Për kishën e Efesit
1 «Engjëllit të kishës në Efes shkruaji: kështu thotë ai që mban shtatë yjet në dorën e tij të djathtë, ai që ecën mes shtatë shandanëve të artë: 2 i njoh veprat e tua, mundimin dhe durimin tënd. Di edhe se nuk i duron të këqijtë dhe i vure në provë ata që e quajnë veten apostuj, por që në të vërtetë nuk janë dhe që të dolën gënjeshtarë. 3 Ke bërë durim, ke vuajtur për emrin tim e nuk je lodhur.
4 Por, kam diçka kundër teje. Dashurinë tënde të parë e harrove. 5 Kujtohu, pra, sa poshtë ke rënë, pendohu dhe bëj veprat e para. Nëse nuk pendohesh, do të vij dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi. 6 Por ti ke këtë të mirë, se i urren veprat e nikolaitëve që edhe unë i urrej.
7 Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: atij që fiton, do t'i jap të hajë nga pema e jetës që është në parajsën e Perëndisë».
Për kishën e Smirnës
8 «Engjëllit të kishës në Smirnë shkruaji: kështu thotë i pari dhe i fundit, që vdiq, por u kthye në jetë: 9 e njoh pikëllimin dhe varfërinë tënde, por je i pasur. I di edhe fyerjet që thonë kundër teje ata që hiqen se janë judenj e që në të vërtetë nuk janë, por janë sinagogë e Satanit.
10 Mos ki frikë nga ato që do të vuash! Ja, djalli do të hedhë në burg disa prej jush, që të viheni në provë dhe për dhjetë ditë do të keni pikëllim. Qëndro besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës.
11 Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: ai që fiton nuk do të preket nga vdekja e dytë».
Për kishën e Pergamit
12 «Engjëllit të kishës në Pergam shkruaji: kështu thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe: 13 e di ku banon, atje ku është froni i Satanit. E ke ruajtur emrin tim dhe nuk e ke mohuar besimin në mua edhe gjatë ditëve të Antipës, dëshmitarit tim besnik, që u vra mes jush atje ku banon Satani.
14 Por kam disa gjëra kundër teje. Ke aty disa që ndjekin mësimin e Balaamit, që e mësonte Balakun t'u bëhej pengesë bijve të Izraelit, t'i bënte të hanin flijime idhujsh e të jepeshin pas kurvërisë. 15 Ke edhe nga ata që ndjekin mësimin e nikolaitëve . 16 Pendohu, pra! Përndryshe do të vij së shpejti e do t'i luftoj me shpatën e gojës sime.
17 Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: atij që fiton do t'i jap nga mana e fshehur. Do t'i jap edhe një gur të bardhë, ku do të jetë shkruar një emër i ri që askush nuk e di, përveç atij që e merr».
Për kishën e Tiatirës
18 «Engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: kështu thotë Biri i Perëndisë, ai që i ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e të cilit ngjajnë me bronz të kulluar: 19 i njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe durimin tënd. Di edhe që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat. 20 Por kam diçka kundër teje. Ti lejon Izebelën, një grua që e quan veten profeteshë, të mësojë e të mashtrojë shërbëtorët e mi, duke i shtyrë të jepen pas kurvërisë e të hanë flijime idhujsh. 21 I dhashë kohë të pendohet, por ajo nuk dëshiron të heqë dorë nga kurvëria e saj.
22 Ja, unë do ta bëj të zërë shtratin dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore me të do të kenë vuajtje të mëdha nëse nuk pendohen për ato që bëjnë. 23 Bijtë e saj do t'i ndëshkoj me vdekje dhe le ta marrin vesh të gjitha kishat se unë jam ai që shqyrton mendimet dhe dëshirat . Secilit prej jush do t'i jap sipas veprave të veta.
24 Ju të tjerëve në Tiatirë, që nuk i ndiqni mësimet e saj e nuk i njihni ato që i quajnë “thellësitë e Satanit”, nuk do t'ju vë barrë tjetër, 25 por mbani fort ato që keni, derisa të kthehem unë.
26 Atij që fiton dhe bën deri në fund veprat e mia,
do t'i jap pushtet mbi kombet,
27 të cilat ai do t'i udhëheqë me skeptër të hekurt
e do t'i thyejë si enë balte,
28 ashtu siç e mora edhe unë pushtetin nga Ati im. Atij do t'i jap edhe yllin e mëngjesit.
29 Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».
Krie e ditë
1 Mbë Ëngjëll të qishësë Efesosë shkruaj: Kështu thotë ai që mban mbë dorë të djathëtë të tij të shtatë ulltë, e ecën ndë mes të shtatë lihnivet t’arta.
2 I di punët’ e tua, e mundimnë tënd, edhe durimnë tënd, e që nukë mund të duroç të këqinjtë; e që ke vënë mbë dhoqimí ata që thonë se janë Apostoj, e nukë janë; e i ke gjeturë ata gënjeshtjarë.
3 E durove, e ipomoní ke, e u mundove për ëmër tim, e nuk’ u lodhe.
4 Ma kam kondrë teje, sepse ke lënë dashurinë tënde të parënë.
5 Kujtou adha ngaha re, e bën metani, e puno si përpara; e ndë mos, vij tek tij shpejt, e do të loz nga vënd’ i saj lihninë tënde, ndë mos metanoiç.
6 Po këtë ke të mirë që nukë do punët’ e Nikollaitet, ato që edhe ai unë nukë dua.
7 Kush ka veshë le të digjojë atë që thotë Shpirti mbë qishëra; atij që mund do t’i ap të hajë nga druri i jetësë, që është ndë mes të Paradhisit së Perndisë.
8 E mbë Ëngjëllin’ e qishësë i Smirnit shkruaj: Kështu thotë ai që është i parë edhe i pastajmë, e që u bë i vdekurë, e rron.
9 I di punët’ e tua, edhe shtrëngimnë, edhe varfërinë, (ma je i pasurë) edhe vllasfimin’ e ature që thonë vetëhenë se janë Iudhej, e nukë janë, po janë mbëjedhëjë e Satanait.
10 Mos u friko për ato që ke për të pësuarë; ja, që djalli ka për të vënë dica prej jush ndë hapsanë, që të dhoqimasi; e do të kini shtrëngim për dhjetë dit; qëndro i besësë ngjera mbë vdekëjë, e do t’ap ti kurorën’ e jetësë.
11 Ai që ka vesh, le të digjojë ç’thotë Shpirti ndë qishëra; ai që mund thotë, do të mos dëmëtonetë nga vdekëja e ditë.
12 E mbë Ëngjëllinë që është ndë qishë të Pergamosë, shkruaj: Kështu thotë ai që ka kordhën’ e prëhurë me di presa.
13 I di punët’ e tu, e mbë ç’vënd rri ti, tek ka fronë Satanai; e mban ëmërinë tim, e nuk’ arnise besënë time, as mb’ato dit kur Antipa, martiri im i besësë, që u vra ndë mes tuaj te rri satanai.
14 Po kam kondrë tij dica pak punëra, sepse ke atje ata që mbajnë dhidhaskalin’ e Vallaamit, atij që dhidhaks Vallaknë të vij skandallo përpara bijet së Israilit, që të hajnë nga ato që therjënë nd’Idhole, edhe të kurvërojnë.
15 Kështu ke edhe ti ata që mbajnë dhidhahin’ e Nikollaitet, që nukë dua.
16 Metanois; e ndë mos, do të vij shpejt tek ti; e do të lëftoj me ata me kordhë të gojësë sime.
17 Ai që ka vesh, le të digjojë ç’thotë Shpirti ndë qishëra; atij që të mundjë do t’i ap të hajë nga Mana e fshehurë, e do t’i ap atij një halik të bardhë, e mbi halik ëmër të ri shkruarë, që s’e njeh njeri, veçe atij që e merr.
18 E mbë Ëngjëllin’ e qishësë Thiatirësë shkruaj: Kështu thotë i biri i Perndisë, që ka sit’ e tij posi flakë të zjarit, e këmbët’ e tij gjajënë posi me orihallko.
19 I di punët’ e tu, edhe durimnë tënd, edhe punët’ e tua të pastajmetë më të shuma të së paravet.
20 Po kam kondrë teje pak punëra, sepse lë gruanë Iezavelnë, që bën vetëhen’ e saj profiteshë, të dhidhaksjë e të gënjejë ropt’ e mi, të bienë ndë kurvëri e të hanë nga ato që therënë nd’Idhollë.
21 E i dhaçë asaj kohë të metanois nga kurvëria e saj, e nukë metanoisi.
22 E ja unë do ta shtrij atë ndë një shtrat, edhe ata që kurvërojënë me të bashkë, do të jenë ndë shtrëngim të madh, ndë mos metanoiçinë nga punët’ e ture.
23 Djelmt’ e saj do t’i vras me vdekëjë, e do të njohënë gjithë qishëtë, se unë jam ai që kërkoj veshëjatë edhe zëmëratë; e do t’i ap cilitdo nga jush sikundrë punon.
24 Edhe juvet thom, edhe gjithë të tjerëvet që janë ndë Thiatirë, sa nukë kanë këtë dhidhahi, e ata që nukë njohnë të thellat’ e satanait, sikundrë thonë, nukë vë mbi juvet tjetër barrë.
25 Po mbai atë që kini, ngjera sa të vij unë.
26 E ai që do të jetë mundës, e do të ruajë ngjera më të pastajmenë punët’ e mia, do t’i ap urdhër atij mbi filira.
27 E do t’i qiverrisjë ata me shkop të hekurtë, e do të thërmonenë posi enët e balta, sikundrë mora edhe unë nga babai im.
28 E do t’i ap atij ulln’ e mëngjesit.
29 Ai që ka vesh, le të digjojë ç’thotë Shpirti ndë qishëra.