1 Sauli e miratoi vrasjen e Stefanit.
Sauli përndjek kishën
Atë ditë filloi një përndjekje e madhe ndaj kishës në Jerusalem. Përveç apostujve, të gjithë u shpërndanë nëpër fshatrat e Judesë e të Samarisë. 2 Disa njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë e varrosën Stefanin dhe e vajtuan shumë.
3 Ndërsa Sauli po e shkatërronte kishën duke hyrë shtëpi më shtëpi. Ai merrte zvarrë burra e gra dhe i fuste në burg.
4 Mirëpo ata që ishin shpërndarë shkonin nga një vend në tjetrin, duke shpallur ungjillin. 5 Filipi zbriti në qytetin e Samarisë e u predikoi atyre Krishtin. 6 Turmat i dëgjonin me vëmendje fjalët e Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat që bënte. 7 Shpirtrat e ndyrë dilnin me britma të mëdha prej shumë njerëzve që ishin të pushtuar prej tyre dhe shumë të paralizuar e të çalë u shëruan. 8 Kështu, në atë qytet u gëzuan shumë.
9 Në atë qytet jetonte prej kohësh një njeri me emrin Simon, i cili bënte magji e i mahniste njerëzit e Samarisë dhe thoshte se ishte njeri i madh. 10 Të gjithë e dëgjonin me vëmendje, nga më të vegjlit te më të mëdhenjtë, e thoshin: «Ky njeri është fuqia e madhe e Perëndisë». 11 Dhe e dëgjonin me vëmendje, sepse i kishte mahnitur për një kohë të gjatë me magjitë e tij. 12 Por kur i besuan Filipit, që po shpallte ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, atëherë u pagëzuan burra e gra. 13 Edhe vetë Simoni besoi. Pasi u pagëzua, qëndroi me Filipin e mahnitej kur shikonte shenjat dhe veprat e fuqishme që ndodhnin.
14 Kur apostujt në Jerusalem dëgjuan se Samaria e kishte pranuar fjalën e Perëndisë, dërguan atje Pjetrin e Gjonin. 15 Këta shkuan dhe u lutën që ata të merrnin Shpirtin e shenjtë, 16 sepse asnjëri prej tyre nuk e kishte marrë ende Shpirtin e shenjtë, por vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jezu. 17 Atëherë Pjetri e Gjoni vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin e shenjtë. 18 Kur Simoni pa se Shpirti u dhurua përmes vënies së duarve të apostujve, u ofroi atyre para 19 e u tha: «Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që kur të vë duart mbi dikë, të marrë Shpirtin e shenjtë». 20 Por Pjetri i tha: «U shkatërrofshin paratë e tua e ti bashkë me to, sepse mendove se mund të blesh me para dhuratën e Perëndisë! 21 Ti nuk ke as pjesë e as short në këtë gjë, se nuk e ke zemrën të drejtë para Perëndisë. 22 Pendohu për këtë mbrapshti tënden e lutju Zotit, se ndoshta ta fal atë që kishe në zemër. 23 Në të vërtetë po shoh se je i mbushur me vrer dhe je peng i mëkatit». 24 Atëherë Simoni u përgjigj: «Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga këto që thatë».
25 Pasi dëshmuan dhe predikuan fjalën e Zotit, Pjetri e Gjoni u kthyen në Jerusalem, duke u predikuar ungjillin shumë vendeve të Samarisë.
Filipi dhe etiopasi
26 Një engjëll i Zotit i foli Filipit e i tha: «Ngrihu e shko drejt jugut, në rrugën që zbret nga Jerusalemi në Gazë». Ajo është një rrugë e shkretë. 27 Filipi u ngrit e shkoi. Ai pa një eunuk etiopas, zyrtar i lartë i Kandakës, mbretëreshës së etiopasve, kujdestar i tërë thesarit të saj. Ky kishte qenë në Jerusalem për të adhuruar 28 e tani po kthehej, ulur në karrocën e vet, duke lexuar profetin Isai.
29 Atëherë Shpirti i tha Filipit: «Shko e hip në atë karrocë!». 30 Filipi shkoi me vrap, e dëgjoi eunukun duke lexuar profetin Isai e i tha: «A e kupton atë që po lexon?». 31 Ai i tha: «E si mund ta kuptoj po nuk më udhëzoi dikush?». Pastaj e ftoi Filipin të hipte në karrocë e të ulej pranë tij.
32 Pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo:
e çuan si dele për t'u therur,
si qengjin që shkon për t'u qethur
pa bëzajtur
e ai nuk e hapi gojën.
33 E poshtëruan e ia mohuan drejtësinë.
E kush mund të flasë për pasardhësit e tij?
Sepse jetës së tij i dhanë fund mbi tokë.
34 Eunuku e pyeti Filipin: «Të lutem, për kë e thotë këtë gjë profeti? Për veten e tij apo për ndonjë tjetër?». 35 Atëherë Filipi filloi të fliste e duke u nisur nga ky Shkrim i shpalli Jezuin.
36-37 Ndërsa ishin udhës, arritën në një vend ku kishte ujë dhe eunuku tha: «Ja, këtu ka ujë. Çfarë më pengon të pagëzohem?». 38 Ai urdhëroi të ndalej karroca. Filipi dhe eunuku shkuan tek uji dhe Filipi e pagëzoi.
39 Kur dolën nga uji, Shpirti i Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më. Pastaj shkoi plot gëzim udhës së vet.
40 Filipi u gjend në Azot dhe, gjatë udhës, u predikonte ungjillin të gjitha qyteteve, derisa arriti në Cezare.
Krie e tetëtë
1 E Savllosë i pëlqen vreil’ e tij. E u bë atë ditë një ndjekëjë e madhe kondrë Qishësë që qe ndë Ierusalim. E u përhapnë gjithë ndëpër fshatëra të Iudheësë e të Samariësë, përveçme Apostojet.
2 Ma njerëz me frikë të Perndisë bënë ksodhn’ e Stefanit, e bënë shumë të qarë mbë të.
3 E Savllua prishte Qishënë tuke hirë shtëpi mbë shtëpi e tuke zbranisurë burra e gra, e i vij ndë hapsanë.
4 Ata ndonëse qenë përhapurë, vijnë nga një vënd mbë tjatër, tuke dhidhaksurë fjalënë.
5 E Filippoi si vate ndë qutet të Samarisë, u dhidhaks ature Krishtinë.
6 E turma gjithë mbaijnë vesh me një zëmërë mb’ato që thuheshnë nga Filippoi, tek digjoijnë ata e tek shihnë thavmëtë që bën.
7 Sepse nga shumë që kishnë Shpirtëra të pëgëra dilë ata tuke thirrturë me zë të madh. E shumë të mbajturë e të çalë u shëruanë.
8 E u bë gaz i madh nd’ata të qutetit.
9 Ma një njeri që quhej Simon, gjëndej mb’atë qutet që bën magjira, e gënjen filin’ e Samariësë, tuke thënë vetëhen’ e tij se është një i madh.
10 Mb’atë digjoijnë gjithë i madh e i vogëlë, e thoshnë: Kij është ajo fuqi e madhe e Perndisë.
11 E i digjoijnë atij, sepse shumë kohë i kish nxjerë ata nga mëntë me magjira të tij.
12 Ma kur besuanë te Filippoi, që vangjelis për mbretëri të Perndisë edhe për ëmër të Iisu Hristoit, pagëzonishnë burra e gra.
13 Edhe ai Simoni besoi, e si u pagëzua, u bashkua me Filipponë. E si shih nishanet’ e thavmëtë të mëdha që bënejnë, çuditej.
14 E si digjuanë apostojtë që qenë ndë Ierusalim, që dheksi fjalën’ e Perndisë Samaria, dërguanë mb’ata Petronë edhe Ioannë.
15 E poqë vanë, u lutnë për këta që të mirrë Shpirt Shënjt.
16 (Sepse nuk’ ish edhe zbriturë mbë ndonjë nga ata, po vetëmë qenë pagëzuarë nd’ëmër të Zotit Iisuit).
17 Atëherë vijnë duartë mbi ta, e mirrë Shënjt Shpirt.
18 E si pa Simoni që me të vënë të duarvet s’apostojet ipetë Shënjt Shpirt, u pru ature asprë.
19 E u tha: Ëmëni edhe mua këtë eksusi, që mbë këdo të vë duartë sipër, të marrë Shënjt Shpirt.
20 Edhe Petrua i thot’ atij: Ergjëndi it le të humbasë me tij bashkë, sepse mëndove që dhurëtia e Perndisë blihetë me asprë.
21 Ti s’ke pjesë as shoqëri ndë këtë punë, sepse zëmëra ote nuk’ ësht’ e drejtë përpara Perndisë.
22 Bën adha metani nga këjo e keqia jote, e lutju Perndisë ndë ndodhtë që të të ndëjenetë marrëzia e zëmërësë sate.
23 Sepse unë të shoh ti që je plot me vërer të pikëtë, e ndë të lidhurë t’adhiqisë.
24 E u përgjegj Simoni, e u tha: Lutuni juvet Zotit për mua që të mos vijë mbi mua ndonjë nga këto që thatë.
25 E ata si dhanë martiri e dhidhaksnë fjalën’e Zotit, u kthenë ndë Ierusalim, e ndë shumë fshatëra të Samaritet rrëfienë Ungjillë.
26 E Ëngjëll’ i Zotit i foli Filippoit, e i tha: Ngreu mbë këmbë, e hajde prej Mesimvrisë, mb’udhë që zbret nga Ierusalimi ndë Gazë. Këjo është shkretëtirë.
27 E u ngrë e vate. E ja një njeri nga Ethiopia, hadëm, që qe shumë i vëjierë mbanë Kandhakësë, mbretëreshës’ Ethiopëvet, ai kish mbë dorë gjithë gjën’ e asaj; e kish ardhurë për të falë ndë Ierusalim.
28 E kthenej ndënjurë mbë koçi, e dhiavas profitnë Isaianë.
29 E i thotë Filippoit Shpirti: Shko përpara e afërou kësaj koçiet.
30 E si u lëshua Filippoi me vrap, e digjoi atë që dhiavas profitnë Isaianë, e i tha: Vallë, kupëton ato që dhiavas?
31 Edhe ai i tha: Qish mund, ndë mos më dëftoftë mua ndonjë? E ju lut Filipoit të hipën e të rrij bashkë me të.
32 E cop’ e kartësë që dhiavas qe këjo: Posi dashi u pru për të therturë, e posi qengj që rri pa zë përpara atij që e qeth atë, ashtu nukë hapi gojën’ e tij.
33 Ndë të tapinosurë të tij ju ngre gjuqi i tij. E të lerët’ e tij cili mund ta ksijisjë? Sepse është ngrijturë nga dheu jet’ e tij.
34 Ju përgjegj i dredhuri Filippoit, e i thotë: Të lutem, për cilinë e thotë profiti këtë? Për vetëhe të tij, a për ndonjë tjatër?
35 E Filippoi hapi gojën’ e tij, e nisi nga këjo kartë, e i evangjelisi atij Iisunë.
36 E tek vijnë udhësë, erdhë mbë ca ujë. E thotë i dredhuri: Ja ujë. Ç’më mbodhis mua të pagëzonem?
37 Edhe Filippoi i thotë: Ndë beson me gjithë zëmërë, mund. Edhe ai u përgjegj, e tha: Besoj se Iisui Hristoi është i biri i Perndisë.
38 E porsiti që të qëndron koçia. E zbritnë që të di nd’ujë, edhe Filippoi edhe i dredhuri. E e pagëzoi atë.
39 E poqë duallë nga ujëtë, si Shpirti i Zotit rrëmbeu Filipponë, e më s’e pa atë i dredhuri, e vij tuke gëzuarë udhësë tij.
40 E Filippoi u gjënd nd’Azoto, e mbë të shkuarë dhidhaks Ungjillë ndëpër gjithë qutete ngjera sa arriu ai ndë Qesari.