Gruaja dhe dragoi
1 Pastaj në qiell u shfaq një shenjë e madhe. Ishte një grua e veshur me diell, e cila nën këmbë kishte hënën, ndërsa mbi kokë mbante një kurorë me dymbëdhjetë yje. 2 Ngaqë ishte shtatzënë, gruaja bërtiste nga dhimbjet e mundimet e lindjes.
3 Në qiell u shfaq edhe një shenjë tjetër. Ishte një dragua i madh, i kuq, që kishte shtatë kokë e dhjetë brirë dhe mbi kokë shtatë kurora të vogla. 4 Bishti i tij tërhoqi një të tretën e yjeve të qiellit dhe e hodhi mbi tokë. Dragoi qëndroi para gruas që ishte gati për të lindur, që të gëlltiste foshnjën e saj sapo të lindte.
5 Gruaja lindi djalë. Ai do të sundonte kombet me skeptër të hekurt. Atëherë foshnja u rrëmbye dhe u dërgua pranë Perëndisë e fronit të tij. 6 Pastaj gruaja iku në shkretëtirë. Atje kishte një vend që ia kishte bërë gati Perëndia. Në atë vend do ta ushqenin për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.
7 Atëherë në qiell u bë luftë. Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Dragoi luftoi bashkë me gjithë engjëjt e tij, 8 por nuk fitoi dhe për ta nuk kishte më vend në qiell. 9 Dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që quhet Djall dhe Satan, mashtruesi i gjithë botës, u hodh në tokë e bashkë me të edhe engjëjt e tij. 10 Atëherë dëgjova një zë të fortë në qiell që tha:
«Tani erdhi shpëtimi, fuqia
e mbretëria e Perëndisë tonë
dhe pushteti i Krishtit të tij.
Paditësi i vëllezërve tanë,
ai që i padit para Perëndisë tonë, ditë e natë,
u hodh poshtë.
11 Ata e mundën me gjakun e Qengjit
e me fjalën e dëshmisë së tyre
dhe ishin gati
të jepnin jetën e të vdisnin .
12 Prandaj, gëzohuni, o qiej
e ju që banoni atje!
Mjerë ju, o tokë e det,
se djalli zbriti te ju
me zemërim të madh,
duke e ditur se i ka mbetur pak kohë».
13 Kur dragoi pa se e hodhën në tokë, filloi të ndjekë gruan që kishte lindur foshnjën. 14 Gruas iu dhanë dy krahët e një shqiponje të madhe, që të fluturonte për në vendin e saj në shkretëtirë, ku do të ushqehej për tri vjet e gjysmë larg gjarprit.
15 Atëherë gjarpri nxori nga goja ujë si një lumë pas gruas, që atë ta rrëmbente rrjedha. 16 Por gruan e ndihmoi toka, e cila hapi gojën dhe përpiu lumin që kishte nxjerrë dragoi nga goja. 17 Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi për të luftuar me pasardhësit e tjerë të saj, me ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe dëshmojnë për Jezuin. 18 Ai mbeti mbi rërën e detit.
Krie e dimbëdhjetëtë
1 E u duk një çudi e madhe ndër qiell: Një grua veshurë diellinë, e hënëza ndënë këmbë të saj, e mbi krie të saj një kurorë me dimbëdhjetë ull.
2 E si qe me barrë thërrit nga të dhëmburat’ e pjellësë, e mundonej për të pjellë.
3 E u duk një tjatër çudi ndër qiell, sepse ja një dhrakon i madh i kuq, që kish shtatë krerë, e dhjetë bri, e mbë krera të tij shtatë korona.
4 E bishti i tij hiq të tretënë pjesë të ullet së qiellit, e i hodhi ata mbë dhe; e dhrakoni qëndroi përpara gruasë që duaj të pill, për të ngrënë djalën’ e saj kur ta pill.
5 E polli djalë mashkull, e ai do të qiverrisjë gjithë filitë me shkop të hekurtë; e u rrëmbie djali i saj te Perndia, e ndë fron të tij.
6 E gruaja shpëtoi nd’erimi, tek kish bërë gati vënd nga Perndia, që ta ushqejnë atë atje një mijë e diqind e gjashtëdhjetë dit.
7 E u bë luftë ndër qiell; Mihaili edhe ëngjëllit’ e tij lëftuanë kondrë dhrakonit, e dhrakoni edhe ëngjëllit’ e tij lëftuanë.
8 Po nukë mundnë, as u gjënd më vënd për ata ndër qiell.
9 E u hodh poshtë ai dhrakoni i madh, ai gjarpëri i lashtë, që quhetë djall edhe Satana, ai që gënjen gjithë dhenë, u hodh mbë dhe; e bashkë me të u hodhë poshtë edhe ëngjëllit’ e tij.
10 E digjova zë të madh ndër qiell që thosh: Ndashti u bë shpëtimi, edhe fuqia, edhe mbretëria e Perndisë sonë, edhe urdhëri i Krishtit së tij; sepse u hodh poshtë kallëzeësi i vëllazëret sonë, ai që i kallëzon ata përpara Perndisë sonë dit’ e natë.
11 E ata e mundnë atë me fuqi të gjakut së qengjit, e me fuqi të fjalësë të martirisë ture; e nuk’ i deshnë shpirtërat’ e ture ngjera mbë vdekëjë.
12 Pra andaj gëzoni, o qiell, edhe ju që rriji mbë ta. Ve mbë juvet që rriji ndë dhe e ndë det; sepse zbriti djalli mbë juvet me zëmërim të madh, sepse edhe që pak kohë ka.
13 E kur pa dhrakoni se u hodh poshtë mbë dhe, ndoqi gruanë që pat pjellë mashkullinë.
14 E gruasë ju dhanë krahë të Aetoit së madh, që të fluturojë nd’erimi ndë vënd të saj, atje tek ushqenetë për një kohë të kohëvet, e për një gjusmë të kohësë lark nga gjarpëri.
15 E gjarpëri kreu jashtë nga goja e tij ujë posi lumë pas gruasë, që ta bën ta mirr lumi.
16 Ma dheu i dha ndihmë gruasë, e hapi dheu gojën’ e tij e piu lumënë, që pat krierë dhrakoni nga goja e tij.
17 E u zëmërua dhrakoni mbë gruanë, e vate të bën luftë me ata që mbenë nga far’ e saj, që ruajnë porsit’ e Perndisë, e që kanë martirin’ Iisu Hristoit.