Ngjallja
(Mt 28.1-8Lk 24.1-12Gjn 20.1-10)1 Pasi kaloi e shtuna, Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit dhe Salomeja blenë vajra erëmirë, që të shkonin për të lyer trupin e Jezuit. 2 Të dielën , herët në mëngjes, shkuan te varri sapo kishte lindur dielli. 3 Ato i thanë njëra-tjetrës: «Kush do të na e rrokullisë gurin nga gryka e varrit?». 4 Por panë e vunë re se guri ishte rrokullisur, edhe pse ishte tepër i madh. 5 Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh të veshur me një rrobë të bardhë që rrinte ulur në të djathtë e u shtangën. 6 Por ai u tha: «Mos kini frikë! Ju kërkoni Jezuin e Nazaretit, të kryqëzuarin. Ai u ngjall. Nuk është këtu. Ja vendi ku e kishin vënë. 7 Tani shkoni, u thoni dishepujve të tij e Pjetrit se ai po shkon përpara jush në Galile. Atje do ta shihni, siç ju ka thënë». 8 Ato dolën e ikën nga varri, se ishin të frikësuara e të tmerruara. Nga frika nuk i thanë gjë askujt.
Maria Magdalena
(Mt 28.9-10Gjn 20.11-18)9 Pasi u ngjall në mëngjesin e së dielës, Jezui iu shfaq në fillim Maria Magdalenës, prej së cilës kishte dëbuar shtatë djaj. 10 Kjo shkoi të lajmëronte ata që kishin ndenjur me të që ishin në zi e vajtonin. 11 Kur dëgjuan se Jezui ishte gjallë dhe se ajo e kishte parë, ata nuk deshën ta besonin.
Dy dishepujt
(Lk 24.13-35)12 Pas këtyre, Jezui iu shfaq në një trajtë tjetër dy dishepujve që po ecnin drejt fshatit. 13 Edhe ata u kthyen për të lajmëruar të tjerët, por as këtyre nuk deshën t'u besonin.
Porosia
(Mt 28.16-20Lk 24.36-49Gjn 20.19-23Vp 1.6-8)14 Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve, ndërsa po hanin, e i qortoi për mosbesimin e tyre e për ngurtësinë e zemrës, ngaqë nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ngjallur. 15 Jezui u tha: «Shkoni në të gjithë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese. 16 Ai që do të besojë e do të pagëzohet, do të shpëtojë; por ai që nuk do të besojë, do të dënohet. 17 Këto do të jenë shenjat që do të shoqërojnë ata që besojnë: do të dëbojnë djaj në emrin tim, do të flasin gjuhë të reja, 18 do të marrin gjarpërinj në duar dhe, po të pinë ndonjë helm, nuk do t'u bëjë dëm, do të vënë duart mbi të sëmurët e këta do të shërohen».
Ngritja në qiell
(Lk 24.50-53Vp 1.9-11)19 Zoti Jezu, pasi foli me ta, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtën e Perëndisë. 20 Atëherë ata u nisën e predikuan kudo, ndërsa Zoti vepronte së bashku me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin.
Krie e gjashtëmbëdhjetëtë
1 E si shkoi e Shëtuna, Magdhalini Maria, edhe Maria, mëm’ e Iakovoit edhe Sallomi, blenë miro, të vijnë, e ta lieijnë atë.
2 E ditën’ e parë të javësë shumë mëngjes vijënë mbë varr, kur leu Dielli.
3 E thoshnë njëra-jatërësë: Kush do të na rrukullisjë navet gurë nga der’ e varrit?
4 E kur vështroijnë shohënë që guri qe shtëmëngurë, sepse qe shum’ i madh.
5 E si hinë brënda ndë varr, shohënë një djalosh, që rrijte mb’anë të djathëtë, veshurë me rroba të bardha, e u çuditnë.
6 E ai u thot’ ature: Mos u çuditni. Iisunë Nazarinonë, të mbërthierinë ndë Kruq kërkoni, u ngjall, s’është këtu. Ja vëndi tek’ e kishnë kallturë.
7 Po hajdeni e thoi mathitivet së tij edhe Petrosë, se arriu përpara juvet, e u pret ndë Galileë. Atje do ta shihni atë, sikundr’ u tha juvet.
8 E si duall ato nga varri me të shpejtë, iknë; po i mori ato frikë edhe çudi, e nukë thanë njeriut gjë, sepse trëmbejnë.
9 E si u ngjall ndë mëngjes të parënë ditë të javësë, u duk herën’ e parë Magdhalini Mariasë, që i kish krierë të shtatë djajtë.
10 E ajo vate e u dha haber ature që ishnë bashkë me të, që qenë të helmuarë, e qaijnë.
11 Edhe ata si digjuanë se ai rron, e u duk tek’ ajo, nukë dhanë besë.
12 Pastaj u dëftua me tjatër surat mbë di nga ata që ecëijnë, e vijnë ndë arë.
13 Edhe ata si vanë u rrëfienë së tjerëvet, e as ature nuk’ u dhanë besë.
14 E pasandaj u duk mb’ata të njëmbëdhjetë, atje tek rrijnë, e i qërtoi sepse nukë besuanë mb’ata që e panë atë të ngjallturë, edhe për zëmërën’ e ture të pakthierë.
15 E u tha ature: Haideni ndë gjithë botë, e qiriksni Ungjillë ndë gjithë dinia.
16 Ai që të besojë e të pagëzonetë, do të sosetë, e ai që të mos besojë, do të kollasetë.
17 E këto janë thavmëtë që do të venë pas ature që besojënë: ndë ëmër tim do të zbojënë të paudhëtë, gjuhë të ra do të flasënë.
18 Gjërpinjtë do t’i zënë me dorë; edhe ndonjë të helmuarë ndë pifçinë, do të mos i dëmëtojë; mbi të sëmurë do të vënë duartë, e do të shëronenë.
19 E pas këture kuvëndevet, që u tha ature Zoti, hipi ndër Qiell, e ndënji mb’anë të djathëtë të Perndisë.
20 E ata si duallë qiriksnë mbë çdo vënd, si i ndih e punon bashkë me ata Zoti, e u veveos fjalënë me thavmëra që bënejnë.