Zgjedhja e Barnabës dhe Saulit
1 Në kishën e Antiokisë kishte profetë e mësues: Barnaba, Simeoni, që quhej Niger, Luci nga Kirena, Manaeni, shok fëmijërie i Herod Tetrarkut dhe Sauli. 2 Ndërsa po adhuronin Zotin e po agjëronin, Shpirti i shenjtë tha: «M'i ndani mënjanë Barnabën e Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur». 3 Pastaj, pasi agjëruan e u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.
Predikimi në Qipro
4 Barnaba e Sauli, të dërguar nga Shpirti i shenjtë, shkuan në Seleuki dhe prej aty lundruan për në Qipro. 5 Kur arritën në Salaminë, e shpallën fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e judenjve. Kishin edhe Gjonin që i ndihmonte.
6 Pasi përshkuan tërë ishullin deri në Pafo, takuan njëfarë magjistari, një profet të rremë jude, me emrin Barjezu. 7 Ai ishte mik i prokonsull Sergj Palit, një njeri i mençur, që i thirri Barnabën e Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë. 8 Por magjistari Elima, se kështu përkthehet emri i tij, iu kundërvu atyre e u mundua ta largonte prokonsullin nga besimi. 9 Por Sauli, që quhej edhe Pal, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ia nguli sytë 10 e i tha: «Ti bir i djallit, armik i çdo drejtësie, plot me mashtrim e dinakëri, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i udhëve të drejta të Zotit? 11 Por ja, dora e Zotit është kundër teje. Do të verbohesh e nuk do ta shohësh diellin për njëfarë kohe».
Atë e rrethuan menjëherë mjegulla e errësira dhe filloi të sillej rreth e përqark duke kërkuar dikë që ta mbante për dore. 12 Kur prokonsulli pa se çfarë kishte ndodhur, besoi dhe mbeti i habitur me mësimin e Zotit.
Pali e Barnaba në Antiokinë e Pisidisë
13 Ata që ishin me Palin lundruan nga Pafosi dhe arritën në Pergë të Pamfilisë, ndërsa Gjoni u nda prej tyre e u kthye në Jerusalem. 14 Ata nga Perga vazhduan rrugën e shkuan në Antioki të Pisidisë.
Një të shtunë hynë në sinagogë e u ulën. 15 Pas leximit të ligjit e të profetëve, krerët e sinagogës dërguan dikë që t'u thoshte: «Vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë për të këshilluar popullin, thuajeni». 16 Atëherë Pali u ngrit, bëri shenjë me dorë e tha: «Burra izraelitë e ju që druani Perëndinë, dëgjoni: 17 Perëndia i popullit të Izraelit zgjodhi etërit tanë dhe e bëri të madh popullin tonë kur ishte në Egjipt. Ai i nxori që andej me krahun e tij të fuqishëm 18 dhe i duroi për rreth dyzet vjet në shkretëtirë. 19 Pasi shkatërroi shtatë popuj në tokën e Kanaanit, ua dha atyre tokën si trashëgimi 20 për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet. Pastaj u dha gjykatës deri në kohën e profetit Samuel. 21 Pastaj ata kërkuan të kishin një mbret dhe Perëndia u dha Saulin, birin e Kishit, burrë nga fisi i Benjaminit, që mbretëroi për dyzet vjet. 22 Pasi e hoqi atë, u dha për mbret Davidin për të cilin dëshmoi: “Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime. Ai do t'i plotësojë tërë dëshirat e mia”. 23 Perëndia, sikurse kishte premtuar, i solli Izraelit nga pasardhësit e këtij njeriu një shpëtimtar, Jezuin. 24 Përpara se të vinte Jezui, Gjoni i kishte predikuar gjithë popullit të Izraelit të pendohej e të pagëzohej. 25 Kur ishte në fund të shtegtimit të tij, Gjoni tha: “Kush mendoni se jam unë? Unë nuk jam ai që prisni, por ai po vjen pas meje dhe unë nuk jam i denjë as t'ia zgjidh sandalet”.
26 Vëllezër, pasardhës të Abrahamit e ju të tjerë që druani Perëndinë, lajmi i këtij shpëtimi na është dërguar neve. 27 Banorët e Jerusalemit e krerët e tyre nuk e njohën Jezuin dhe as nuk i kuptuan fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë. Ata i përmbushën fjalët e kësaj profecie duke e dënuar atë. 28 Edhe pse nuk gjetën shkak për ta dënuar me vdekje, i kërkuan Pilatit ta vriste. 29 Pasi përmbushën gjithçka që ishte shkruar për të, e zbritën nga druri i kryqit dhe e vunë në varr. 30 Por Perëndia e ngjalli prej të vdekurve 31 e për shumë ditë Jezui iu shfaq atyre që shkuan me të nga Galilea në Jerusalem. Tani ata janë dëshmitarët e tij para popullit.
32 Ne po ju shpallim ungjillin, lajmin e mirë, se atë që u kishte premtuar etërve tanë, 33 Perëndia e përmbushi për ne që jemi bijtë e tyre me ngjalljen e Jezuit. Edhe në psalmin e dytë shkruhet:
ti je Biri im,
të kam lindur sot.
34 Perëndia e ngjalli prej të vdekurve, që ai të mos kthehej më në kalbje dhe për këtë ka thënë:
Unë do t'ju jap juve premtimet e shenjta që i dhashë Davidit.
35 Prandaj në një psalm tjetër ka thënë:
nuk do të lejosh,
që i Shenjti yt të shohë kalbjen.
36 Davidi, në kohën e tij, i shërbeu shestimit të Perëndisë dhe vdiq e u varros pranë etërve të vet e u kalb. 37 Por ai të cilin Perëndia e ngjalli, nuk u kalb.
38 Prandaj, dijeni mirë, o vëllezër, se përmes këtij njeriu juve ju shpallet falja e të gjitha mëkateve, prej të cilave nuk mund të bëheshit të drejtë sipas ligjit të Moisiut. 39 Përmes Jezuit bëhen të drejtë të gjithë ata që besojnë. 40 Ruhuni, pra, që të mos ju ndodhë juve ajo që thanë profetët:
41 shikoni o përbuzës,
mrekullohuni e zhdukuni,
se unë do të bëj një vepër të tillë
në ditët tuaja,
vepër që nuk do ta besonit kurrë,
edhe po t'ua thoshte dikush».
42 Kur Pali e Barnaba po dilnin, populli iu lut që t'u flisnin përsëri për këto gjëra të shtunën tjetër. 43 Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë nga judenjtë dhe nga ata që ishin kthyer në besimin e judenjve shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët u folën e i porositën që të vazhdonin të qëndronin të fortë në hirin e Perëndisë.
44 Të shtunën tjetër u mblodh gati tërë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit. 45 Por kur judenjtë i panë turmat, u mbushën me smirë dhe duke thënë fjalë fyese, kundërshtonin ato që thoshte Pali.
46 Atëherë Pali e Barnaba folën me guxim: «Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t'ju shpallej juve më parë. Meqë ju po e hidhni poshtë atë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e amshuar, tani ne do t'u drejtohemi kombeve. 47 Në të vërtetë Zoti na ka urdhëruar kështu:
të kam caktuar të jesh
dritë për kombet,
që të çosh shpëtimin
deri në skajet e dheut».
48 Kur e dëgjuan këtë, kombet u gëzuan dhe përlëvduan fjalën e Zotit. Ata që ishin caktuar për jetën e amshuar, besuan në Jezuin.
49 Kështu fjala e Zotit përhapej në mbarë atë krahinë. 50 Por judenjtë nxitën gratë e shoqërisë së lartë, që ishin të përkushtuara ndaj Perëndisë, si dhe parinë e qytetit, dhe kurdisën një përndjekje kundër Palit e Barnabës e i dëbuan nga krahina e tyre.
51 Atëherë ata shkundën pluhurin nga këmbët si shenjë kundër tyre dhe shkuan në Ikon.
52 Dishepujt ishin të mbushur plot me gëzim e me Shpirtin e shenjtë.
Krie e trembëdhjetëtë
1 E ndë Qishë që ish nd’Antiohi qenë ca profitër edhe dhaskalër, Varnava, e Simeoni që thuhej Nigjer, e Lluqoi nga Qirini, e Manaiu, shoku i Irodhit Tetrarhut, edhe Savllua.
2 E tek shërbeijnë këta Zotnë, e agjëroijnë, thotë Shpirti Shënjt: Shquamëni mua Varnavënë edhe Savllonë ndë punë që i kam thirrë un’ ata.
3 Ahiere si agjëruanë e u falë e vunë duartë mbi ta, i lëshuanë.
4 E këta si dërgonejnë nga Shënjti Shpirt, zbritnë ndë Selefqi, e ateje bënë plëhurë për Qipro.
5 E si vanë ndë Salaminë, dhidhaksnë fjalën’ e Perndisë ndëpër sinagojera të çifutet. E kishnë edhe Ioannë shërbëtuar.
6 E si shkuanë nisinë ngjera ndë Pafo, gjenë atje një magjishtjar pseftoprofet çifut, që quhej Variisu.
7 Kij ish bashkë me Anthipatonë Sergjo Pavllonë, njeri të mënçurë. Kij si thirri Varnavënë edhe Savllonë, kërkoi të digjon fjalën’ e Perndisë.
8 Ma Elima magjishtjari (se kështu ksijisetë ëmër’ i tij) u rrij ature kondrë, e kërkon të mërgon Anthipatnë nga besa.
9 Ma Savllua (që quhetë edhe Pavllo) si u mbush prej Shpirt Shënjt e vështroi mirë mbë të,
10 I tha: O ti që je plot nga çdo gënjeshtrë e nga çdo të rreme, i biri i djallit, armiku i çdo së drejtësë, ti nukë mërcen tuke prishurë udhët’ e Zotit të drejtatë.
11 E ndashti adha ja, dor’ e Zotit mbi tij, e do të mbeteç i verbërë të mos shohç Diellinë ngjera mbë një kohë. E atë çast ra mbi të mjergullë e skotadh, e vin rrotullë e kërkon ta hiqnë prej doret.
12 Ahiere si pa Anthipatoi atë që gjau, besoi, e çuditej mbë dhidhahi të Zotit.
13 E Pavllua me ata që kish me vetëhe, si u ngrenë nga Pafua, erdhë ndë Pergë të Pamfilisë. E Ioanni, si u nda prej suresh, u kthe ndë Ierusalim.
14 E ata si shkuanë nga Perga, vanë nd’Andiohi të Pisidhisë, e si hinë ndë Sinagoj ditën’ e shëtunësë, qëndruanë atje.
15 E pas të dhiavasurit së Nomit edhe të profitëvet, dërguanë të parët’ e sinagojit mbë ta, e u thanë: O njerëz vëllazër, ndë kini juvet fjalë për të porsiturë ndë llao, thoi.
16 E si u ngre Pavllua e bëri nishan me dorë për të pushuarë, tha: O njerëz Israilit, e ju që kini frikën’ e Perndisë, digjoni.
17 Perndia e këtij llaoit së Israilit zgjodhi përinjtë tanë, e ngrijti llaonë kur qe i huaj ndë dhe t’Egjiptosë, e me dorë të lartë i nxori ata nga ajo.
18 E ndë dizet vjet kohë duroi marrëzit’ e ture nd’erimi.
19 E si prishi shtatë milete ndë dhe të Hanaanit, dhen’ e ature e ndau mbë ta me short.
20 E pastaje ngjera mbë katërqind e pesëdhjetë vjet u dha gjukatas ngjera te profiti Samuil.
21 E që ahiere e pastaj kërkuanë mbret, e u dha ature Perndia Saullë të bir’ e Qisit, njeri nga filia e Veniaminit, vitëre dizet.
22 E si e nxori atë, u ngrijti ature për mbret Dhavidhnë që për atë martirisi, e tha: Gjeçë Dhavidhnë të bir’ e Ieseut, njeri mbë zëmërë time. Ai do të bëjë gjith’ ato që dua unë.
23 E nga far’ e këtij nxori Perndia, sikundrë kish taksurë, ndë Israil Sotirë Iisunë.
24 Edhe Ioanni dhidhaksi përpara se të vin ai, pagëzim të metanisë mbë gjithë llao t’israilit.
25 E si e sosi Ioanni udhën’ e tij, thosh: Cili thoi ju se jam unë? Nukë jam unë ai, po ja që vjen pas meje ai, që un’ atij s’jam i zoti t’i zgjidh këpucët’ e këmbëvet.
26 O njerëz vëllazër, të bijt’ e filisë Avraamit, edhe cilido prej jush trëmbetë Perndisë, mbë ju është dërguarë fjala e kësaj sotirisë.
27 Sepse ata që rrinë nd’Ierusalim, edhe të parët’ e ture, sepse nuk’ e njohnë atë, as fjalët’ e profitet që dhiavasjënë të shëtunë për të shëtunë, me të dëmëtuarë të këtij i paguanë.
28 E sepse nukë gjenë ndonjë faj për vdekëjë, kërkuanë nga Pillatua të vritej ai.
29 E si bënë gjith’ ato që ishnë shkruarë për të, e zbritnë atë nga druri e e vunë ndë varr.
30 Ma Perndia e ngjalli atë nga të vdekuritë.
31 Ai u duk për shumë ditet mb’ata që hipnë bashkë me të nga Galilea nd’Ierusalim. Këta janë martirë t’atijtë ndë llao.
32 E navet u dëftojmë juvet të taksuritë që qe bërë ndë baballarë, se Perndia e sosi atë ndë nevet që jemi djelmt’ e ature, sepse ngjalli Iisunë.
33 Sikundrë është shkruarë edhe ndë psallmo të ditë: Biri im je ti, unë sot të polla tij.
34 E qishë ngjalli atë nga të vdekuritë e do të mos kthenetë më ndë të kalburë, kështu tha: Do të bëj të jenë të qëndruara për ju ato q’i taksa Dhavidhit.
35 Andaj edhe ndë tjatër vënd thotë: Do të mos lëç të shohë kalbësirë Shënjti it.
36 Sepse Dhavidhi, si pat punuarë ndë jetë të tij thelimën’ e Perndisë, fleti, e u vu ndë përind të tij, e pa të kalburë.
37 Ma atë që e ngjalli Perndia, kij nukë pa të kalburë.
38 Dijie gjithë juvet, o njerëz vëllazër, që me anë të këtij, dëftonetë ndë ju të ndëjierit’ e fajevet.
39 E nga gjith’ ato që nukë mundë të bëneshitë të drejtë ndë nom të Moisiut, mbë këtë bënetë, cilido që beson, i drejtë.
40 Vështroni dha se mos vijë mbë juvet ajo që është shkruarë ndë profitër.
41 Vështroni juvet që shani, e çuditi, e mos u dukni, se unë bëj një punë ndë dit tuaj, punë që do të mos e besoni juvet, nd’ ua rrëfeftë njeri juvet.
42 E kur dilë nga sinagoji i çifutet, u luteshinë miletetë që t’u thoshnë ature këto fjalë të shëtunë që vjen.
43 E si u lëshua mbëjedhëja, shumë nga Çifutë e nga Prosilitë që qenë të besësë, vanë pas Pavllosë edhe Varnavësë. E këta me fjalë të ture u mbushnë kokënë ature që të qëndroijnë pa luajturë ndë dhurëti të Perndisë.
44 E të shëtunën’ e pastajme, u mbëjodh afër gjithë quteti të digjoijnë fjalën’ e Perndisë.
45 E Çifutë, si panë turmëtë, u mbushnë zili, e thoshnë kondr’ ature që thosh Pavllua tuke vllasfimisurë.
46 Atëherë Pavllua edhe Varnava duallë e thanë me tharos, që e udhësë qe të flitej ndë ju përpara fjala e Perndisë; ma sepse e hidhni atë poshtë, e apofasisni vetëhenë tuaj që s’jini të zotë për jetë të pasosurë, ja, që kthenemi ndë milete.
47 Se kështu na porsiti navet Zoti: U të bëra ti dritë për fili të pabesa, të gjeç ti për sotiri të ture ngjera mb’anë të dheut.
48 Këto si digjuanë filit’ e tjera gëzonishnë, e lëvdoijnë fjalën’ e Zotit, e besuanë gjith’ ata që qenë apofasisurë për jetë të pasosurë.
49 E fjala e Zotit përhapej mbë gjith’ atë vënd.
50 Ma çifutë, ndershuanë gratë që trëmbishnë Perndisë, e të nderçuratë, e të parët’ e qutetit, e ngrijtinë ndjekëjë kondrë Pavllosë edhe Varnavësë, e i nxuarë ata nga sinoret’ e ture.
51 E ata si shkundnë pluhurin’ e këmbëvet së ture përpara ture, erdhë ndë Ikonio.
52 E mathitejtë pa qenë plot gëzim e plot prej Shënjtit Shpirt.