Kënga e të shpërblyerve
1 Pastaj pashë Qengjin që qëndronte mbi malin e Sionit. Bashkë me të ishin edhe njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij. 2 Atëherë dëgjova një zë nga qielli, që ngjante si ushtima e deteve dhe si gjëmimi i një bubullime të madhe. Zëri që dëgjova ishte si tingulli që lëshon harpa kur i bien harpistët. 3 Para fronit dhe para katër gjallesave e pleqve këndonin një këngë të re. Askush nuk mund ta mësonte këngën, përveç njëqind e dyzet e katër mijë të shpërblyerve nga toka. 4 Këta janë ata që nuk u përlyen me gra, por mbetën të virgjër. Janë ata që shkojnë pas Qengjit, kudo ku ai shkon. Ata u shpërblyen prej njerëzve për të qenë frytet e para për Perëndinë dhe Qengjin. 5 Nga goja e tyre nuk ka dalë asnjë gënjeshtër, sepse janë të paqortueshëm.
Lajmi i tre engjëjve
6 Pastaj pashë një engjëll tjetër, që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte një ungjill të amshuar për t'u shpallur banorëve të tokës nga çdo komb, fis, gjuhë e popull. 7 Ai tha me zë të lartë: «Druajeni Perëndinë dhe jepini lavdi, se erdhi ora e gjykimit të tij. Adhurojeni atë që bëri qiellin e tokën, detin dhe burimet e ujërave!».
8 Një engjëll tjetër erdhi pas të parit e tha: «Ra, ra Babilonia e madhe, ajo që dehu gjithë kombet me verën e zemërimit të kurvërisë së saj».
9 Një engjëll i tretë erdhi pas tyre e tha me zë të lartë: «Kush adhuron bishën dhe shëmbëlltyrën e saj dhe merr damkën në ballë e në dorë, 10 do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është e papërzier në kupën e zemërimit të tij. Ai do të mundohet me zjarr e squfur para engjëjve të shenjtë dhe para Qengjit.
11 Tymi i mundimit të tyre do të ngrihet në shekuj të shekujve dhe ata që adhurojnë bishën e shëmbëlltyrën e saj dhe kanë marrë damkën e emrit të saj, nuk do të gjejnë prehje as ditën, as natën. 12 Këtu do të duket durimi i të shenjtëve, i atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe ruajnë besimin e Jezuit».
13 Atëherë dëgjova një zë nga qielli që më tha: «Shkruaj: lum ata që do të vdesin të bashkuar me Zotin që tani e tutje».
«Po, thotë Shpirti. Ata do të prehen nga mundimet, sepse veprat e tyre do t'i shoqërojnë pas».
Të korrat e tokës
14 Pastaj pashë një re të bardhë, mbi të cilën ishte ulur dikush që ngjante si bir njeriu. Në kokë kishte një kurorë të artë, ndërsa në dorë një drapër të mprehtë. 15 Nga tempulli doli një engjëll tjetër që i thirri me zë të lartë atij që rrinte ulur mbi re: «Merre draprin e korr, se erdhi koha e korrjes dhe të korrat e tokës janë pjekur». 16 Atëherë ai që rrinte ulur mbi fron e hodhi draprin në tokë dhe toka u korr.
17 Nga tempulli që ishte në qiell doli edhe një engjëll tjetër. Edhe ai mbante një drapër të mprehtë. 18 Një engjëll tjetër doli nga altari. Ai kishte pushtet mbi zjarrin dhe i thirri me zë të lartë atij që kishte draprin e mprehtë: «Merre draprin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e vreshtit të tokës, se u poq rrushi». 19 Engjëlli e hodhi draprin në tokë, voli vreshtin e tokës dhe rrushin e hodhi në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë. 20 Rrushi i vozës u shtrydh jashtë qytetit dhe prej saj doli gjak që arrinte deri te frerët e kuajve dhe u përhap deri rreth treqind kilometra larg.
Krie e katërmbëdhjetëtë
1 E vura re, e ja një qengj që rrij ndë mal të Sionit, e bashkë me të njëqind e dizet e katër mijë krerë, që kishnë shkruarë ëmërin’ e babait së tij ndë ballëra së ture.
2 E digjova një zë nga qielli si gjëmim të shumë ujëravet, e si një zë bumbullimësë madhe. E zënë që digjova posi t’ature që qitharisjënë me qithara të ture.
3 E që këndoijnë posi një këngë të re përpara fronit, e përpara të katër kafshëvet, e të pleqet. E ndonjë nukë mund të mpson atë këngë, përveçe ature njëqind e dizet e katër mijëvet, ata që qenë blerë nga dheu.
4 Këta janë ata që nukë janë molepsurë me gra; sepse janë partheno. Këta jan’ ata që venë pas qengjit tekdo që vete. Këta janë blerë nga njerëzitë protollogo të Perndisë e të qengjit.
5 Edhe mbë gojë të ture nuk’ u gjënd gënjeshtrë; sepse janë të pafaj përpara fronit së Perndisë.
6 E paçë një tjetër Ëngjëll, që fluturon ndëpërmes të qiellit, që kish ungjill’ e pasosurë, për të vangjelisurë ata që rrijnë mbi dhe, edhe çdo milet, edhe çdo fili, e gjuhë, e llao.
7 E thosh me zë të madh: Kini frikën’ e Perndisë, e lëvdoni atë, sepse erdhi koha e gjuqit së tij, e fali atij që bëri qiellinë, edhe dhenë, edhe detnë, edhe kronjërat’ e ujëravet.
8 E një tjatër Ëngjëll erdhi pas, e tha: Ra, ra, Vavillona, quteti i madh, që potisi me verë të urgjisë kurvërisë saj gjithë miletetë.
9 E një Ëngjëll i tretë u vin pas ature, tuke thënë me zë të madh: Kush të jetë falurë bishësë, a konismësë saj, a të ketë marrë nishanë mbë ballë të tij, a mbë dorë të tij.
10 Edhe ai do të pijë nga vera e urgjisë Perndisë, e nakatosurë me verë shqeto ndë potir t’urgjisë tij; e do të mundonetë me zjar e shqufur përpara Shënjtorëvet ëngjëj, e përpara qengjit.
11 E timi i mundimit së ture ngrihetë lart mbë jetë pas jetet; e nukë kanë të prëjturë dit’ e natë ata që falenë bishësë edhe konismësë saj, edhe kush të marrë nishanë e ëmërit saj.
12 Këtu qëndron durimi i Shënjtorëvet; këtu i aturevet që ruajnë porsit’ e Perndisë, edhe besën’ e Iisuit.
13 E digjova zë nga qielli, që më thosh mua: Shkruaj: Lum të vdekuritë, që vdesënë mbë Zonë që këtej e tutje. Vërtet, thotë Shpirti, që të prëhenë nga zahmetet’ e ture; sepse punët’ e ture venë pas suresh.
14 E vura re, e ja, një mjergullë e bardhë, e sipër mbi mjergullë rrij një që gjan me bir’ e njeriut, që kish mbë krie të tij një kurorë t’artë, e mbë dorë të tij një drapër të prëhurë.
15 E një tjatër Ëngjëll dolli nga naoi tuke thirrturë me zë të madh, atij që rrij mbi mjergullë: Dërgo drapërinë tënd, e kuarr. Sepse erdhi koha të kuarrç tij, se u tha të korrët’ e dheut.
16 E ai që rrij mbi mjergullë, vuri drapërin’ e tij mbi dhe; e u kuarr dheu.
17 E një tjatër Ëngjëll dolli nga naoi që është ndër qiell, e kish edhe ai një drapër të prëhurë.
18 E një tjatër Ëngjëll dolli nga thisiastiri, e ish që kish urdhër mbi zjar. E thirri me një zë të madh, atij që kish drapërinë e prëhurë, e i tha: Dërgo drapërinë tënd të prëhurinë, e vil rrusht’ e vështit së dheut; sepse u poqnë rrusht’ e tij.
19 E vuri Ëngjëlli drapërin’ e tij ndë dhe, e voli veshtin’ e dheut, e rrusht’ i vuri ndë patitir të madh të urgjisë Perndisë.
20 E patitiri u shkel përjashta qutetit; e dolli gjak nga patitiri ngjera mbë frë të kuajet, ngjera një mijë e gjashtëqind stadhe.