Lëmosha
1 «Ruhuni të mos i bëni veprat e mira në sy të njerëzve për t'u dukur para tyre, se kështu nuk do të keni shpërblim tek Ati juaj që është në qiej. 2 Kur të japësh lëmoshë, mos trumbeto me të madhe për të tërhequr vëmendjen, siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga e nëpër rrugë, që të marrin lëvdata nga njerëzit. Me të vërtetë po ju them: ata e kanë marrë tashmë shpërblimin e tyre. 3 Por kur të japësh lëmoshë, dora jote e majtë të mos e dijë çfarë bën e djathta, 4 në mënyrë që lëmosha jote të mbetet e fshehtë dhe Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë».
Ati ynë
(Lk 11.2-4)5 «Kur të luteni, mos u bëni si hipokritët, të cilëve u pëlqen të luten më këmbë nëpër sinagoga e udhëkryqe, për t'u dukur para njerëzve. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. 6 Por kur ti të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle derën e lutju Atit tënd që është aty në fshehtësi, e Ati yt që sheh në fshehtësi do të ta shpërblejë. 7 Kur të luteni, mos thoni fjalë të shumta si popujt e kombeve. Ata mendojnë se duke folur shumë, do të dëgjohen. 8 Mos bëni si ata, se Ati juaj e di mirë për çfarë keni nevojë përpara se t'ia kërkoni. 9 Prandaj ju lutuni kështu:
Ati ynë që je në qiej,
u shenjtëroftë emri yt,
10 ardhtë mbretëria jote,
u bëftë vullneti yt,
si në qiell, edhe në tokë.
11 Bukën tonë të përditshme
na e jep sot.
12 Na i fal detyrimet tona,
siç edhe ne ua falëm detyruesve tanë .
13 E mos na vër në sprovë ,
por na çliro nga i ligu.
14 Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t'jua falë juve, 15 por nëse ju nuk do t'ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë as Ati juaj nuk do t'jua falë juve ato».
Agjërimi
16 «Kur të agjëroni, mos merrni hije të rëndë, siç bëjnë hipokritët. Ata e shtrembërojnë fytyrën për t'u treguar njerëzve se po agjërojnë. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. 17 Ndërsa ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me erë të mirë e laje fytyrën, 18 që agjërimi yt të mos duket para njerëzve, por të duket para Atit tënd që është në fshehtësi. E Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë ».
Thesari në qiell
(Lk 12.33-34)19 «Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit thyejnë shtëpinë e plaçkitin. 20 Prandaj, mblidhni thesare në qiell! Atje nuk ka as tenjë e as krimb që t'i brejë, nuk ka as vjedhës, që plaçkitin e vjedhin. 21 Sepse atje ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote».
Drita e trupit
(Lk 11.34-36)22 «Syri është drita e trupit. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar. 23 Por, nëse syri yt është i sëmurë, tërë trupi yt do të jetë në errësirë. Nëse drita që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!».
Perëndia dhe Mamoni
(Lk 16.13)24 «Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t'i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».
Kujdesi dhe ankthi
(Lk 12.22-34)25 «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani e çfarë do të pini, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. A nuk vlen jeta më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja? 26 Shikoni zogjtë e qiellit! Ata as mbjellin, as korrin, as mbledhin në grunarë e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë? 27 Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? 28 Po për veshjet, përse shqetësoheni? Shikoni si rriten zambakët e fushave. Ata as nuk lodhen e as nuk endin, 29 por unë po ju them se as vetë Solomoni, në gjithë madhështinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. 30 Nëse Perëndia vesh kështu barin e fushës, që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë? 31 Mos u shqetësoni, pra, e mos thoni: “Çfarë do të hamë?”, “Çfarë do të pimë?” apo “Me se do të vishemi?”. 32 Janë kombet ato që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë e drejtësinë e tij dhe ai do t'jua japë edhe ato gjëra. 34 Prandaj mos u shqetësoni për të nesërmen. E nesërmja ka shqetësimet e veta. Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet».
Krie e gjashtëtë
1 Vështoni të mos bëji eleimosinë tuaj përpara njerëzet, për të dukurë nd’ata, se ndë bëfçi ashtu nukë keni ndonjë pagë nga jati juaj i Qiellvet.
2 Po kur të bëç eleimosinë, mos digjoneç përpara vetëhesë, sikundrë bëjënë Ipokritetë brënda ndë Sinagoje, edhe mb’udhëra, që të mburenë nga njerëzitë. Vërtet u thom juvet, se ata e humbasënë pagën’ e ture.
3 Po ti kur të bëç eleimosin, le të mos njohë dora ite e mëngjëra, atë që bën e djathëta.
4 Që të bënetë eleimosini it fshehura, e jati it që sheh ndë të fshehurë, ai do të ta apë ti faqeza.
5 Edhe kur do të faleç, të mos bëç si Ipokritetë - se ata kanë zakon të rrinë e të falenë ndë të mbjedhura e ndëpër anë t’udhëravet, që të shohënë njerëzitë; me të vërteta u thom juvet, se ata e humbasënë pagën’ e ture.
6 Po ti kur të faleç, hirë brënda ndë shtëpi tënde të vogëlënë, e si të mbillç derënë tënde falu te jati it, që rri mbë të fshehurë, e jati it që sheh ndë të fshehurë do të ta paguajë ti faqeza.
7 Edhe kur të faleni, mos thoi fjalë të tepëra, sikundrë bëjënë Ethnikotë, se ature u duketë, se kur të thonë shumë fjalë do të digjonenë.
8 Po juvet mos u gjani ature, sepse jati juaj i di se ç’u duhetë, pa kërkuarë akoma juvet prej sij.
9 Faluni adha juvet kështu: Jati inë që je mbë qiell, qoftë shëntëruarë ëmëri it.
10 Artë mbretëria jote. U bëftë urdhëri it, sikundrë bënetë ndë Qiell ashtu edhe mbë dhe.
11 Epna navet bukën’ e sorme që na duhetë për fis tënë.
12 Edhe ndëlena fajetë tona, sikundrë ndëlejemë edhe na ata që fëlejënë ndë nevet.
13 Edhe mos na lëshoç nevet ndë ndonjë pirasmo, po shpëtona navet nga i ligu, se jotja është mbretëria, edhe fuqia, edhe lëvdimi ndë jetë të pasosurë. Vërtet.
14 Sepse ndë ndëlefi njerëzet fajet’ e ture, edhe jati juaj i qiellvet do t’u ndëlejë juvet.
15 Ma ndë mos ndëjefi njerëzëvet fajet’ e ture, as jati juaj do të ndëjejë fajetë tuaj.
16 E kur agjëroni, mos vari buzënë tuaj, sikundrë bëjënë Ipokritetë, se ata ligëjënë faqet’ e ture, që të dukenë ndë njerëz se agjërojënë. Me të vërteta u thom juvet, se ata e humbasënë pagën’ e ture.
17 Po ti kur do t’agjëroç, liej krietë tat, edhe laj faqet’ e tua.
18 Që të mos dukeç ndë njerëz se agjëron, po nde jati it që është ndë të fshehurë, e jati it që sheh edhe ndë të fshehurë, do të ta paguajë ti faqeza.
19 Mos mbëjidhi ju gjë shumë mbë dhe, atje që edhe krimbi edhe kopica e prish, edhe atje që shpojënë kusarëtë, e vjedhënë.
20 Po mbëjidhi gjë për vetëhe tuaj ndë qiell, atje që as krimbi, as kopica e prish, e atje që kusarëtë nukë shpojënë, e nuk’ e vjedhënë.
21 Sepse atje që është gjëri juaj, atje do të jetë edhe zëmëra juaj.
22 Drit’ e kurmit është siu, e ndë qoftë siu it i pastruarë, gjithë kurmi it do të jetë i ndriturë.
23 Ma ndë qoftë siu it i lig, gjithë kurmi it do të jetë i erëtë. E nd’është që drita jote ësht’ erësirë, sa më tepër është erësira?
24 S’mun njeri të punojë di zotërinj, se ja njerinë do të urrejë, e tjatërinë do të dojë, ja njerinë do të ndërojë, e tjatërinë do të ksendërojë. Nukë mundni të punoni ndë një kohë Perndinë, edhe Mamonanë.
25 Pra andaj u thom juvet, mos mëndoneni ndë shpirt tuaj, ç’do të hai, edhe ç’do të pii, edhe ndë kurm tuaj ç’do të vishni; mos nuk’ është shpirti më i ndërçurë nga të ngrënëtë, edhe kurmi nga të veshuritë?
26 Vështoni ndë zogj të qiellit, që as mbjellënë as kuarjënë, as mbëjedhënë nd’ambarë, e jati juaj i qiellit i ushqen ata; e qish juvet nukë bëni fark më tepër se ata?
27 Cili nga juvet me shumë silloi mund të madhojë një kut shtatn’ e tij?
28 Edhe për të veshurë pse mëndoneni, vështoni lulet’ e aravet, qish madhonenë; as mundohenë as tjerënë.
29 E u thom juvet, që as Sollomoni mbë gjithë të madh të tij s’mund të vishej si një nga këto.
30 E nd’është që vesh Perndia kështu barëratë e aravet, që sot janë, e nesër vihenë ndë furë, shumë më tepër juvet, besëpakë.
31 Mos u mëndoni shumë e thoi: Ç’do të hamë, e ç’do të pimë, edhe ç’do të veshjëmë?
32 Sepse gjithë këto Ethnikotë i kërkojënë, e jati juaj i qiellit e di se ju duhenë gjithë këto.
33 Po kërkoni më përpara mbretërin’ e Perndisë, edhe të drejtën e tij, e gjithë këto do t’u ipenë juvet.
34 Mos u mendoni dha për të nesërmenë, se e nesërmeja do të bjerë të sajtënë. E me aft ndë çdo ditë të këqiat’ e saj.