Për shkatërrimin e tempullit
(Mk 13.1-2Lk 21.5-6)
1 Kur Jezui doli nga tempulli e po largohej, erdhën dishepujt e i treguan ndërtesat e tempullit. 2 Jezui u tha: «I shikoni të gjitha këto? Me të vërtetë po ju them se nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».
Fillimi i fundit
(Mk 13.3-13Lk 21.7-19)
3 Kur Jezui po rrinte në malin e Ullinjve, erdhën dishepujt e i thanë veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e fundit të botës?». 4 Jezui u tha: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri, 5 se do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz. 6 Do të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, por mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi.
7 Një komb do të ngrihet kundër një kombi e një mbretëri kundër një mbretërie. Do të ketë zi buke e tërmete në disa vende, 8 por ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. 9 Do t'ju dorëzojnë në mundime e do t'ju vrasin dhe të gjitha kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. 10 Do të ketë nga ata që do të rrëzohen, do të tradhtojnë e do të urrejnë njëri-tjetrin. 11 Do të dalin shumë profetë të rremë e do të mashtrojnë shumë njerëz. 12 Meqë do të përhapet paudhësia, do të ftohet dashuria e shumë vetëve. 13 Por kush qëndron deri në fund, do të shpëtohet. 14 Ky ungjill i mbretërisë do të shpallet në të gjithë botën si dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi».
Shkretimi i madh
(Mk 13.14-23Lk 21.20-24)
15 «Kur të shihni tmerrin e shkretimit në vendin e shenjtë, për të cilin ka folur profeti Daniel, “kush lexon le ta kuptojë”, 16 atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. 17 Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! 18 Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! 19 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë!
20 Lutuni që arratia juaj të mos ndodhë në dimër apo të shtunën. 21 Atëherë do të bjerë një mjerim aq i madh, sa nuk është parë nga fillimi i botës e deri tani dhe të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. 22 Po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të të zgjedhurve ato ditë do të shkurtohen.
23 Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. 24 Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë, që do të bëjnë shenja të mëdha e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit, 25 por, ja, unë ju paralajmërova. 26 Prandaj, nëse ju thonë: “Ja, është në shkretëtirë!”, mos shkoni atje. Po të thonë: “Ja, është fshehur në qilar!”, mos u besoni. 27 Biri i njeriut do të vijë si vetëtima që vetëtin nga lindja në perëndim. 28 Ku është kërma, mblidhen edhe skifterët».
Ardhja e Birit të njeriut
(Mk 13.24-27Lk 21.25-28)
29 «Fill pas pikëllimit të atyre ditëve,
dielli do të errësohet
e hëna nuk do të japë dritë.
Yjet do të bien nga qielli
e pushtetet qiellore
do të tranden.
30 Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut dhe të gjitha fiset e tokës do të mbajnë zi e do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me pushtet e me lavdi të madhe. 31 Do të buçasë trumbeta e madhe dhe ai do të dërgojë engjëjt e tij në të katër anët e tokës për të mbledhur të zgjedhurit, nga njëri skaj në skajin tjetër të botës».
Mësimi nga fiku i tharë
(Mk 13.28-31Lk 21.29-33)
32 «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. 33 Kështu edhe ju kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. 34 Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 35 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».
Dita dhe ora e fshehtë
(Mk 13.32-37Lk 17.26-30, Lk 34-36)
36 «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati. 37 Siç ishte në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. 38 Ashtu sikurse gjatë atyre ditëve përpara përmbytjes njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në ditën kur Noeu hyri në arkë, 39 dhe nuk dinin gjë derisa erdhi përmbytja e i zhduku, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.
40 Atëherë, prej dy vetave që do të gjenden në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 41 Prej dy grave që do të jenë te mulliri për të bluar, njëra do të merret e tjetra do të lihet. 42 Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini në ç'ditë vjen Zoti. 43 Po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë të natës do të vinte vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. 44 Prandaj jini gati, se Biri i njeriut do të vijë në një orë që nuk e prisni».
Dy shërbëtorët
(Lk 12.41-48)
45 «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 46 Lum ai shërbëtor që kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. 47 Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. 48 Por, nëse ai shërbëtor i mbrapshtë thotë me vete: “Zotëria im po vonohet” 49 dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë e ha e pi me të dehurit, 50 atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret e në orën që ai nuk e di, 51 do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen hipokritët. Aty do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».
Krie e njëzetekatërtë
1 E si dolli Iisui e iku nga Qisha, i vanë pranë mathitit’ e tij, të dëftojënë nde ai të dërtuarat’ e Qishësë.
2 Edhe Iisui u tha ature: Nuk’ i shihni gjithë këto? Me të vërteta u thom juvet, do të mos mbetetë gur mbi gur, ai që të mos gremisetë.
3 E si rrij ai sipër ndë mal të ullinjet, erdhë nde ai mathititë vetëmë, e i thanë: Thuajna nevet kur do të jenë këto? Edhe cili është nishani të s’ardhurit sate, edhe të së sosurësë jetësë?
4 Edhe Iisui u përgjegj, e u tha ature: Shihni se mos u qeshjë njeri.
5 Se do të vijënë shumë ndë ëmër tim, e do të thonë: Unë jam Krishti. Edhe shumë do të qeshjënë.
6 E do të digjoni luftëra, edhe zëra të luftëravet; vështroni e mos u frikoni, se duhenë të bënenë gjithë këto, po akoma nuk’ është të sosurit’ e jetësë.
7 Sepse do të ngrihetë fili mbi fili, e mbretëri mbi mbretëri, e do të jetë uri, edhe murtajë ndë vënde-vënde.
8 E gjithë këto janë të nisurat’ e së dhëmburavet.
9 Ahiere do t’u apënë juvet ndë shtrëngime, e do t’u vrasënë, e do të jeni të mçuarë nga gjithë filitë për ëmër tim.
10 E atëherë do të skandhalisenë shumë, e do të paradhosjënë njëri-jatërinë, e do të mçojënë njëri-jatërinë.
11 E do të ngrihenë shumë profitër të rrem, e do të qeshjënë shumë.
12 Edhe sepse do të tepërojë e keqia, do të ftohetë dashuria e së shumëvet.
13 E ai që të durojë ngjera nd’anë, ai do të sosetë.
14 E do të dhidhaksetë kij Ungjill i mbretërisë mbë gjithë dhe që janë njerëz, për martiri ndë gjithë milete, e ahiere do të vijë të sosurit’ e jetësë.
15 E pa kur të shihni idhollënë që dëfton të shkretuaritë, që është thënë nga profiti Dhaniil, të rrijë ndë vënd të shënjtëruarë (ai që dhiavas le të kupëtojë).
16 Ahiere ata që janë ndë Iudheë, le të ikëjënë ndë male.
17 Ai që gjëndetë mbi shtëpi, le të mos zbritjë të marë gjë nga shtëpi e tij.
18 Edhe ai që është nd’arë, le të mos kthenetë prapa të ngrërë rrobat’ e tij.
19 Edhe ve mb’ato që janë të mbarsura, e mb’ato që kanë djelm mbë sisë nd’ato dit ahiere.
20 Po lutuni të mos bënetë të ikuritë tuaj ndë dimër, as ndë të shëtunë.
21 Sepse ahiere do të jetë shtrëngim i madh, që i tilli nuk’ u bë kurrë që kur u bë bota, ngjera ndashti, edhe as do të bënetë.
22 Edhe të mos qenë shkurtuarë ato dit, s’mund të sosej çdo kurm, po për të zgjedhuritë do të shkurtonenë ato dit.
23 Ahiere ndë thashtë njeri juvet: Këtu është Krishti, a këtu, mos besoni.
24 Sepse do të ngrihenë Krishtër të rrem, edhe profitër të rrem, e do të apënë nishane të mëdha, edhe çudira, ngjera sa të qeshjënë ndë mundçinë, edhe të zgjedhuritë.
25 Ja, që u thaçë juvet më përpara.
26 E pa ndë u thafçinë juvet: Ja, nd’erimi është, mos dili jashtë; ja, ndë qelira është, të mos besoni.
27 Se sikundrë del vetëtima nga del Dielli, e duketë ngjer atje që perëndon, ashtu do të jetë edhe t’ardhurit e birit së njeriut.
28 Sepse atje që është leshi, atje do të mbëjidhenë edhe Shqiponjatë.
29 E paravta, pas shtrëngimit s’ature ditet, do të mos ndritjë Dielli edhe hënëza do të mos apë dritën’ e saj, edhe ulletë do të bienë nga Qielli, edhe të fortat’ e Qiellvet do të tundenë.
30 Ahiere do të duketë nishani i birit së njeriut ndë Qiell; e atëherë do të qajënë gjithë filit’ e dheut, e do të shohënë të bir’ e njeriut që do të vijë sipër mbi re të Qiellit me fuqi, edhe me shumë lëvdim.
31 E do të dërgojë Ëngjëllit’ e tij me zurna që ka zë të madh, e do të mbëjedhënë të zgjedhurit’ e tij nga të katër erëtë, nga anët’ e Qiellvet, ngjera ndë tjetërat’ anët’ e ture.
32 E nga fiku kupëtoni paravolinë: Kur dha bënetë dega e tij e butë, e i dalënë fletëtë, e digjoni se afër është të korrëtë.
33 Ashtu edhe juvet, kur të shihni gjithë këto, digjoni se afër është mbë dier.
34 Me të vërteta u thom juvet, do të mos shkojë kij brez i njerëzet, ngjera sa të bënenë gjithë këto.
35 Qielli edhe dheu do të ndërronenë, e fjalëtë e mia do të mos ndëronenë.
36 Po për atë ditë edhe sahat njeri nukë di, as Ëngjëllit’ e Qiellvet, përveçme jati im vetëmë.
37 E sikundrë qenë ditët’ e Noesë, ashtu do të jetë edhe t’ardhurit’ e birit së njeriut.
38 Se sikundrë qenë ndë dit përpara kataklismoit, tuke ngrënë, e tuke pirë, martoneshinë, e maritoijnë, ngjera nd’atë ditë që hiri Noea ndë Qivoto.
39 E nukë digjuanë ngjera sa erdhi kataklismoi, e i ngrijti të gjithë. Ashtu do të jetë edhe t’ardhurit’ e birit së njeriut.
40 Ahiere di do të jenë nd’arë, njëri mirretë, e njëri lihetë.
41 Di që bluajënë ndë mulli, njëra mirretë, e njëra lihetë.
42 Rrini zgjuarë dha, se nuk’ e dini mbë ç’sahat vjen zoti juaj.
43 Edhe atë të dini, se që të dij i zoti shtëpisë ndë ç’kohë të natësë vjen kusari, do të mos flijte, e do të mos lijte t’i shponej shtëpi e tij.
44 Pra andaj edhe juvet bënuni hazër, se mb’atë sahat që nukë pandehni i biri njeriut vjen.
45 Cili vallë është ai kopil i besuarë edhe i mënçurë, që atë e vu pitrop zot’ i tij ndë kopij të tij, të ju apë të ngrënët’ e ture ndë kohë të së ngrënit?
46 I lumuri ësht’ ai kopil, që atë kur të vijë zot’ i tij, do ta gjejë që bën kështu.
47 Me të vërteta u thom juvet, se mbë gjithë gjën’ e tij do ta vërë atë pitrop.
48 Ma ndë thashtë ai kopil i keq ndë zëmërë të tij, se zoti im mënon të vijë.
49 E të nisjë të rrahë kopijtë shokët’ e tij, e të hajë, e të pijë bashkë me të dejmitë.
50 Do të vijë zoti i atij kopilit, ndë një ditë që s’e pret, e ndë një sahat që nuk’ e di.
51 E do ta ndajë mbë di, edhe vënd’ i tij do të jetë bashkë me Ipokritejtë. Atje është të qarëtë edhe të dredhurit’ e dhëmbëvet.