Tundimi i Jezuit
(Mt 4.1-11Mk 1.12-13)1 Jezui, plot me Shpirtin e shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë. 2 Atje u tundua nga djalli për dyzet ditë. Gjatë këtyre ditëve nuk hëngri asgjë dhe kur kaluan ato ditë, e mori uria. 3 Djalli i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë». 4 Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: njeriu nuk jeton vetëm me bukë ». 5 Pastaj djalli e ngjiti lart, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës në një çast 6 e i tha: «Unë do të ta jap gjithë pushtetin dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë mua dhe unë mund t'ia jap kujt të dua. 7 Gjithçka do të jetë e jotja nëse bie në gjunjë para meje». 8 Dhe Jezui i tha : «Është shkruar:
adhuro Zotin, Perëndinë tënd,
dhe shërbeji vetëm atij ».
9 Pastaj djalli e çoi në Jerusalem, e vuri në pikën më të lartë të tempullit e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu që këtu, 10 sepse është shkruar:
do t'i urdhërojë engjëjt e tij
të të ruajnë
11 dhe:
do të të mbajnë në duart e tyre,
që mos të të ndeshë këmba në gur ».
12 Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd ».
13 Pasi e tundoi Jezuin në të gjitha mënyrat, djalli u largua prej tij për njëfarë kohe.
Shërbesa në Galile
(Mt 4.12-17Mk 1.14-15)14 Jezui u kthye në Galile me fuqinë e Shpirtit dhe për të u hap fjala në mbarë rrethinat e atij vendi. 15 Ai i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e përlëvdonin.
Profeti dhe vendlindja
(Mt 13.53-58Mk 6.1-6)16 Jezui shkoi në Nazaret, atje ku ishte rritur. Ditën e shtunë, sipas zakonit, shkoi në sinagogë. U ngrit për të lexuar 17 dhe i dhanë librin e profetit Isai. Ai e hapi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:
18 «Shpirti i Zotit është mbi mua,
sepse ai më ka vajosur
për t'u shpallur ungjillin të varfërve .
Më ka dërguar
për t'u shpallur robërve lirinë
e për t'u kthyer të verbërve shikimin,
për të çliruar të shtypurit
19 e për të shpallur vitin e hirit të Zotit ».
20 E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai. 21 Jezui filloi t'u thoshte: «Sot u përmbush ky Shkrim që e dëgjuat me veshët tuaj».
22 Të gjithë flisnin mirë për të e mrekulloheshin nga fjalët plot hir që dilnin nga goja e tij e thoshin: «A nuk është ky i biri i Jozefit?». 23 Jezui u tha: «Ju do të më përmendni pa dyshim këtë thënie: mjek, shëro veten. Bëj edhe këtu në vendin tënd çfarë kemi dëgjuar se ke bërë në Kafarnaum». 24 Dhe vazhdoi: «Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendlindjen e tij. 25 Por, me të vërtetë po ju them: në kohën e Elisë kishte shumë vejusha në Izrael kur qielli ishte i mbyllur për tre vjet e gjashtë muaj, kur në mbarë tokën ra zia e bukës. 26 Megjithatë, Elia nuk qe dërguar tek asnjëra prej tyre, por vetëm në Sarepta, në tokën e Sidonit, te një grua e ve. 27 Në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael e, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u pastrua, por vetëm Namani nga Siria».
28 Të gjithë ata që ishin në sinagogë u mbushën me zemërim kur e dëgjuan këtë. 29 U ngritën, e nxorën jashtë qytetit dhe e çuan në majë të kodrës, ku ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin në humnerë. 30 Por Jezui kaloi përmes tyre dhe u largua.
I pushtuari nga një shpirt i ndyrë
(Mk 1.21-28)31 Jezui shkoi në Kafarnaum, në një qytet të Galilesë dhe po i mësonte njerëzit ditën e shtunë. 32 Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se fliste me pushtet. 33 Në sinagogë gjendej një njeri që ishte i pushtuar nga shpirti i një djalli të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë: 34 «Çfarë ke me ne, o Jezui i Nazaretit? Ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». 35 Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë e përplasi njeriun në mes të turmës dhe doli prej tij pa e dëmtuar. 36 Të gjithë u mrekulluan e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'është kjo fjalë? Ai i urdhëron shpirtrat e ndyrë me pushtet e me fuqi dhe ata dalin». 37 Dhe për të u hap fjala kudo në ato rrethina.
Shërimi i shumë vetave
(Mt 8.14-17Mk 1.29-34)38 Jezui u ngrit, doli nga sinagoga e shkoi në shtëpinë e Simonit. Vjehrra e Simonit ishte sëmurë me ethe të forta, prandaj iu lutën që ta shëronte. 39 Jezui u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lanë. Ajo u ngrit menjëherë e filloi t'u shërbente.
40 Në perëndim të diellit, të gjithë ata që kishin të sëmurë që vuanin nga sëmundje të ndryshme i sillnin te Jezui. Ai vendoste duart mbi secilin prej tyre dhe i shëronte. 41 Prej shumë vetave dilnin shpirtra të ndyrë që bërtisnin: «Ti je Biri i Perëndisë!». Por Jezui i qortonte e nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.
Predikimi nëpër Jude
(Mk 1.35-39)42 Kur agoi dita, Jezui doli nga qyteti e shkoi drejt një vendi të shkretë. Një turmë e madhe shkoi për ta kërkuar dhe kur e gjetën, nuk donin që ai të largohej prej tyre, 43 por Jezui u tha: «Më duhet ta shpall ungjillin e mbretërisë së Perëndisë edhe në qytetet e tjera, se për këtë gjë jam dërguar». 44 Dhe predikonte nëpër sinagogat e Judesë.
Krie e katërtë
1 E Iisui plot nga Shënjti Shpirt u kthie nga Iordhani, e shpirej prej Shpirtit nd’erimi.
2 E për dizet dit gucitej nga i paudhi; e s’hangri fare gjë mb’ato dit. E si u sosnë ato dit, pastaj i erdhi u.
3 E i thot’ atij i paudhi: Ndë je i biri i Perndisë, thuaj këtij gurit të bënetë bukë.
4 E ju përgjegj atij Iisui, e i tha: Është shkruarë, që nukë rron me bukë vetëmë njeriu, po me çdo fjalë të Perndisë.
5 E si e hipi atë i paudhi ndë një mal të lartë, i dëftoi atij sa të përpjekç sinë gjithë mbretërit’ e jetësë.
6 E i thot’ atij i paudhi: Ti do të ta ap gjithë këtë urdhër, edhe nderet’ e ture, se mua më është dhënë, e kujt të dua unë ja ap atë.
7 Ti adha ndë u unjëç përpara meje të më faleç, do të jenë gjithë të tuatë.
8 E ju përgjegj atij, e i thotë Iisui: Ikë nga meje satana, se është shkruarë: T’i faleç Zotit Perndisë sate, e atij vetëmë t’i bëç lëvdim, e llatri.
9 E e pru atë ndë Ierusalim, e e vuri mbi kulm të Ieroit, e i tha atij: Ndë je i biri i Perndisë gremis vetëhenë këteje përposh mbë dhe.
10 Se është shkruarë: Se do të porsitjë Ëngjëjt’ e tij për ti, që të ruajnë.
11 Edhe se do të të ngrënë ti mbë duar, që të mos përpjekç këmbënë tënde mbë gur.
12 E ju përgjegj, e i thot’ atij Iisui, se: është thënë pameta, të mos guciç Zotnë Perndinë tënde.
13 E si sosi i paudhi gjithë gucitë, iku prej si ngjera mbë tjetër kohë.
14 E u kthie Iisui me fuqi të Shpirtit ndë Galileë, e zëri dolli për të ndë gjith’ ato vënde rrotullë.
15 E ai dhidhaks ndë sinagoje të ture, e nderonej nga gjithë.
16 E erdhi ndë Nazaret tek pat qënë rriturë, e hiri sikundrë qe mpsuarë, ndë sinaguaj të shëtunë, e u ngre të dhiavas.
17 E ju dha atij mbë dorë një kartë e profitit Isaiut, e si e hapi kartënë, gjeti vëndnë tek qe shkruarë:
18 Shpirt’ i Zotit mbi mua, pra andaj më hrisi; të vangjelis të varfëritë më ka dërguarë, të shëroj ata që kanë zëmërënë copa-copa, të dëftej skllevet shpëtimn’ e ture, e të verbëret që t’u hapenë sitë, e të lefteros ata që janë ndë shtrëngim.
19 Për të dhidhaksurë vitn’ e dëshëruarë të Zotit, e ditën’ e shpëtimit.
20 E si mbilli kartënë, e ja dha kopilit, ndënji mbë dhe. E sit’ e gjithë sinagojit qenë kthierë, e vështroijnë mbë të.
21 E nisi t’u thoshte ature, se sot digjuatë të vërtetën’ e kësaj kartet me veshë tuaj.
22 E gjithë thoshnë se kështu është, e çuditejnë për fjalë t’ëmbla, që dilë nga goj’ e tij, e thoshnë: Nuk’ është kij i biri i Iosifit?
23 E u thot’ ature: Vërtet do të më thoi këtë paravoli: Jatro, shëro vetëhenë tënde. Gjith’ ato punëra që digjuam, që u bënë ndë Kapernaum, bëni edhe këtu ndë patridhë tënde.
24 E u tha: Me të vërteta u thom juvet, se ndonjë profit nuk’ ësht’ i pëlqierë ndë patridhë të tij.
25 E u thom juvet: Me të vërteta, shumë gra të va qenë mbë dit të Iliut ndë Israil, kur u mbill Qielli tri vjet edhe gjashtë muaj, sa u bë u e madhe mbë gjithë dhe.
26 E mbë ndonjë nga ato nuk’ u dërgua Iliu, përveçme ndë Sarepta, vënd të Sidhonësë, mbë gruan’ e ve.
27 Edhe shumë të leprosurë qenë ndë kohë të profitit Elisseut ndë Israil, e ndonjë nga ata nuk’ u qërua, përveçme Neemanit Sirosë.
28 E si digjuanë këto gjithë sa qenë ndë sinaguaj, u frinë gjithë me të zëmëruarë.
29 E u ngrenë e e krienë atë përjashta qutetit, e e prunë ndë buzë të malit, tek qe vënë binaja e qutetit së ture, që ta gremisnë atë.
30 E ai shkoi ndëpërmes të ture, e iku.
31 E zbriti ndë Kapernaum, qutet të Galileësë; e dhidhakste ata të shëtunatë.
32 E çuditejnë për dhidhahi të tij që u bën, sepse dhidhahi e tij ish me eksusi, e me urdhër.
33 E ishte ndë sinaguaj një njeri që kish Shpirt të dhemonit së pëgërë, e briti me zë të madh.
34 E thoshte: Lena, ç’kemi na të bëjëmë me ti, Iisu Nazarino? A erdhe të na priç nevet? Unë të di cili je tij, Shënjti i Perndisë.
35 E e qërtoi atë Iisui, e i tha: Pusho, e dil nga ai. E si e shtiu atë mbë dhe i paudhi, dolli nga ai pa bërë ndonjë të keq.
36 E tromaksnë të gjithë, e kuvëndoijnë njeri me jatërinë, e thoshnë: Ç’është këjo fjalë, që me urdhër, e me fuqi porsit Shpirtëret’ e pëgëra, e dalënë?
37 E zër’ i tij vej tuke përhapurë mbë çdo vënd, mbë çdo anë.
38 E si u ngre nga sinagoji, hiri ndë shtëpi të Simonit. E vjehëra e Simonit mbahej nga një ethe e keqe, e i lutejn’ atij për atë.
39 E si u qas mbi të, e porsiti ethenë, e e la atë atë çast, e ajo u ngre, e u shërben ature.
40 E si perëndoi Dielli, gjithë sa kishnë të sëmurë, me çdofarë sëmundëra, i bijn’ ata tek ai, e ai si vij duartë mbi çdonjë nga ata, i shëron ata.
41 Edhe dhemonëtë dilë nga shumë, e thërrisnë, e thoshnë, se ti je Krishti i biri i Perndisë, e i qërton, e nuk’ i lijte ata të thoshnë, sikundr’ e dijnë, që ai është Krishti.
42 E si u kdhi, dolli e vate ndë vënd erimi, e turmët’ e kërkoijn’ atë, e erdhë ngjera tek qe ai, e e mbaijn’ atë, që të mos ikën nga ata.
43 E ai u tha ature, që: Duhetë të vangjelis mbretërin’ e Perndisë, edhe ndë të tjeratë qutete, se për këtë jam dërguarë.
44 E dhidhakste ndë sinagoje të Galileësë.