Thesari në enë balte
1 Prandaj nuk ligështohemi, sepse Perëndia na e dha këtë shërbesë prej mëshirës së tij. 2 Ne i kemi mohuar gjërat e fshehta e të turpshme. Nuk jetojmë me dinakëri dhe nuk e shtrembërojmë fjalën e Perëndisë. Përkundrazi, ne e shfaqim të vërtetën dhe kështu e dorëzojmë veten para gjykimit të njerëzve e para Perëndisë. 3 Edhe po të jetë i mbuluar ungjilli ynë, është i mbuluar për ata që shkojnë në humbje.
4 Atyre që nuk besojnë, ua ka verbuar mendjen perëndia i kësaj bote, i cili nuk i lejon të shohin dritën e ungjillit të lavdisë së Krishtit që është shëmbëllim i Perëndisë. 5 Në të vërtetë, ne nuk predikojmë veten tonë, por Jezu Krishtin Zot, dhe e quajmë veten shërbëtorët tuaj për hir të Jezuit. 6 Sepse Perëndia ka thënë: «Le të ndriçojë drita në errësirë!». Ai i ka ndriçuar zemrat tona për të na dhënë dritë, që të njohim lavdinë e Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit.
7 Por ne i mbajmë këto thesare brenda vetes si në enë balte, që të duket qartë se kjo fuqi madhështore vjen prej Perëndisë e jo prej nesh. 8 Megjithëse na mundojnë nga çdo anë, nuk ligështohemi. Jemi të pështjelluar, por nuk dëshpërohemi. 9 Na përndjekin, por Perëndia nuk na braktis. Na kanë hedhur tej, por nuk kemi marrë fund. 10 Ne mbartim gjithmonë në trupin tonë vdekjen e Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë. 11 Ne vërtetë jemi gjallë, por në çdo çast i dorëzohemi vdekjes për hir të Jezuit, që edhe jeta e tij të bëhet e dukshme në trupin tonë të vdekshëm. 12 Kështu, ne na kërcënon vdekja, ndërsa ju fitoni jetën.
13 Por ne kemi të njëjtin shpirt të besimit, sikurse është shkruar: besova, prandaj fola. Edhe ne besojmë, prandaj flasim, 14 sepse e dimë se ai që e ngjalli Zotin Jezu, do të na ngjallë edhe ne me Jezuin e bashkë me ju do të na paraqesë para vetes. 15 Gjithçka bëhet për ju, në mënyrë që sa më shumë njerëz të pranojnë hirin e Perëndisë dhe ta falënderojnë gjithnjë e më shumë atë e t'i japin lavdi.
Jetojmë përmes besimit
16 Prandaj nuk ligështohemi. Megjithëse së jashtmi shkojmë drejt kalbjes, nga brenda përtërihemi dita-ditës. 17 Ky pikëllim i lehtë që po kalojmë tani po na përgatit për një lavdi të pashoqe, të begatë e të amshuar. 18 Ne nuk jemi përqendruar te gjërat që duken, por tek ato që nuk duken, sepse gjërat e dukshme janë të përkohshme, ndërsa të padukshmet janë të amshuara.
Krie e katërtë
1 Pra andaj si kemi këtë shërbesë nevet, sikundrë u eleism, nukë përtojëmë.
2 Po urrejmë të fshehurat’ e turpit, e nuk’ ecëjmë me dinakëri, as prishjëmë fjalën’ e Perndisë, po me të çfaqurë të së vërtetësë rekumandarjëmë vetëhenë tënë ndë çdofarë fiqir të njerëzet përpara Perndisë.
3 E nd’ësht mbuluarë Ungjilli inë, për ata që humbasënë është mbuluarë.
4 Ature të pabesëvet Perndia e kësaj jetet u ka verbuarë mëntë, që të mos u ndritjë ature drit’ e Ungjillit së nderit së Krishtit, që është konism’ e Perndisë.
5 Sepse nevet nukë dhidhaksjëmë vetëvetëhenë, po Iisu Hristonë Zotnë tënë, e vetëhenë tënë pa, shërbëtorë tuaj për Iisunë.
6 Sepse ajo Perndia që tha: Të llampsjë nga errëcira dritë, ajo vetë na llampsi ndë zëmëra tona, për të ndriturë të së njohurit të nderit së Perndisë ndë faqe të Iisu Hristoit.
7 Ma këtë hazine e kemi nd’enë të balta, që të jetë nga Perndia të tepëruarit’ e kësaj fuqiet, e jo nga nevet.
8 Mbë çdo anë helmonemi, po nukë jemi shtrënguarë ndë Shpirt. Jemi të pabesuarë, po nukë biemë fare.
9 Ndiqemi, po nukë jemi të lënë. Jemi të shtirë poshtë, po jo të humburë.
10 E biemë kurdo nevet mbë kurm tënë vdekëjën’ e Iisuit, që të çfaqetë edhe jet’ e Iisuit ndë kurm tënë.
11 Sepse nevet që rrojëmë gjithënjë ipemi mbë vdekëjë për Iisunë, që të çfaqetë edhe jet’ e Iisuit ndë kurm tënë të paduruarinë.
12 Le të mundjë adha vdekëja mbë nevet, e jeta mbë juvet.
13 Ma kur kemi të tillënë Shpirt të besësë, sikundr’ është shkruarë: Besova, pra andaj fola. Edhe navet besojëmë, pra andaj flasëmë.
14 Sepse e dimë se ai që ngjalli Zotnë Iisunë, do të ngjalljë edhe nevet me anë të Iisuit, e do të na nxjerë të na apë vënd përpara si bashkë me juvet.
15 Sepse gjithë punëtë janë për juvet, që dhurëtia të tepëroj fort shumë për nder të Perndisë me efharisti të së shumëvet.
16 Pra andaj nukë lodhemi, ma ndonëse ai njeriu inë që është përjashta prishetë, po ai që është brëndazi përtërihetë ditë për ditë.
17 Sepse shtrëngimi i sorm i lehu inë, bën mbë nevet nder të rëndë të pasosurë, shumë pa masë.
18 Sepse nukë vështrojëmë nevet ato që dukenë, po ato që nukë dukenë, sepse ato që dukenë, sosenë. Ato pa që nukë dukenë, janë të pasosura.