt zbritën në liqen, 17 hipën në varkë e po shkonin drejt bregut tjetër të liqenit, për në Kafarnaum. Tashmë ishte errur, por Jezui nuk kishte mbërritur ende tek ata. 18 Liqeni po trazohej nga era e fortë që frynte. 19 Pasi kishin lundruar rreth tri a katër milje, panë Jezuin që po ecte mbi liqen duke iu afruar varkës e u frikësuan. 20 Ai u tha: «Jam unë. Mos kini frikë!». 21 Ata deshën ta merrnin në varkë, por menjëherë varka arriti në bregun ku po shkonin.
Buka e jetës
22 Të nesërmen, turma që kishte qëndruar në bregun tjetër të liqenit, pa se atje nuk kishte veçse një varkë. Ata e dinin se Jezui nuk kishte hipur në varkë bashkë me dishepujt, porse dishepujt ishin nisur vetëm. 23 Varka të tjera erdhën nga Tiberiada afër atij vendi ku kishin ngrënë bukën pasi Zoti kishte thënë lutjen e falënderimit. 24 Njerëzit, kur panë se Jezui e dishepujt nuk ishin atje, hipën edhe ata nëpër varka e shkuan në Kafarnaum për ta kërkuar.
25 Kur e gjetën në bregun tjetër të liqenit, i thanë: «Mësues, kur erdhe këtu?». 26 Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se ju nuk më kërkoni pse patë shenja, por sepse hëngrët prej bukëve e u ngopët. 27 Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetën e amshuar, të cilin do t'jua japë Biri i njeriut, sepse atij ia dha të drejtën Perëndia, Ati». 28 Atëherë ata i thanë: «Çfarë duhet të bëjmë që të kryejmë veprat e Perëndisë?». 29 Jezui u përgjigj: «Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai dërgoi!». 30 Ata i thanë: «Çfarë shenje mund të bësh që ta shohim e të të besojmë? Çfarë vepre mund të bësh? 31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, sikurse është shkruar: u dha për të ngrënë bukë prej qiellit ». 32 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im ju jep bukën e vërtetë prej qiellit, 33 sepse buka e Perëndisë është ai që zbret prej qiellit e i jep jetë botës».
34 Atëherë ata i thanë: «Zot, na e jep përherë këtë bukë!». 35 Jezui u tha: «Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më uri dhe kush beson në mua nuk do të ketë më kurrë etje. 36 Por ju thashë se më keni parë e megjithatë nuk besoni. 37 Të gjithë ata që më jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë nuk do ta hedh kurrë jashtë, 38 sepse nuk kam zbritur prej qiellit për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi. 39 Vullneti i atij që më dërgoi është të mos humbas asnjë nga ata që më dha, por t'i ngjall në ditën e fundit. 40 Vullneti i Atit tim është që të gjithë ata që shikojnë Birin e besojnë në të, të kenë jetë të amshuar dhe unë do t'i ngjall në ditën e fundit».
41 Atëherë judenjtë filluan të murmuritnin kundër Jezuit, se kishte thënë: «Unë jam buka që zbriti prej qiellit». 42 Ata thoshin: «A nuk është ky Jezui, biri i Jozefit, të cilit ia njohim të atin e të ëmën? Si na thënka tani “unë kam zbritur prej qiellit”?». 43 Jezui u përgjigj: «Mos murmurisni me njëri-tjetrin! 44 Askush nuk mund të vijë tek unë nëse nuk e tërheq Ati që më dërgoi e unë ta ngjall në ditën e fundit. 45 Është shkruar te profetët: të gjithë do të mësojnë prej Perëndisë. Kushdo që dëgjon Atin dhe mëson prej tij, vjen tek unë. 46 Kjo nuk do të thotë se ndokush e ka parë Atin. Vetëm ai që është pranë Perëndisë e ka parë Atin. 47 Me të vërtetë po ju them: ai që beson ka jetën e amshuar.
48 Unë jam buka e jetës. 49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. 50 Por kjo është buka që zbret prej qiellit. Kush ha prej saj nuk vdes kurrë. 51 Unë jam buka e gjallë që zbret prej qiellit. Kush ha nga kjo bukë do të jetojë në amshim. Buka që do të jap unë është mishi im që e jap për jetën e botës».
52 Atëherë judenjtë filluan të grinden me njëri-tjetrin e thoshin: «Si mundet ky të na japë mishin e vet për të ngrënë?». 53 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nëse nuk hani mishin e Birit të njeriut e nuk pini gjakun e tij, nuk keni jetë. 54 Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të amshuar dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, 55 sepse mishi im është ushqim i vërtetë e gjaku im pije e vërtetë. 56 Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet në mua e unë në të.
57 Ashtu si Ati i gjallë më dërgoi e unë jetoj nëpërmjet tij, kështu edhe kush më ha mua do të jetojë nëpërmjet meje. 58 Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo si mana që hëngrën etërit tuaj e vdiqën. Kush ha këtë bukë do të jetojë në amshim».
59 Jezui i tha këto në sinagogë kur mësonte njerëzit në Kafarnaum.
Fjalët e jetës së amshuar
60 Shumë nga dishepujt e tij kur dëgjuan këto, thanë: «Fjala e tij është shumë e ashpër. Kush mund ta dëgjojë?». 61 Jezui, duke e ditur se dishepujt po murmuritnin për këto, u tha: «Kjo u bëka pengesë për ju? 62 Po kur ta shikoni Birin e njeriut të ngjitet atje ku ishte më parë? 63 Shpirti jep jetë, ndërsa dobësia njerëzore nuk sjellin asnjë dobi. Fjalët që ju thashë janë shpirt e jetë. 64 Por ka disa nga ju që nuk besojnë». Në të vërtetë Jezui e dinte që në fillim cilët ishin ata që nuk besonin e kush ishte ai që do ta tradhtonte. 65 Dhe u tha: «Prandaj ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë prej Atit».
66 Që atëherë shumë nga dishepujt e tij u tërhoqën e nuk u shoqëruan më me të.
67 Atëherë Jezui u tha të dymbëdhjetëve: «Mos doni të ikni edhe ju?». 68 Simon Pjetri iu përgjigj: «Zot, te kush të shkojmë? Ti i ke fjalët e jetës së amshuar. 69 Ne kemi besuar dhe e dimë se ti je i shenjti i Perëndisë ».
70 Jezui u tha: «A nuk ju zgjodha unë ju, të dymbëdhjetët? Megjithatë, njëri prej jush është djall». 71 Këtë e tha për Judën e Simon Iskariotit, sepse ky do ta tradhtonte ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët.
Krie e gjashtëtë
1 Pasandaj vate Iisui përtej detit së Galileësë, domethënë të Tiveriadhësë.
2 E i vin pas tij një turm’ e madhe, sepse shihnë thavmërat’ e tij që bën mbë të sëmurë.
3 E hipi Iisui mbë një mal, e ndënji atje bashkë me mathitit’ e tij.
4 E afëronte pashka, e krëmptia e çifutet.
5 E si ngrijti sitë Iisui e pa që vin turm’ e madhe nde ai, i thotë Filippoit: Mbë ç’anë do të blejëmë bukë, që të hanë këta?
6 (E këtë e thosh për të dhoqimasur’ atë, se ai e dij atë që duaj të bën).
7 Ju përgjegj atij Filippoi: Diqind dhinarë bukë nukë sos për këta, që të marrë cilido nga një çikë.
8 I thot’ atij një nga mathitit’ e tij, Andhreu, i vëllai i Simon Petrosë:
9 Është këtu një djalë që ka pesë bukë të elpta, edhe di pishq. Po ç’janë këto ndë kaqë njerëz?
10 E u thot’ Iisui: Porsitni njerëzitë të rrinë mbë dhe. E qe bar shumë mb’atë vënd. Ndëjnë dha njerëzitë që qenë ngjera pesë mijë.
11 E Iisui mori bukëtë, e si efharistisi ua dha mathitivet, e mathitejtë ua ndanë ature që rrijnë; ashtu edhe nga pishqitë, sa duaj gjithëkush.
12 E si u frinë, u thotë mathitivet së tij: Përmbëjidhni copatë që tepëruanë, të mos humbasë gjë.
13 Edhe ata i mbëjuadhë, e mbushnë dimbëdhjetë kofina copëra nga të pesë bukët’ e elpta, që tepëruanë nga ata që hangrë.
14 E njerëzitë si pan’ atë thavmë që bëri Iisui, thoshnë, se: Kij është me të vërteta ai profit që duaj të vin ndë botë.
15 Ma Iisui si e njohu që do të vijnë ta mirrë atë me pahir, e ta bëijnë mbret, u shtëmëng pa ai ndë mal vetëmë.
16 E kur u err, zbritnë mathitit’ e tij mbanë detit.
17 E si hinë ndë varkë veijnë përtej detit ndë Kapernaum. E qe bërë ahiere erësirë e nukë pat vaturë mb’ata Iisui.
18 E deti nakatosej, sepse frinte er’ e madhe.
19 E si vanë ngjera mbë njëzet e pesë a tridhjetë stadhe, shohënë Iisunë që ecën mbi det, e që vin afër varkësë; e u frikuanë.
20 Edhe ai u thot’ ature: Unë jam, mos u trëmbni.
21 E ata deshnë ta mirrë atë ndë varkë, e atë çast u gjënd varka mbë dhe, mb’atë vënd që kishnë për të vaturë.
22 E nesëret turma që kish mbeturë përtej detit, si pa që nuk’ ishte atje tjatër varkë, përveçme një që mbë të hinë mathitit’ e tij, edhe që nukë hiri edhe Iisui ndë varkë me mathitit’ e tij, po vetëmë mathitit’ e tij, vanë.
23 Po erdhë të tjera varka nga Tiveriadha, afër vëndit tek kishnë ngrënë bukënë, kur efharistisi Zoti.
24 Si panë dha turma që nuk’ ësht’ atje as Iisui, as mathitit’ e tij, hipnë edhe ata ndë varka, e erdhë ndë Kapernaum tuke kërkuarë Iisunë.
25 E si e gjenë atë përtej detit, i than’ atij: Dhaskal, kur erdhe këtu?
26 U përgjegj ature Iisui e u thotë: Vërtet, vërtet u thom juvet, më kërkoni mua jo sepse patë thavmëra, po sepse hëngrëtë nga bukëtë e u ngostë.
27 Mos fitoni të ngrënëtë që shkon, po të ngrënëtë që duron ngjera ndë jetë të pasosurë, atë që do t’u apë juvet i biri njeriut, se mbë këtë vuri vulën’ e tij Babai Perndia.
28 I than’ adha atij: Ç’të bëjëmë, që të punojëmë punërat’ e Perndisë?
29 U përgjegj Iisui, e u thot’ ature: Këjo është pun’ e Perndisë, që të besoni nde ai që dërgoi ai.
30 Po ata i than’ atij: Ç’thavmë bën ti adha, që të shohëmë e të besojëmë? Ç’bën ti?
31 Baballarëtë tënë hangrë Manënë nd’erimi, sikundr’ është shkruarë: U dha ature të haijnë bukë nga Qielli.
32 U thot’ ature Iisui: Vërtet, vërtet u thom juvet, nuk’ ua dha juvet Moisiu bukënë prej Qiellit, po babai im u ep juvet bukën’ e vërtetë prej Qiellit.
33 Sepse buk’ e Perndisë ësht’ ai që ka zbriturë nga Qielli, e ep të rruaritë ndë botë.
34 Edhe ata i than’ atij: Zot, ëmna navet kurdo këtë bukë.
35 Edhe Iisui u thot’ ature: Unë jam buk’ e jetësë. Ai që vjen tek meje, do të mos ketë u. Edhe ai që beson mbë mua do të mos ketë et kurrë.
36 Po un’ u thaçë juvet, që edhe më patë mua, edhe nukë besoni.
37 Gjith’ atë që më ep mua babai, tek meje do të vijë, e unë do të mos nxjer jashtë atë që vjen tek meje.
38 Sepse zbrita nga Qielli, jo që të bëj atë që dua unë, po atë që do ai që më ka dërguarë.
39 E këjo është thelim’ e babait që më ka dërguarë, që nga gjith’ ajo që më dha ai mua, të mos humbas gjë nga ajo, po ta ngjall atë ndë ditë të pastajme.
40 E këjo është thelim’ e atij që më ka dërguarë mua, që cilido që sheh të birë e beson nde ai, të ketë jetën’ e pasosurë; e unë do ta ngjall atë ndë ditë të pastajme.
41 E murmurisnë dha mbë të për këtë çifutë, sepse tha: Unë jam ajo bukë që zbriti nga Qielli.
42 E thoshnë: Nuk’ është kij Iisui i biri Iosifit, që nevet këtij i dimë babanë edhe mëmënë? Qish thotë dha kij se: Kam zbriturë nga Qielli?
43 U përgjegj adha Iisui, e u tha ature: Mos murmurisni njeri me jetërinë.
44 Ndonjë nukë mund të vijë tek meje, ndë mos e heqtë atë babai që më ka dërguarë mua, e atë do të ngjall unë ndë ditë të pastajme.
45 Është shkruarë ndë profitër: Do të jenë gjithë dhaskalepsurë nga Perndia. Cilido adha që të digjojë e të mpsojë nga babai vjen tek u.
46 Jo se ka parë ndonjë babanë, përveçme ai që është nga Perndia. Kij e ka parë babanë.
47 Vërtet, vërtet u thom juvet, ai që beson mbë mua, ka jetë të pasosurë.
48 Unë jam buka e jetësë.
49 Baballarëtë tuaj hangrë Manënë nd’erimi, e vdiqnë.
50 Kij është buka që zbriti nga Qielli, që të mos vdesë ai që të hajë prej soe.
51 Unë jam buka e gjallë që zbrita nga Qielli. Ai që të hajë nga këjo bukë, do të rrojë ndë jetë të pasosurë, e buka që do të ap unë, kurmi im është, që do ta ap unë për shpëtim të botësë.
52 E çifutë grindeshinë njeri me jatërinë, e thoshnë: Qish mund kij të na apë nevet kurmin’ e tij të hamë?
53 U thot’ adha ature Iisui: Vërtet, vërtet u thom juvet, ndë mos hëngrëçi kurmn’ e birit së njeriut edhe të piji gjakn’ e tij, nukë keni jetë mbë vetëhe tuaj.
54 Ai që ha kurmnë tim e që pi gjaknë tim, ka jetë të pasosurë, e unë do ta ngjall atë mbë ditë të pastajme.
55 Sepse kurmi im me të vërteta është të ngrënë, edhe gjaku im me të vërteta është të pirë.
56 Ai që ha kurmnë tim edhe pi gjaknë tim, mbetetë tek meje, edhe unë tek ai.
57 Sikundrë më dërgoi mua ai babai që rron, edhe unë rroj për babanë. Ashtu edhe ai që të hajë mua, do të rrojë me anë time.
58 Këjo ësht’ ajo bukë që zbriti nga Qielli, nukë do të jetë si e baballarëvet suaj, që hangrë Manënë, e vdiqnë. Ai që ha këtë bukë, do të rrojë jetë të pasosurë.
59 Këto u tha ai kur dhidhakste ndë Sinaguaj të Kapernaumit.
60 Andaj shumë nga mathitit’ e tij, si digjuanë, thanë: E ashprë është këjo fjalë. Kush mund t’i digjojë atij?
61 E si njohu Iisui vetiut, që murmurisnë mathitit’ e tij për këtë, u thot’ ature: Për këtë skandhalisi juvet?
62 E nd’është dha që të shihni të bir’ e njeriut që të hipëjë tek ish që përpara?
63 Shpirti ësht’ ai që ep jetënë, kurmi nukë vëjen fare gjë. Fjalëtë që u thom unë juvet, janë Shpirt edhe jetë.
64 Po janë ca nga juvet që nukë besojënë. Sepse Iisui e dij që krie herësë cilëtë jan’ ata që nukë besojënë edhe cili ish ai që duaj ta paradhos atë.
65 E thosh: Andaj u thaçë juvet, se nukë mund të vijë njeri tek u, ndë mos i qoftë dhën’ atij nga babai im.
66 Që ahiere e pastaje shumë nga mathitit’ e tij u hoqnë mbë të prapë, e nuk’ ecëijnë më me të bashkë.
67 E andaj u tha të dimbëdhjetëvet Iisui: Mos doji edhe juvet të viji?
68 E ju përgjegj atij Simon Petrua: Zot, nde cili të vemi? Ti ke fjalë të jetësë pasosurë.
69 E nevet besuam, e njohm se ti je Krishti, i biri Perndisë gjallë.
70 U përgjegj ature Iisui: Nuk’ u zgjodha unë juvet të dimbëdhjetë? E një nga juvet është djall.
71 E u thosh Iudhënë të bir’ e Simonit Iskariotnë, se kij, që qe një nga të dimbëdhjetë, duaj ta prodhos atë.