1 Kështu pra, bëhuni shkërbim i Perëndisë, se jeni bijtë e tij të dashur. 2 Jetoni me dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten për ne, si kushtim e fli erëkëndshme për Perëndinë.
3 Por kurvëria e çdo ndyrësi a lakmi as të mos përmenden ndër ju, se kështu u ka hije të shenjtëve. 4 As nuk duhet të thoni fjalë të ndyta, të marra e të pështira, që nuk ju kanë hije, por, përkundrazi, thoni fjalë që falënderojnë Perëndinë. 5 Ta dini mirë: asnjë kurvar, asnjë i fëlligësht e asnjë lakmitar, gjëra të cilat janë idhujtari, nuk do të kenë trashëgim në mbretërinë e Krishtit e të Perëndisë.
Jetoni si bij të dritës
6 Askush të mos ju mashtrojë me fjalë të zbrazëta, sepse për shkak të këtyre gjërave vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. 7 Prandaj mos kini asgjë të përbashkët me ta.
8 Dikur ishit në errësirë, ndërsa tani që besoni në Zotin jeni në dritë. Jetoni, pra, si bij të dritës, 9 sepse fryti i dritës është mirësia, drejtësia dhe e vërteta. 10 Përpiquni të kuptoni se çfarë është e pëlqyeshme për Zotin. 11 Mos merrni pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por, përkundrazi, paditini. 12 Gjërat që ata bëjnë në fshehtësi është turp edhe të zihen në gojë, 13 por kur dalin në dritë, bëhen të dukshme. 14 Çdo gjë që bëhet e dukshme, bëhet dritë. Prandaj thuhet:
Zgjohu, o ti që fle!
Ngrihu prej të vdekurve
e Krishti do të shndritë mbi ty.
15 Prandaj kini kujdes si jetoni. Mos jetoni si të marrë, por jetoni si të mençur. 16 Përdoreni mirë kohën, se po jetojmë ditë të këqija. 17 Mos u bëni të marrë, por kuptoni se cili është vullneti i Zotit. 18 Mos u dehni me verë, në të cilën gjendet shthurja, por mbushuni me Shpirtin, 19 duke kënduar mes jush psalme, himne e këngë shpirtërore, duke kënduar e duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, 20 duke e falënderuar Perëndinë Atë gjithmonë e për gjithçka, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht.
Bashkëshortët
21 Nënshtrojuni njëri-tjetrit, për shkak të druajtjes që keni ndaj Krishtit. 22 Gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre sikurse Zotit, 23 sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës dhe është shpëtimtar i trupit, domethënë i kishës. 24 Por, sikurse kisha i nënshtrohet Krishtit, po ashtu edhe gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre në gjithçka.
25 Burrat t'i duan gratë, sikurse edhe Krishti e deshi kishën dhe e dha veten për të, 26 me qëllim që ta shenjtërojë duke e pastruar me larjen e ujit dhe me anë të fjalës, 27 që ta paraqesë kishën të lavdishme para vetes, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por të shenjtë e të patëmetë.
28 Kështu edhe burrat duhet t'i duan gratë e veta, ashtu siç duan trupat e tyre. Kush e do gruan e vet, do veten. 29 Askush nuk e ka urryer ndonjëherë trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, ashtu siç kujdeset edhe Krishti për kishën, 30 sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij . 31 Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin e të ëmën e do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të jenë një trup i vetëm. 32 Kjo e fshehtë është e madhe. Por këtë po e them në lidhje me Krishtin dhe kishën. 33 Megjithatë edhe secili prej jush ta dojë gruan e vet siç do veten. Po ashtu edhe gruaja ta nderojë burrin e saj.
Krie e pesëtë
1 Bëni të gjarë Perndisë si djelm të dashurë.
2 E ecëni mbë dashuri, sikundr’ na deshi edhe Krishti nevet, e dha vetëhen’ e tij për nevet mblatë e kurban te Perndia, për të mirisurë.
3 Edhe kurvëri e çdofarë të pëgërë, a lakëmim, as të mos zihetë ngoje ndër juvet, sikundrë ka hie ndë Shënjtorë.
4 As e turpshime, as kuvënde të marra, as bufonërira, që janë të pahie, po më tepërë efharisti e lëvdim.
5 Sepse këtë dijie, që çdo kurvjar, a i paqëruarë, a lakëmeës, që ai ësht’ idhollollatr’, s’kanë klironomi ndë mbretëri të Krishtit e të Perndisë.
6 Ndonjë mos u gënjejë juvet me fjalë të mbrazëta, sepse për të tila punëra urgji e Perndisë mbë të bij të pabindurë.
7 Mos doi adha të kini shoqëri me ta.
8 Sepse njëherë jeshëtë errëcirë, ma ndashti dritë mbë Zotnë. Ecëni si djelmt’ e dritësë.
9 (Se pemma e Shpirtit është mbë çdofarë të mirë e të drejtë, e të vërtetë).
10 Dhoqimasni juvet vetëhenë, cila ësht’ e pëlqierë te Zoti.
11 E mos doi të kini pjesë ndë punëra të papemmë të errëcirësë, po edhe më tepërë të rrihni faqenë.
12 Sepse punëtë që bënenë nga ata ndë të fshehurë, janë të turpçime edhe të thuhenë.
13 Ma gjith’ ato që janë për të hedhurë poshtë, do të çfaqenë prej dritet, sepse gjith’ ajo që çfaq (punëratë) është dritë.
14 Andaj thotë: Ngreu mbë këmbë ti që flë, e ngjallu nga të vdekuritë, e do të ndrijë ti Krishti.
15 Vështroni adha të ecëni me kujdes, jo si të pamënd, po si të dijturë.
16 Tuke shpërblierë kohënë, sepse ditë janë të këqia.
17 Pra andaj mos u bëni të pamënd, po digjuarë të thelimësë Zotit.
18 E mos dehi me verë, që mb’atë ësht’ asotia, po mbushni me Shënjtnë Shpirt.
19 Tuke kuvënduarë ndëpër juvet me psallmora e me imno, e këngëra të Shpirtit, tuke kënduarë, e tuke psallurë me zëmëra tuaj mbë Zotnë.
20 Tuke dhënë lëvdim gjithënjë për çdofarë punë Perndisë e babait mbë ëmër të Zotit sonë Iisu Hristoit.
21 Tuke bindurë njeri ndë jetërinë me frikë të Perndisë.
22 Gratë le të bindenë ndë burra të ture si mbë Zonë.
23 Sepse burri është Krie mbë gruanë, sikundr’ është Krishti kreu i Qishësë, e ai është sotiri i kurmit.
24 Po sikundrë bindetë Qisha mbë Krishtinë, kështu le të bindenë edhe gratë mbë burra të ture mbë të gjitha.
25 Ju burratë doi gratë tuaj, sikundrë edhe Krishti deshi Qishënë, e dha për atë vetëhen’ e tij.
26 Që ta shënjtëron atë, tuke kërkuarë atë me të larë të ujit me anë të fjalësë.
27 Të bëjë që të duketë përpara tij Qisha veshurë me nder, pa lerë, pa lapë, a ndonjë të tillë punë, po të jetë e Shënjtëruarë, e pa katigori.
28 Kështu duhetë të duanë burratë grat’ e ture, si edhe trupet’ e ture. Ai që do gruan’ e tij, do vetëhen’ e tij.
29 Sepse ndonjë nuk urreu kurrë kurmin’ e tij, po e ushqen e e mbulon atë, si edhe Zoti Qishënë.
30 Sepse jemi anë të kurmit së tij, nga misht’ e tij, edhe nga eshtërat’ e tij.
31 Andaj njeriu do të lërë baban’ e tij, edhe mëmmën’ e tij, e do të bashkonetë me grua të tij, e do të jenë të di një kurm.
32 Kij Mistir ësht’ i madh, e unë thom mbë Krishtinë edhe mbë Qishë.
33 Andaje edhe cilido nga jush le të dojë gruan’ e tij si edhe vetëhen’ e tij, e gruaja pa të trëmbetë burrit.