Dy dëshmitarët
1 Pastaj më dhanë një shkop matës që ngjante me një skeptër dhe më thanë: «Ngrihu e mat tempullin e Perëndisë dhe altarin e numëro ata që adhurojnë atje. 2 Oborrin e jashtëm të tempullit lëre mënjanë e mos e mat, sepse u është dhënë kombeve që do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj. 3 Gjatë atyre një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditëve do të dërgoj dy dëshmitarët e mi të veshur me rroba zie për të profetizuar.
4 Këta janë dy ullinjtë dhe dy shandanët që qëndrojnë para Zotit të tokës. 5 Nëse dikush dëshiron t'u bëjë keq, nga goja e tyre do të dalë zjarr që do t'i përpijë armiqtë e tyre. Kështu do të vritet ai që dëshiron t'u bëjë keq. 6 Ata kanë pushtet për të mbyllur qiellin, që të mos bjerë asnjë pikë shi gjatë ditëve kur ata do të profetizojnë. Kanë edhe pushtet t'i kthejnë ujërat në gjak dhe ta godasin tokën me epidemi sa herë të duan.
7 Kur të kenë mbaruar së dëshmuari, bisha që ngjitet prej humnerës do të bëjë luftë me ta, do t'i mundë e do t'i vrasë. 8 Kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili në mënyrë simbolike quhet Sodomë dhe Egjipt, qyteti ku u kryqëzua Zoti i tyre.
9 Njerëzit nga të gjithë popujt, fiset, gjuhët e kombet do t'i shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë dhe nuk do të lejojnë t'i varrosin. 10 Banorët e tokës do të gëzohen për ta, do të festojnë e do t'i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit, sepse dy profetët i kishin munduar. 11 Por, pas tri ditë e gjysmë shpirti i jetës erdhi nga Perëndia dhe hyri tek ata. Dy dëshmitarët u ngritën në këmbë dhe ata që i shikonin i zuri një frikë e madhe.
12 Atëherë dëgjuan një zë të fortë nga qielli që u tha: “Ngjituni këtu lart!”. Ata u ngjitën në qiell mbi një re dhe armiqtë e tyre i panë. 13 Në atë çast ra një tërmet i madh dhe u shkatërrua një e dhjeta e qytetit. Nga tërmeti u vranë shtatë mijë njerëz, ndërsa të tjerëve u hyri frika dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit».
14 Mjerimi i dytë shkoi. Ja ku po vjen me shpejtësi mjerimi i tretë.
Trumbeta e shtatë
15 I ra trumbetës engjëlli i shtatë. Atëherë në qiell u dëgjuan zëra të lartë që thoshin:
«Mbretërimi i botës i përket Zotit tonë
dhe Krishtit të tij,
ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve».
16 Njëzet e katër pleqtë që qëndronin të ulur nëpër frone para Perëndisë, ranë me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë 17 kështu:
«Të falënderojmë, o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm,
që je e që ishe ,
sepse e more në dorë fuqinë tënde të madhe
dhe mbretëron.
18 Kombet u zemëruan,
por ja ku erdhi zemërimi yt!
Erdhi koha për të gjykuar të vdekurit,
për t'u dhënë shpërblimin shërbëtorëve të tu,
profetëve, të shenjtëve, atyre që e druajnë emrin tënd,
të vegjëlve e të mëdhenjve
dhe për të shkatërruar ata që shkatërrojnë tokën».
19 Pastaj u hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe atje u duk arka e besëlidhjes së tij. Atëherë shpërthyen vetëtima, zëra, bubullima, tërmet dhe një breshër i fortë.
Krie e njëmbëdhjetëtë
1 E m’u dha një kallam posi shkop; e ëngjëlli rrij, e më thosh: Ngreu e mat naon’ e Perndisë, edhe thisiastirë, edhe ata që falë mbë të.
2 E avllinë që është përpara naoit lee, e mos e mat atë, sepse është dhënë ndë filira të tjera; e qutetnë Shënjt do ta shkeljënë dizet e katër muaj.
3 E do t’ap të di martirëvet së mi, e do të profitepsjënë një mijë e diqind e gjashtëdhjetë dit, veshurë me thasë.
4 Këta janë të di ullinjatë, e të di kandilierëtë që janë vënë përpara Perndisë dheut.
5 E ndë dashtë ndonjë të dëmëtojë ata, do të dalë zjar nga goja e ture, e do të hajë armiqt’ e ture, e kush të dojë të dëmëtojë ata, kështu duhetë që të vritetë ai.
6 Këta kanë urdhërë të mbilljënë qiellinë të mos lëshojë shi ndë ditë të profitisë ture; e kanë fuqi mbi ujëra, që të bëjënë të kthenenë mbë gjak, e të goditjënë dhenë mbë çdofarë plagë, sa herë që të duanë.
7 E kur të sosjënë që t’apënë martirin’ e ture, bisha që hipën nga avisi do të bëjë luftë me ta, e do t’i mundjë ata, e do t’i vrasë.
8 E trupet’ e ture do t’i lërë ndë rrugë të qutetitë së madh, që thuhetë me aligori Sodhomë, edhe Egjipto, tek u kruqas Zoti im.
9 E (njerëzitë) do të shohënë nga llaotë, e nga filitë, e nga gjuhëtë, e nga miletetë kufomat’ e ture tri dit e gjismë, e kufomat’ e ture do të mos i lënë të vihenë ndë varre.
10 E ata që rrinë mbi dhe do të gëzonenë, e do të lozënë valle mbi ta; e do të dërgojënë dhurëti njeri mbë jatërinë, sepse këta të di profitë vasanisnë ata që rrijnë mbi dhe.
11 Ma pas tri diç e gjismë shpirt i jetësë që vjen nga Perndia hiri mbë ta, e u ngrenë mbë këmbë të ture, e një frik’ e madhe ra mbi ata që i shihnë ata.
12 E digjuanë një zë të madh nga qielli, që u tha ature: Hipëni këtu; e hipnë ndë qiell mbë një mjergullë; e i panë ata armiqt’ e ture.
13 E atë çast u bë një tërmet i madh, e ra e dhjetët’ e qutetit; e u vranë ndë tërmet ëmërë shtatë mijë njerëzet, e të tjerët’ u frikuanë, e dhanë lëvdim Perndisë qiellit.
14 E veja e ditë shkoi, e ja tek vjen veja e tretë me të shpejtë.
15 E Ëngjëlli i shtatë i ra zurnasë, e u bënë zënja të mëdha ndër qiell, e thoshnë: Mbretërit’ e kësaj jetet u bënë të Zotit sonë e të Krishtit së tij, e do të mbretërojë ndë jetë pas jetet.
16 E të njëzet e katër pleqtë, ata që rrijnë mbë frone të ture përpara Perndisë, ranë përmbis e ju falë Perndisë.
17 Tuke thënë: Të efharistisjëmë tij, o Zot, o Perndi, që mban jetënë, që je, e që jeshe, e do të viç; sepse more fuqin’ e madhe tëndenë, e mbretërove.
18 E filit’ e tjera u urgjisnë, e u duk urgjia ote, e koh’ e së vdekuret për të gjukuarë, e për të dhënë pagënë profitëvet ropet së tu, e Shënjtorëvet, ature që trëmbenë ëmërinë tënd, të vogjëjtë e të mëdhinjtë; e të humbaç ata që humbasënë dhenë.
19 E u hap naoi i Perndisë ndër qiell, e u duk qivotoja e dhiathiqisë tij, ndë nao të tij; e u bënë vetëtima, e të thirrtura, e gjëmime, e tërmete, e breshër i madh.