Hyrja
1 Kjo është zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t'u treguar shërbëtorëve të tij ato që duhet të ndodhin së shpejti. Jezui ia bëri të njohura shërbëtorit të tij Gjon duke i dërguar engjëllin e tij. 2 Gjoni dëshmoi gjithçka që pa: fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Jezu Krishtit.
3 Lum ai që i lexon dhe lum ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie e i zbatojnë ato që janë shkruar në të, sepse koha e përmbushjes së tyre po afron.
Përshëndetje
4 Gjoni u shkruan shtatë kishave që ndodhen në Azi:
qoftë me ju hiri
e paqja nga Perëndia,
që është,
që ishte
e që po vjen;
nga shtatë shpirtrat,
që janë para fronit të tij,
5 dhe nga Jezu Krishti,
dëshmitari,
besniku,
i pari i ngjallur prej të vdekurve
e prijësi i mbretërve të tokës.
Ai na deshi,
na çliroi nga mëkatet tona
me gjakun e tij
6 e na bëri mbretëri priftërinjsh
të Perëndisë e Atit.
Atij i qoftë lavdia e pushteti,
në shekuj të shekujve!
Amen!
7 Ja, ai vjen me retë!
Të gjithë do ta shohin,
edhe ata që e shpuan me heshtë.
Gjithë fiset e dheut
do të vajtojnë për të.
Po, amen!
8 «Unë jam Alfa dhe Omega », thotë Zoti Perëndi, i gjithëpushtetshmi, ai që është, që ishte e që po vjen.
Krishti i shfaqet Gjonit
9 Unë Gjoni, vëllai juaj, që në Jezuin ndaj me ju pikëllimin, pritjen e mbretërisë dhe qëndresën, isha në ishullin që quhet Patmos për shkak të fjalës së Perëndisë dhe të dëshmisë për Jezu Krishtin. 10 Ditën e Zotit, i rrëmbyer nga Shpirti, dëgjova pas meje një zë të fortë si trumbetë, 11 që tha: «Atë që shikon, shkruaje në një libër dhe dërgoja shtatë kishave: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi e në Laodice».
12 U ktheva për të parë zërin që po më fliste. Atëherë pashë shtatë shandanë të artë 13 dhe në mes të shandanëve pashë dikë që ngjante me bir njeriu, të veshur me rrobë të gjatë e me brez të artë rreth kraharorit. 14 Koka dhe flokët e tij ishin të bardhë porsi leshi i bardhë dhe si dëbora, ndërsa sytë e tij si flakë zjarri. 15 Këmbët e tij ngjanin me bronz të kulluar, të pastruar në furrë, ndërsa zëri i tij si ushëtima e ujërave të detit. 16 Në dorën e djathtë mbante shtatë yje, ndërsa nga goja i dilte një shpatë e mprehtë me dy tehe. Fytyra e tij ishte si dielli kur ndriçon me gjithë forcën e tij.
17 Kur e pashë, rashë si i vdekur para këmbëve të tij. Ai vuri dorën e djathtë mbi mua e më tha: «Mos ki frikë! Unë jam i pari dhe i fundit. 18 Unë jam ai që jeton. Isha i vdekur, por ja ku jam i gjallë në shekuj të shekujve. Unë kam çelësat e vdekjes dhe të skëterrës. 19 Shkruaj, pra, gjërat që pe: ato që po ndodhin dhe ato që do të ndodhin më vonë. 20 Ja e fshehta e shtatë yjeve që pe në dorën time të djathtë dhe e shtatë shandanëve të artë: shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, ndërsa shtatë shandanët janë shtatë kishat».
Krie e parë
1 Apokalipsi Iisu Hristoit, që ja pat dhënë atij Perndia t’u dëftojë ropet së tij ato punëra që duhetë të bënenë shpejt. E ai si i dërgoi me anë të Ëngjëllit së tij i shënoi mbë ropn’ tij e tij Ioannë.
2 Mb’atë që dha martiri mbë fjalë të Perndisë, e martiri mbë gjithë punëra që pa të Iisu Hristoit.
3 Lum ai që dhiavas, edhe ata që ndiejënë fjalët’ e kësaj profitiet, e ruajnë ato që janë shkruarë mbë të, sepse koha ësht’ e vërtetë.
4 Ioanni mbë të shtatë Qishëtë që janë nd’Asi: Dhurëti mbë juvet, edhe paq nga ai që është, e ai që qe, e ai që është për t’ardhurë, edhe ka të shtatë Shpirtëratë që janë përpara fronit së tij.
5 Edhe nga Iisu Hristoi, që është martir i vërtetë, e i pari ndë të lerë nga të vdekuritë, e i pari i mbretëret së dheut, ai që na deshi nevet, e na lau nevet nga fajetë tona me gjak të tij.
6 E na bëri nevet mbretër e priftër te Perndia e Babai tij. Atij lëvdimi e mbretëria ndë jetë të jetëvet. Ashtu qoftë!
7 Ja tek vjen ai me re, e do ta shohë atë çdo si, edhe ata që e shpuanë atë me shish. E do të rrahënë krahëruarë për atë gjithë filit’ e dheut. Kështu është, vërtet.
8 Unë jam Allfaja edhe Omegaja, nisëja edhe sosëja, thotë Zoti, ai që është, e ai që ish, edhe ai që është për t’ardhurë, ai që i mund gjithë.
9 Unë Ioanni, vëllai juaj, e shoku juaj mbë shtrëngim, e mbë mbretëri, e mbë durim të Iisu Hristoit, u gjëndçë ndë nisi që quhetë Patmo, për fjalë të Perndisë e për martiri të Iisu Hristoit.
10 Qeshë mbë Shpirt, ndë ditë të së dielësë, e digjova prapa meje një zë të madh si të zurnasë.
11 Që më thosh: Unë jam Allfaja edhe Omegaja, i pari edhe i pastajmi. Edhe atë që sheh, shkruaje ndë kartë, e dërgoje ndë Qishëra t’Asisë, nd’Efeso, ndë Ismir, ndë Pergamo, ndë Thiatirë, ndë Sardhë, e ndë Filladhellfi, e ndë Llaodhiqi.
12 E u ktheçë të shohë zënë që kuvëndon me mua, e tek u rrotulluaçë paçë shtatë lihni t’arta.
13 E ndë mes të shtatë lihnivet një që gjan mbë bir njeriut, veshurë me një rrobë ngjera mbë këmbë, e ngjeshurë mbë sisë me brez t’artë.
14 E kriet’ e tij, edhe qimetë të bardha posi lesht’ e bardhë, posi zbora; sit’ e tij posi flaka e zjarit.
15 E këmbët’ e ti gjaijnë mb’orihallk kur është nxjerë nga furra; e zëri i tij posi zë i ujëravet shumë.
16 E kish mbë dorë të djathëtë të tij shtatë ull. E nga goja e tij dil një kordhë e prëhurë me di presa. E faqia e tij feks posi dielli ndë fuqi të tij.
17 E kur e paçë atë, raçë posi i vdekurë përpara këmbëvet së tij; e ai vuri dorën’ e djathëtë mbi mua, e më thosh: Mos u trëmb, unë jam i pari edhe i pastajmi.
18 Edhe i gjalli, po qeshë vdekurë, e ja, tek jam i gjallë ndë jetë pas jetësë. Ashtu është. E kam quçet’ e pisësë edhe të vdekëjësë.
19 Shkruaj ato punëra që pe, edhe ato që janë, edhe ato që do të bënenë pasandaje.
20 Mistirionë e shtatë ullet, që pe mbë dorë time të djathëtënë, e të shtatë lihnit’ e arta. Të shtatë ulltë, janë Ëngjëj të shtatë Qishëvet, e të shtatë lihnitë, që pe, janë shtatë qishëra.