Qielli i ri dhe toka e re
1 Pastaj pashë një qiell të ri e një tokë të re. Qielli i parë dhe toka e parë ishin zhdukur dhe as deti nuk ishte më. 2 Pashë edhe qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli prej Perëndisë, si një nuse e zbukuruar për dhëndrin e saj.
3 Atëherë dëgjova një zë të lartë nga froni që tha: «Ja banesa e Perëndisë me njerëzit! Ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë populli i tij. Vetë Perëndia do të jetë me ta dhe ai do të jetë Perëndia i tyre. 4 Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund».
5 Ai që rrinte ulur në fron tha: «Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat!». Pastaj më tha: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!». 6 Dhe shtoi: «U kryen! Unë jam Alfa e Omega, fillimi e mbarimi. Atij që ka etje, do t'i jap të pijë falas nga burimi i ujit të jetës. 7 Ai që fiton, do t'i trashëgojë këto. Unë do të jem Perëndia i tij dhe ai do të jetë biri im.
8 Ndërsa frikacakët, të pafetë, ndyrësirat, vrasësit, kurvarët, magjistarët, idhujtarët dhe të gjithë gënjeshtarët do ta kenë vendin në liqenin që digjet me zjarr e me squfur». Kjo është vdekja e dytë.
Jerusalemi i ri
9 Pastaj erdhi një nga shtatë engjëjt, që kishin shtatë kupat e mbushura me shtatë plagët e fundit, e më tha: «Eja të të tregoj nusen, gruan e Qengjit!». 10 Atëherë u rrëmbeva nga Shpirti dhe engjëlli më çoi në majën e një mali të madh e të lartë. Atje më tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin, që zbriste nga qielli prej Perëndisë.
11 Qyteti kishte lavdinë e Perëndisë dhe shkëlqente si gur i çmuar, si gur diaspri kristalor. 12 Ai kishte një mur të madh e të lartë me dymbëdhjetë porta dhe mbi to qëndronin dymbëdhjetë engjëj. Mbi porta ishin shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. 13 Tri porta ishin nga lindja, tri nga veriu, tri nga jugu e tri nga perëndimi. 14 Muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele, mbi të cilat ishin shkruar dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.
15 Ai që fliste me mua kishte një shkop të artë matës për të matur qytetin, portat dhe murin e tij. 16 Qyteti shtrihej në formë katrore dhe e kishte gjatësinë sa gjerësia. Engjëlli e mati qytetin me matës dhe ishte dy mijë e katërqind kilometra i gjatë. Gjatësia, gjerësia dhe lartësia ishin të barabarta. 17 Mati edhe murin që ishte gjashtëdhjetë e gjashtë metra. Engjëlli përdori të njëjtën masë që përdor njeriu.
18 Veshja e murit ishte prej diaspri, ndërsa qyteti vetë ishte prej ari të kulluar, të pastër si qelqi. 19 Themelet e murit të qytetit ishin zbukuruar me të gjithë gurët e çmuar. Themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi, 20 i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krisoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krisopazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti dhe i dymbëdhjeti prej ametisti. 21 Dymbëdhjetë portat kishin dymbëdhjetë margaritarë. Secila portë ishte bërë nga i njëjti margaritar, ndërsa sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar si qelq i tejdukshëm.
22 Tempull nuk pashë në qytet, sepse tempulli i tij është Zoti Perëndi i gjithëpushtetshëm dhe Qengji. 23 Qyteti nuk ka nevojë as për diell e as për hënë që të ndriçohet, sepse atë e ndriçon lavdia e Perëndisë dhe pishtari i tij është Qengji.
24 Kombet do të ecin me dritën e tij dhe mbretërit e tokës do të sjellin aty lavdinë e tyre. 25 Ditën portat nuk do të mbyllen kurrë dhe atje nuk do të ketë natë. 26 Atje do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve. 27 Në të nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që bën gjëra të pështira a të gënjeshtërta, por vetëm ata që janë shkruar në librin e jetës, libër që i përket Qengjit.
Krie e njëzetenjëtë
1 E paçë një qiell të ri e një dhe të re; sepse qielli i parë edhe dheu i parë shkuanë; e deti më nuk’ është.
2 E unë Ioanni paçë qutetnë Shënjt, Ierusalimn’ e re, që cbrit nga qielli prej Perndisë, bërë gati e stolisurë si nuse për burrë të saj.
3 E digjova zë të madh nga qielli, që thosh: Ja tenda e Perndisë bashkë me njerëz, e do të rrijë me ta bashkë, e ata do të jenë llaot’ e tij, e ai vetë Perndia do të jetë me ata Perndi e ture.
4 E do të thajë Perndia nga sit’ e ture gjithë lotë, e mortja do të mos jetë më; as zi, as të qarë, as të dhëmburë do të mos jetë më; sepse punët’ e para shkuanë.
5 E ai që rrij mbë fron tha: Ja, unë i bëj të gjitha të ra. E më thotë mua: Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta e për të besuarë.
6 E më tha mua: U bë. Unë jam Allfaja edhe Omegaja, nisëja edhe sosëja. Unë do t’i ap atij që ka et dhurëti nga kroi i ujit së gjallë.
7 Ai që të mundjë do të marrë pjesë gjithë këto, e unë do t’i jem Perndi, e ai do të jetë mua bir.
8 E për trëmbëlakë pa, e për të pabesë, e për të ndierë, e për vreës, e për kurvjarë, e për magjishtjarë e për idhollollatrë, e për gjithë gënjeshtjarëtë, pjes’ e ture është ndë gjol që digjetë me zjar e me shqufur; që është mort i ditë.
9 E erdhi tek unë një nga të shtatë ëngjëitë që kishnë të shtatë kupëtë të plotatë me të shtatë plagë të pastajme, e kuvëndoi me mua, e më tha: Eja të të dëftoj gruanë, nusen’ e qengjit.
10 E më mori mua mbë Shpirt, e më pru ndë një mal të madh e të lartë, e më dëftoi mua qutetn’ e madh shënjtnë Ierosalim, që cbrit nga qielltë prej Perndiet.
11 E ajo kish të llampsurit’ e Perndisë; e drita e saj gjan mbë një gur të pançmuarë, posi mbë gur Iaspidh, posi kristal.
12 E që kish një mur të madh e të lartë, që kish dimbëdhjetë porta, e ndë porta dimbëdhjetë ëngjëi, e shkruarë ëmëre që janë ëmëretë të dimbëdhjetë filivet të bijet s’Israilit.
13 Nga del dielli tri porta, nga voreja tri porta, nga notia tri porta, nga perëndon tri porta.
14 E muri e kalasë qutetit kish dimbëdhjetë binara, e mbi ato qenë ëmëret’ e dimbëdhjetë apostollëvet së qengjit.
15 E ai që kuvëndon me mua, kish kallam t’artë, që të mat qutetnë, edhe portat’ e saj, edhe mur’ e kalasë saj.
16 E quteti është me katër qoshe, e të gjatët’ e saj është baraj me të gjerëtë. E mati qutetnë me kallam, mbë dimbëdhjetë mijë stadhe. Të gjerëtë, e të gjatëtë, e të lartët’ e saj, janë baraj.
17 E mati mur’ e kalasë saj: njëqind e dizet e katër kut, mbë masë të njeriut, që është masë e ëngjëllit.
18 E të dërtuarit’ e murit së kalasë saj qe me Iaspidh, e vetë quteti, pa, ar i qëruarë, posi qelqi i qëruarë.
19 E binarat’ e murit të kalasë qutetit qenë stolisurë me çdofarë gurit së pançmuarë; binaja e parë, Iaspidh; e dita Zafir; e treta, Hallqidhon; e katërta Smaragdh.
20 E pesëta, Sardhoniks; e gjashtëta, Sardhio; e shtatëta, Hrisolitho; e teta, Virillo; e nënta, topaz; e dhjeta, Hrisopraso; e njëmbëdhjeta, Iaqintho; e dimbëdhjeta, Amethisio.
21 E të dimbëdhjetë portatë, dimbëdhjetë margaritarë, e çdo portë qe nga një margaritar; e rruga e qutetit qe nga ar i qëruarë e i feksurë posi kristali.
22 E nao nukë paçë mbë të, sepse nao i saj është Zoti Perndia fuqimadhi, edhe qengji.
23 E quteti nukë ka hri nga dielli, as nga hënëza që ta ndritjënë atë; sepse drita e Perndisë e ndriti atë, e foti e saj është qengji.
24 E filitë që sosenë, do të ecëjnë pas dritësë saj; e mbretëret’ e dheut bienë nder e ture e lëvdimnë mb’atë.
25 E portët’ e saj do të mos mbillenë ditënë; sepse natë atje do të mos jetë.
26 E asaj do t’i biretë nderi edhe lëvdimi nga miletetë.
27 E ndonjë punë e molepsurë, a e ndierë, a e rreme, do të mos hijë mbë të; përveçe ature që janë shkruarë ndë kartëra të jetësë qengjit.