Vejusha dhe gjykatësi
1 Pastaj Jezui u tha një shëmbëlltyrë për t'u treguar se duhet të luten gjithmonë, pa hequr dorë.
2 Ai u tha: «Në një qytet ishte një gjykatës që nuk e druante Perëndinë e as kishte respekt për njerëzit. 3 Në atë qytet gjendej edhe një vejushë që shkonte tek ai e i thoshte: “Më jep të drejtë para kundërshtarit tim!”. 4 Për njëfarë kohe ai nuk donte, por pastaj tha me vete: “Edhe pse nuk e druaj Perëndinë e as kam respekt për njerëzit, 5 meqë kjo vejushë po më shqetëson, do t'ia jap të drejtën, se përndryshe, duke ardhur pareshtur, do të më bëjë ta humb durimin”».
6 E Zoti tha: «Dëgjoni çfarë thotë gjykatësi i padrejtë. 7 Po Perëndia, a nuk do të vendosë drejtësi për të zgjedhurit e tij që e thërrasin ditë e natë? A do të vonohet t'i ndihmojë? 8 Unë po ju them se ai do të vendosë shpejt drejtësi. Por prapëseprapë, kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë ende besim në tokë?».
Fariseu dhe tagrambledhësi
9 Edhe disave që e mbanin veten si të drejtë dhe përçmonin të tjerët, Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 10 «Dy njerëz shkuan për t'u lutur në tempull. Njëri ishte farise, tjetri tagrambledhës. 11 Fariseu rrinte në këmbë e lutej duke thënë me vete: “Perëndi, unë të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, vjedhës, i padrejtë, burrë që bën tradhti bashkëshortore apo si ky tagrambledhës. 12 Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithë të ardhurave të mia”. 13 Ndërsa tagrambledhësi që rrinte larg e nuk guxonte as të ngrinte sytë drejt qiellit, godiste gjoksin e thoshte: “Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin!”.
14 Unë po ju them: ky njeri e jo fariseu u kthye në shtëpi i bërë i drejtë nga Perëndia. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet dhe kush e përul vetveten, do të lartësohet».
Bekimi i fëmijëve
(Mt 19.13-15Mk 10.13-16)
15 Disa njerëz sillnin foshnjat te Jezui, që ai t'i prekte, por kur i shihnin, dishepujt i ndalonin. 16 Atëherë Jezui i thirri fëmijët pranë vetes e tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata. 17 Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të».
Njeriu i pasur
(Mt 19.16-30Mk 10.17-31)
18 Një nga krerët e judenjve e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». 19 Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. 20 Ti i njeh urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde! ». 21 Atëherë ai i tha: «Të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». 22 Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Të mungon vetëm një gjë: shit gjithçka që ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». 23 Por kur i dëgjoi këto, ai u trishtua, se ishte shumë i pasur.
24 Jezui pa se ai u trishtua, prandaj tha: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! 25 Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». 26 Ata që po e dëgjonin e pyetën: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». 27 Jezui u përgjigj: «Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë».
28 Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka kishim dhe erdhëm pas teje». 29 Dhe Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që kanë lënë shtëpi a grua, vëllezër a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Perëndisë, 30 nuk do të mbetet pa marrë shumë më tepër në këtë kohë dhe do të marrë jetën e amshuar në botën tjetër».
Paralajmërimi sërish i Pashkës
(Mt 20.17-19Mk 10.32-34)
31 Jezui i mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha: «Po shkojmë në Jerusalem dhe gjithçka që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushet. 32 Ai do t'u dorëzohet kombeve që do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë 33 dhe, pasi ta kenë fshikulluar, do ta vrasin, por ditën e tretë ai do të ngjallet». 34 Ata nuk kuptuan asgjë, sepse ajo që u tha Jezui ishte e fshehtë për ta dhe nuk e morën vesh çfarë tha.
Shërimi i lypësit të verbër
(Mt 20.29-34Mk 10.46-52)
35 Ndërsa Jezui po i afrohej Jerikosë, një i verbër rrinte ulur ndanë udhës e lypte. 36 Kur dëgjoi se po kalonte një turmë, pyeti se çfarë po ndodhte. 37 Ata i thanë: «Po kalon Jezui i Nazaretit». 38 Atëherë ai thirri me zë të lartë: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 39 Ata që ecnin përpara e urdhëruan të heshtte, por ai thirri edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 40 Jezui ndaloi e urdhëroi t'i sillnin të verbrin. Kur ai u afrua, Jezui e pyeti: 41 «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». Ai i tha: «Zot, dua të shoh përsëri!». 42 Dhe Jezui i tha: «Shih përsëri! Besimi yt të shpëtoi». 43 Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit, duke përlëvduar Perëndinë. Të gjithë ata që e panë, lavdëruan Perëndinë.
Krie e tetëmbëdhjetëtë
1 E u thosh ature edhe paravoli për të falturë gjithënjë, e të mos lodhenë.
2 Tuke thënë: Ndë një qutet qe një Gjukatas, që nukë trëmbej Perndisë, as kish turpn’ e njerëzet.
3 E mb’atë qutet ishte një grua e ve, e ajo vij tek ai, e thosh: Bëmë gjuq me armiknë tim.
4 E për shumë kohë nukë deshi t’i bën. Më të pastajmenë thotë me vetëhe të tij: Ndonëse Perndisë s’i trëmbem, e nga njeri nukë kam turp.
5 Ma sepse më rëndon këjo grua e ve, le t’i bëj gjuqnë, që të mos vijë gjithënjë të më çajë krietë.
6 E digjuatë, tha Zoti, se ç’tha gjukatësi i shtrëmbërë.
7 E po Perndia do të mos bëjë gjuqnë të zgjedhuret së tij, që thërresënë nde ai dit’ e natë, e do të përtojë për dëm të ture?
8 U thom juvet që do të bëjë gjuqn’ e ture shpejt. Po kur të vijë i biri i njeriut, do të gjejë vallë besënë mbë dhe?
9 E tha edhe këtë paravoli për ca që kishnë omuth mbë vetëhe të ture se qenë të drejtë, e shajnë të tjerëtë.
10 Di njerëz hipnë ndë Iero të falishnë, njëri Fariseo, e tjatëri kumerqar.
11 Fariseua qëndroi e falej këto me vetëhe të tij: O Perndi, të lëvdoj, se nukë jam si njerëzit’ e tjerë, rrëmbeës, të shtrëmbërë, kurvjarë, as si edhe kij Kumerqari.
12 Agjëroj di herë mbë javë, ap të dhjetëtënë ndë sa gjë që kam.
13 E kumerqari qëndroi për së largut, e nukë duaj as sitë të ngrij ndë Qiell, po rrihte gjoksn’ e tij, e thosh: Ndëjemë, o Perndi, mua fajëtuarë.
14 U thom juvet, që kij u kthe i drejtë ndë shtëpi të tij, e jo tjatëri. Se cilido që ngrë vetëhen’ e tij, do të gremisetë, e ai që unj vetëhen’ e tij, do të ngrihetë.
15 E i bijnë atij akoma edhe foshnjëtë, që t’i zij ata; e si panë mathitit’ e tij, i qërtuanë ata.
16 E Iisui i thirri ata, e tha: Liri djelmtë të vijënë tek u, e mos i mbani ata, se të tillëvet është mbretëria e Perndisë.
17 Me të vërteta u thom juvet, se ai që të mos dheksjë mbretërin’ e Perndisë posi foshnjë, do të mos hijë mbë të.
18 E e pieti atë një nga të parëtë, e tha: O dhaskal i mirë, ç’të bëj unë që të marr pjesë jetën’ e pasosurë?
19 Edhe Iisui i tha atij: Pse më thua të mirë? Ndonjë nuk’ ësht’ i mirë përveçme Perndisë vetëmë.
20 Porsitë i di: mos kurvëro, mos vra, mos vidh, mos bën martiri të rreme, ndero babanë tënd, edhe mëmënë tënde.
21 Edhe ai i tha: Të gjitha këto i kam ruajturë që mbë të ri tim.
22 E si digjoi këto Iisui, i tha atij: Edhe një akoma të lipsetë tij, shit gjithë sa ke, e ndajua së varfëret, e do të keç hazine ndë Qiell, e eja pas meje.
23 E ai si digjoi këto, u helmua, sepse qe shum’ i pasurë.
24 E si e pa atë Iisui, që u helmua, tha, se me shumë zahmet do të hijënë ata që kanë gjë, ndë mbretëri të Perndisë.
25 M’e kollajtë është të shkojë gamilia ndëpër vërë të gjëlpërësë, se të hijë i pasuri ndë mbretëri të Perndisë.
26 E ata që digjoijnë thanë: E kush mund të sosetë?
27 Edhe ai u tha: Ato që s’janë të kollajta mb’anë të njerëzet, janë të kollajta mb’anë të Perndisë.
28 E Petrua i thotë: Ja navet që i lam të gjitha, e erdhm pas teje.
29 Edhe ai u thot’ ature: Me të vërteta u thom juvet, se nuk’ është ndonjë që ka lënë shtëpi, a përinj, a vëllazër, a grua, a djelm, për dashuri të mbretërisë së Perndisë.
30 Që të mos marrë më shumë ndë këtë kohë, e jetë të pasosurë ndë jetë që vjen.
31 E si mori të dimbëdhjetë mbënjanë, u thot’ ature: Ja, që vemi ndë Ierusalim, e do të paguhenë gjith’ ato që janë shkruarë nga profitëtë për të bir’ e njeriut.
32 Sepse do të ipetë ndë duar të së pabesëvet, e do të përqeshetë, e do të pështihetë.
33 E si ta rrahënë me kamçi, do ta vrasën’ atë, e të tretënë ditë do të ngjalletë.
34 E ata nukë kupëtuanë fare nga këto, e qe këjo fjalë e fshehurë nga ata, e nukë noisnë ato që u thuheshnë.
35 E kur u afërua ai ndë Ieriho, një i verbërë rrijte mb’udhë e lipën.
36 E si digjoi turmënë që shkon, piet: Ç’është këjo?
37 E i rrëfienë atij që shkonte Iisui Nazarinoi.
38 E thirri, e tha: Iisu, i biri Dhavidhit, lejmonismë mua.
39 E ata që vijnë përpara e qërtoijn’ atë të pushon. E ai gjithënjë thërrit më tepër: I biri Dhavidhit, lejmonismë mua.
40 E Iisui qëndroi, e porsiti të ja bienë atë përpara, e kur erdhi ai afër, e pieti atë.
41 E i tha: Ç’do të të bëj ti? Edhe ai i tha: Zot, të shoh.
42 Edhe Iisui i tha atij: Shih, besa jote të shpëtoi ti.
43 E atë çast pa ai, e i vij pas si, tuke lëvduarë Perndinë. E gjithë llaoi si panë këtë, dhanë lëvdim Perndisë.