Të dymbëdhjetët
(Mk 3.13-19Lk 6.12-16)
1 Pasi thirri pranë vetes dymbëdhjetë dishepujt, Jezui u dha atyre pushtet për të dëbuar shpirtrat e ndyrë e për të shëruar çdo sëmundje e lëngatë. 2 Këta janë emrat e dymbëdhjetë apostujve: i pari Simoni, që quhet Pjetër, dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut e Gjoni, vëllai i tij; 3 Filipi e Bartolomeu; Thomai e Mate Tagrambledhësi; Jakobi, biri i Alfeut, dhe Tadeu ; 4 Simon Kananiti e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.
Porositë për të dymbëdhjetët
(Mk 6.7-13Lk 9.1-6)
5 Jezui i dërgoi këta dymbëdhjetë dishepuj e i porositi kështu: «Mos shkoni udhës së kombeve e mos hyni në asnjë qytet samaritanësh, 6 por shkoni te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 7 Ndërsa shkoni, predikoni e thoni: “Mbretëria e qiejve është afër”. 8 Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të lebrosurit, dëboni djajtë. Falas morët, falas jepni. 9 Mos merrni me vete as ar, as argjend, as bakër, 10 as torbë për udhëtim, as dy tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë të ushqehet. 11 Në çfarëdo qyteti a fshati që të hyni, kërkoni atë që është i gatshëm t'ju presë në shtëpinë e tij dhe rrini atje derisa të niseni. 12 Kur të hyni në një shtëpi, përshëndetini. 13 Nëse ajo shtëpi është e denjë, le të vijë mbi të paqja juaj, por nëse nuk ju pret mirë, le të kthehet paqja juaj te ju. 14 Dhe nëse ndokush nuk do t'ju pranojë apo nuk do të dëgjojë fjalët tuaja, kur të dilni nga ajo shtëpi, apo nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët. 15 Me të vërtetë po ju them se në ditën e gjykimit më lehtë do ta ketë Sodoma e Gomorra, sesa ai qytet».
Parashikimi i përndjekjeve
(Mk 13.9-13Lk 21.12-17)
16 «Ja, po ju dërgoj si delet mes ujqve, prandaj jini të zgjuar si gjarpërinjtë e të pastër si pëllumbat. 17 Ruhuni nga njerëzit, se do t'ju dorëzojnë nëpër sinedra e do t'ju fshikullojnë në sinagogat e tyre. 18 Do t'ju tërheqin zvarrë para qeveritarëve e mbretërve për shkakun tim, që të jepni dëshmi para tyre e para kombeve. 19 Kur t'ju dorëzojnë, mos u shqetësoni sesi do të flisni apo se çfarë do të thoni, sepse ajo që do të thoni do t'ju jepet në atë çast. 20 Nuk jeni ju ata që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj që do të flasë përmes jush. 21 Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje, dhe ati të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve e do t'i çojnë drejt vdekjes. 22 Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund do të shpëtohet. 23 Kur t'ju përndjekin në një qytet, shkoni në një tjetër. Me të vërtetë po ju them se nuk do t'i keni përshkuar të gjitha qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut.
24 Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi dhe shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. 25 Dishepullit i mjafton të jetë si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të jetë si i zoti. Nëse e quajtën Beelzebul të zotin e shtëpisë, aq më shumë do t'i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij».
Kujt t'i trembemi
(Lk 12.2-7)
26 «Prandaj mos kini frikë prej tyre, sepse nuk ka asgjë të mbuluar që s'do të zbulohet, apo të fshehtë që s'do të merret vesh. 27 Çfarë po ju them në errësirë, thuajeni në dritë dhe çfarë ju pëshpëritet në vesh, shpalleni nga çatitë. 28 Mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin. Kini frikë atë që mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë. 29 A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? Megjithatë asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa vullnetin e Atit tuaj. 30 Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. 31 Prandaj, mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela».
Të dëshmosh për Krishtin
(Lk 12.8-9)
32 «Kështu, kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe unë do ta rrëfej para Atit tim që është në qiej, 33 por kushdo që më mohon para njerëzve, edhe unë do ta mohoj para Atit tim që është në qiej».
Jo paqen, por shpatën
(Lk 12.51-53Lk 14.26-27)
34 «Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë. Nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. 35 Kam ardhur të ndaj
birin nga i ati,
bijën nga e ëma;
nusen nga e vjehrra;
36 dhe armiqtë e njeriut
do të jenë ata të shtëpisë së tij.
37 Kush e do të atin apo të ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua dhe ai që e do të birin ose të bijën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. 38 Kush nuk e merr kryqin e vet për të më ndjekur, nuk është i denjë për mua. 39 Kush e gjen jetën e vet, do ta humbasë atë dhe ai që e humb jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë atë».
Shpërblimi
(Mk 9.41)
40 «Kush ju pranon ju, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. 41 Kush pranon një profet se është profet, do të marrë shpërblimin e profetit dhe kush pranon një njeri të drejtë se është i drejtë, do të marrë shpërblimin e njeriut të drejtë. 42 Kushdo që i jep njërit prej këtyre të vegjëlve qoftë edhe një gotë ujë të ftohtë, sepse është dishepull, me të vërtetë po ju them se ai nuk do ta humbasë shpërblimin e tij».
Krie e dhjetëtë
1 E si thirri të dimbëdhjetë Mathitit’ e tij, u dha eksusi kondrë të paudhëvet, që t’i zbojënë ata, e të shërojënë çdo sëmundë e çdo të ligë.
2 Edhe ëmëret’ e së dimbëdhjet’ Apostollëvet janë këto: I pari Simoni, që quhetë Petro. Edhe Andhrea vëllai tij. Iakovoi i Zevedheosë, edhe Ioanni vëllai tij.
3 Filippoi, edhe Varthollomeua, Thomai, edhe Mattheua Telloni (kumerqari), Iakovoi i Allfeosë, edhe Leveua, që quhej Thadheo.
4 Simoni Kananiti, edhe Iudha Iskarioti, ai që paradhosi atë.
5 Këta të dimbëdhjetë i dërgoi Iisui, si i porsiti ata, e u tha: Ndë udhë të Ethnikovet mos viji, edhe ndë qutet të Samaritëvet mos hini.
6 Po të veni më shumë ndë dhënt të humbura të shtëpis’ e Israilit.
7 Edhe si të veni, të qiriksni e të thoni, se afër është mbretëria e Qiellvet.
8 Të shëroni të sëmurëtë, të qëroni të leprosuritë, të ngjallni të vdekuritë, të kreni të paudhëtë; dhurëti muartë, dhurëti ipni.
9 Mos pohtisni as ar, as ërgjënd, as bakër ndë breza tuaj.
10 As torvë të hiqni mb’udhë, as di palë rroba, as këpucë, as stap ndë dorë, sepse punëtori ësht’ i zoti për të ngrënët’ e tij.
11 Edhe ndë çdo qutet a fshat që të veni të pietni, cili nd’atë ësht’ i mirë, e nde ai të rriji, ngjera sa të ikëni.
12 Edhe kur të hini ndë shtëpi, ta uroni e ta bekoni.
13 E ndë qoftë ajo shtëpi e mirë e aksio, le të mbetetë urata juaj mb’atë; e ndë mos qoftë aksio, le të kthenetë urata juaj mbë ju.
14 Edhe cilido që të mos presë mirë juvet, edhe të mos digjojë fjalëtë tuaj, kur të ikëni nga ajo shtëpi, a nga ai qutet, të shkundni edhe pluhurinë nga këmbëtë tuaj.
15 Me të vërteta u thom juvet, se më i pakë do të jetë mundimi ndë ditë të gjukimit ndë vënd të Sodhomësë e të Gomorësë, se mb’atë qutet.
16 Ja, unë u dërgoj juvet posi dhëntë ndë mes të ulqëret; bëhuni dha të mënçurë posi Gjërpijtë, edhe të butë posi pëllumbatë.
17 Edhe të ruheni nga njerëzitë, se ata do t’u paradhosinë ndë Gjuqëra; e do t’u rrahënë juvet ndë Sinagoje të ture.
18 Edhe do t’u shpienë përpsara mbretëret, edhe përpara zotërinjet, sepse doi mua, për martiri nd’ata, edhe ndë milete të tjera.
19 E kur t’u paradhosjënë juvet, mos u mëndoni qish, edhe ç’do t’u përgjegjeni, sepse atëherë do t’u ipetë juvet ajo që duhetë të përgjegjeni.
20 Se nukë jeni juvet ata që flasënë, po është shpirti i Jatit su(a)j që flet me ju.
21 Edhe do të paradhosjë vëllai vëllanë për vdekëjë, e jati të birë, e do të ngrihenë bijtë kondrë përinjet, e do t’i vrasënë.
22 E do të jeni të mçuarë nga të gjithë për ëmër tim, po ai që të durojë ngjer të pastajmenë, ai do të sosetë.
23 Edhe kur t’u ndjekënë juvet ndë këtë qutet, hajdeni ndë tjetërinë, se me të vërteta u thom juvet: Nukë do të sosni qutetet’ e Israilit, ngjera sa të vijë i biri i njeriut.
24 Nuk’ është mathiti (kallfë) më i madh se dhaskali (ustai) tij, as kopil më i madh se zoti tij.
25 Me aft i është mathitiut të bënetë si dhaskali tij, edhe kopilit si zoti tij. Ndë është që zotn’ e shtëpisë e thanë Veellzevull, sa tepër do të thonë njerëzit’ e shtëpisë tij?
26 E juvet mos u trëmbni nga ata, se nuk’ është ndonjë e mbuluarë, që të mos zbulonetë, e ndonjë e fshehurë që të mos njihetë.
27 Ato që u thom juvet ndë erësi, t’i thoi ndë dritë, e ato që ndieni ndë vesh fshehura, t’i thoi e t’i qiriksni ndë shtëpira.
28 E mos u trëmbni nga ata që vrasënë kurminë, e nukë mundjënë të vrasënë shpirtinë, po të trëmbeni më tepër atë që mund të vërë ndë pisë edhe shpirtinë edhe kurminë.
29 Nukë shitenë di zogj për një asprë? E ndonjë nga ata nukë do të bjerë mbë dhe, pa urdhëri të jatit su(a)j.
30 E juvet edhe qimet e kokësë suaj gjithë janë nëmëruarë.
31 Mos u trëmbni dha, se nga shumë zogj bëni fark juvet.
32 E çdo njeri që do të mollojisjë mua përpara njerëzet, do ta mollois edhe unë atë përpara Jatit sim që është ndë Qiell.
33 E cilido që të arnisetë mua përpara njerëzet, do ta arnisem edhe un’ atë përpara Jatit sim që është ndë Qiell.
34 Mos pandehni se arçë të vë paq mbi dhe. Nuk’ arçë të vë paqe, po të vë thikë.
35 Se arçë të ndaj njerinë kondrë të jatit tij, e bijënë kondrë t’ëmësë saj, e nusenë kondrë vjehërës’ e saj.
36 E të bënenë hazmër të njeriut, ata që janë ndë shtëpi të tij.
37 Ai që do jatnë a mëmënë më tepër se mua, nuk’ ësht’ i zoti për mua. E ai që do të birë a bijënë më tepër se mua, nuk’ ësht’ i zoti për mua.
38 Edhe ai që nukë mer Kruqn’ e tij e të më vijë pas, nuk’ ësht’ i zoti për mua.
39 Edhe ai që të ruajë jetën’ e tij, do ta humbasë, e ai që të humbasë jetën’ e tij për mua, do ta gjejë.
40 Ai që do të presë juvet, ai pret mua. E ai që pret mua, ai pret atë që më dërgoi mua.
41 Ai që pret Profit nd’ëmër profitit, pagën’ e profitit do të marrë; edhe ai që të presë të drejtinë nd’ëmër të së drejtit, pagën’ e së drejtit do të marrë.
42 Edhe ai që të potisjë një nga këta të vogjëlitë një potir ujë të ftohëtë vetëmë, mbë ëmër të mathitiut, vërtet u thom juvet, se nukë do të humbasë pagën’ e tij.