Shndërrimi i Jezuit
(Mk 9.2-13Lk 9.28-36)
1 Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe vëllanë e tij, Gjonin, e i çoi në një mal të lartë, në një vend të vetmuar. 2 Atëherë ai u shndërrua para tyre. Fytyra i shkëlqeu si dielli dhe rrobat iu bënë të bardha si drita. 3 Pastaj atyre iu shfaqën Moisiu dhe Elia duke folur me Jezuin. 4 Pjetri i tha Jezuit: «Zot, sa mirë që jemi këtu! Nëse dëshiron, do të ngre këtu tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». 5 Ndërsa ishte ende duke folur, një re e shndritshme i mbuloi me hijen e saj dhe një zë nga reja tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur. Dëgjojeni!». 6 Kur e dëgjuan këtë, dishepujt ranë me fytyrë përdhe dhe i zuri një frikë e madhe. 7 Por Jezui u afrua, i preku e u tha: «Ngrihuni e mos kini frikë!». 8 Kur ngritën sytë, nuk panë askënd përveç Jezuit.
9 Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi: «Mos i thoni askujt çfarë keni parë, derisa Biri i njeriut të ngjallet prej të vdekurve». 10 Atëherë dishepujt e pyetën: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». 11 Jezui u përgjigj: «Po, Elia po vjen dhe ai do të vërë gjithçka në vendin e vet. 12 Madje po ju them se Elia ka ardhur, por ata nuk e njohën e bënë me të çfarë deshën. Kështu do të vuajë edhe Biri i njeriut prej tyre». 13 Atëherë dishepujt e kuptuan se po u fliste për Gjon Pagëzorin.
Shërimi i të pushtuarit nga djalli
(Mk 9.14-29Lk 9.37-43a)
14 Kur arritën te turma, Jezuit iu afrua një njeri, i ra në gjunjë 15 e i tha: «Zot, ki mëshirë për tim bir, se ka sëmundjen e tokës dhe vuan shumë. Shpeshherë bie në zjarr e në ujë. 16 Ua solla dishepujve të tu, por ata nuk mundën ta shëronin». 17 Jezui tha: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». 18 Jezui e qortoi djallin. Atëherë djalli doli prej djaloshit dhe ai u shërua në çast.
19 Pastaj dishepujt erdhën te Jezui dhe, kur ishin vetëm, i thanë: «Pse ne nuk mundëm ta dëbonim?». 20-21 Ai u tha: «Për shkak të besimit tuaj të pakët. Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim sa një farë sinapi, do t'i thoshit këtij mali “lëviz që këtej” dhe ai do të lëvizte. Asgjë nuk do të ishte e pamundur për ju ».
Tjetër paralajmërim i Pashkës
(Mk 9.30-32Lk 9.43b-45)
22 Kur ishin në Galile, Jezui u tha: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, 23 ata do ta vrasin dhe ditën e tretë, ai do të ngjallet». Atëherë dishepujt u pikëlluan shumë.
Tagri i tempullit
24 Kur arritën në Kafarnaum, mbledhësit e tagrit të tempullit iu afruan Pjetrit e i thanë: «A e paguan tagrin mësuesi juaj?». 25 Ai u tha: «E paguan». Sapo Pjetri u kthye në shtëpi, Jezui iu drejtua i pari: «Si mendon ti Simon? Nga kush i marrin mbretërit e kësaj bote tagrat ose detyrimet? Nga bijtë e tyre apo nga të tjerët?». 26 Pjetri u përgjigj: «Nga të tjerët». Jezui i tha: «Atëherë bijtë janë të lirë. 27 Por për të mos u bërë pengesë për ta, shko te liqeni, hidh grepin dhe kap peshkun e parë që do të bjerë në të. Kur t'i hapësh gojën, do të gjesh një monedhë. Merre e paguaj për mua e për vete».
Krie e shtatëmbëdhjetëtë
1 E pas gjashtë ditet, muarr Iisui Petronë edhe Iakovonë, edhe Ioannë vëllan’ e tij, e i hipi ata ndë një mal të lartë veçë mbënjanë.
2 E u metamorfos (ndërroi të parëtë) përpara ature, e faqea e tij i ndriti posi Dielli, e rrobat’ e tij u bënë të bardha posi drita.
3 E na e u duk nd’ata Moisiu edhe Ilia, e kuvëndoijnë bashkë me të.
4 E Petrua u përgjegj, e i tha Iisuit: Zot, mirë është të rrimë navet këtu; ndë do, të bëjëmë këtu tre tënda, një për ti, e një për Mosinë, e një për Ilianë.
5 E tek flit ai akoma, na, e erdhi një re e feksurë, e i mbuloi ata, e na, një zë nga reja që thosh: Kij është biri im i dashuri, që mb’atë prëhem unë, atit t’i digjoni.
6 E si e digjuanë mathitejtë ranë përmbis mbi faqe të ture, e u frikuanë shumë.
7 E Iisui erdhi pranë, e i zuri ata, e u tha: Ngreuni, mos u frikoni.
8 E kur ngrijtinë sit’ e ture, s’panë ndonjë tjatër përveçme Iisunë vetëmë.
9 E kur zbritn’ ata nga mali, i porsiti ata Iisui, e u tha: Mos thoi njeriut këtë që patë ngjera sa të ngjalletë nga të vdekuritë i biri njeriut.
10 E e pietn’ atë mathitit e tij, e i thanë: Pse grammatejtë thonë dha, se Ilia do të vijë përpara?
11 Edhe Iisui u përgjegj, e u tha ature, se Ilia vjen përpara, e do të vërë gjithë botënë ndë taks.
12 Edhe u thom juvet se Ilia erdhi ndashti, po nuk’ e njohn’ atë, e i bënë atij, sa që deshnë. Kështu edhe i biri i njeriut do të pësojë nga ata.
13 Ahiere kupëtuanë mathitejtë se për Ioannë vaptistinë ju thosh ature.
14 E si erdh’ ata tek qe turm’ e njerëzet, erdhi nde ai një njeri, e ju përgjegj.
15 E i thosh: Zot, le të të vijë likshtë për tim bir, se e zë bëtaja, e mundonetë shumë. Shumë herë bie ndë zjar, e shumë herë ndë ujë.
16 E e pruva atë ndë mathiti të tua e nukë mundnë ta shëroijnë.
17 Edhe Iisui u përgjegj, e i tha: O soj i pabesë edhe i shtrëmbërë, ngjera kur të jem me juvet? Ngjera kur të u duroj juvet? Bimani atë këtu.
18 E e qërtoi atë Iisui, e dolli nga ai i paudhi, e u shërua atë sahat djali.
19 Ahiere erdhë mathititë nde Iisui vetëmë mbënjanë, e i thanë: Pse navet nukë mundm ta krejëmë atë?
20 Edhe Iisui u tha ature, se nukë besoni mirë. Se u thom me të vërteta, ndë paçi besë sa një koqe sinapit, do të thoi këtit malit: Ngreu këteje, e hajde atje, e do ta bëjë, e do të mos jetë ndë ju ndonjë që të mos bënetë.
21 Po kij soj i djajet nukë del ndrishe, përveçme me të falturë, edhe me t’agjëruarë.
22 E si vijnë ata rrotull ndë Galileë, u tha ature Iisui: Do të ipetë i biri njeriut ndë duar të njerëzet.
23 E do ta vrasënë atë, e të tretënë ditë do të ngrihetë. E u helmuanë shumë.
24 E si erdhë ata ndë Kapernaum, ju qasnë Petrosë ata që mbëjedhënë haraçetë, e i thanë: Dhaskali juaj nukë paguan haraçnë?
25 U thotë: Paguan. E kur hiri ndë shtëpi, i tha atij më përpara Iisui: Si të duketë, Simon? Mbretërit’ e dheut nga cilëtë marënë të dhënatë a haraçnë? Nga bijt’ e ture, a nga të huajtë?
26 E i thot’ atij Petrua: Nga të huajtë. I thot’ atit Iisui: nd’është kështu, të bijtë jan’ elefthero.
27 Po që të mos skandhalisjëmë ata, hajde ndë det, e vurë angjistrënë, e atë pishk që të dalë përpara, ngree, e hapi gojën’ e tij, e do të gjeç një statirë, e si ta març atë, epua ature për mua, edhe për tij.