Guri i gjallë
1 Hidhni tej çdo lloj ligësie e çdo lloj mashtrimi, hipokrizie, smire apo përgojimi! 2 Dëshironi qumështin e pastër shpirtëror si foshnja të sapolindura, që të rriteni drejt shpëtimit. 3 Ju e keni shijuar se Zoti është i mirë.
4 Afrohuni tek ai që është guri i gjallë, i cili u hodh poshtë nga njerëzit, por u zgjodh dhe u çmua nga Perëndia. 5 Edhe ju si gurë të gjallë ndërtoni shtëpinë shpirtërore, ku do të shërbeni si priftëri e shenjtë duke kushtuar flijime shpirtërore që i pëlqejnë Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit. 6 Sepse Shkrimi thotë:
unë zgjodha një gur të çmuar
dhe e vura në Sion
si gurin e qoshes.
Kush beson në të
nuk do të turpërohet.
7 Për ju që besoni, ky gur është i çmueshëm, ndërsa për ata që nuk besojnë,
guri që ndërtuesit e hodhën tej
u bë guri i qoshes,
8 guri që i rrëzon
e shkëmbi që i pengon.
Ata që rrëzohen nuk i binden fjalës dhe për këtë janë caktuar.
9 Ndërsa ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull që Perëndia zgjodhi për të shpallur veprat e tij madhështore. Ai ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.
10 Ju që dikur nuk ishit popull,
tani jeni populli i Perëndisë.
Ju që ishit të përjashtuar nga mëshira,
tani u mëshiruat.
Shërbëtorë të Perëndisë
11 Fort të dashur, meqenëse jeni shtegtarë dhe të përkohshëm, ju lutem të hiqni dorë nga kënaqësitë trupore që luftojnë kundër shpirtit. 12 Sjellja juaj ndër kombet të jetë e mirë. Kështu, edhe nëse ata ju përflasin si keqbërës, kur të shohin veprat tuaja të mira do të përlëvdojnë Perëndinë në ditën e ardhjes së tij.
13 Nënshtrojuni çdo pushteti njerëzor për hir të Zotit, qoftë mbretit, si sundimtarit më të lartë, 14 qoftë qeveritarëve, si të dërguar nga Perëndia për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën. 15 Vullneti i Perëndisë është që duke bërë të mirën, t'ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend. 16 Silluni si njerëz të lirë e mos e përdorni lirinë si mbulesë për ligësinë, por jetoni si shërbëtorë të Perëndisë. 17 Nderojini të gjithë, duajini vëllezërit në besim, druani Perëndinë, nderoni mbretin.
Shembulli i vuajtjes së Krishtit
18 Ju, shërbëtorë, nënshtrojuni plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm atyre që janë të mirë e zemërbutë, por edhe të mbrapshtëve. 19 Se është hir për njeriun që duron mundimet kur vuan padrejtësisht, për shkak se e ka ndërgjegjen sipas Perëndisë. 20 Çfarë vlere ka nëse duroni mundimet kur keni bërë faj? Por nëse duroni vuajtjet kur keni bërë të mirën, kjo është hir para Perëndisë. 21 Për këtë jeni thirrur, sepse edhe Krishti vuajti për ju . Ai ju la shembullin, që të ndiqni edhe ju gjurmët e tij.
22 Ai nuk bëri asnjë mëkat,
në gojën e tij nuk u gjet asnjë mashtrim.
23 Kur poshtërohej,
ai nuk poshtëronte,
kur vuante,
nuk kërcënonte,
por ia la veten në dorë Perëndisë
që gjykon me drejtësi.
24 Ai i mori mëkatet tona
në trupin e vet mbi dru,
që ne të vdesim ndaj mëkatit
e të jetojmë me drejtësi.
Ju u shëruat nga plagët e tij.
25 Ju ishit si dele të humbura,
por tani u kthyet te bariu
e mbikëqyrësi i shpirtrave tuaj.
Krie e ditë
1 Andaj le të lëmë çdofarë të keqë, e çdofarë gënjeshtrë, e ipokrisitë, e zilitë, e të gjitha të hequratë ndë gojë.
2 Posi foshnjë lerë ndashti, duajni me dëshërim qumështit’ e Shpirtit të kulluaritë, që të rriti mbë të.
3 Ndë kini dhoqimasurë me të vërtetë që Zoti është i ëmblë.
4 Mb’atë qasi, që është, thom, një gur i gjallë, i hedhurë poshtë nga njerëzitë, ma mbanë Perndisë i cgjedhurë e i nderçim.
5 E juvet posi gurë të gjallë jini ktisurë mbi të, një shtëpi e Shpirtit, një Priftëri Shënjte, për të prurë kurbane të Shpirtit, të pëlqiera te Perndia, me anë të Iisu Hristoit.
6 Pra andaj ka ndë kartë: Ja, që vë unë ndë Sion një gur quçn’ e qoshesë të cgjedhurë, të paçmuarë, e ai që të besojë mbë të nukë do të turpëronetë.
7 Për juvet adha që besuatë ai gur është nder, ma nd’ata që nukë besojënë ai është guri që u hodh poshtë nga ata që dërtoijnë shtëpinë, kij u bë quçi i qoshesë, e gur i së skondapsurit, e gur i skandalisë.
8 Mb’ata që përpiqenë ndë fjalë, e nukë besojënë mb’atë që edhe qenë urdhëruarë.
9 Ma juvet, fili e cgjedhurë, Priftëri e mbretit, Milet i Shënjtëruarë, llao i fituarë nga Perndia, për të rrëfierë të miratë e atij që u thirri juvet nga errëcira ndë dritë të tij të çuditurënë.
10 Juvet që njëherë jeshëtë jo llao, ma ndashti jini llaoi i Perndisë; juvet që njëherë nukë keshëtë pjesë nga ndëjesa, e ndashti u bëtë pjesëtarë mbë ndëjesë.
11 Të dashurë, u lutem si të botësë e të huaj të largoni nga dëshërimet’ e kurmit, që venë si trima kondrë Shpirtit.
12 Tuke rruarë mirë ndë mes të filiravet, që tek u heqëjnë ndë gojë juvet si njerëz të këqinj, si të shohënë punëratë tuaj të miratë, të lëvdojënë Perndinë ndë ditë që do të shohë.
13 Bindi adha për Zotnë mbë çdo taks të njerëzet, kaqë mbë mbretnë, si mbë të lartinë.
14 Kaqë mbë zotërinj, si mbë të dërguarë nga Perndia, që të mundojënë ata që bëjënë të këqiatë, e të mburrjënë ata që bëjënë të mirënë.
15 Sepse këjo është thelim’ e Perndisë, tuke bërë të mirë të mbillni gojën’ e njerëzet të pamënd.
16 Si të lefterosurë, e të mos kini lefterinë si një të mbuluarë të së keqesë, ma posi ropt’ e Perndisë.
17 Nderoni gjithë, doi vëllazërinë, Perndinë trëmbi, mbretnë nderoni.
18 Kopijtë bindi ndënë zotërinj me çdofarë frikë, jo vetëmë ndë të mirëtë e të butëtë, po edhe mbë t’ashprëtë.
19 Sepse këjo ka pagë, ndë duroftë njeri helmëcira, kur heq të keq pa faj për silloi të Perndisë.
20 Sepse ç’nder ësht’ ai, nd’është që me të fëjierë e me të rrahurë duroni? Ma ndë durofi kur të bëni të mirë, e të pësoni, kij është hir mbanë Perndisë.
21 Sepse mbë këtë jini thirrë, sepse edhe Krishti pësoi për juvet, e ju la juvet ksomblë, që të viji pas gjurmëvet së tij.
22 Ai faj nukë bëri, as u gjënd gënjeshtrë ndë gojë të tij.
23 Ai kur mallëkonej, nukë mallëkon; kur pëson nukë kanos; po lihej ndë duar t’atij që e gjukon pa gjuq.
24 Ai fajetë tona i mbajti ai vetë ndë kurm të tij mbi dru; që të vdesëmë ndë faje e të rrojmë ndë të vërtetë. Për plagë të tij jini juvet shëruarë.
25 Sepse juvet jeshëtë posi dhënt të humbura, po ndashti u kthietë mbë dëlmuarë e mbë piskopn’ e Shpirtëret suaj.